Lidhu me ne

Kryesore

Fatmir Xhafaj kritika qeverisë: Korrupsioni po sfidon çdo nivel të qeverisjes, ka bashkëpunim të zi mes politikës dhe krimit të organizuar

Xhafaj kritika qeverisë: Korrupsioni po sfidon çdo nivele të

Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka kritikuar qeverinë, duke ngritur si shqetësim fenomenin e korrupsionit që sipas tij ka prekur çdo nivel të shoqërisë shqiptare.

Me anë të një shkrimi të publikuar në rrjetet sociale, Xhafaj shkruan se korrupsioni po sfidon çdo ditë në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe për fat të keq sipas tij ka bashkëpunim midis politikës së të gjitha krahëve, korrupsionit dhe krimit të organizuar.  

Për këtë, Xhafaj kërkon nisjen e një beteje të fortë institucionale e publike gjithëpërfshirëse kundër tij, duke marrë si shembull SHBA-të dhe strategjinë e Presidentit amerikan Joe Biden.

Postimi i plotë: 

Tymnaja politike e bravave, levave dhe megafonëve rreth tyre, duket se do të vazhdojë edhe për shumë gjatë të dominojë skenën politike, mediatike dhe shoqërore. Teksa selia e PD-së fatkeqësisht vijon të nxjerrë tym të zi derisa të digjen plotësisht të gjitha zullumet, intrigat, autokracitë dhe gënjeshtrat që kanë berishizuar dhe lulëzuar për vite me radhë aty brenda, nuk duhet të lejojmë që ai tym mbytës të na zërë shikimin për të hedhur vështrimin edhe në dimensione të tjera ku duhet të orientohemi si politikanë, si ligjvënës dhe si shqiptarë që të sotmen e duam më të mirë se të djeshmen dhe të nesërmen më të mirë se të sotmen.

Nuk kam për qëllim t’i tregoj askujt se çfarë duhet të bëjë, por nën peshën e rëndë të votës së qytetarëve, kam për detyrë të flas hapur për atë çka na shqetëson dhe preokupon për të propozuar ide e zgjidhje që s’vijnë nga unë, por nga modelet më të mira të demokracive perëndimore që pavarësisht niveleve të larta ku kanë arritur, nuk ndalojnë kurrë se ngrituri mekanizma për t’i shpëtuar amortizimit, stanjacionit dhe për t’u konsoliduar akoma më tej.

Një prej tyre është i freskët, i qartë dhe sfidues, ku më 3 qershor 2021, presidenti amerikan Joe Biden vendosi luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe veç 6 muaj më pas administrata Biden-Harris miratoi Strategjinë për luftën kundër korrupsionit nën pesë shtylla që përforcojnë njëra-tjetrën: 1.Modernizimi, koordinimi dhe ofrimi i burimeve për përpjekjet e Qeverisë Amerikane në luftën kundër korrupsionit; 2.Ndalimi i financimeve të paligjshme; 3.Vendosja para përgjegjësisë të aktorëve të korruptuar; 4.Ruajtja dhe forcimi i arkitekturës shumëpalëshe kundër korrupsionit; 5.Përmirësimi i angazhimit diplomatik dhe shfrytëzimi i asistencës së huaj për të arritur qëllimet e politikës kundër korrupsionit.

Siç është e njohur tashmë, kjo u pasua edhe nga një samit organizuar nga presidenti amerikan në muajin dhjetor, me liderët politik nga gjithë bota, aktorë të shoqërisë civile dhe sektorit privat i fokusuar në tre tema kyçe: 1.Forcimi i demokracisë dhe mbrojtja kundër autoritarizmit; 2.Adresimi dhe lufta kundër korrupsionit; 3.Promovimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Një samit i shndërruar në një lëvizje që me suksesin e pritshëm mund të bëjë histori nisur nga zhvillimet delikate ndërkombëtare që jetojmë dhe posaçërisht nga sfidat që përballet sistemi demokratik përgjithësisht dhe demokracitë e reja veçanërisht.

