Lidhu me ne

Kryesore

Nano: Zhurma e Artan Fugës për kërcënimin, një gjest prej llastice

Publicisti Mustafa Nano, duke shkruar për diskutimet mbi reformën në Akademinë e Shkencave dhe mbi kërcënimin ndaj profesor Artan Fugës, thotë se vetë Fuga i bën jehonë kot një kërcënimi që nuk duket fare si i tillë. Nano shprehet se është për të ardhur keq që shkrimi mbi akademinë nuk ka gjetur mbështetje në botën akademike, gjë që është shenjë më vete se çfarë Fuga thotë është e vërtetë: Ajo Akademi ose duhet të reformohet, ose duhet të mos ekzistojë. Nano megjithatë thotë se edhe vetë Fuga më shumë i bëri jehonë, duke u llastuar, një kërcënimi që s’ishte, duke e fokusuar vëmendjen jo te shkrimi, por te kërcënimi
Para dy ditësh, Artan Fuga, nga pozicioni i anëtarit të Akademisë së Shkencave, ngrinte zërin kundër mënyrës se si janë përgatitur e po mbahen zgjedhjet e drejtuesve të kësaj Akademie, por edhe kundër mënyrës se si kjo e fundit funksionon. Është për të ardhur keq që nuk ka gjetur mbështetje në botën akademike, gjë që është shenjë më vete se çfarë Fuga thotë është e vërtetë: Ajo Akademi ose duhet të reformohet, ose duhet të mos ekzistojë. Dhe sikur të mos mjaftonte fakti që askush nuk i bëri jehonë shqetësimit (shqetësimeve) të Fugës, është edhe ky i fundit që bën çmos ta largojë vëmendjen prej debatit që ai vetë tentoi të hapte. Këtë e bëri  nëpërmjet një denoncimi publik mbi një kërcënim që gjoja paska marrë.
“Po më kërcënojnë; po më thonë: qepe ose largohu”, bënte me dije ai në një shënim të tijin në facebook. Dhe kaq u desh që të gjithë të merreshin me kërcënimin që na i qenka bërë Fugës nga dikush në facebook. Në një numër portalesh ishte publikuar i plotë edhe “kërcënimi”.
E futa në thonjëza fjalën “kërcënim”, ngaqë në të vërtetë nuk bëhet fjalë për ndonjë kërcënim. Elda Muçollari (ky është emri që anonimi ka zgjedhur për t’u identifikuar virtualisht) është shfryrë e zbrazur në stil të lirë kundër Fugës, por nuk ka lëshuar asnjë kërcënim. Ajo merrej vesh se fliste në emër të dikujt që ishte i interesuar për të mbrojtur status quo-në në Akademi, që mezi pret zgjedhjet e datës 4 shtator për të bërë të mundur rokadën e çuditshme mes kryetarit e nënkryetarit, që ndihet mirë që gjërat rrjedhin në mënyrë jo transparente në Akademi, e kështu me radhë.
E duhet thënë se njerëz të tillë nuk është e thënë të motivohen veç nga ndonjë interes i tyre. Jo gjithnjë. Në ndonjë rast kundërveprojnë edhe nën shtysa konservatore, për të mos thënë reaksionare. Ata thjesht nuk pranojnë që dikush t’u prishë rendin e gjërave, e në këtë kuptim nuk është se ky rend i vjetruar gjërash përbën domosdoshmërisht një karar të madh në jetën e tyre. Jo, mund të qëllojë që të jetë thjesht rendi i gjërave, me të cilin janë mësuar. T’ua prishësh, është si t’u rrëzosh qiejt mbi krye.
Për ta përmbledhur, reagimi i asaj internatues ishte i shpifur. Ishte i tillë në gjuhë, stil, logjikë. Por nuk ishte kërcënues. Fuga, për ta nxjerrë si kërcënues, ishte përpjekur që ta sintetizonte me një titull (“Pusho ose ik!”, ky ishte titulli), por edhe i sintetizuar në këtë mënyrë reagimi nuk del si kërcënues. Sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, predikati “kërcënoj”, prej të cilit vjen substantivi “kërcënim”, ka kuptimin: “Përpiqem t’i fut frikën dikujt duke e paralajmëruar se do të përdor dhunën a mjete të tjera shtrëngimi; afrohem për t’i bërë dikujt një të keqe, për ta dëmtuar a për t’i sjellë fatkeqësi”.
Bazuar në këtë, merret vesh se nuk kishte në shënimin e atij robit virtual asgjë të përafërt me kërcënimin. Nuk kuptohet mirë pse Fugës i ka pëlqyer të llastohet e të viktimizohet. Madje, mbështetja që mori pas llastimit (asnjërit prej atyre që i dolën në mbrojtje “Fugës së kërcënuar” nuk i shkoi mendja t’i jepte të njëjtit person mbështetje në revoltën e tij ndaj Akademisë) e përndezi Fugën deri në atë pikë sa të shihte në këtë mes edhe punë për organet e specializuara. “Nëse e gjykojnë se mund ta bëjnë”,- shkruante Fuga, duke iu referuar këtyre organeve.
Do doja shumë të dëgjoja nga goja e Fugës se çfarë ka në këtë fabul që t’i bëjë organet e specializuara të vihen në lëvizje. Fraza më e egër në atë letër facebook-u dërguar Fugës ishte: “Hiq dorë nga titulli akademik, kështu çliron ndërgjegjen tënde…”. Unë nuk gjeta një frazë tjetër më kërcënuese. Jam i sigurt se edhe Fuga, nëse nuk është pushtuar nga paranojat, fobitë e hipokondritë, nuk ka gjetur ndonjë frazë tjetër më kërcënuese se kaq. Sepse nuk ka patur ç’të gjente. Mirëpo Fugës i ka pëlqyer kjo lodër. Dhe prandaj i ka rënë edhe dje, pas mbështetjes që mori.
Kam përshtypjen që atë shënimin e djeshëm Fuga e kish shkruar vetëm për atë paragrafin e fundit: “Falenderoj edhe figurat publike që këtë rast të përbuzshëm e trajtuan gjerë si një çështje që lidhet me lirinë e fjalës, e cila padyshim ka pengesat e veta arbitrare në institucione dhe agjenci të ndryshme, si efekt i këtij tranzicioni të gjatë dhe pa mbarim, e këtu një falenderim të sinqertë dhe miqësor për z. Sali Berisha, i cili pati ndjeshmërinë karakterizuese për ta shtruar edhe njëherë lirinë e fjalës intelektuale, të të gjithë profesorëve, akademikë, gazetarëve, artistëve, shkencëtarëve, si një vlerë e shtuar, e cila duhet të gëzojë hapësirat e duhura të munguara, jashtë lincimeve të fshehura ose të hapura publike, si edhe marrjen e saj në konsideratë kundër injorimeve dhe trajtimeve inatcore e hakmarrëse”.
Vini re: Z. Sali Berisha pati ndjeshmërinë karakterizuese për ta shtruar edhe njëherë lirinë e fjalës intelektuale!!!! Ndjeshmërinë…!!!! Edhe njëherë tjetër…!!!! Fiu! Tjetri paska pritur vitin 2017 për të zbuluar ndjeshmërinë karakterizuese të z. Sali Berisha që na u shpaloska edhe një herë si njëherë. Ec aty, Fuga! Çudite edhe njëherë dynjanë me “ndjeshmërinë tënde karakterizuese” për zotërinë në fjalë!
Por po e lë këtë diskutim, pasi nuk më frymëzon fare. Po kthehem tek argumenti. Për të ripërsëritur se reagimi i asaj zonjës në facebook ishte banal sa s’kish ku të shkonte më shumë, por nuk ishte hiç kërcënues. Zhurma mbi kërcënimin ishte një sendërgjí e pashijshme. Një gjest prej llastice. Që është mirë të mos ushqehet më. Çfarë duhet ushqyer e mbështetur, është nevoja për debatin mbi Akademinë e Shkencave. Nga brenda këtë po e bën Fuga. Nga jashtë duhet ta bëjmë ne të tjerët. Pa qenë akademikë. Sepse nuk ka nevojë të jesh akademik për të kuptuar se Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë është një institucion i sklerotizuar e i mumifikuar./Mapo.al/
***Titulli është i redaksisë, titulli origjinal është: Shqetësimi mbi Akademinë dhe sendërgjía e çuditshme e kërcënimeve
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix1 ditë më herët

