Lidhu me ne

Mix

Përse migrena prek më shumë femrat, cili është rreziku që i sjell shëndetit të trurit?

Migrena është një formë e dhimbjes kronike të kokës që mund të shkaktojë dhimbje të forta pulsuese, zakonisht në njërën anë të kokës. Shpesh shoqërohet me nauze, të vjella dhe ndjeshmëri ekstreme ndaj dritës dhe zërit. Sulmet e migrenës mund të zgjasin me orë deri në ditë, dhe dhimbja mund të jetë aq e fortë sa të ndërhyjë në aktivitetet tuaja të përditshme. Mjekja neurologe Diana Naço, në një interviste për gazetën Shëndeti flet lidhur me faktorët që shkaktojnë këtë sëmundje, si bëhet diagnostikimi dhe trajtimi I saj.

Doktoresha, çfarë është migrena?

Migrena është një dhimbje koke. Një dhimbje e cila quhet primare pasi nuk është se ka një shkaktar lezional, sigurisht që ka shkaktar por lezional do të thotë që nuk ka dëmtime objektive të cilat mund të ekzaminohen me analiza të ndryshme. Migrena është një diagnozë që vendoset ndërmjet mjekut dhe pacientit, pra është një diagnozë klinike që vjen nga vizita e pacientit dhe ekzaminimi i tij duke marrë gjithë historinë e sëmundjes dhe duke e vizituar atë duke i bërë një ekzaminim objektiv neurologjik.

Cilët janë faktorët që e shkaktojnë këtë lloj dhimbje?

Migrena është një dhimbje e cila shkaktohet nga një lojë  neurovaskulare, pra shpërthejnë disa substanca të cilat çlirohen në sasi më të madhe që shkaktojnë edhe shpërthimin e dhimbjes migrenoze nga ngacmimi i një nervi që  quhet edhe nervi i dhimbjes siç është nervi trigeminal .

Si bëhet ekzaminimi i migrenës?

Migrena vendoset sipas një vizite neurologjike, nuk është se ka ekzaminime te mirëfillta. Vizitohet pacienti dhe ka disa kritere të cilat janë vendosur nga Organizata Botërore e Shëen ku kriteri kryesor është shpërthimi i dhimbjes që ka disa karakteristika siç është: një dhimbje gjysmë(hemikrani) në formë pulsuese, ka një periudhë prodromale e cila mund të karakterizohet nga disa simptoma të cilat paraprijnë shpërthimin e krizës, gjendje diskonforti, të përziera, të vjella, mund të zgjasi 4 deri në 72 orë dhe fillon gradualisht. Pra, migrena nuk nis menjëherë por fillon duke pasur intensitetin e saj që mund të zgjasë 4 deri në 72 orë dhe gradualisht mund të zbresë edhe vetë pa përdorimin e antiflamantorëve ose analgjezikëve.

Ajo çfarë dua të shtoj unë është që pacientët duhet të udhëzohen nga mjeku që të mbajnë një ditar. Me anë të këtij ditari ne mund të indetifikojmë se cilët janë shkaktarët që mund ta shpërthejnë këtë dhimbje. Mund të ketë shkaktarë ushqimorë, lodhja, mosushqyerja e rregullt, dehidratimi apo prishja e regjimit të gjumit, si ai i tepërt edhe ai i pakët etj.

A janë femrat ato të cilat preken më tepër nga migrena ?

Është e vërtetë që në gjininë femërore migrena është më e shpeshtë, ndoshta dhe për shkak të faktorëve hormonalë. Ne kemi dhe atë që quhet migrena pre menstruale që mund të jetë periudha parapërgatitore e ciklit ashtu edhe migrena gjatë ciklit.

Në çfarë moshe fillojnë shqetësimet e para?

Ka raste kur e shohim shumë të shprehur në moshat e vogla.  Është ulur shumë mosha e ardhjes në vizitë e pacientëve migrenozë. Nga literatura ajo është e përshkruar që në shtatzëni. Që në barkun e nënës fëmija mund të jetë i predispozuar për migrenë, ndaj ne gjithmonë pyesim për historinë e sëmundjes dhe një pacient nëse ka një anamnezë familjare për migrenë është gati 50 % më i predispozuar sesa dikush tjetër që ta shprehë më shumë migrenën.

Pra mund të jetë edhe e trashëgushme?

Ka një predispozicion familjar.

Në çfarë faze duhet t’i drejtohemi një mjeku?

Pjesa më e madhe e pacientëve vijnë të diagnostifikuar. Migrena është diagnozë klinike por duke qenë se edhe informacioni është më i gjerë pacientët e kanë më të lehtë të kuptojnë simptomat. Por ajo që do të tërhiqja vëmendjen është që një pacient që është migrenoz nuk do të thotë që do të jetë imun nga sëmundje të tjera pasi migrena duke qenë një diagnozë edhe vaskulare ka një tendencë shumë të madhe për tu kronitizuar e për të shfaqur edhe ato që quhen infarkte të trurit. Kjo nuk do të thotë që të kemi një dhimbje dhe tja atribuojmë vetëm migrenës pasi ajo është shkaktari i dytë i dhimbjes së kokës më i shpeshtë. Më e shpeshtë është dhimbja tensive që ka shkaktarë të tjerë si stresi, ngarkesa, lodhja.

Në cilën pjesë të kokës referohet dhimbja e migrenës?

Migrena është hemikrani, një dhimbje që në përgjithësi kap gjysmën e kokës herë njërën anë dhe herë anën tjetër. Është një dhimbje në formë pulsuese që zgjat 4-72 orë, ka raste që nis për rreth syrit, në pjesën e ballit, por përgjithësisht në pjesën ku kalon nervi i dhimbjes

Çfarë trajtimi përdoret për migrenën?

