Lidhu me ne

Aktualitet

Ditmir Bushati / Opozitari i maxhorancës

Pas ftohjes që nisi me lirimin nga detyra si ministër i Jashtëm, kritikave në Kuvend për mosgjetjen e gjuhës për zgjidhjen e krizës politike, por edhe daljen kundër në disa raste nismave të qeverisë si paketa “Anti-shpifje”, Ditmir Bushati duket se prej një viti po merr formën e një opozitari brenda mazhorancës

Edhe njëherë, Ditmir Bushati theksoi pozicionimin e tij si socialist, progresist, ndërsa maxhoranca prej 2013-s identifikohet si “Rilindje”, kur gjatë fjalës që mbajti dje në Kuvend doli kundër votimit të koncesionarit në Porto-Romano.

“Unë jam njeri që besoj tek idealet e qendrës së majtë dhe e dua publiken”, do të deklaronte deputeti Bushati, duke u ripozicionuar edhe njëherë si kritiku i brendshëm i Partisë Socialiste pasi marrëdhëniet e tij të ndera me kryeministrin Rama u dukën se po zbuteshin me caktimin e të parit si i dërguari special i Kryetarit të Zyrës së OSBE-së.

Duke perifrazuar fjalën e kreut të Kuvendit, në seancën e djeshme plenare, kur tha se ligjvënësit nuk janë zoti për t’ privuar qytetarëve të drejtat themelore, Bushati iu lut deputetëve të mos votonin kontratën e koncesionarit, që siç e cilësoi ai po miratohej pa garë, pa procedurë dhe pa ligj.

“Në rast se do i qëndrojmë këtyre fjalëve do ju lutesha sot fillimisht që mos ta votojmë këtë kontratë, t’i japim kohë vetes, gjithë aktorëve shtetërorë për të bërë analizën më të mirë të mundshme sepse ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, forcë e qendrës së majtë dhe nuk kemi asnjë tagër as si maxhorancë e as si Kuvend i Shqipërisë që të burgosim të ardhmen e gjeneratës së re”, do të vijonte Bushati, duke iu referuar bregdetit si pronë e përbashkët publike dhe nevojës për transparencë.

“Nuk kemi pse t’ia marrim portit të Durrësit dhe t’ia japim privatit. Nuk ka pse ARRSH-ja të nxjerr tenderin 5.5 milionë euro për t’i çuar dhe rrugën privatit. Nuk kanë pse të paguajnë taksa shqiptarët e zakonshëm të këtij vendi dhe të gjithë ne për të çuar atje postën policore, doganierin, kontrollin sanitar dhe fitosanitar. Në rast se doni t’ia jepni privatit, fare mirë mund ta bëjë investimin privati”, do të shtonte Bushat, i mendimit se shoqëria nuk fiton asgjë nga kjo.

“Duam të bëjmë një realitet si Dhërmiu e Palasa? Nuk i kuptojmë ne gabimet tona ku një grusht të pasurish jetojnë në mënyrë ekskluzive dhe nga taksat tona shkon rruga atje, shkon energjia, shkon uji?!”

Duke theksuar tiparet e së majtës dhe atë që e quajti besim tek publikja, Bushati iu referua oligarkëve.

“Unë kam respekt për kapitalin, i heq kapelën çdo biznesmeni të ndershëm shqiptar, por duhet të ndahemi me oligarkinë. Oligarkia është një problem shqetësues në të gjitha vendet e botës dhe niveli i penetrimit në politikë dallon nga fuqia dhe fortësia e institucioneve. Duhet ta përballojmë këtë realitet”.

Për të mos tingëlluar si PD, e cila prej kohësh hedh akuza për bashkëpunim të qeverisë me oligarkët përmes tenderëve dhe koncesioneve qindra milionë euro, Bushati u kujdes të akuzonte edhe opozitën që sipas tij “ditën vajton dhe natën i shkel syrin oligarkëve duke i vënë gjoba. Po nuk kemi pse t’i japim bonus as Presidentit të Republikës që të dalë si garant i mbrojtjes së publikes”.

Edhe në raste të tjera, Ditmir Bushati ka ngritur shqetësimin e një grushti biznesmenësh, të cilët kanë fituar tenderë , në veprat që qeveria mëton si realizojë përmes partneriteteve publik-privat. Pak kohë më parë, madje deputeti tha se në krizën e shkaktuar nga pandemia globale, ai grup i ngushtë përfituesish që operojnë në Shqipëri, do të duhet kontribuonin.

