Lidhu me ne

Temporal

Fitues të humbur dhe humbës të fituar

Neritan Ceka  |   

Neritan Ceka

Kur Juli Xhokaxhi më ftoi për të folur mbi rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, i thashë se nuk mund të vija, për shkak të angazhimit tim në punën shkencore ne Institutin e Arkeologjisë dhe Akademinë e Shkencave, pra të një statusi që rezervon ndërhyrjen në opinionet politike. Kjo më la ndjesinë e një qortimi dhe të një pendese, si refuzimi i parë pas dy dekadash dialogu me gazetaren e shquar.

Prandaj, siç thoshte profesori im i Fakultetit Skënder Luarasi, tani që mbylla gojën, kjo nuk më pengon të shkruaj. Fituesi i humbur në titullin e artikullit tim – që duket si paradoksal – është pikërisht Kryeministri, “un uomo in cerca di guai”, siç e kam quajtur, i cili vërtet hyri edhe kësaj radhe pa program në fushatën më të vështirë elektorale të Partisë së “Pallatit të ëndrrave”, por doli prej saj me një plaçkë lufte rrëmbyer kundërshtarit, që është pikërisht programi Basha.

Kjo do të thotë se votuesit e vëmendshëm të të dyja palëve kanë të drejtë të kërkojnë prej Kryeministrit në krye të katër vjetëve rritjen e pensioneve e të rrogave, ndryshimin rrënjësor në fushën e arsimit dhe shëndetësisë dhe komunikimit, kreditimin bujar të iniciativave në bujqësi dhe në biznesin e vogël, rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe më kryesorja, hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.

Me një faturë të rënduar nga gropa e madhe buxhetore, vazhdimi i rrugës pa pushuar do ta zbehë shumë shpejt entuziazmin e fitores. Pas kësaj gostie të madhe, ku askush nuk paguan përveç ftuesit, vijnë kokëçarje të tjera, për të kthyer borxhet e darovitura, për të shpërblyer kuzhinierët e kamerierët e panumërt të kësaj gostie, këngëtarët e këngëve të fitores etj., etj.

Janë edhe të pakënaqurit, ata që shërbyen me zell, me shpresë se festa do të vazhdonte me ndarjen e dhuratave, pra të vendeve të punës, vende të cilat në fakt kanë qenë shpërndarë që përpara dasmës, shumë kohë më parë. Edhe Kuvendi me një numër aq të vogël avantazhi, e bën atë një vend tjetër kokëçarjesh, ne krahasim me “Panairin e kotësive” të mandatit që kaloi.

Secili prej atyre që ulen në stolat fitues do të ketë si preokupimin më të madh se si të nxjerrë ato miliona lekë që ka sjellë si dhuratë në dasmë, natyrisht përmes Kryeministrit dhe në kurriz të buxhetit, duke pasur si preokupimin më të vogël e më të largët hallet e elektoratit.

Në Shqipëri, dhe jo vetëm, menaxhimi i fitores është gjithmonë më i vështirë se ai i humbjes. Opozita është komode, pati thënë në një rast të ngjashëm Kryeministri Berisha.

Në pamjen e parë duket se kjo nuk ndodh në kampin blu, që është i zhytur në një trishtim të thellë, pas një beteje të gjatë, të vështirë e të përkushtuar, që meritonte fitoren. Por ja që nuk ndodhi, për arsyen e thjeshtë se në një vend, në të cilin votohet gjithmonë “Kundër”, zgjedhjet nuk fitohen, por vetëm humben. Zakonisht humbet ai që ndodhet në pushtet, për një arsye tjetër të thjeshtë, sepse në vende të tilla nuk numërohen golat si në ndeshjet e futbollit, por vetëm autogolat. Pra, humbet ai që bën më tepër të tilla, në këtë rast pozita.

