Lidhu me ne

Temporal

UNË TË DEGJENEROJ

Në gjuhën shqipe të sotme (standard), folja degjeneroj përdoret me kuptimin “zvetënohem”, dhe më tej “humbas cilësitë pozitive të llojit”; njëlloj si edhe forma pësore-vetvetore degjenerohem dhe po ashtu edhe mbiemri i degjeneruar.
Është huazim relativisht i ri nga gjuhët neolatine (it. degenerare), pa ndonjë ndryshim kuptimi; edhe pse do të ketë pasur përdorime specifike në kohët kur diskursi fashist në lidhje me racën dhe pastërtinë racore përcillej me bujë edhe në trojet shqiptare.
Sinonime të saj janë degradoj (degradohem), keqësoj (keqësohem), rrëgjohem, katandis(em), e të tjera; gjithnjë sipas kuptimit bazë të keqësimit të diçkaje për shkak të bjerrjes së cilësive pozitive.
Fjalori i Shqipes së Sotme (2006) e jep foljen degjeneroj edhe si kalimtare, edhe si jokalimtare; por me pak përjashtime, e paraqet si të përdorur vetëm në vetën e tretë, njëjës dhe shumës; në përgjithësi, dallimi në përdorim midis degjeneroj dhe degjenerohem nuk është i qartë. Të krahasohet: Pse ka degjeneruar kështu? me Pse është degjeneruar kështu?
Duke qenë kështu norma, të habitin në vështrim të parë disa përdorime, përndryshe të shpeshta, të foljes degjeneroj në ndërtime kalimtare, me kuptimin e ri “poshtëroj, fyej, shkatërroj, lëndoj rëndë, përbalt, përdhos, fëlliq, përul, shkarëzej, telendis, zhburrëroj,” siç duket nga këta shembuj të nxjerrë nga mediat:
Kur do m’i japësh atletet? Milioneri degjeneron Erik Fullanin.
Noisy degjeneron Encën.
Arjan Çani degjeneron këngëtaren live në emision.
Kompozitori Lalo degjeneron keq Mirela Kumbaron.
Këngëtari shqiptar degjeneron ish-të dashurën.
Kur femra të degjeneron.
Julian Deda degjeneron Jolezën.
Deputetja degjeneron: Rama në ëndërr sheh Vuçiçin.
Vlonjati degjeneron ish të dashurën.
Fjolla Morina e degjeneron Alketa Vejsiun.
Ben Blushi degjeneron qeverinë, i detyron të dalin nga Parlamenti.
Vajza nga Tirana degjeneron djalin.
Edi Rama degjeneron totalisht Ben Blushin.
Drini Zeqo degjeneron Top Channel.
Deputeti i LSI Spahiu degjeneron deputetin e PS…
Ish-deputeti i PD-së degjeneron policin.
Mesila Doda degjeneron ministren Nikolla.
Maniaku ngacmon seksualisht 21 vjeçarin në autobus, i riu e degjeneron.
Erjoni: Alma kthehu. Ajo e degjeneron në rrjet.
Vlonjati i kërkon të dashurës ta bëjnë treshe, por ajo e degjeneron.
Berisha degjeneron Ramën.
Bajerni degjeneron keq Hamburgun.
Këta shembuj, dhe plot të tjerë që gjenden lehtë, dëshmojnë për një kuptim rrënjësisht të ri të foljes degjeneroj – e cila tanimë nuk shënjon një ndryshim (keqësim) të një gjendjeje a karakteristike, ose diçka që ndodh, por një veprim të qëllimshëm që zakonisht ia bën një person një tjetri, për ta poshtëruar në sytë e të tjerëve (ky kusht i fundit ka rëndësi kritike).
Meqë këtë kuptim nuk e kam gjetur dot në gjuhë të tjera, dyshoj se ka lindur brenda shqipes; dhe pikërisht shqipes së mediave.
Preskriptivistët këtu do të thonin, me gjasë, se përdorimi është jonormativ, meqë ndeshet vetëm në habitate specifike të shqipes bisedore të mediave dhe të rrjeteve sociale; duke shënjuar një zhvillim kuptimor që nuk ndjek rregullsitë e pranuara të shqipes. Kushedi edhe do të shtonin që shqipja i ka fjalët për përdorimin e ri (“poshtëron, fyen, lëndon rëndë, etj.”), prandaj ky kuptim i ri është jo vetëm i parregullt, por edhe i panevojshëm.
Për mua këtu, gjithsesi, ka interes të kuptoj se pse ka nisur të përdoret kështu folja degjeneroj – ose për ç’nevojë; sa kohë që përdoruesit e saj i kanë në dispozicion sinonimet ekzistuese. Dhe këtu nuk mund të mjaftohem me shpjegimin se ky përdorim i detyrohet thjesht dëshirës për të përdorur fjalë “të huaja” ose për t’u treguar me kulturë perëndimore ose bartës i një trendi të caktuar. Gjithnjë besoj se ata që e përdorin degjeneroj me kuptimin “fyej rëndë” e kanë një arsye për këtë.