“Po kështu në këtë Kuvend kam folur disa herë për përqendrimin e pasurisë në një rreth vicioz njerëzish, dhe çfarë po synohet me këtë kontratë? Me këtë kontratë synohet që portit të hidrokarbureve ti ndryshohet në thelb objekti”, tha ai, ndërsa shërbimet që pritet t’i ofrojë ky port që do t’i kalojë privatit, i ofron porti i Durrësit.

Pas fjalës së Bushatit do të reagonte kreu i grupit parlamentar socialist, i cili nuk e fshehu habinë për përmbajtjen e fjalës së deputetit, pasi i kishte kërkuar të drejtën për të folur para seancës plenare.

“Fjala e kolegut m’u duk si fjala e Grida Dumës “I shoh gjërat mirë nga jashtë, por s’më duken mirë nga brenda’. Kur vjen këtu, ne duhet të japim shembullin. Kjo historia e diskutimeve patetike thjesht për të kapur lajmin e ditës nuk i bën nder askujt”, do të thoshte Taulant Balla, ndërsa kujtoi se koncesioni ishte miratuar gjashtë vjet më parë nga qeveria shqiptare, kohë kur Bushati ishte ministër i kabinetit Rama, si edhe ka marrë miratimin e Kuvendit, kur në përbërje të tij ishte opozita e vjetër.

Bushati, i cili ka zgjedhur të ruajë si vijimësi atë pavarësi që kishte krijuar si ministër, edhe si deputet është dëgjuar në disa raste të kritikojë qeverinë dhe nismat e maxhorancës, edhe pse tonet e tij sado kritike kanë qenë gjithnjë të moderuara.

Pak kohë më parë ai doli kundër paketës Anti-Shpifje, duke e cilësuar në kundërshtim me Këshillin e Europës dhe iu drejtua kolegëve të tij të maxhorancës se po nxitoheshin me miratimin e një ligji të tillë.

Edhe ndaj rezolutës së PS-së kundër ndikimit rus në partitë politike shqiptare, Bushati doli zë kundër, jo vetëm duke kritikuar formulimin e saj por duke ngritur shqetësimin se mund të kthehej në qesharake.

Ajo që u duk si kundërvënie e Bushatit, i cili për një vit do të kryejë detyrën e delegatit special të caktuar nga Rama si kreu i presidencës së OSBE, ishte edhe ideja e Mini-Shengenit në të cilën kryeministri shqiptar është parë si nismëtar,

“Bashkëpunimi rajonal nuk mund të zëvendësojë procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Pranimi i realitetit do të ishte një përparim i jashtëzakonshëm për ti dhënë fund mosbesimit në rajon, për të ndihmuar në implementimin e reformave në mënyrë efektive dhe eficiente. Kështu pra duke siguruar rrugën drejt Bashkimit Europian”, shkruante në Twitter Bushati.

Muaj pas marrjes së detyrës në OSBE, Bushati duket se do të përforcojë bindjen që krijoi prej më se një viti, që me largimin si ministër i Jashtëm dhe ngërçin që u krijua pas ngurrimit të tij për të dhënë dorëheqjen dhe mos dekretimin nga presidenti të pasuesit të tij, Cakaj, si zëri ndryshe brenda vetë forcës që përfaqëson, ndërsa kryesocialisti Rama do ta largonte edhe nga roli i tij si koordinator i PS-së në qarkun e Shkodrës.

Ai do të deklaronte në media se me kryeministrin Rama nuk kishte pasur as ftohje të marrëdhënieve e as ripajtim, pasi ky i fundit i besoi detyrën në OSBE dhe fjala e djeshme në Kuvend ishte një tjetër përpjekje e Bushatit për të treguar se asgjë nuk kishte ndryshuar dhe se ai do të përfaqësojë alternativën përballë Rilindjes.

“Ne jemi Partia Socialiste, ne jemi partia e progresistëve dhe demokratëve shqiptarë. Jemi partia që kemi ardhur në pushtet në 2013 dhe kemi thënë që do i anulojmë koncesionet, kemi thënë që po keqpërdoret pasuria”, do të deklaronte ai, duke përfunduar me besimin prej të majti “për të mos shkuar në një kapitalizëm grabitqar, ku në politikë njerëzit qëndrojnë vetëm për favore dhe ku oligarkët e shpërthejnë politikën”.

