Lidhu me ne

Mix

Jo çdo dhimbje koke është migrenë apo sinozit!

Dr. Blerim Myftiu, Spitali Amerikan

Dhembja e kokës është njëra prej simptomave më të shpeshta me të cilën përballen njerëzit. Njohja e veçorive të dhembjes së kokës ndihmon në racionalizimin e mjeteve diagnostikuese, të cilat do të përcaktojnë terapinë e duhur për llojin përgjegjës të dhembjes.

Të gjitha dhembjet e kokës mund të klasifikohen në dy grupe të mëdha.

Në grupin e parë (dhembjet e kokës primare) bëjnë pjesë dhembjet të cilat nuk kanë ndonjë shkak i cili do të mund të pasqyrohej në analizat laboratorike biokimike apo radiologjike. Në këto raste, procesi patologjik zhvillohet në nivel fiziologjik (neurotransmiterësh), duke mos shkaktuar ndryshime organike. Në kuadër të këtij grupimi, renditen migrena, dhembja e tipit tensional, ajo e tipit “cluster”, si edhe disa forma të rralla të dhembjes së kokës.

Në grupin e dytë të dhembjeve të kokës (dhembjet sekondare) përbëjnë dhembjet që shkaktohen nga ndonjë çrregullim tjetër ekzistues në organizëm, i cili kontribuon në mënyrë sekondare në shfaqjen e dhembjes së kokës. Në këtë rast, dhembja e kokës është pasojë. Dhembja në këto raste mund të burojë nga traumat e kokës dhe/apo të qafës, çrregullimet vaskulare në kokë dhe qafë, çrregullimet brenda trunore jovaskulare, konsumimi i substancave të caktuara apo tërheqja e tyre pas konsumimit për një kohë, çrregullimet e homeostazës, proceset patologjike që zhvillohen përreth trurit dhe kokës, si edhe çrregullimet psikiatrike.

Fatkeqësisht përveç migrenës që njihet tashmë, dhembjet e tjera të kokës primare nuk njihen fort mirë, madje as brenda profesionistëve mjekësorë. Shpeshherë diagnostikohen gabimisht qoftë si migrenë, qoftë si sinozit apo si spondilozë qafe. Diskutimi për shkaqet dytësore të dhembjes së kokë mbetet i gjerë dhe e tejkalon kufirin e hapësirës së lejuar.

Dr. Blerim Myftiu
Dr. Blerim Myftiu

Tipet e dhembjes së kokës:

  1. Dhembja e tipit tensional

Ky tip i dhembjes së kokës paraqet në të vërtetë formën më të shpeshtë të dhembjes së kokë primare. Sipas studimeve të ndryshme epidemiologjike, prania e saj ndryshon nga 30-78% të popullatës. Edhe pse më e pranishme, gjithmonë është krahasuar me migrenën dhe studimet për bazën fiziologjike të saj janë të pakta. Dhembja e kokës e tipit tensional është zakonisht e dyanshme, e lokalizuar më tepër në ballë apo në zverk, është e karakterit shtypës, ndrydhës apo shtrëngues, ka intensitet të lehtë apo mesatar dhe nuk përkeqësohet me aktivitetet fizik. Dalluese nga migrena është se nuk shoqërohet me mundim barku, por ndjeshmëria ndaj dritës apo zërit nuk e përjashton diagnozën. Duke i pasur këto veçori të përgjithshme, dhembjet e kokës të tipit tensional mund të klasifikohen në dy nëngrupe: episodike dhe kronike.

Në trajtimin e formave primare të dhembjes së kokës, por me theks të veçantë të kësaj forme, ndihmë të theksuar kanë masat jomedikamentoze. Madje, këto masa duhet të ndërmerren të parat apo paralelisht me qasjen medikamentoze ndaj problemit. Teknika të ndryshme të terapisë fizikale për qafë, masazhi, banjat e ngrohta, këshillimi psikologjik, terapia relaksuese, programi i menaxhimit të stresit, ecja apo vrapimi rekreativo-sportiv, format e tjera të aktiviteteve fizike (fitnes, joga, aerobik), ushqimi dhe gjumi i balancuar, shmangia a faktorëve eventualë nxitës të dhembjeve dhe trajtimi i çrregullimeve bashkekzistuese, me theks të veçantë depresioni, ankthi, paniku, çrregullimet emotive, janë disa prej masave të domosdoshme.