Akoma e më tepër, kur demokracitë janë të brishta duke u rrotulluar prej dekadash në tranzicion të tejzgjatur si ky i yni, nevojitet një qasje serioze për të ofruar progres në qëndrueshmërinë ekonomike, sociale dhe politike. Nëse për SHBA-në dhe shumë vende të tjera me demokraci të konsoliduar, këto problematika konsiderohen prioritete, atëherë për ne duhen konsideruar emergjente. Ndaj le të shërbejë iniciativa e tyre si një leksion primar jo vetëm demokracie, por edhe politik për të mësuar, reflektuar, implementuar dhe vepruar në të njëjtin ritëm e strategji.

Sot, duhet pranuar, që këto sfida janë emergjente pavarësisht përpjekjeve të mëdha që kemi bërë bashkërisht nëpërmjet një sërë politikash dhe masash për të luftuar korrupsionin në të gjitha fushat, ndërtimin e instrumenteve të qëndrueshëm për luftën ndaj korrupsionit dhe krijimin e një sërë institucionesh të pavarura të cilat janë pjesë e luftës ndaj korrupsionit. Fatkeqësisht, përsëri besimi te institucionet e ndryshme të qeverisjes mbetet në shifra të ulëta dhe korrupsioni mbetet realisht një plagë në shoqërinë shqiptare. Pavarësisht se duam apo nuk duam ta pranojmë, preferojmë apo nuk preferojmë ta themi me zë të lartë, ai është aty duke na sfiduar çdo ditë, në çdo sektor dhe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe për fat të keq shpesh gjejmë bashkëpunimin e zi midis politikës së të gjitha krahëve, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky është fakt, të tjerat janë veç fjalë qoftë dje, qoftë sot.

Megjithëse këto vite është bërë shumë punë, që para së gjithash meriton respekt për nismat e marra, reformat në implementim dhe bilancin e arritur deri më sot, përsëri ngelet e pamjaftueshme në raport me problematikat serioze që shfaqen, përgjegjësitë e mëdha që mbartim por edhe me kapacitetet e mëdha institucionale e administrative që kemi angazhuar e financuar në zbatimin e ligjit.

Ashtu siç u theksua fort në samitin e Uashingtonit, është korrupsioni dhe pandëshkueshmëria ato që hanë si të babëzitur në themelet e shoqërive demokratike, çka e bën qeverisjen më pak efektive, sulmon bazat e institucioneve demokratike, nxit dhe intensifikon ekstremizmin dhe e bën më të lehtë për autoritarizmin të gërryej qeverisjen demokratike.

Andaj, në reflektim të angazhimeve tona ndërkombëtare si pjesë aktive e këtij samiti ndërkombëtar, si vend anëtar i NATO-s, si vend kandidat për familjen europiane dhe parasëgjithash si domosdoshmëri për të mbrojtur e konsoliduar demokracinë në vend, për të ruajtur e forcuar besimin e qytetarëve te sistemi demokratik dhe institucionet e tij, për të ushqyer shpresën e fortë te rinia për një të ardhme të sigurt demokratike të shoqërisë, duhet të nisim një betejë të fortë institucionale e publike gjithëpërfshirëse, për të vepruar ndaj këtyre fenomeneve me pasoja të egra dhe afatgjata politike, ekonomike dhe sociale.

Meqenëse viti 2022 është konsideruar një “VIT VEPRIMI” për të çuar përpara qëllimet e samitit ku edhe Shqipëria ishte pjesë, përfaqësuar nga Kryeministri z.Edi Rama, është tani momenti që të gjithë bashkërisht duhet të nisim një debat të sinqertë publik, të ngremë ura komunikimi me njëri-tjetrin e të gjithë aktorët, të nxjerrim mësime nga praktikat më të mira ndërkombëtare, të hartojmë një platformë gjithëpërfshirëse dhe të organizojmë struktura efiçente e të mirëbesuara që do të vendosen në veprim. Mbi të gjitha, na duhet të veprojmë pa shumë retorikë konfliktuale, por me ide, zgjidhje e veprime konkrete të peshuara me rezultate konkrete.