Por zëri i Bushatit, që ka zgjedhur të bëjë opozitë brenda maxhorancës mbetet i vetëm dhe goditës me raste, por jo i fortë dhe i vazhdueshëm sa për të zgjuar brenda të majtëve një fraksion që e mendojnë ndryshe nga kryeministri Rama.

Balla i përgjigjet Bushatit: Fjalim patetik për të kapur lajmin e ditës

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i është përgjigjur ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili foli me tone të ashpra në Kuvend, duke dalë kundër kontratës koncesionare në Porto Romano, pasi sipas tij, qeveria duhet të ndahet nga oligarkët.

“Një përgjigje për një kolegun tim, deputet të grupit parlamentar, që sot në mëngjes më kërkoi se donte të fliste për një çështje me rëndësi dhe mendova se do të fliste për çështje të integrimit europian.

Kuvendi sot po shqyrton një shtesë në një kontratë të një konçesioni që ka rreth 6 vite që është miratuar nga qeveria shqiptare dhe Kuvendi i Shqipërisë. Në atë kohë që është miratuar në atë kohë ka qenë në këtë sallë edhe opozita e vjetër dhe është votuar me konsensus nga i gjithë Kuvendi i Shqipërisë. Nuk besoj që në qeverinë ku ka qenë edhe kolegu im të ketë votuar kundër kolegu.

Unë nuk kam qenë ndonjëherë anëtar i qeverisë, kam qenë gjithmonë deputet i PS-së dhe gjërat i shoh njëlloj sikur jam…, nuk dua të them atë që tha Grida Duma, sepse fjala e kolegut mu duk si fjala e Grida Dumës, i shoh gjërat mirë nga jashtë, por nuk më pëlqejnë nga brenda, prandaj dua të sqaroj se këtu kur vjen, ne duhet të japim shembullin se kur një investim privat ecën mirë dhe paguan taksat dhe ka nevojë të bëjë një ndryshim kontrate…

Kjo historia e diskutimeve patetike, gjoja në interesat e njerëzve, por është thjesht për të kapur lajmin e ditës nuk i bën nder askujt. Shtesa e kontrata koncesionare në Porto Romano është një domosdoshmëri për ta çliruar në të ardhmen Portin e Durrësit nga ndotjet që bëjnë operatorë të ndryshëm. Historia që m’u në qendër të Durrësit shkarkohen kontejnerë me qymyre, krom dhe plehra nuk duhet të vazhdojë më”, tha Balla.

PD: Koncesioni korruptiv privatizon sovranitetin shtetëror

Sekretari për çështjet ligjore, Çlirim Gjata, denoncoi koncesionin korruptiv i cili sipas tij, privatizon sovranitetin shtetëror, cenon sigurinë kombëtare, dobëson luftën kundër drogës dhe trafiqeve.

Në mes të krizës së pandemisë, Edi Rama ka braktisur mijëra familje në mjerim, po shtyn biznesin shqiptar dhe ekonominë kombëtare drejt falimentimit. Por Edi Rama nuk ka pushuar asnjë çast pagesat dhe favoret për oligarkët. Pasurimi i oligarkëve është prioriteti i tij i vetëm.

Ndërkohë që shqiptarët zhyten në varfëri, papunësi dhe pasiguri, Edi Rama po privatizon kufijtë, doganat dhe portet e Shqipërisë duke ua dhënë me koncesion oligarkëve.

Në kulmin e krizës së vendit, Edi Rama po i jep tre oligarkëve të vendit me koncesion një port privat mallrash për të ngarkuar dhe shkarkuar çdo lloj malli që hyn e del nga Shqipëria.

Tani, Edi Rama, me një shtesë të kontratës së koncesionit, ka vendosur që këtë port karburantesh ta kthejë në port për çdo lloj malli të menaxhuar nga këta oligarkë, njësoj si Porti i Durrësit.

Kjo është shkelje flagrante e ligjeve dhe e standardeve të sigurisë kombëtare të vendit. Ky është një skandal korruptiv dhe me pasoja të rrezikshme për Shqipërinë. Ky port privat për mallrat cenon sigurinë kombëtare të Shqipërisë, dobëson luftën kundër trafiqeve dhe kontrabandës ndërkombëtare, përfshi trafikun e drogës.

