
Marlon Brando lindi në Omaha të Nebraskës më 3 prill të vitit 1924 në një familje tipike amerikane, me prejardhje holandeze, irlandeze, gjermane dhe angleze. Mamaja e tij ishte aktore dhe i ati tregtar. Fëmijëria e tij nuk ishte shumë e gëzuar.
Në një libër autobiografik, Brando shkruante se prindërit e tij ishin të varur nga alkooli dhe babai i tij kurrë nuk i tha një fjalë të mirë. Interesimin e tij për t’u bërë aktor, Brando e lidh me vitet e trishtueshme të fëmijërisë. Ai thoshte se fëmija që ndjehet i papranuar nga prindërit e tij, do të vihet në kërkim për një tjetër identitet që do të ishte i pranueshëm.
Shumë kritikë thonë se Brando ishte një prej aktorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Edhe shumë aktorë thonë se Brando, ndikoi në formimin e tyre më shumë se çdo njeri tjetër në industrinë e filmit.
Marlon Brando është cilësuar si ndër aktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, edhe pse ai kurrë nuk kërkoi të tërhiqte vëmendjen e publikut. Jeta e tij ishte tepër e mbyllur. Por fama e ndërthurur me tragjeditë personale dhe qëndrimet e tij politike, bënë që Brando të ishte vazhdimisht në vëmendje të shtypit e publikut, si atëherë kur refuzoi të merrte çmimin Oskar, edhe kur i biri u dënua për vrasje dhe vajza e tij vrau veten.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu