Lidhu me ne

Mix

Pse duhet të bëhemi synet ? Të gjitha faktet, përse është i dobishëm syneti

PicMonkey Collage

Nga Denisa Canameti

“Të mirat që sjell të bërit synet, janë shumë më të mëdha, sesa dhimbja dhe ankthi që sjell procedura kirurgjikale tek fëmija dhe familja”. Dëfrim Koçinaj kirurg pediatër në Spitalin e Prishtinës shpjegon për lexuesin e gazetës “Shëndet+” gjithçka rreth rrethprerjes(të bërit synet). Anët pozitive dhe negative të kësaj ndërhyrje, çfarë tregojnë studimet më të fundit, a është rrethprerja një ndërhyrje e gabuar, çfarë ndodh nëse nuk bëhet, mosha e përshtatshme, cilat janë sëmundjet që parandalohen në të ardhmen si dhe a ka komplikacione si proces. Përveç të tjerash mjeku thekson se kjo mund të ndikojë edhe tek partnerja femër. Kështu, kanceri i qafës së mitrës, ka një numër të zvogëluar tek gratë, burrat e të cilave janë të bërë synet, sepse kanë një rrezik të ulur të infeksionit shkaktar për këtë kancer.

Çfarë nënkupton të bërit synet?

Cirkumcizioni, ose të bërit synet, është procedura kirurgjikale që konsiston në heqjen e lafshës (lëkurës) të kokës së penisit. Kjo procedurë është shumë e lashtë dhe ka evidencë nga papiruset egjiptiane më të vjetra se 5000 vjeçare.

Rreth një i pesti mashkull në botë është i bërë synet, ose çdo 1 minutë realizohen 25 cirkumcizione në botë. Më së shpeshti realizohen për arsye fetare, kur procedura bëhet pak kohë pas lindjes, ose deri në pubertet, ndërsa më pak bëhet për arsye mjekësore, kryesisht tek të rriturit.

A është mirë që fëmija të bëhet synet?

Janë bërë shumë studime gjatë shekullit të XX, sigurisht që shpesh kanë qenë kundërthënëse. Por, konkluzioni ka qenë që të mirat që sjell të bërit synet, janë shumë më të mëdha, sesa dhimbja dhe ankthi që sjell procedura kirurgjikale tek fëmija dhe familja.

Ështe më mirë që mashkulli të bëhet synet në fëmijëri apo kur është i rritur?

Edhe për moshën e të bërit synet ka pasur gjithnjë mendime kundërthënëse, por që koha e ka dëshmuar që procedura duhet të kryhet gjatë fëmijërisë së hershme. Arsyet janë disa. Ekziston një dritare psikologjike tek fëmijët, në lidhje me gjininë e tyre. Ata nuk janë të vetëdijshëm për përkatësinë seksuale të tyre deri në moshën 4-vjeçare. Pas kësaj periudhe ata e konceptojnë atë që janë dhe e dijnë dallimin esencial midis dy gjinive. Përveç kësaj, memorja e tyre tani funksionon dhe ata do të jenë në gjendje ta kujtojnë tërë jetën, aktin e të bërit synet, e që ndonjëherë mund të manifestohet edhe me ankth.

Kur është e nevojshme që fëmija (ose edhe i rrituri) të bëhet synet?

Përjashto rastet religjioze, çdo mashkull i cili ka ndonjë nga sëmundjet e përmendura më lartë, ka indikacion për realizimin e cirkumcizionit.

Në bazë fetare këshillohet që bërja synet e djalit të jetë në ditën e 8-të të lindjes, ndërsa si shkak cilësohet se në këtë ditë, niveli i vitaminës K (mpiksja e gjakut) arrin kulmin e vet. A ka bazë shkencore një gjë e tillë?

Tek hebrejtë është e specifikuar ditën e 8 pas lindjes, ndërsa tek muslimanët nuk është e specifikuar, megjithëse edhe këta të fundit preferojnë që cirkumcizioni të realizohet gjatë kësaj periudhe. Bazë shkencore për nivelin më të lartë të vitaminës K nuk ka, përkundrazi, gjatë kësaj periudhe ka mungesë të saj, prandaj ajo jepet rregullisht nga neonatologët si terapi parandaluese.

Megjithatë, gjatë periudhës neonatore, niveli i antitrupave që bartet nga qumështi i gjirit të nënës (sidomos ditëve të para-kulloshtra) është i lartë. Kjo gjë e mbron organizmin nga infeksionet e mundshme, prandaj shërimi i plagës nga cirkumcizioni është shumë i mirë dhe mjaft i sigurtë.

Një avantazh i madh është supozimi që fëmijët në periudhën neonatore kanë me pak dhimbje, si dhe në aspektin psikologjik nuk do të ketë reperkusione.

Ka shumë njerëz që të bërit synet të një mashkulli e shohin si një përçudnim të trupit. Ju si e shihni një gjë të tillë?

Nëse merren të gjitha masat paraprake, si në aspektin psikologjik të përgatitjes së pacientit dhe të familjes së tij, po ashtu edhe në aspektin profesional, nuk ka asgjë të keqe në realizimin e synetit.

A mund të na tregoni raste besimesh të gabuara lidhur me të bërit synet?

Të krishterët nuk e preferojnë bërjen synet, për shkak të bindjeve fetare të tyre, ndërkohë baza shkencore e thotë të kundërtën. Tendenca e dekadave të fundit edhe tek të krishterët është që kjo procedurë të realizohet, e kjo gjë vërehet sidomos në SHBA. Pasojat psikologjike shpesh janë konsideruar të mëdha, por që të dhënat nga studimet e mohojnë këtë gjë. Në rastet kur syneti realizohet në mosha më të rritura, çelësi i suksesit për të mos patur pasoja, është përgatitja paraprake e duhur psikologjike.

A ka pasoja negative të bërit synet?

Të gjitha faktët flasin në favor të bërjes synet.

Kush duhet ta bëj synetin?

Cirkumcizionin mund dhe duhet ta realizojë specialisti i kirurgjisë së fëmijëve, ose në mungesë të tij, edhe kirurgu i përgjithshëm, i cili e ka trajnimin dhe përvojën e duhur për ta kryer këtë procedurë. Si teknikë, mund ta kryej secili kirurg, por përgjegjësinë për ta kryer cirkumcizionin duhet ta marrë ai i cili është në gjendje të ballafaqohet edhe me komplikimet e mundshme, që mund ta përcjellin këtë operacion.

A ka komplikacione si proces, nëse po cilat janë?

Komplikimet pas cirkumcizionit janë të një shkalle të ulët, janë të lehta, por mund të jenë dhe serioze. Komplikimet e lehta janë gjakderdhja dhe infeksioni, ndërsa komplikimet e rënda (më të rralla) janë fasciti nekrotik, sepsis (gjendje e rëndë e infeksionit të gjeneralizuar të organizmit), meningiti, etj. Komplikimet e rënda ndodhin kur procedura e synetisë bëhet nga njerëz jo të kualifikuar (xherrahu, infermieri, mjeku jo i trajnuar) dhe kur nuk janë respektuar rregullat e sterilizimit, apo kur janë përdorur materiale me afat të skaduar. Prandaj, gjithmonë kur fëmija juaj ka nevojë për kryerjen e procedurës së synetisë, qoftë për shkaqe religjioze, apo mjekësore,  duhet të konsulltoheni me kirurgun pediatrik.

Dialogu i mirë me fëmijun dhe prindin është çelësi i suksesit!

Fëmijën duhet ta përgatisim psikologjikisht duke i shpjeguar qartë se syneti është procedurë relativisht e thjeshtë, rutinore dhe që ai nuk do të ndjejë dhimbje (shumë e rëndësishme). Duhet që syneti të bëhet me dëshirën e fëmijës e jo me forcë. Nëse fëmija ka frikë të tepruar apo është tepër agresiv mund të përdoren qetësues, por kjo nuk ndodh shpesh. Komunikimi me prindin duhet të jetë më konstruktiv (ai është bartësi ligjor i përgjegjësive, si kujdestar i fëmijut të tij). Gjithashtu prindi duhet të jetë pjesëmarrës aktiv në procedurën e cirkumcizionit, e sidomos pas kryerjes së procedurës, kur ai duhet me përpikmëri ti zbatojë këshillat e dhëna nga kirurgu i fëmijëve.

Këshilla ime për prindër është që ata nuk duhet të hezitojnë ta kryejnë këtë procedurë. Por, që duhet ta gjejnë moshën e përshtatshme, ta kontaktojnë kirurgun e fëmijëve përgjegjësadekuat dhe të merren seriozisht me përgatitjen psikologjike paraprake të djalit të tyre.

