Lidhu me ne

Temporal

Si lind propaganda në demokraci?

Klementin Mile

Individët që jetojnë në një sistem totalitar, shkruante disidenti i famshëm çekosllovak Vaclav Havel, detyrohen të jetojnë brenda një gënjeshtre. Nuk ka nevojë që ata ta pranojnë gënjeshtrën. Mjafton të kenë pranuar jetën e tyre me të dhe brenda saj. Sepse, me këtë fakt, individët e konfirmojnë sistemin, e përmbushin sistemin, e bëjnë sistemin, janë sistemi.

Megjithatë, do të ishte e gabuar të mendonim se propaganda politike është e kufizuar vetëm në regjimet totalitare apo vetëm ato diktatoriale. Edhe demokracitë janë të prekshme dhe të prekura nga propaganda. Kushtet e mundësisë për ekzistencën e propagandës në demokraci janë të lidhura me transformimin semantik të konceptit të së vërtetës.

Në teoritë filozofike të së vërtetës spikasin tri prej tyre. E para dhe më e vjetra është teoria e korrespondencës. Sipas kësaj teorie, e vërtetë është çka i korrespondon faktit. Kështu, duke e menduar realitetin si të përbërë nga dy nivele, nga fjalët dhe gjërat, e vërteta mbetet të jetë korrespondenca e fjalëve me gjërat, e pohimeve me faktet.

Së dyti, është teoria e koherencës. Sipas kësaj teorie, e vërteta e një pohimi lidhet me koherencën e tij me një set specifik pohimesh të tjera. Pra fjalët ose pohimet nuk kanë nevojë të vërtetohen nga gjërat ose faktet. Fjalët ose pohimet vërtetohen nga të tjera fjalë ose pohime, me kushtin që të ketë koherencë midis tyre.

Së treti, është teoria pragmatiste. Pragmatistët niseshin nga parimi se e vërteta është e kënaqshme për t’u besuar. Kjo do të thotë se e vërteta ka vlerë praktike. Slogani i saj është: “Po funksionoi, është e vërtetë”.

Atëherë, si lidhen këto teori me lindjen e propagandës politike në demokraci? Teoritë e së vërtetës, edhe pse duket të kenë vendin e natyrshëm në disiplinën filozofike të epistemologjisë, janë, para së gjithash, të varura nga konceptimet metafizike të realitetit.

Teoria e korrespondencës, që e paraqet të vërtetën si korrespondencë të fjalës me gjënë, të pohimit me faktin, mbështetej te një konceptim metafizik, që nuk linte vend për të dyshuar realitetin e njohshëm me anë të shqisave. Gjërat dhe faktet ishin, pra, objektive dhe, si të tilla, ato mund të bëheshin themel i qëndrueshëm për të gjykuar vërtetësinë e pohimeve tona.

Por e gjitha kjo ndryshon me kalimin e filozofisë në periudhën moderne të saj. Pas Dekartit, kur filozofia bëhet skeptike dhe sidomos pas Kantit, kur bëhet kritike, nuk mund të flitet më me siguri absolute për realitetin, gjërat dhe faktet. Kështu, Dekarti shtron nevojën për koncepte të qarta dhe të dallueshme, detyrë që ia vendos arsyes, jo shqisave. Ndërsa Kanti e detyron subjektin njohës, subjektin që kërkon të vërtetën e botës, të kthejë vështrimin nga vetja dhe të njohë kapacitetet e veta. Konkluzioni kantian është se njeriu mund të njohë vetëm njërin aspekt të realitetit, atë fenomenal, por realiteti në vetvete i shpëton. E rëndësishme është të kuptohet se pas Kantit, e vërteta nuk mund të jetë më korrespondencë e pohimit me faktin, pasi ky i fundit është shpërbërë ose relativizuar në peshën e vet.

Ndoshta nuk ishte e rastësishme që, fill mbas Kantit, në skenën filozofike erdhi Hegeli, i cili ngriti një sistem filozofik të jashtëzakonshëm, ku çdo pohim ishte në koherencë me të tjerët dhe, për këtë arsye, mund të vlerësohej si i vërtetë.

Por edhe koherenca hegeliane do të merrte goditje të fuqishme. Fillimisht Kirkegardi dhe pastaj Niçe e sulmuan idenë e dijes sistematike, duke vendosur si ideal antisistemin dhe fluksin e pandërprerë. Kjo prirje vazhdoi edhe në shekullin XX me filozofë si Fuko dhe Dëlëz. Pragmatizmi amerikan i Xhejmsit dhe Pirsit, edhe pse nuk mund të thuhet se lindi nga idetë e filozofëve kontinentalë të lartpërmendur, u mundësua metafizikisht prej goditjeve ndaj sistemit të Kirkegardit dhe Niçes dhe u vijua metafizikisht prej Fukosë dhe Dëlëzit. Është interesante të vëresh se slogani pragmatist “Po funksionoi, është e vërtetë” gjen rezonancë domethënëse te raporti që vendos Fukoja midis pushtetit dhe dijes. Po ashtu, Niçe thoshte se nuk ka të vërteta, por vetëm interpretime.

Propaganda mund të shihet epistemologjikisht si pjellë e pragmatizmit amerikan të Xhejmsit dhe Pirsit dhe metafizikisht si pjellë e antisistemizmit europian të Kirkegardit, Niçes, Fukosë dhe Dëlëzit. Këta mendimtarë, por edhe të tjerë në linjën e tyre, shtruan rrugën për ardhjen e fenomenit të propagandës politike në demokraci. Siç thoshte Gëbelsi, ministri nazist i Propagandës, “Kjo do të mbesë gjithmonë njëra nga shakatë më të kripura për demokracinë, që ajo u dha armiqve të saj vdekjeprurës mjetet që e shkatërruan”./Gazeta Liberale

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Radar18 orë më herët

Ajri në Tiranë është më shumë helm se oksigjen, duhet të jesh i zhytur në krim që të mos marrësh masa

Nga Ervin Goci Sot, ajri dukshem ne Tirane eshte me shume helm se oksigjen. Sot do duhej qe te mblidheshin...

Kryesore1 ditë më herët

Uria në Gaza, një krim lufte

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, thotë në një intervistë për BBC se Izraeli mban përgjegjësi...

Mix1 ditë më herët

Eskortat e huaja “pushtojnë” Tiranën, Lekatari denoncon rastin në pallatin e saj

Në një kohë kur në Tiranë po diskutohet shumë lidhur me kthimin e kryeqytetit në një “parajsë” të eskortave të...

Letersi2 ditë më herët

‘Marshi i UÇK’-së, interpretim rrëqethës nga Arif Vladi

“Marshi i UÇK” -së është një ndër këngët më të njohura dhe më të dashura të cilën e ka sjell...

Letersi2 ditë më herët

Poezi për atdheun “Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka…”

Poezi nga Andon Zako Qajupi Mëmëdhe quhetë tokaku më ka rënurë koka,ku kam dashur mëm’e atë,ku më njeh dhe gur’...

Mix2 ditë më herët

Cilësia e lëkurës nis nga ushqimi, kjo është dieta kundër plakjes

Pavarësisht cilësisë së një kremi, ndërhyrjeve apo përparimit të teknologjisë për të përmirësuar pamjen e jashtme, ajo çfarë do të...

Mix2 ditë më herët

Pasuria marramendëse e Selena Gomez, nuk do ta besoni sa fiton për një postim në Instagram

Selena Gomez është një ndër këngëtaret më të pasura të momentit. Me një vlerë neto të raportuar prej 800 milionë...

Kioske2 ditë më herët

Kartolinat e paguara nga Tirana

Nga Andi Bushati Sjellja në shqip e një artikulli të përkthyer të revistës lifestyle italiane Vanity Fair, shkaktoi një polemikë të...

Radar2 ditë më herët

“Noc Rroku” strategjik per qytetaret

Klodian Tomorri Qeveria shpalli sot fazen e dyte te tenderin per ndertimin e ujesjellesit Draleos Drimadhes, i cili do te...

Mix2 ditë më herët

Publikohet traileri i pjesës së katërt të “Bad Boys Ride or Die”

Will Smith dhe Martin Lawrence kthehen në rrënjët e tyre në pamjen e parë për pjesën e katërt të ekskluzivitetit ...

Facebook