Por në rastin tonë opozita hyri në lojë me dy autogola të paimagjinueshëm: braktisjen e Parlamentit dhe atë të zgjedhjeve vendore. Në një betejë elektorale në Arnautistan, siç e quan Muç Nano, kësaj i thonë të futesh me një ushtri më pak, që janë disa mijëra pagamarrës të bashkive, për të mos llogaritur kolonelët e gjeneralët e Parlamentit. Të nisësh një betejë elektorale me 5% më pak është vërtet një guxim i madh, për të kërkuar një fitore prej saj. Ishte pra fushata e një humbjeje të paralajmëruar. Më e keqja vjen pas, kur kjo ushtri e dëshpëruar, që e shikonte fitoren si shansin për të rimarrë vendet e punës, apo privilegjet e gradave partiake, e sheh mirazhin e arritjes së synimeve të saj të largohet edhe katër vjet përtej dunave të qeverisjes njëpartiake shqiptare.

Nga kjo vjen edhe ai zemërim kundër liderit, me dëshirën për ta linçuar, natyrisht politikisht, dhe që shprehet nga kasnecët e përjetshëm të partisë, pikërisht nga ata që kanë qenë simboli i denatyrimit dhe humbjes së identitetit të saj, shprehës të interesave dhe pasioneve meskine të pakicave nën strehët komode të çdo partie politike. Në të vërtetë zgjedhjet politike të një kombi të qytetëruar nuk janë ndeshje partish, por përballje të grupeve të mëdha shoqërore, që finalizohen gjithmonë me një fitore të madhe dhe të vetme për të gjithë, që është riformulimi i mënyrës se si do të drejtohet shoqëria në katër vjetët e mandatit.

Nuk jam shumë i sigurt nëse elektorati që votoi të majtën është i bindur se ka konfirmuar një pozitë të aftë, të pakorruptuar, patriotike dhe europiane. Në fund të fundit të fitosh pozitën në Arnautistan nuk është një arritje e madhe, sepse ajo nuk na ka munguar kurrë. Madje kemi pasur gjithmonë një pozitë, një pushtet të tepruar, siç thoshte njëri nga udhëheqësit e hershëm të demokratëve. Ajo që na ka munguar në 40 vjetët e komunizmit, por edhe në pjesën më të madhe të tranzicionit ka qenë opozita.

Pra, ka munguar pikërisht ajo që u duhej njerëzve të thjeshtë, të gjithë atyre që pushteti i trajton si nënshtetas, si civilë do të thoshte Shvejku. Ky elektorat transversal, që shtrihet në pjesën më të ulët të kampeve, është fituesi i vërtetë i humbjes.

Është ai që ka një opozitë që u formua në një fushatë për herë të parë programatike, pa fyerje e sharje të kundërshtarëve, gjithashtu arnautë, pa nëpunës që fshihnin fytyrat me maskat anti-Covid, pa kamionë që sillnin vërdallë të njëjtat karrige, ku uleshin të njëjtët shpirtra të vdekur, pa banditë që trembnin qytetarët e pambrojtur etj., etj. Është ajo fushatë që krijoi një lider modern europian, programatik, racional dhe fatmirësisht, pa karizmin destruktiv të liderit “me karakter”.

Për një historian, dhe ky është pozicioni i vetëm nga e shoh këtë fragment të historisë sonë përgjithësisht irracionale, ky është shansi i kthimit në normalitet, që fillon gjithmonë nga opozita. Imagjinoni se si do të kishte qenë historia jonë nëse do të ishte ruajtur opozita “e dobët” e vitit 1947!

Meqenëse historia përsëritet, si do të kishte shkuar tranzicioni nëse do të ruhej opozita vetëm me 70 deputetë në Kuvendin prej 240 deputetësh të zgjedhjeve të 31 marsit 1991? Pra, le të mos e përsërisim historinë, duke prishur që në lindje opozitën me argumentet diletanteske, se lideri humbës duhet të dorëhiqet, duke harruar se ne në një vend si yni, opozita dhe lideri i saj u përkasin zgjedhësve dhe jo partisë së paduruar nga pritja e gjatë për pushtet. Statistikat më formale e qartësojnë këtë nga votuesit që ndanë pothuaj barabar rezultatin.

