Lidhu me ne

Kryesore

Analiza/ Lubonja: Kë do ndëshkojë vota e 2021

Në prag të zgjedhjeve të vitit 2016 në SHBA, kineasti dhe aktivisti i njohur amerikan, Michael Moore rreshtoi pesë arsye përse do të fitonte Trump dhe jo Clinton. E pesta ishte “Efekti Jesse Ventura”, që lidhej me historinë e zgjedhjes më 1998 të guvernatorit të Minnesotas. Njerëzit aty ishin aq të lodhur e zhgënjyer me qeverisjen e republikanëve dhe demokratëve sa votuan mundësin profesionist Ventura, jo se e vlerësonin, por si ndëshkim ndaj tyre. Shkurt, kjo është vota e ndëshkimit, që është një element i rëndësishëm i demokracisë që ecën përpara edhe nëpërmjet ndëshkimit.

Para disa ditësh hasa në një debat që më kujtoi këtë efekt. Një kundërshtar i Ramës i thoshte një votuesi të tij të djeshëm: A të kujtohet kur në kohën e tërmetit, sa herë shihte ndonjë qen duke lehur e përdorte kafshën fisnike për të sharë gazetarët, duke i thirrur pronarit të qenit: “Hiqe more atë analist!”. Nëse ke respekt për veten dhe nuk e do opozitën, shko dhe shkruaj në fletën e votimit emrin e qenit të shtëpisë, të qenit të komshiut apo të ndonjë qeni rruge, por jo të Edi Ramës dhe kandidatëve të tij.

Për fat të keq, te ne, për shkak të shumë faktorëve që s’po i analizoj këtu, vota e ndëshkimit shkon tek i forti i radhës, që janë partitë kryesore opozitare. Kush i mban mend zgjedhjet e vitit 2005, besoj se e ka parasysh se spotet elektorale të PS-së asokohe u mbështetën në rifreskimin e pamjeve të bëmave të Berishës më 1997-n. “Kujtohuni se çfarë ju ka bërë ky njeri!”, ishte mesazhi. Besoj se një nga arsyet pse shqiptarët e votuan, megjithatë, ishte jo pse e kishin harruar ‘97-ën, por për të ndëshkuar aferat e korrupsionit të Nanos dhe talljet e paturpshme, me të cilat i shoqëronte ato.

Ashtu sikurse Rama më 2013, edhe opozita e sotme e ka më pranë vetes këtë votë nevoje ndëshkimi. Këtë e vërtetojnë edhe përpjekjet që po bën Rama për të penguar krijimin e koalicioneve. Është e sigurt se deri në ardhjen e zgjedhjeve, do të na befasojë me stratagjema të tjera në funksion të minimizimit të votës së ndëshkimit.

Por, si po reagon opozita përballë këtij aktiviteti? Për mua po reagon me sigurinë se vota e ndëshkimit do t’i japë fitoren. Në reagimet e saj për manovrat e fundit të Ramës mbizotërojnë fjalët: “asgjë nuk e shpëton nga humbja e sigurt”. Sipas meje po neglizhon dy faktorë që, nëse vazhdon kështu, me shumë gjasa do t’i sjellin një zhgënjim të radhës.

I pari është injorimi i sistemit kapilar të grabitjes së votës, që ka ngritur Rama nëpërmjet kontrollit të plotë që ka mbi pushtetet: ekzekutiv, parlamentar, gjyqësor, mediatik, financiar-ekonomik, mbi pjesën më të madhe të shoqërisë civile si dhe mbi pushtetin e madh të krimit.

I dyti është fakti se shumë shqiptarëve u është mpirë shpirti i ndëshkimit për shkak se ardhja në pushtet e opozitave më 1997, më 2005 dhe më 2013 nuk u ka sjellë ndëshkimin e premtuar, përkundrazi. Dhe kur flas për ndëshkim, nuk kam parasysh thjesht nevojën për të parë prapa hekurave abuzuesit e të korruptuarit, por, në thelb, nevojën e njerëzve për t’iu imponuar politikanëve për ndryshimin e sistemit të korrupsionit dhe vjedhjes, si dhe të ndryshimit të sjelljes së tyre në funksion të këtij sistemi.

Prandaj, gjykoj se për të fituar, opozitës i duhet vota e besimit, me çka kuptoj votën e njerëzve që shkojnë në votime jo për të zgjedhur të keqen më të vogël, as për të ndëshkuar të keqen me një të keqe, por nga besimi se po votojnë për ata që do të bëjnë, më në fund, vërtet mirë.