Cilat janë shkaqet mjekësore (përtej shkaqeve të besimit fetar)?

Janë një sërë sëmundjesh dhe qëllimesh e të bërit synet:

  1. Lafsha e ngjitur: pamundësia e tërheqjes së lafshës tek fëmijët e posalindur është fiziologjike (normale) për shkak të ngjitjeve të saj me kokën e penisit (glansin), të cilat ngjitje e mbrojnë shtresën sipërfaqësore (epitelin) e kokës së penisit nga dëmtimet korozive të urinës.

Rreth 50 % e djemve 1 vjeç e kanë lafshën e ngjitur me kokën e penisit, rreth 30% të djemve 2 vjeç, rreth 10% e djemve 4 vjeç dhe rreth 5% e djemve 10 vjeç.

2.Fimoza: është ngushtimi unazor i lafshës së penisit në hapjen e saj. Kjo vie si pasojë e infeksioneve të shpeshta të unazës së lafshës për shkak të pranisë së ngjitjeve të lafshës me kokën e penisit dhe për shkak të higjienës jo të mirë.

Fimoza e vërtetë paraqitet me një unazë të bardhë, cikatriksiale (të fortë), të ngushtë dhe është e pazakontë para moshës 5 vjeçare, si dhe zakonisht paraqitet para pubertetit. Fimoza është shkak i vërtetë dhe më i shpeshtë i cirkumcizionit me indikacion mjekësor. Simptomat të cilat paraqiten në këto raste janë, irritimi ose gjakderdhja në buzët e lafshës, therrja ose dhimbja gjatë aktit të urinimit (dizuria) ose pamundësia për të urinuar. Ndryshimet që ndodhin në lafshë janë të njohura me emrin balaniti kserotik obliterant (BXO), që mund të jetë kanceroz nëse nuk trajtohet. Fimoza mund të parandalohet me programin ditor të trajtimit higjienik në kuptimin e tërheqjes së lafshës dhe banjove me çaj kamomilë.

3.Parafimoza: është një gjendje urgjente ku lëkura e lafshës kthehet rreth kokës së penisit dhe e shtrëngon atë. Prindi duhet urgjent ta dërgoj fëmijun tek kirurgu i fëmijëve, i cili duhet ta repozicionojë urgjent lafshën me gishta, ose duke e bërë një prerje në pjesën shpinore të lafshës ose duke realizuar cirkumcizionin urgjent.

4.Ballanopostiti akut: kjo gjendje ka të bëjë me skuqjen dhe enjtjen e lafshës dhe të kokës së penisit dhe me lirimin e një sasie të qelbit nga hapësira midis lafshës dhe kokës së penisit. Kjo është gjendje urgjente që kërkon pastrimin e qelbit nga ana e kirurgut të fëmijëve dhe pastaj trajtimi në të shumtën e rasteve vazhdohet në shtëpinë e pacientit nga ana e prindit me lecka lokale te njomura me çaj kamomilë, si dhe me barna të lehta kundër dhimbjes (siç  është paracetamoli, i cili mund të blihet në farmaci edhe pa reçetë). Më pastaj vlerësohet  shkaku i cili ka sjellur deri në këtë gjendje. Cirkumcizioni rezervohet vetëm për rastet që përsëriten.

  1. Për të parandaluar sëmundjet në të ardhmen:

Cirkumcizioni rutinor ka shumë të mira në bazë të studimeve të ndryshme në drejtim të parandalimit të  sëmundjeve, siç janë:

-infeksionet urinare, ku djemtë e pa bërë synet sëmuren 10 herë më shpesh,

-sëmundjet seksualisht të tansmetueshme (SST), si kankroidi, sifilizi, gonorrea, kandidiaza apo herpesi gjenital,

-HIV/AIDS, është parë një rrezik dukshëm më i zvogëluar tek meshkujt e bërë synet,

– kanceri i qafës së mitrës, ka një numër të zvogëluar tek gratë, burrat e të cilave janë të bërë synet, sepse kanë një rrezik të ulur të infeksionit shkaktar për këtë kancer (nga papiloma virusi human),

-kanceri invaziv i penisit, ka një numër dukshëm më të vogël tek meshkujt e bërë synet.

