Ju duhet pak hapësirë, pak ujë dhe në një kohë rekord mund të keni domate, lakra, kastraveca e çfarëdolloj produkti tjetër.
Po ju prezantojmë me një trend të ri në bujqësi: hidroponinë që bën të mundur që të rrisni ushqimin pa tokë. Kjo është një metodë shumë e mirë e përdorur nga fermerët, duke qenë se ato kultivohen në çdo periudhë të vitit, pa pasur nevojën e energjisë diellore, por edhe si një nevojë për të kultivuar produkte sa më organike.
Për shumë skeptikë, hidroponia shihet si ai fëmija që duhet akoma të përshtatet më shokët e klasës. Kjo, pasi metoda e mbjelljes së produkteve jo në tokë, por vetëm duke përdorur solucione të pasura me ushqyes që shkojnë direkt në rrënjën e bimës, është më shumë një risi sesa një praktikë e njohur mes fermerëve.
E megjithatë, kjo duket se po ndryshon edhe në Shqipëri. Jo shumë larg nga Durrësi, në Spitallë domatet, kastravecat dhe sallata rriten me sistemin hidroponik.
 “Mund të them që kjo është e ardhmja e bujqësisë shqiptare. Ne kemi më shumë se 100 mijë hektarë tokë kripore, që është jashtë funksionit. Hidroponia është zgjidhja tek e cila duhet të drejtohen fermerët”, thotë Bashkim Alushi, ekspert i bujqësisë.
/Agroweb/