Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka ndarë tre çmime për temat më të mira të diplomave në ekonomi. Në konkurs marrin pjesë studentë brenda dhe jashtë vendit, për punë kërkimore-shkencore në çështje të lidhura me ekonomiksin monetar e ndërkombëtar, stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, integrimin ekonomik etj.
Çmimi i parë iu dha Vasilika Lushkës, studente në Universitetin e Tiranës, për temën e masterit shkencor “Analiza e strukturës së tregut të sigurimeve në Shqipëri. Rregullimi dhe matja e konkurrencës në këtë treg”.
Një studim që sjell kontribut në fushën e financës, veçanërisht në aspektin e mbikëqyrjes financiare, duke paraqitur një analizë të detajuar të përqendrimit në sektorin e tregut të sigurimeve, si për sigurimet e jetës ashtu edhe ato të jojetës.
Çmimin e dytë e mori Joana Gjinopulli, studente në Universitetin e Tiranës, për temën e saj të masterit mbi “Vlerësimin e efekteve makroekonomike nga ndryshimet klimatike mbështetur në modelet Error Correction Mechanism dhe 2 Stage Least Square: Rasti i Shqipërisë”. Tema merr në shqyrtim një ndër sfidat më të mëdha globale, atë të ndryshimeve klimatike. Ajo analizon në mënyrë empirike ekzistencën e një ekuilibri afatgjatë mes rritjes ekonomike dhe ndryshimeve klimatike për rastin e Shqipërisë. Me çmimin e tretë u vlerësua Denisa Dervishi, studente në Universitetin Epoka, për temën e saj të diplomës mbi “Teorinë e kërkesës për para dhe aplikimi për Shqipërinë nën regjimin e inflacionit të shënjestruar”.
Çmimet u ndanë gjatë takimit që Guvernatori  Sekjo zhvilloi me gazetarë, analistë dhe drejtues të medias./Businessmag