Teksa lufta politike mëton në të njëjtat ujëra të ndotura 30 vjeçare ku “non gratat” vijojnë të shkarkojnë helm dhe turbullira, ne si maxhorancë që udhëhoqëm një ndër reformat më thelbësore në këtë vend, reformën në drejtësi, në përligjje edhe të mandatit qeverisës të tretë radhazi e kemi obligim të gjendemi në kahun e duhur të moralit shoqëror dhe historisë e cila ashtu siç do të shkruajë për bravat e levat, ashtu do të shkruajë edhe se si po përballemi me sfida të tilla.

Sigurisht kjo është dhe duhet të ngelet shumë më mirë një angazhim parësor i qeverisë. Shumë hapa janë pozitive në këtë aspekt e sidomos në aspektin rregullator dhe të digjitalizimit të shërbimeve publike. Por ndërkohë në shumë aspekte gjithçka mbetet në nivelin e strategjive formale dhe një pjesë e mekanizmave ekzekutive dhe institucione të zbatimit të ligjit në varësi të saj megjithëse janë të ndërtuara për këtë funksion janë inefiçente dhe pa produkte konkrete. Qeveria dhe ne si maxhorancë, para se të shohim çfarë duhet të bëjë drejtësia dhe institucionet e saj duhet të shohim se çfarë janë duke bërë institucionet tona ligjzbatuese dhe se sa e si ato janë në një hap dhe në bashkëpunim të frytshëm me drejtësinë e re.

Padyshim, nga ana tjetër të gjithë ne, qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë kanë pritshmëri të larta nga institucionet e reja të drejtësisë të ndërtuara posaçërisht për luftën kundër korrupsionit. Projekti i drejtësisë së re është një realitet në veprim. Tashmë është përgjegjësia e tyre të dëshmojnë pavarësi reale, vullnet e përgjegjshmëri në zbatimin e ligjit. Janë aty me dëshirën e tyre, kanë konkuruar për të qenë pjesë e kësaj sfide të jashtëzakonshme, paguhen mjaft mirë dhe mbrohen e mbështeten si askush tjetër në këtë vend për këtë qëllim specifik: Të ndëshkojnë pandëshkueshmërinë e mitizuar duke goditur me forcën e ligjit simbiozën Politikë e keqe – Korrupsion – Krim i Organizuar. Është koha për rezultate reale, konkrete e domethënëse në zbatim të kushtetutës, ligjit dhe interesit të lartë publik.

Në dhjetor Partneriteti për Demoraci i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan mirëpriti një tjetër takim ndërkombëtar me fokus 3 çështjet kyçe të Samitit duke i parë ato nga këndvështrimi i rolit të ligjvënësve në këto fusha jetike për domokracinë. Një mësim i vyer për reflektim edhe për ne deputetët shqiptarë. Kjo sepse Kushtetuta realisht na përcakton ne deputetëve si përfaqësues të popullit, një përgjegjësi kyçe për shkak të funksionit ligjbërës dhe mekanizmave të koordinimit, monitorimit e kontrollit të pushteteve të tjera dhe veçanërisht rolit ekskluziv të Kuvendit për institucionet e pavarura. Kjo edhe për faktin e rëndësishëm se vetëm përmes Kuvendit, sidomos në kushtet aktuale, mund të garantojmë gjithëpërfshirje në këtë proces të politikës para së gjithash, por edhe shoqërisë civile, grupeve të interesit, medias dhe sipërmarrjes private. Edhe vetëm reflektimi mbi rekomandimet ndërkombëtare në këtë fushë si Raport progresi i BE, Manyval, Greco, etj, do të ishte një hap minimal, por i domosdoshëm. E gjithë kjo mund të përmblidhet në një paketë strategjike për t’u vendosur në zbatim hap pas hapi nën monitorimin dhe mbikqyrjen parlamentare, çka do ta bënte atë shumë më gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme në kohë dhe padyshim edhe më rezultative.