Sepse ndryshimi nuk është gjithmonë rotacioni, por edhe ai lloj ndryshimi kur pozita merr detyrimisht një program tjetër për ta zbatuar.

Ndoshta kjo po ndodh, sepse Kryeministri bën thirrjen për bashkëpunim, qoftë larg nëse nuk kupton me këtë edhe pushtimin e opozitës, pasi ka okupuar të gjitha pushtetet. Le të shpresojmë që përtej dinakërive të trashëguara nga esenca otomane e pushteteve në Arnautistan, kjo të jetë një thirrje e nevojës për të mbajtur së bashku peshën e rëndë të këtyre viteve.

Nuk ka dyshim që pika e gravitetit delikat të kësaj peshe do të jetë pikërisht Parlamenti, ku Kryeministrit nuk i mjaftojnë të vetët për të përballuar po të vetët në batakun që është krijuar në vitet e fundit në atë institucion jetësor për qeverisjen. Dhe aleatët pa kosto natyrisht i ka vetëm opozita, nëse ajo ka një lider luajal.

Cila do të ishte këshilla e një historiani në këtë rast? Qoftë edhe e deputetit të parë që u ul në ndenjëset e opozitës më 15 prill 1991, pasi ajo kishte munguar në atë sallë që prej 44 vitesh me një filozofi të re që u përmblodh në shprehjen “opozitarë, por vëllezër”.

Do të thosha thjesht se elektorati, pra i gjithë elektorati, nuk voton për të zgjedhur vetëm pushtetin me Kryeministrin e tij, por edhe opozitën me liderin e saj. Asnjë person, asnjë forum nuk ka tagër ta ndryshojë këtë vendim, deri në kohën që secili do të justifikojë, apo jo, mbështetjen që ka marrë nga elektorati.

Kur ky elektorat ka vendosur që të ketë një Kryeministër pozite, ashtu si edhe një lider opozite, çdo përpjekje për t’i unifikuar është e papranueshme. Këshilla e vetme si historian dhe ish-deputet që mund t’u jap fituesve-humbës është: “Silluni në pushtet, sikur të jeni në opozitë!”.

Ndërsa humbësit-fitues do t’i këshilloja: “Sa më mirë të punojë pozita, aq më shpejt do të ktheheni në pushtet dhe aq më të lehtë do ta keni që ta mbani atë!”.

Për këtë duhet një kontratë e hapur pozitë-opozitë, e integruar si aneks në programin e qeverisë së re dhe e miratuar nga Parlamenti në muajin shtator.

Një kontratë që të garantojë departizimin e shtetit aktual të Arnautistanit nga mijëra patronazhistët dhe merhumë, që janë kanceri i tij me provincializmin facial të tyre, me mungesën e personalitetit, me ambicie dhe ëndrra të atrofizuara, si antiteza e asaj rinie me frymëzim europian, që po e braktis vendin edhe për shkak të kësaj covido-partie.

Një kontratë që vendos në Kushtetutë ndarjen e qartë të partisë nga shteti, që e bën partinë institucion shtetëror me të gjitha kriteret që kërkohen nga nëpunësit civilë dhe që eliminon mundësinë e përdorimit të partisë si pronë personale.

Një kontratë që të kthejë besimin se Shqipëria bëhet, jo si aneks i përbuzur i BE-së, por si shtet i qytetarëve të lirë e të fortë, si vend ku rikthehen vlerat e kombit, familjes dhe individit. Më në fund, dua t’i kërkoj falje mikes sime të hershme, Juli Xhokaxhi, për këtë intervistë të munguar, duke mos qenë shumë i sigurt nëse do të kishte marrë këtë formë nën breshërinë e pyetjeve dhe ndërhyrjeve të saj.