Dhe në fakt, nga shembujt që kam mundur të mbledh, më del se degjeneroj, me kuptimin “fyej rëndë, përbalt, poshtëroj” përdoret për të shënjuar një sulm, sharje, fyerje a përbaltje spektakulare, të kryer në publik, zakonisht para kamerave në emisione live ose në reality shows, ku marrëdhëniet ndërpersonale – ku hyn edhe fyerja a përbaltja – janë gjithnjë edhe pjesë e një performance për të tretin, i cili mund të jetë publiku televiziv ose edhe surrogati i këtij publiku në studio.
Jo rrallë, këto “degjenerime” mund të vijnë të skriptuara, me synimin për të futur një element konflikti në një emision dhe për të tërhequr audiencën.
Brenda kontekst ku ndodh, “degjenerimi” ende nuk është leksikisht i tillë; pse mbetet akoma fyerje, poshtërim, sharje; dhe degjenerimi fillon atëherë kur ky incident, i vërtetë a i trukuar qoftë, i përcillet publikut me një video, ose si lajm në kronikat e “showbiz-it”, ose si thashethem klik-joshës. Kjo mund të shpjegojë deri-diku edhe pse foljen degjeneroj, si folje kalimtare me këtë kuptim të ri, e ndesh zakonisht në vetën e tretë, degjeneron; meqë ajo gjendet gjithnjë brenda diskursit përshkrues a shoqërues të një pale të tretë (p.sh. medias), e cila ia përcjell incidentin publikut, duke i thënë “shih çfarë po ndodh, zbavitu.”
Vitet e fundit, për shkak të një sinergjie prirjesh gjithfarësh në televizion dhe në rrjetet sociale, janë shtuar në qarkullim video-klipet e nxjerra nga emisionet televizive të tipit talk show ose reality show, ose edhe videot amatoriale a të rinxjerra nga xhirimet e kamerave të vëzhgimit, të cilat video përmbajnë zënka, përplasje ndonjëherë edhe fizike, provokime të kalimtarëve (candid camera), përplasje makinash, rrëzime njerëzish në ujë ose në akull dhe lloj-lloj aksidentesh dhe incidentesh në të cilat viktimat poshtërohen ose vihen në pozita poshtëruese a të padëshirueshme.
Arsyet pse tërhiqemi pas pamjeve të tilla nuk janë të lehta për t’u kuptuar; por duhet të kenë të bëjnë me një nevojë tonën primordiale, që të mësojmë nga situata ku të tjerët si ne vihen në rrezik. Kështu mund të shpjegohet pse një video ku këngëtares i këputet rripi i fustanit dhe i del gjiri përjashta shihet shumë më tepër se videoja ku këngëtarja thjesht performon këngën. Këtë e dinë mirë edhe të gjithë ata regjisorë dhe producentë, që i kërkojnë këngëtares ta lirojë pak rripin para se të dalë në skenë.
Në televizionet italiane është bërë i njohur tashmë kritiku i artit Vittorio Sgarbi, për zënkat që provokon kur është ftuar në debate ose edhe thjesht biseda televizive; sidomos kur, pa pritur e pa kujtuar, vihet të “degjenerojë” të ftuarit e tjerë, duke i sulmuar si injorantë, të trashë, të pagdhendur, inkompetentë, e kështu me radhë. Kaq është përsëritur ky fenomen, sa teleshikuesit tashmë presin “degjenerimin” e radhës, sa herë që e shohin Sgarbin mes mysafirëve në një studio debati.
Me gjasë, ky “degjenerim” – në kuptimin e poshtërimit publik të tjetrit – është kristalizuar tashmë si përftesë mediatike, e cila synon dhe ndonjëherë siguron angazhimin e një publiku pa pretendime, ose trashëgimtar të sehirxhnjve të djeshëm, të cilët mblidheshin për të parë, me durim, si do ta ngrinte karrocieri nga toka kalin e rrëzuar, ose si po ziheshin dy gra rome, në tregun e mbathjeve të përdorura.
Kur ka nevojë për diçka të re, gjuha përdor atë material që ka në dispozicion; dhe në rastin tonë, duket se thjesht ia ka ndryshuar natyrën një foljeje nga jokalimtare (mesore) në kalimtare dhe ia ka kufizuar përdorimin në vetën e tretë, duke e specializuar në diskursin narrativ (diegjetik).
Çfarë ka ndodhur (po ndodh) me foljen degjeneroj ka interes kryesisht ngaqë procesi ende nuk ka përfunduar; në kuptimin që studiuesi mund ta filmojë live./Peisazhe.com-Ardian Vehbiu
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix3 minuta më herët

