Nga Kavaja ku zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla theksoi se mësuesit nuk do të lejohen me celularë në orën e mësimit.

 “Vitin tjetër përmbyllim gjithë reformën kurrikulare në arsimin parauniversitar. Kemi filluar me një proces të ri rekrutimi përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”. Testimi në kompjuter dhe në kohë reale, çdo mësues që testohet merr përgjigje, kështu do të bëjmë edhe procesin e rekrutimit. Pra ndryshojmë faktin që mësuesit duhet të takojnë drejtorin e zyrës arsimore. Ndërsa Shkolla e Drejtorëve do të mundësojë kualifikimin për çdo drejtues shkolle që janë aktualisht. Që me vitin e ardhshëm shkollor ne rikthejmë inspektimin në çdo shkollë të Shqipërisë.  3 lëndë në 6 orë ishte një nga nismat dhe betejat që u fitua që në javën e parë. Mësuesve do ju ndalohet hyrja në orë të mësimit me celularë, ne do ecim edhe më shumë tek nxënësit por ky është parakushti i parë”, deklaroi Nikolla.
Ministrja tha se mund të mbyllë sytë  kur në provimin e shtetit ngelin edhe 60% e të diplomuarve, duke sqaruar se Portali “Mësues për Shqipërinë” nuk do të lejojë më që në shkolla të shkojnë mësues pa arsimin përkatës, mësues të dobët, mësues që i zgjedh politika dhe ministrja dhe jo merita e tyre
“Unë nuk mund të mbyll sytë dhe të bëj sikur nuk shoh kur në provimin e shtetit ngelin edhe 60% e të diplomuarve në fakultetet tona. Mendoni janë studentë që kanë shpenzuar 5 vite nga jeta e tyre për të mbaruar “Bachelor” dhe “Master” në mësuesi, kanë bërë një vit praktikën profesionale dhe vijnë dhe ngelin në provimin e shtetit. Reforma jonë e mësuesisë besoj do të fillojë dhe t’i japë frytet e veta”, theksoi Nikolla