Ndërhyrja kirurgjikale në hundë, çfarë duhet të dimë para operimit

Gjergji Bizhga, ORL

Rinoseptoplastika nënkupton ndërhyrje kirurgjikale me qëllim rimodelimin e jashtëm të formës apo madhësisë së hundës nëpërmjet reduktimit apo modelimit të skeletit osteo-kartilaginoz duke marrë në konsideratë ruajtjen apo përmirësimin e funksioneve frymëmarrëse të saj. Personat e interesuar i ndajmë në tre grupe.

  1. Në grupin e parë futen persona që kanë një formë të caktuar të piramidës nazale këtu futen kryesisht hundët me kurris, të gjera, me vrima të mëdha, problem me majën e hundës që nuk është se dallohen nga të tjerët për ndonjë defekt por vetë kanë shumë dëshirë ta ndryshojnë këtë formë anatomike të hundës me qëllim eleminimin e të ashtuquajturave defekte dhe krijimin e një forme të re pak a shumë të imagjinuar të piramidës nazale.
  2. Në grupin e dytë futen personat që paraqesin deformime të mëdha që bien në sy menjëherë sa prezantohemi me personin në drejtim të madhësisë, pozicionit dhe formës së hundës. Tek këta persona deformimi i piramidës shoqërohet dhe me deformim të madh të septumit nazal që nënkupton vështirësi apo mungëse të frymëmarrjes me hundë për një kohë të gjatë.
  3. Në grupin e tretë futen personat që paraqesin deformim të hundës si pasojë e një traume që ka prekur piramidën nazale dhe ka shkaktuar deformimin e saj. Edhe në këto raste propabiliteti i shoqërimit të deformimit të jashtëm me deformim të septumit është i lartë.
  4. Në grupin e katërt futen pacientët me deformime të mëdha të septumit që kanë bërë të mundur dhe deformimin e piramidës nazale. E veçanta e këtij grupi është se rregullimi i septumit do të drejtonte dhe piramidën nasale.
  5. Në grupin e pestë futen pacientë që kanë kryer një operacion rinoplastik apo septoplastik por kanë nevojë për rioperim pasi paraqesin pakënaqësi objektive në lidhje me rezultatin postoperator përfundimtar.

Përzgjedhja dhe pregatitja e pacientëve për ndërhyrje estetike në hundë.

Operacioni konsiderohet i suksesshëm në rastet kur pacienti mbetet i kënaqur me rezultatin post operator nga moment i heqjes së allçisë e në vazhdim. Pacientit duhet shpjeguar që fillimisht ky nuk është rezultati final pasi hunda paraqet edema të indeve të buta që përkohësisht as duhet të entuziazmohemi as duhet të zhgënjehemi për arsye se kërkohet minimalisht gjashtë javë që edemat post operatore të reabsorbohen në përgjithësi ndërsa rezultati përfundimtar gjykohet një vit pas operacionit.

Rezultati i rinoplastikës pak a shumë është vendosur para se bisturia e mjekut të prekë lëkurën e pacientit kjo do të tregojë rëndësinë e madhe që ka pregatitja para operacionit e mjekut që nënkupton një mjek të mirëtrajnuar me eksperiencë dhe rezultate konkrete për ti besuar ndërhyrjen kirurgjikale. Të pregatitesh para operacionit pasi ta kesh studiuar mirë rastin është së pari diçka e virtytshme për mjekun dhe e ndihmon atë në rritjen e vazhdueshme të reputacionit të tij profesional.

Një pikë tjetër e rëndësishme është aftësia e mjekut në përzgjedhjen e rasteve për ndërhyrje estetike. Kjo fillon qysh me prezantimin fillestar të pacientit tek mjeku. Fatkeqësisht jo të gjithë pacientët që kërkojnë ndërhyrje estetike kanë nevojë për një gjë të tillë.

Mjeku nuk duhet të entuziazmohet nga çdo rast që i paraqitet për operacion dhe menjëherë të shprehë gadishmërinë dhe sigurinë e rezultatit postoperator.

Mjeku duhet ta dëgjojë me vëmendje të madhe kërkesat e pacientit dhe duhet të bisedojë me të për të zbuluar motivet që e kanë nxitur për të ndërmarrë një vendim të tillë. Këtu e kemi fjalën kryesisht për grupin e parë të pacientëve që duan të bëjnë ndryshim të formës së hundës. Pacienti pasi dëgjohet me vëmendje fillohet që të diskutohet me të duke patur parasysh kërkesat e tij.