7 Ide recetash me ushqime që ndihmojnë në rënien nga pesha

Këto receta të thjeshta janë opsione të shëndetshme dhe të shijshme për të shuar urinë ndërmjet vakteve. Përbërësit anti-inflamator në...

Mix1 ditë më herët

Mish i huaj në hundë, shkaqet, simptomat dhe faktorët e rrezikut

Polipet nazale ( mish i huaj në hundë) janë masa beninje jo të dhimbshme që rriten në mukozën e hundës....

Mix1 ditë më herët

Sa operacione cezariane mund të përballojë një grua për lindjen e fëmijëve?

Disa gra lindin në mënyrë natyrale, kurse disa gra tjera lindin me prerje Cezariane. Secila foshnje vjen në këtë botë...

Mix1 ditë më herët

Studimi: Ngjitja e shkallëve do t’ju ndihmojë të jetoni më gjatë

Përfitimet e ecjes për shëndetin tonë psikologjik dhe fizik janë të shumta dhe të gjithë e dimë se sa mirë është për...

Mix1 ditë më herët

11 këshilla të të folurit në publik nga folësit më të mirë të TED Talks

Nuk ka asnjë dyshim: TED Talks kanë ngritur shumë lart atë që konsiderohet një prezantim i paharrueshëm dhe impresionues në...

Mix1 ditë më herët

OpenAI debuton modelin “omni” GPT-4o që fuqizon ChatGPT

OpenAI ka njoftuar një model të ri gjenerues të AI, të cilin e quajtën GPT-4o – “o” qëndron për “omni”,...

Radar1 ditë më herët

Kush po pret fundin e Berishës? “‘Vdiq’ baba të na lirojë krevatin”, Murrizi liston emrat

Ish deputeti Myslym Murrizi, i ftuar në “Breaking”, dha emrat e disa deputetëve të opozitës, të cilët sipas tij po...

Sport1 ditë më herët

Granit Xhaka: Historia e një lojtari që refuzoi të dorëzohet

Shkruhet “Granit Xhaka”, lexohet “Talent, Këmbëngulje dhe Frymëzim”. Historia e tij meriton të shkruhet jo në artikuj, por në libra....

Mix1 ditë më herët

Van Hunt poston ‘pa dashje’ fotografinë nudo të Halle Berry në nder të Ditës së Nënës

Më 12 maj, në Ditën e Nënës, këngëtari 54-vjeçar postoi ‘pa dashje’ fotografinë nudo të partneres së tij, 57-vjeçare, me...

Mix1 ditë më herët

Për ty që do të kesh tatuazhe ‘sekrete’: Ja +10 ide

FOTO: GETTY | EDWARD BERTHELOT Edhe nëse trupi juaj është tashmë i mbuluar me tatuazhe nga koka te këmbët, versionet...

Facebook