Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi dy nga themeluesit e LIBRA-s i kanë dhënë lamtumirën njëri tjetrit, me anë të një komunikimi të ashpër nëpërmjet mesazheve me e-mail.
Disa e-maile të zbardhura nga newsbomb.al tregojnë mesazhin që Blushi i ka dërguar Hafizit, ku e quan hileqare dhe i uron pleqëri të mbarë. Shkak mësohet të ketë qenë propozimi që ka bërë Mimoza Hafizi në statut, për dy krerë partie. “Pension të mbarë Moza… Unë nuk ndaj asgjë me hileqarët”, i shkruan ashpër Ben Blushi bashkëthemelueses së tij.
Pedagogia dhe anëtarja e LIBRA-s Mimoza Hafizi kundërpërgjigjet me një tjetër mesazh kundrejt Blushit dhe anëtarëve të tjerë, teksa shprehet e prekur nga këto fjalë. Hafizi, ndërsa u drejtohet kolegëve tregon se ditët e fundit është fyer shumë nga kryetari Blushi, e pretekst ka qenë drafti i statutit. “Jam thellësisht e prekur nga këto fjalë që vijnë nga personi që kam mbështetur më shumë…”, kështu e nis mesazhin e saj Hafizi, kurse më tej kërkon mbështetje nga anëtarët e LIBRA-s.
Kujtojmë që Blushi dhe Hafizi mbetën jashtë Kuvendit, pasi nuk arritën të mbledhin mjaftueshëm vota në zgjedhjet e 25 qershorit, e fill pas kësaj rënie vijnë dhe përplasjet mes tyre, në mënyrë kaq të hapur.