Pacienti duhet të informohet se kemi të bëjmë me një ndërhyrje që në thelb ka rimodelimin e piramidës nazale që përveç aftësisë dhe përkushtimit të stafit operator kërkon dhe mirëkuptimin e pacientit. Pritshmëritë në lidhje me rezultatin do të varen nga problemi në përgjithësi që paraqet pacienti dhe nga teknika operatore e kirurgut pa nënvleftësuar zbatimin me rigorozitet të këshillave në periudhën postoperatore.

Pacienti duhet të informohet që hundë perfekte nuk ka por ajo mund të arrihet nga bashkëpunimi i mjekut me pacientin që do të thote që mjeku të marrë në konsideratë kërkesat e pacientit dhe të shpjegojë shkencërisht dhe praktikisht se çfarë mund të arrihet me anë të kirurgjisë duke mos cënuar funksionet e hundës dhe nga ana tjetër pacienti duhet të jetë informuar në lidhje me rezultatet e mundshme pasi operacioni asnjëherë nuk mund të ketë siguri absolute në lidhje me rezultatin final si nga ana teknike ashtu dhe nga ana psikologjike në lidhje me pacientin.

Vetëm një bashkëpunim i ngushtë i kujdesshëm ndërmjet mjekut dhe pacientit bën të mundur që rreziqet e dështimit të minimizohen dhe shancet e suksesit të rriten. Personat me karakter pozitiv janë pacientët më të përshtatshëm për operacione estetike.

Pacientët më të vështirë dhe që duhen trajtuar me kujdes janë ata që sjellin me vete foto artistësh imazhe kompjuterike. Me këta duhet folur hapur duke shpjeguar pamundësia që rezultati final të jetë me siguri i tillë. Çdo premtim në këtë drejtim e humb sensin etik dhe profesional të komunikimit.

MË TEPËR

Mix1 javë më herët

Çfarë duhet të hani për mëngjes, 5 zakone të mira për të qëndruar në formë

Të dish se çfarë duhet të hani në mëngjes për të humbur peshë është më e rëndësishme se kurrë, sepse...

Mix1 javë më herët

Djersitja tek meshkujt – Si ta mbani nën kontroll këtë problem

Djersa përbën mënyrën kryesore të trupit për tu freskuar. Megjithatë ka raste që vërehen tek meshkujt kur djersa shkon çurg,...

Mix1 javë më herët

3 Ushqime që mund të konsumoni çdo ditë për shëndet më të mirë

Pavarësisht nëse po përpiqeni të humbni peshë, apo thjesht keni vendosur të filloni të kujdeseni më mirë për veten, ka...

Mix1 javë më herët

Kafeina, droga psikoaktive më e konsumuar në botë”, Varësia që krijon organizmi prej kafesë

Kafeja është e pandashme në jetën e shumë njerëzve, “Kafeja definitivisht të bën të varur”,thotë Carsten Schleh. Ai është toksikolog...

Mix1 javë më herët

Studimi: Sa fëmijë duhet të keni që të jeni të lumtur

Sa fëmijë duhet të keni është një debat i vjetër, por për çdo prind që aktualisht pyet nëse duhet të...

Mix1 javë më herët

Jon Bon Jovi e pranon publikisht: “E kam tradhtuar shumë herë gruan time…”

John Francis Bongiovi Jr., ky është emri i vërtetë i yllit të rokut, i njohur si Bon Jovi. Por pak...

Mix1 javë më herët

Billie Eilish sapo na tregoi se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë

GETTY Billie Eilish, megjithëse nuk e ka pasur në plan të flasë për seskualitetin e saj, sërish ka ndarë me...

Mix1 javë më herët

Ky është peshku më i shëndetshëm për t’u ngrënë dhe ja pse

FOTO: NUGROHO RIDHO / GETTY IMAGES Peshku është një proteinë me cilësi të lartë, por sërish njerëzit nuk e konsumojnë...

Mix1 javë më herët

Kylie Jenner pozon topless

Kylie Jenner konsiderohet si një ikonë mode dhe çdo lëvizje e saj kthehet në trend. Me siguri kështu do bëhet...

Mix1 javë më herët

There’s Still Tomorrow (C’è Ancora Domani), filmi italian me fitimin më të madh, ia kalon edhe filmit “Barbie”

Filmi “Barbie” i Greta Gerwig mund të jetë filmi më i suksesshëm financiarisht i drejtuar ndonjëherë nga një regjisore femër...

Facebook