Përderisa dhembja mbetet në formën episodike dhe nuk ndikon në cilësinë e jetës së individit, tok me masat e sipërpërmendura, për trajtimin e dhembjes mund të përdoren analgjetikët e thjeshtë, siç janë: paracetamoli, ibuprofeni, naprokseni apo aspirina. Gjithmonë duke pasur parasysh që numri i tabletave analgjetike të mos e kapërcejë kufirin prej 5-6 tabletash në muaj, pasi përdorimi kronik i tyre mund t’ia hapë rrugën një tjetër forme të dhimbjes së kokës, tani të shkaktuar nga vetë analgjetikët. Nëse dhembja shndërrohet në kronike, tanimë imponohet nevoja e terapisë së ashtuquajtur preventive, ku antidepresuesit treciklikë (amitriptilina dhe nortriptilina) mbeten ende zgjedhja e parë dhe më efektive. Antidepresuesit e rendit të SSRI (paroksetinë, fluoksetinë, sertralinë), ata të SNRI (duloksetinë, venlafaksinë) mbeten si zgjedhje e dytë.

  1. Dhembja e tipit “cluster”

Manifestohet me dhembje të fortë dhe gjithmonë të njëanshme, të lokalizuar përreth syrit, në ballë apo mbi vesh dhe zgjat 15-180 minuta. Mund të përsëritet disa herë brenda ditës apo të paraqitet nga një herë përditë apo çdo të dytën/tretën ditë. Sulmet shoqërohen me ndryshime në po atë gjysmë të fytyrës, të cilat i atribuohen sistemit autonom parasimpatik: lotim, skuqje sysh, bllokim dhe rrjedhje hundësh, djersitje balli dhe fytyre, ngushtim të bebëzës së syrit, rënie të kapakut të sipërm të tij me/pa ënjtje.

Edhe kjo dhembje koke mund të jetë episodike, atëherë kur sulmet mund të zgjasin edhe deri në një vit, por ka intervale pa dhembje që zgjasin më tepër se 1 muaj. Kur këto intervale pa dhembje zgjasin më pak se një muaj, atëherë kemi të bëjmë me formë kronike. Meshkujt preken 3-4 herë më tepër se femrat dhe paraqitet zakonisht para moshës 40 vjeç.

Simptomat e kësaj dhembje koke janë shumë karakteristike dhe mjafton që pacienti të dëgjohet me vëmendje, në mënyrë që me të dëgjuar të diagnostikohet. Trajtimi i saj, po ashtu, është karakteristik, ngaqë inhalimi i vëllimit të lartë të oksigjenit (deri në 10 litra/minutë) përmes maskës, është shumë i dobishëm për ndërprerjen e sulmit episodik. Veç kësaj, analgjetikët e lartpërmendur dhe triptanët paraqesin opsione të tjera për ndërprerjen e sulmit. Bllokuesit e kanaleve të kalciumit, veçanërisht verapamili, nënkuptojnë opsionin e parë dhe më efektiv të profilaksës. Para përdorimit të tyre, konsultimi i kardiologut është i domosdoshëm. Në ditët e para të trajtimit, dhënia e dozës së lartë të kortikosteroidëve me reduktim të ngadalshëm ka treguar se sjell dobi. Litiumi, disa barna antiepileptike dhe bllokuesit e tjerë të kanaleve të kalciumit mbeten opsionet e tjera në rast të mossuksesit të verapamilit.

  1. Hemikrania paroksizmale dhe SUNCT

Këto janë dy forma të tjera të dhembjes së kokës primare, të cilat së bashku me dhembjen e tipit “cluster” formojnë grupin e ashtuquajtur të dhembjeve të kokës autonome trigeminale. Po të përshkruhet thjesht, hemikrania paroksizmale i ka të njëjtat karakteristika dhe simptoma shoqëruese të dhembjes së kokës sikur ajo “cluster”, por dallon në atë se dhembjet zgjasin më shkurt, paraqiten më shpesh, femrat preken më tepër dhe reagojnë plotësisht në indometacinë. Kurse, SUNCT (sulmet kohëshkurtra të njëanshme neuralgjiforme me skuqje sysh dhe lotim) karakterizohet me dhembje që janë tejet të shkurtra (disa sekondëshe) dhe që shoqërohen me lotim të theksuar dhe skuqje të njërit sy.