Porti i oligarkëve rrezikon financat publike dhe mundëson një parajsë të evazionit fiskal. Porti i oligarkëve do të jetë një port për drogën, për kontrabandën, dhe një qendër e krimit. Ky port është privatizim i sovranitetit të Shqipërisë në duart e oligarkëve.

Vendimi për t’u dhënë oligarkëve këtë koncesion të ri, merret kur Edi Rama ka zhytur në papunësi dhe varfëri qindra mijëra familje shqiptare. Vendimi për të pasuruar akoma më shumë oligarkët, për të privatizuar atdheun për interesin e tyre merret nga Edi Rama në këtë kohë të pandemisë ekonomike, kur biznesi shqiptar po shtyhet të falimentojë nga mungesa e ndihmës financiare dhe nga barra e rëndë e taksave.Ja pse taksat që paguajnë qytetarët dhe biznesi nuk shkojnë për të ndihmuar njerëzit. Sepse paratë e shqiptarëve Edi Rama vendos tua falë oligarkëve duke ju ndërtuar edhe rrugën e portit privat me plot 5.4 milionë euro.Kjo është nuk është thjesht vjedhje! Kjo është tradhti që Edi Rama kryen kundër shqiptarëve në kohën më kritike për shëndetin dhe mirëqenien e tyre!

Partia Demokratike dhe Koalicioni Opozitar deklaron publikisht, se nuk e njeh këtë akt kriminal tradhtie ndaj shqiptarëve. Parlamenti dhe qeveria e re e dalë nga votat e shqiptarëve do ta anulojë me efekt prapaveprues këtë vendim të paligjshëm dhe do ti vendosë të gjithë përgjegjësit para drejtësisë. /Gazeta Liberale

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Radar10 orë më herët

Çfarë na tregoi Sondazhi për Opozitën?

Nga Indrit Vokshi Sondazhi në vetvete është njëfarë “spiunazhi”, ai përdoret si mjet për të mbledhur informacion e për të...

Kryesore10 orë më herët

Çim Peka sulmon Ylli Rakipin dhe televizionin ku bëhet emisioni

Pak ditë më parë, gazetari Ylli Rakipi, deklaroi në emisionin e tij se para disa kohësh, kishte parë në një...

Kryesore2 ditë më herët

Shkatërrim në masë/ Qeveria pranon zyrtarisht se taksimi do të mbyllë gjysmën e profesioneve të lira

Klodian Tomorri Kur paraqiti projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024 në Parlament, Ministria e Financave programonte se taksimi i...

Radar2 ditë më herët

Në vend të japë llogari për 3 mandate, Rama merr në pyetjet Fevziun e Mark Markun

nga Anta Muçaku E ju prisni media e gazetari cilësore! Si mund të kemi gazetari cilësore kur Dekanin e Fakultetit...

Mix2 ditë më herët

3 Ushqimet më të mira për shëndetin e dhëmbëve

Ushqimet luajnë një rol kyç në shëndetin e dhëmbëve dhe për buzëqeshjen. Larja dhe pastrimi në imtësi i dhëmbëve, por...

Mix2 ditë më herët

Valbona Selimllari: E shoh shpesh videon kur u shpalla Miss, nuk më pëlqen

Valbona Selimllari ka treguar me shumë për jetën dhe karrierën e saj. Teksa ishte e ftuar ditën e sotme në...

Mix2 ditë më herët

Shenjat e hershme (përveç testit) që tregojnë se jeni shtatzënë

FOTO: GETTY IMAGES Kur mendoni për shenjat dhe simptomat e shtatzënisë, ato klasike që të vijnë në mendje janë shpesh...

Mix2 ditë më herët

Penelope Cruz (50 vjeç) tregon sekretin e bukurisë

GETTY IMAGES Ky vit i është dedikuar me gjithë dashurinë dhe fuqinë grave të Hollywood që janë mbi të 50-tat...

Mix2 ditë më herët

Disa emra të shkurtër për bebushat, frymëzuar nga VIP-at shqiptarë

Emrat e shkurtër janë gjithnjë e më në modë. VIP-at shqiptarë nuk u kanë rezistuar trendit me emrat që memorizohen...

Mix2 ditë më herët

Brad Pitt zbuloi tre “super filmat” që nuk donte t`i bënte: E urreja të punoja aty!

Brad Pitt ka zbuluar se në cilët filma e ka urryer të punonte, edhe pse ato rezultuan ne fakt, nje...

Facebook