Gjithmonë migrena duhet ndjekur. Ndjekia në vazhdimësi bën që ne të pakësojmë trajtimet. Zakonisht përdoret terapia analgjezike ose antiinflamatore në fazat e para ku sapo fillon dhimbja, duke qenë se dhimbja migrenoze fillon në mënyrë graduale dhe arrin pikun e saj e më pas mund të zbresë vetë ose mund të qetësohet edhe nga qetësuesit. Ne rekomandojmë terapi profilaktike vetëm në raste kur ndiqet pacienti dhe shikohet se kush janë shkaktarët që e shpërthejnë. Në një ndjekie të mirë profilaktike është terapia e cila konsiston në zbutjen e krizës, në rrallimin e saj në mënyrë që ajo të mos ketë intensitet të madh dhe kur të marrë terapinë të fillojë të qetësohet. Në raste të vecanta mund të përdorim edhe terapinë e triptanit që janë terapi të cilat përdoren në fazën e krizës.

Dhimbja e migrenës a është një dhimbje që shërohet plotësisht apo mbahet nën kontroll?

Duke qenë se migrena është një dhimbje primare tregon që ajo është një dhimbje e cila nuk është se ka një shkaktar të mirëfilltë, nuk ka një lezion të mirëfilltë por sigurisht që shkaktarët janë. Nëse ne arrijmë të minimizojmë shkaktarët shpërthyes dhe duke bërë një ndjekie të mirë në dinamikë, duke mbajtur dhe ditarin që thamë për të  kuptuar se si është lloji i dhimbjes sepse jo të gjitha dhimbjet migrenoze janë njësoj ne arrijmë të dominojmë krizat e të jenë kriza sa më të rralla dhe të mos jenë invalidizuese ashtu sikurse është vetë migrena një patologji invalidizuese.

A është migrena një sëmundje e zakonshme që po prek rëndom popullsinë?

Migrena është një dhimbje dhe është dhimbja ajo që të detyron të vish tek mjeku. Nëse është një dhimbje e cila ndiqet nga mjek specialistë dhe menaxhohet mirë sigurisht që ajo është një patologji që mund ta menaxhojmë dhe mund të jetë sa më pak invalidizuese.

Përsa i përket femrave shtatzëna të cilat e kanë të pamundur të marrin trajtim medikamentoz, si mund ta luftojnë dhimbjen e migrenës?

Gjatë shtatzanisë ne minimizojmë sa më pak terapinë duke bërë një ndjekie të mirë së bashku me gjinekologun. Gjendja e femrës monitorohet në rast se dhimbja e kokës është vërtetë një dhimbje e cila vazhdon mbi 4-72 orë ne e trajtojmë edhe në spital por sigurisht që  ka edhe terapi të tjera edhe jo vetëm medikamentoze  alternative të cilat përdoren për trajtimin e migrenës

MË TEPËR

Radar16 orë më herët

Rama i dhuron 16 mijë m2 tokë dhe ndërtim Arbër Hajdarit të “Fundjavë Ndryshe”

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij herë pas herë tallen me ligjin e krijuar vite më parë nga qeveria...

Mix16 orë më herët

Fakte interesante/ 100 vjet Hugo Boss!

Hugo Boss ishte një stilist dhe biznesmen gjerman, i cili themeloi kompaninë me të njëjtin emër plot 100 vjet më...

Mix17 orë më herët

A ju ndihmon vërtet të humbni peshë, pirja e 2 litra ujë në ditë?

A ju bën vërtet të humbni peshë pirja e ujit? Hulumtime të ndryshme konfirmojnë lidhjen mes ujit dhe humbjes së...

Aktualitet17 orë më herët

Çmenden Tatimet/ Masakër me profesionet e lira, u llogarisin tatimin mbi 30 për qind të xhiros

Nga Klodian Tomorri Mijëra profesionistë të lirë po përballen këto ditë me një masakër të vërtetë fiskale, teksa në adresat...

Kryesore17 orë më herët

A është çmendur Ilir Meta? – Koment nga Armand Shkullaku

Nga Armand Shkullaku Peisazhi mediatik i ditëve të fundit është përmbytur nga titujt e komentet e një çështje, e cila...

Mix17 orë më herët

Çdo dhimbje koke sinjalizon një problem shëndetësor – Çfarë duhet të dini

Në shumë raste, dhimbjet e kokës rrëfejnë mesazhe të fshehura të organizmit. Ato mund të paralajmërojnë edhe praninë e një...

Mix17 orë më herët

6 lodrat e seksit që do i aprovonte edhe ikonikja Samantha Jones

NETFLIX Nëse ka një mësim që e morëm nga “Sex & The City”, është ai i të jetuarit seksin dhe...

Radar17 orë më herët

Shitet investimi i parë strategjik/ Mentor Mezini shet Drymades Beach Resort për 12 milionë euro

Bluebay shpk, kompania që po realizon investimin strategjik Drymades Beach Resort në Gjilek të Himarës, ka ndërruar pronar. Mentor Mezini...

Mix18 orë më herët

50% e sëmundjeve vdekjeprurëse parandalohen nga dieta mesdhetare

E kuqe, jeshile, e bardhë, portokalli dhe lejla: këto janë pesë ngjyrat që nuk duhet t’i mungojnë asnjëherë tryezës. Në...

Temporal18 orë më herët

I vetmi geg mes toskëve! Çfarë shkruante New York Times për udhëheqësin e ri shqiptar, Ramiz Alia

Si u ngjit në karrierë Ramiz Alia nën udhëheqjen e Enver Hoxhës derisa iu besua detyra e lartë në prillin...

Facebook