Duhet pasur parasysh:

  • Duhet të jemi vigjilentë, sidomos në rastet kur dhembjet shfaqen për herë të parë në moshë të shtyrë (tumor, infeksion).
  • Nëse shfaqen befas, janë shumë të fuqishme e me intensitet madje të pavuajtur deri në atë çast (gjakderdhje subaraknoidale).
  • Në rast të shpeshtimit dhe mosreagimit në analgjetikë.
  • Nëse manifestohen te personat me sëmundje malinje apo ata që marrin barna, të cilat e reduktojnë aktivitetin e sistemit imun (metastazë, infeksion oportunist, karcinomatozë meningjeale).
  • Nëse dhembjen e shoqërojnë temperatura, shtrëngimi i qafës dhe shenjat e irritimit të cipave trunore (meningjit).
  • Nëse bashkekzistojnë turbullimi i vetëdijes, çrregullimi i të folurit, dobësimi i njërës anë të trupit, çrregullimi i ecjes, i ekuilibrit dhe i koordinimit (infarkt, gjakderdhje, tumor, infeksion, absces).
  • Nëse shoqërohet me sulm epileptik (tumor, infeksion, absces).
  • Nëse paraprihen nga trauma e kokës; si edhe nëse përkeqësohen me kollë, teshtitje apo sforcim trupor (rritje e shtypjes brenda trurit).

MË TEPËR

Radar11 orë më herët

Ajri në Tiranë është më shumë helm se oksigjen, duhet të jesh i zhytur në krim që të mos marrësh masa

Nga Ervin Goci Sot, ajri dukshem ne Tirane eshte me shume helm se oksigjen. Sot do duhej qe te mblidheshin...

Kryesore19 orë më herët

Uria në Gaza, një krim lufte

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, thotë në një intervistë për BBC se Izraeli mban përgjegjësi...

Mix19 orë më herët

Eskortat e huaja “pushtojnë” Tiranën, Lekatari denoncon rastin në pallatin e saj

Në një kohë kur në Tiranë po diskutohet shumë lidhur me kthimin e kryeqytetit në një “parajsë” të eskortave të...

Letersi1 ditë më herët

‘Marshi i UÇK’-së, interpretim rrëqethës nga Arif Vladi

“Marshi i UÇK” -së është një ndër këngët më të njohura dhe më të dashura të cilën e ka sjell...

Letersi1 ditë më herët

Poezi për atdheun “Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka…”

Poezi nga Andon Zako Qajupi Mëmëdhe quhetë tokaku më ka rënurë koka,ku kam dashur mëm’e atë,ku më njeh dhe gur’...

Mix1 ditë më herët

Cilësia e lëkurës nis nga ushqimi, kjo është dieta kundër plakjes

Pavarësisht cilësisë së një kremi, ndërhyrjeve apo përparimit të teknologjisë për të përmirësuar pamjen e jashtme, ajo çfarë do të...

Mix1 ditë më herët

Pasuria marramendëse e Selena Gomez, nuk do ta besoni sa fiton për një postim në Instagram

Selena Gomez është një ndër këngëtaret më të pasura të momentit. Me një vlerë neto të raportuar prej 800 milionë...

Kioske1 ditë më herët

Kartolinat e paguara nga Tirana

Nga Andi Bushati Sjellja në shqip e një artikulli të përkthyer të revistës lifestyle italiane Vanity Fair, shkaktoi një polemikë të...

Radar2 ditë më herët

“Noc Rroku” strategjik per qytetaret

Klodian Tomorri Qeveria shpalli sot fazen e dyte te tenderin per ndertimin e ujesjellesit Draleos Drimadhes, i cili do te...

Mix2 ditë më herët

Publikohet traileri i pjesës së katërt të “Bad Boys Ride or Die”

Will Smith dhe Martin Lawrence kthehen në rrënjët e tyre në pamjen e parë për pjesën e katërt të ekskluzivitetit ...

Facebook