E siguroj që nuk është një predikim biblik, një përsiatje e shprehjes profetike “Mos u gëzo i gëzuar dhe mos u hidhëro i hidhëruar!”.

Por, në fund të fundit, a nuk është Bibla programi më i hershëm i grupimit më të suksesshëm njerëzor që nga lashtësia.

A nuk gjejmë aty gjithë paralelet e politikës së sotme, me liderët karizmatikë, dishepujt dhe judët. Madje edhe me votimin demokratik, kur populli pa asnjë lloj fushate e presioni, mbërtheu në kryq Shpëtimtarin dhe çliroi Barabën, mashtruesin, vjedhësin dhe të korruptuarin.

(Çdo ngjashmëri me lëvizjet e numrave në listat partiake të zgjedhjeve të fundit, si rezultat i votimit të lirë e të papaguar të votuesve të 25 prillit, është e rastësishme!).

Me teper

Kritike1 ditë më herët

Shkodra nuk gjen qetësi. Sepse pushtetin e kanë bandat.

Shkodra nuk gjen qetësi. Sepse pushtetin e kanë bandat. Një tjetër i zhdukur, që u gjend sot i vrarë. Rekordi...

Aktualitet1 ditë më herët

Kjo rrugë të çon në Syrin e Kaltër.

Z. Kryeministër, Pas kësaj rruge ndodhet 1 prej pasurive më të mëdha natyrore të Shqipërisë dhe 1 prej destinacioneve kryesore...

Temporal1 ditë më herët

Emigracioni dëmton forcën e punës, 18 mijë të rinj 15-29 vjeç më pak në një vit

Grup-moshat e reja 15-29- vjeç, pjesë e popullsisë në moshë pune, u tkurrën me shpejtësi përgjatë vitit të kaluar. INSTAT...

Stil2 ditë më herët

5 restorantet që preferoj në Prishtinë

Nga Enver Robelli  E kam të qartë: kjo listë është krejtësisht subjektive, pra një vlerësim fund e krye personal, por është...

Stil2 ditë më herët

Milioneret e instagramit që bëjnë shumë “zhurmë” për para, zbulohen çmimet e Luana Vjollcës, Arbana Osmanit dhe Teas

“Instagrami” sot është kthyer në një biznes shumë fitimprurës për njerëzit e njohur të ekranit. Ka nga ata personazhe që...

Temporal2 ditë më herët

Masakra e Tivarit, tragjedia më e madhe e regjimit komunist

Masakra e Tivarit e vitit 1945 cilësohet ndër ngjarjet më tragjike të popullit shqiptar, kur forcat ushtarake të ish-Jugosllavisë vranë...

Kryesore2 ditë më herët

Basha: S’lejova bashkëpunimin me bandat në zgjedhje, dhe s’do ndalemi deri sa të çmontojmë regjimin Rama-Doshi.

Kryedemokrati Lulzim Basha, në mbledhjen e kryesisë është përballur me debat dhe sulme nga Fatbardh Kadilli. Basha ka deklaruar se...

Stil2 ditë më herët

Tre shenjat e horoskopit që i fshehin ndjenjat

Akrepi Fillojmë me zotin e fshehtësisë dhe dyshimit. Nëse ndonjëherë merrni ndonjë fjalë nga Akrepi, me të vërtetë do të...

Radar2 ditë më herët

Andi dhe Melisa pranuan lidhjen/ Tea mesazh dyshes

Vetëm disa ditë më parë Melisa dhe Andi pranuan lidhjen e tyre, ndërsa ndjekësit u bënë kuriozë për regimin e...

Kioske2 ditë më herët

Si favorizohen oligarkët?

Si favorizohen oligarkët? Kur Kastrati Group bleu Hotel Sheraton në vitin 2018, shumë u çuditën. Një kompani që kishte eksperiencë...

Facebook