Celine Dion publikon foton e rrallë me dy binjakët e saj 13 vjecarë!

Së fundmi, Celine Dion, e cila është larguar prej kohësh nga qendra e vëmendjes për shkak të problemeve shëndetësore, ka...

Mix5 minuta më herët

Meghan Markle thuhet se është në panik, një dokumentar i ri do të zbulojë detaje tronditëse nga martesa e saj e parë!

Meghan Markle, sot Dukesha e Sussex prej martesës së saj me Princ Harry, ka një të kaluar pak të njohur...

Mix11 minuta më herët

Keni dhimbje barku, por nuk jeni me perioda? +10 shkaqet pse mund të ndodhë

FOTO: ARIS LEOVEN | CANVA Keni dhimbje të forta barku, por nuk jeni me menstruacione? Kjo është një ndjesi e...

Mix13 minuta më herët

Nëse do të provosh një model klasik flokësh, frymëzohu nga Selena Gomez

FOTO: GETTY IMAGES Momentet më të bukura të stilit nga tapeti i kuq në jug të Francës, ku po mbahet...

Mix14 minuta më herët

Ju prezantojmë me 8 ushqimet më të mira për shëndetin e trurit

FOTO: MARYNA IAROSHENKO / GETTY IMAGES E dini që 20% e kalorive që merrni nga ushqimet përdoren nga truri ynë?...

Mix17 minuta më herët

Nëse të pëlqen “Bridgerton”, mos i humb këto seriale

NETFLIX E dimë që jë nga njerëzit e shumtë të fiksuar me “Bridgerton”, të kuptojmë dhe të sugjerojmë plot 11...

Mix20 minuta më herët

Video tronditëse ku Diddy dhunon Cassie: Reagon bashkëshorti i këngëtares

 Bashkëshorti i Cassie Ventura, Alex Fine, ka bërë një reagim pas videos shokuese ku Diddy dhunonte ish-të dashurën në një dhomë hoteli...

Mix26 minuta më herët

Bianca Censori, kundër projektit për të rritur të Kanye West

Në fund të muajit të kaluar, Kanye West ndau në një postim në Instagram që nuk është më i disponueshëm...

Mix32 minuta më herët

3 shenjat e horoskopit që flasin pas shpine

Të gjithë kënaqemi me thashethemet, disa më shpesh e të tjerë më rrallë. Por ka disa shenja që janë më...

Radar37 minuta më herët

Ilir Ikonomi publikon fakte të reja: Ndryshe nga sa thuhet, Ahmet Zogu dhe Fan Noli kanë patur marrëdhënie mjaft të mira

Studiuesi e gazetari Ilir Ikonomi përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se, “ndryshe nga sa thuhet ndonjëherë, Ahmet Zogu...

Facebook