Mund të rreshtoja argumente për të vërtetuar se opozita punon pak ose aspak për të ngjallur këtë frymë besimi. (Duke qenë se po flas për ndëshkim, do të thosha se argumenti kryesor në këtë drejtim është pikërisht mosndëshkimi brenda saj i protagonistëve të ngritjes së sistemit oligarkik kriminal, që Rama sot po e çon në ekstrem). Por le të ndalem te mënyra sesi iu qas debatit mbi ndryshimin e sistemit zgjedhor. Edi Rama në manovrat e tij për të hequr koalicionet përdori argumentin e listave të hapura. Opozita reagoi duke demaskuar hipokrizinë e tij. Këtë e bëri jo keq. Edhe më mirë veproi kur pranoi të japë konsensusin për 100% lista të hapura me ruajtje të koalicioneve. Por, a nuk mbetemi përsëri te puna për të marrë votën e ndëshkimit? Po, sepse kushdo që kërkon të votojë me besim, nuk mund të mos ngrejë pyetjen: po çfarë e pengoi PD-në të mbante qëndrim konstant dhe të fortë pro listave të hapura, madje edhe në nivel kombëtar gjithë duke ruajtur koalicionet – siç bëri më në fund? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: sepse nuk kapërcen dot atë që është e keqja më e madhe e politikanit shqiptar: të sakrifikojë interesin e vet të pushtetit dhe të parasë për interesin e shumicës.

Sigurisht, është naivitet të mendosh se liderët e opozitës mund të ndryshojnë antropologjiket në këta muaj që kanë mbetur, duke sakrifikuar veten për të fituar besimin e njerëzve. Madje, paradoksalit, mund të them se në kundërshtim me çfarë thashë vetë më sipër, sikur të ndodhte një mrekulli e tillë, shanset e tyre për fitore ndoshta edhe mund të pakësoheshin në vend se të rriteshin, pasi sistemi i së keqes që kanë ngritur (së bashku) mund ta pranojë rrotacionin vetëm me kusht që të zëvendësojë shoferin, por jo makinën dhe rrugën e tij. Por një minimum pune, përtej retorikave që synojnë votën e ndëshkimit, për të ngjallur votën e besimit, duhet megjithatë. Sepse Rama sot nuk ka nevojë të demaskohet pasi ka bërë shumë për t’u vetëdemaskuar, madje edhe te ndërkombëtarët. Ai ka nevojë të luftohet dhe mjeti më i fortë demokratik është mobilizimi masiv i njerëzve kundër tij, çka, sipas meje, kërkon votën e besimit.

 Fatos Lubonja/ Panorama

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Radar2 ditë më herët

Çfarë na tregoi Sondazhi për Opozitën?

Nga Indrit Vokshi Sondazhi në vetvete është njëfarë “spiunazhi”, ai përdoret si mjet për të mbledhur informacion e për të...

Kryesore2 ditë më herët

Çim Peka sulmon Ylli Rakipin dhe televizionin ku bëhet emisioni

Pak ditë më parë, gazetari Ylli Rakipi, deklaroi në emisionin e tij se para disa kohësh, kishte parë në një...

Kryesore3 ditë më herët

Shkatërrim në masë/ Qeveria pranon zyrtarisht se taksimi do të mbyllë gjysmën e profesioneve të lira

Klodian Tomorri Kur paraqiti projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024 në Parlament, Ministria e Financave programonte se taksimi i...

Radar3 ditë më herët

Në vend të japë llogari për 3 mandate, Rama merr në pyetjet Fevziun e Mark Markun

nga Anta Muçaku E ju prisni media e gazetari cilësore! Si mund të kemi gazetari cilësore kur Dekanin e Fakultetit...

Mix3 ditë më herët

3 Ushqimet më të mira për shëndetin e dhëmbëve

Ushqimet luajnë një rol kyç në shëndetin e dhëmbëve dhe për buzëqeshjen. Larja dhe pastrimi në imtësi i dhëmbëve, por...

Mix3 ditë më herët

Valbona Selimllari: E shoh shpesh videon kur u shpalla Miss, nuk më pëlqen

Valbona Selimllari ka treguar me shumë për jetën dhe karrierën e saj. Teksa ishte e ftuar ditën e sotme në...

Mix3 ditë më herët

Shenjat e hershme (përveç testit) që tregojnë se jeni shtatzënë

FOTO: GETTY IMAGES Kur mendoni për shenjat dhe simptomat e shtatzënisë, ato klasike që të vijnë në mendje janë shpesh...

Mix3 ditë më herët

Penelope Cruz (50 vjeç) tregon sekretin e bukurisë

GETTY IMAGES Ky vit i është dedikuar me gjithë dashurinë dhe fuqinë grave të Hollywood që janë mbi të 50-tat...

Mix3 ditë më herët

Disa emra të shkurtër për bebushat, frymëzuar nga VIP-at shqiptarë

Emrat e shkurtër janë gjithnjë e më në modë. VIP-at shqiptarë nuk u kanë rezistuar trendit me emrat që memorizohen...

Mix3 ditë më herët

Brad Pitt zbuloi tre “super filmat” që nuk donte t`i bënte: E urreja të punoja aty!

Brad Pitt ka zbuluar se në cilët filma e ka urryer të punonte, edhe pse ato rezultuan ne fakt, nje...

Facebook