Nga Rexhep Rada
Mbushur llotot e lagjes, aty ku maksimumi i mendimit kap 1X2 e radhës dhe vriten ato pak neurone të mbetura tek kokëboshet e sotëm. Filozofë tepër të sigurtë në idetë e veta duke diskutuar me verbëri për politikën e për shtetin. Bixhozxhinjtë janë gjithologët që nuk dorëzohen kurrë, kanë siguri edhe më të madhe se të tjeret, se e dine veten shumë të zgjuar edhe pas shumë dështimeve, sepse janë mësuar me humbje e nuk zënë mend edhe pasi kanë lënë çdo të ardhur duke shpresuar në golin e minutës së fundit. Nuk ka mbetur vrimë lagjeje pa futur bastet live, nuk ka kioskë “gjoja internet kafe” pa futur DBG-ne…
Sëmundje e pashërueshme… i përsërisin vetes “nuk luaj më”, “nuk luaj më” dhe gjenden aty diten tjetër që në mëngjes, duke shfletuar gazetën e koeficientëve… Paratë e xhepit, rroga e vogël dhe qindarkat e prindërve derdhen në pikat e basteve… Paratë e korrupsionit përfundojnë gjithashtu aty… Tek vrima e zezë që thith të ardhurat e këtij vendi…
Politikanët i adhurojnë bixhozxhinjtë dhe shtyjnë sa më shumë veta drejt llotove, pasi kështu të rinjtë kanë me çfarë të merren. Nuk kanë kohë që të ankohen ose të kenë kërkesa. Nuk e dinë çfarë është protesta dhe ngrihen nga karrigia vetëm kur përballë hapet një lloto me koeficienta më të lartë…