Lidhu me ne

Kioske

Posht Ballkonit – nga Edison Ypi

Edison Ypi: Text Syndrome - Shqiptarja.com

S’ka më të pabesë dhe më të rrezikshëm, s’ka dërrasë më të kalbur se një grusht fanatikësh të pa përmbajtur si ata poshtë Ballkonit të Doktorit.


Kurrë nuk ka ndodhur, dhe kurrë s’ka për të ndodhur, në asnjë vend, në asnjë kohë, dhe në asnjë rrethanë, që bashkëpunimi me një çetë proletarësh të revoltuar të ketë pasur ndonjë rezultat pozitiv, aq më pak të jetë arritur ndonjë qëllim.


Posht Ballkonit të Doktorit po ndodh qoka politiko-propagandistike më e shëmtuar, më e pavlerë, më e dëmshëm dhe më e pakuptimtë.


Nën atë Ballkon llumi i Kombit, gjysma çuna oficerash nga ata që na kan burgos dhe na kan vra, po dërdëllit përçartje propagandistike kundraproduktive që s’i peshon asnjë kandar, që s’i duhen as dreqit, që e dëmtojnë kauzën tonë, por më tepër Doktorin.


Mbyllja e detyruar e Doktorit, një nga njerëzit më të kultivuar të vendit, nuk është asgjë para dënimit më të tmerrshëm, të bashkëjetuarit pranë e pranë si pasqyrë dhe si vetrinë, i squti me budallain, i sofistikuari me injorantët e dehur nga era e gjakut të mishit të pushtetit.


Asnjë fakt i kësaj natyre nuk ka qënë më i pamend dhe më i pavend se kjo çetë mercenarësh me lugë në brez në pritje për të përmbysur, zbrazur, lëpirë, tasa dhe kazana.


Fjalori i varfër, klishetë narrative, tematikat e dala boje, papërgjegjësia e skajshme, janë tiparet e turpshme të kësaj çudie që po kompromenton dita ditës opozitën e tashme, dhe po fëlliq gjithë të tjerët.


Çfarë po bëjnë Doktori majë penxheresë dhe çeta që e ndjek poshtë në rrugicë, është bashkëveprimi më jo-produktiv prej sa mbahet ment. Për një mijë arësye tepër evidente. E kotë t’i numurosh.


Pse duhet të vazhdojë kjo komedi me proletarë komunista kinse demokrata të egërsuar, injorantë të revoltuar, analfabetë funksionues, kur tashmë është më se e qartë se predikimet e vazdueshme denoncuese të Doktorit nuk i kanë paksuar aspak hajdutlliqet dhe krimet – një Zot e di.


Ndoshta është e vërtetë se ca të tërbuar me përçartjet e tyre në pritje të kockës ndezin çetën. Halli se dekurajojnë gjithë të tjerët.


Ku ma gjen kafenenë e lagjes. Ku flitet në mënyrë të kulturuar, serioze, të përgjegjëshme, me zemër, me shpirt. S’ka të krahasuar me karagjozllëkun me militantë të rrejshëm, estradën gratis, ku mungon vetëm Skënder Sallaku.


Duhet të bëhet i gjallë dikush të ndreqë diçka.
Për shembull, të vërë një rregull të flasë çdo natë vetëm 1 orator. Jo çdo palaço që bën si besnik, si qëndrestar. Dikush për së mbari, dikush me cipë, dikush që nuk e bën baltë, që di të lidhë fjalët, që thotë diçka, që është i aftë ta përcjelli një ide. Në mos, t’i thotë çetës qesharake të iki në shtëpi, dhe të mos duket më.


Dihet se në Shqipëri çka ndodh në rrugë është më dramatike se çka ndodh në skenë. Madje çfarë ndodh poshtë jastëkut, poshtë dyshekut, posht çadrës, poshtë urës, është pakrahasimisht më e rëndësishme dhe më interesante se çfarë ndodh poshtë Ballkonit.


Për të dhënë një shembull. Noli gjenial, duke qënë prift, nuk mund të mos ishte pak komunist. Një mbrëmje, posht ballkonit, një buçko i qeshur, me gabime analfabeti dhe pathos kooperativisti, lexoi vargjet më komuniste të gjeniut Nol. Buçkoja as titullin nuk ja tha korrekt kryeveprës komuniste të priftit kolonjar. Vjershën që në diktaturë ua mësonin kalamajve të kopështit dhe quhet “Anës Lumenjve” proletari i poshtë ballkonit pa ju dridhur qerpiku e quajti “Anës Lumit”. Mir’ që s’e quajti “Anës Lanës”.


S’do ment se Doktori mezi pret të lirohet nga zgjedha e budallallëkut të posht ballkonit. Me siguri i dhem zemra nga çdo fjalë idiote që nxjerrin nga goja lumpenët e tërbuar. Po s’ka çfarë të bëjë. S’di nga t’ja mbajë.


Po unë, pse e shoh vallë çdo natë atë spektakël makabër ? Faleminderit për pyetjen dinake shoku spiun. Nuk e shoh se më pëlqen. E shoh sepse zbatoj parimin e pavdekshëm Lagushian; Llaftari tmerrisht e bukur.


Hej Zot ç’na ka gjet; Pse ësht Doktor, dun patjetër me e rrethu me spital.


I quajn “kamikaze” llapaqenat që ta lejn pushkën në faqe dhe e kthejn pllakën brenda minutit. Zot sa ke mos na i rrëfe.


Nuk ma kishte marrë kurrë mendja se Doktori që di përmendësh “Letrën e Tatjanës Onieginit”, vargje, poezi, prozë, nga autorët më të shquar të botës, njohësi në majë të gishtave i letërsisë klasike dhe moderne, ai që me fjalën e zjarrtë, mendimin e ngjeshur, dhe shpirtin plot, ai që në tërë këto vite ka ngritur peshë malet, kuçin e maçin, të madh e të vogël, edhe ngordhalaqët, edhe budallenjtë, edhe gurët e rrugës, ky Doktor të detyrohet të qëndrojë kaq pranë një çete komuniste në delir. Dënim më të tmerrshëm dhe më të pameritur s’ka.


A ka faj Doktori. Po ka. Për një gjë. Që nuk del në Ballkon tu thotë mysafirëve të çartallosur të rrugicës:


Zotërinj klientelista, mercenarista, regjionalista, ju solla deri këtu. Më tej bëni si dini. Faleminderit për ndihmesën që i dhatë revolucionit. Që sot, që tani, që këtë çast, ikni, dhe kurrë mos u ktheni. Qafën thefshi.

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook