Kryesore
Arrestimi i Sali Berishës, një lajm i mirë për të gjithë
Erjus Mezini
Nuk i besoj teorisë sikur gjoja Edi Rama e preferon Berishën në burg. Fletë-arrestet për Jamarber Malltezin dhe Sali Berishën dolën brenda katër javësh që nga kthimi i Altin Dumanit nga Shtetet e Bashkuara. U duk sikur Altin Dumanit ia terhoqën veshin në Uashington (vendi i cili bashkë me Berlinin kanë paguar pjesën më të madhe të reformës në drejtësi). Ajo që më duket më logjike nga gjithë kjo histori dhe madje lajmi shumë i mirë për gjithë shqiptarët është ky: lukunia e ujqërve në Tiranë kanë filluar të kafshojnë dhe të gjakosin njëri tjetrin.
Paçka gjërave që thuhen lart e poshtë, SPAK duket sikur u ka rrëshqitur nga duart edhe socialistëve edhe demokratëve. Gjithë lufta dhe hakmarrja bëhet në nivelin administrativ dhe ekzekutiv, jo në nivelin gjyqësor. Pra gjithë pyetja sot është kjo: përse disa dosje arrijnë në SPAK dhe disa nuk arrijnë kurrë? Përgjigjen e dinë njerëzit në postet kyçe të Shqipërisë. Mirëpo kur për njërën apo për tjetrën arsye këto dosje, dëshmi dhe akuza arrijnë në SPAK, shumë nga këta militantë të emëruar në poste kyçe duken si të paralizuar dhe madje të vënë përballë gjyqeve të padukshme të administratës shqiptare.
Nëse kam qenë i saktë në këto mendime, atëherë luftën e gjyqeve e nisi Partia Demokratike dhe jo Edi Rama. Përderisa demokratët e shpartalluar në votime filluan të lëvizin akuza dhe dëshmi lart e poshtë, brenda apo jashtë vendit, jo për Sajmir Tahirin, jo për Vangjush Dakon, jo për Lefter Kokën, Ahmetajn, Xhaçkën, Beqajn, etj., edhe socialistët të cilët në votime nuk u druhen aspak demokratëve si Lulzim Basha dhe Sali Berisha, e panë të arsyeshme që të mos rrinë duarkryq në betejat gjyqësore me demokratët. Përderisa demokratët po i kërcënonin socialistët me akuza korrupsioni dhe burgje, këta të fundit morën vendimin që të parët t’i shpaguajnë me të njëjtën monedhë: akuza, dëshmi, dosje dhe burgje.
Që të mos zgjatem, arrestimet e Jamarber Malltezit dhe Sali Berishës, duhen parë si shpagim që socialistët po u bëjnë demokratëve për Sajmir Tahirin, Vangjush Dakon, Lefter Kokën, Arben Ahmetajn, etj. Në asnjë mënyrë nuk duhen parë si strategji elektorale –aq më tepër kur në votime Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë kapitulluar këtu dhe dhjetë vjet. Përsa kohë që ujqërit kafshojnë dhe gjakosin njëri tjetrin, ne qytetarët e Shqipërisë më mirë të festojmë apo të bëjmë sehir, sesa të fanatizohemi nga një opozitë e cila i humb të gjitha betejat, si në konkurrencën elektorale, ashtu edhe në konkurrencën morale. Le t’u lutemi zotit dhe botës që sa më shumë hallexhinj të jetojnë të lirë në Shqipëri, dhe sa më shumë oligarkë (të majtë apo të djathtë) të mbyllen mbrapa hekurave, njëlloj si ujqërit e kopshtit zoologjik.