Nga Enkel Demi
Unë e njoh Arben Imamin nuk di prej sa vitesh. Ai është njeri që në politikë ka bërë një karrierë të lakmueshme, ka patur ulje dhe ngritje si askush në këtë lëmë, por duhet thënë që ka vetëm ngjitje në kulturën politike, juridike dhe filozofike, sa të rrallë i gjen. Pos tij, me një vullnet të jashtëzakonshëm për të lexuar dhe për t’u përgatitur në literaturën profesionale kam hasur dikur Azem Hajdarin, por atij ia prenë udhën në mes, prandaj ne e mbajmë mend vetëm për të folmen e ashpër dhe të drejtpërdrejtë, aksionet e forta, por pak kemi dije se sa kishte punuar me veten.
Arben Imami në klasën politike është pa dyshim ndër më të zotët. Bashkëhartues i Kushtetutës me Sabri Godon, aktivist politik shumë i dalluar, organizator i shkëlqyer në bazë dhe natyrë shpërthyese. E bëra këtë shpjegim, pasi ka më shumë se një ditë që pupacë të propagandës po mundohen të na e shfaqin sikur me qenë gdhë.
Pa dyshim, ajo ç’ka lëshoi në emisionin e Blendi Fevziut ishte aguridhe, por edhe ai vetë e ka kuptuar këtë, madje nuk është nisur ta thotë shprehjen me kuptim fyes për nënat që kanë gëzuar shtëpitë e tyre me shumë fëmijë. Këtë e dinë fort mirë edhe ata që e kanë vënë në thepin e pushkës. Por, për ta ka shumë më tepër rëndësi vendosja në shtyllën e turpit e këtij “anti-njeriu” që nuk “do” nënat pjellore, sesa ç’ka tha në fillim, në mes dhe në fund të emisionit.
Ky zhvlerësim bëhet vetëm që t’i rrëfejmë botës se sa mirë ka bërë Lulzim Basha që përzuri nga lista, fushata dhe partia këto lloj “monstrash” që nuk duan gratë me lindshmëri të lartë. Nëse është ky thelbi i betejës politike të Arben Imamit dhe kundërpërgjigjia e establishment-it të Republikës fringo të re, atëherë le të ngremë duart përpjetë, sepse po ngjan e pamundura; po bëhet stan me lepuj.
Mënyra se si është shprehur Arben Imami është padyshim e dënueshme, madje sipas kritereve suedeze, me të cilat ne kemi ngritur demokracinë shqiptare, është “shtazëri” që një gazetar i nderuar si Blendi Fevziu i jep të drejtën e fjalës këtij njeriu të paedukuar dhe të palatuar që bie ndesh me realitetin ku ne frymojmë. Janë këta kritikë që ngrejnë zërin pa hezituar sa herë shkelen të drejtat e grave, ndaj u shkon për shtat gjithë kjo stuhi ndaj Imamit.
Për shembull, ata e vunë re se i përjashtuari nga lista përdori fjalën “pjell” dhe jo “lind”, por nuk gjëmuan përse Partia Demokratike u dënua me 50 milionë lekë gjobë nga KQZ-ja që vetë drejton, sepse nuk respektoi kriterin gjinor, të detyrueshëm me ligj. Nëse në listë do të kishte vend për zonja si Jozefina Topalli apo Majlinda Bregu, ka gjasë që kriteri të ishte plotësuar. Përse kryetari i tyre politik dhe lideri shpirtëror e bëri listën si çetë komitësh, veç me burra dhe la jashtë zonjat politikane të mësipërme, apo zonjat e dalluara që dikur i kam mbivlerësuar si “sharabajkat e Lulit”?
Jo, për këtë anomali të listës nuk pipëtin njeri, por për një fjalë të pavend dhe natyrisht të rrëmbyer po bëhet linçimi publik krejt i “merituar” i Arben Imamit.
Po mirë, meqë ishim në zi pak kohë më parë për poetin Dritëro Agolli çfarë do i themi atij për poezinë “Nëna ime, e bukura Hatixhe”? Ja vetëm strofa e parë:
Nëna ime, e bukura Hatixhe,
Më e bukura nga të githa fshatarkat,
Atje në minder mbi një dysheme
Më polli mua, kur u kthye nga arat
E ka shkruar në vitin 1963, por me kriteret e sotme do e kishim sikterisur, sepse thotë “më polli mua…” dhe jo “më lindi mua…”. Gjyshja ime do të thoshte në këtë rast: “Po shkoni e bëni sh… në ndonjë qoshe!”. Pati sjellë në jetë katër fëmijë./27.al

Image result for arben imami pjell