Siç e dimë, korrupsioni e sidomos ai i niveleve të larta vret çdo ditë, gërryen të sotmen, humbet besimin e qytetarëve te shteti dhe institucionet e tij dhe kryesorja po vret shpresën e të rinjve tek e ardhmja e tyre. Ne kemi nevojë për më shumë shkolla, spitale, energji, rrugë, aeroporte, porte e shumëçka që sjell zhvillim ekonomik dhe ndryshimet e mëdha që po ndodhin në këtë aspekt janë tejet pozitive, por para së gjithash kemi nevojë për të konsoliduar akoma më tej një shtet të fortë, për shpresë e besim tek qeverisja e drejtë dhe e barabartë e tij. Demokracitë nuk i bëjnë më të forta dhe të qëndrueshme muret dhe betoni, as individët e fortë sado vullnetmirë të jenë ata, por shteti i së drejtës dhe institucionet e qëndrueshme që kanë si parakusht integritetin.

Shqipëria është vendi ynë ku po ndërtohet e ardhmja e fëmijëve tanë ndaj të cilëve kemi përgjegjësi politike, ligjore, morale dhe historike për të trashëguar një vend me demokraci të qëndrueshme, me shtet të së drejtës dhe institucione të përgjegjshme në zbatimin e ligjit.

Koha për “luftë” demokratike në emër të paqes ashtu si partnerët tanë dhe familja demokratike euro-atlantike! Në mos ne, atëherë nga kush do të presim të përballet me këtë sfidë, në mos sot, atëherë kur do të duhet të nisim ta bëjmë?

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Kryesore5 orë më herët

Uria në Gaza, një krim lufte

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, thotë në një intervistë për BBC se Izraeli mban përgjegjësi...

Mix5 orë më herët

Eskortat e huaja “pushtojnë” Tiranën, Lekatari denoncon rastin në pallatin e saj

Në një kohë kur në Tiranë po diskutohet shumë lidhur me kthimin e kryeqytetit në një “parajsë” të eskortave të...

Letersi18 orë më herët

‘Marshi i UÇK’-së, interpretim rrëqethës nga Arif Vladi

“Marshi i UÇK” -së është një ndër këngët më të njohura dhe më të dashura të cilën e ka sjell...

Letersi19 orë më herët

Poezi për atdheun “Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka…”

Poezi nga Andon Zako Qajupi Mëmëdhe quhetë tokaku më ka rënurë koka,ku kam dashur mëm’e atë,ku më njeh dhe gur’...

Mix19 orë më herët

Cilësia e lëkurës nis nga ushqimi, kjo është dieta kundër plakjes

Pavarësisht cilësisë së një kremi, ndërhyrjeve apo përparimit të teknologjisë për të përmirësuar pamjen e jashtme, ajo çfarë do të...

Mix19 orë më herët

Pasuria marramendëse e Selena Gomez, nuk do ta besoni sa fiton për një postim në Instagram

Selena Gomez është një ndër këngëtaret më të pasura të momentit. Me një vlerë neto të raportuar prej 800 milionë...

Kioske19 orë më herët

Kartolinat e paguara nga Tirana

Nga Andi Bushati Sjellja në shqip e një artikulli të përkthyer të revistës lifestyle italiane Vanity Fair, shkaktoi një polemikë të...

Radar1 ditë më herët

“Noc Rroku” strategjik per qytetaret

Klodian Tomorri Qeveria shpalli sot fazen e dyte te tenderin per ndertimin e ujesjellesit Draleos Drimadhes, i cili do te...

Mix1 ditë më herët

Publikohet traileri i pjesës së katërt të “Bad Boys Ride or Die”

Will Smith dhe Martin Lawrence kthehen në rrënjët e tyre në pamjen e parë për pjesën e katërt të ekskluzivitetit ...

Mix1 ditë më herët

Eva Mendes flet për largimin nga aktrimi

Eva Mendes nuk është penduar që ka bërë një pauzë në karrierën e saj të aktrimit për një rol shumë më të...

Facebook