Mix
5 mësime lidershipi nga Anna Wintour pas 37 vitesh në krye të Vogue

Është fundi i një epoke. Anna Wintour largohet nga posti i saj si kryeredaktore e Vogue Amerikane, pas një karriere rekord prej 37 vitesh. Dekadat e suksesit të saj janë një dëshmi e mençurisë së saj në biznes dhe përkushtimit të palëkundur ndaj vizionit të saj. Ajo nuk ka pasur frikë të thyejë rregullat, por gjithashtu ka ditur kur të ecë me kohën.
Nën drejtimin e saj, Vogue përqafoi kulturën e famës, përballoi revolucionet në median e shtypur dhe atë digjitale dhe e shndërroi Met Gala-n në një fenomen kulturor. Lidershipi i saj mishëron fuqinë e përshtatshmërisë, riformësimit dhe vizionit të qëndrueshëm, duke treguar për liderët se çfarë do të thotë të jesh një ndikim i vërtetë dhe një profesionist i qëndrueshëm në biznes. Më poshtë janë pesë mësime të vlefshme nga gati 40 vite drejtim të Anna Wintour.
1. Përshtatu pa pushim ndaj ndryshimeve të industrisë
Që nga numri i parë i Vogue që ajo publikoi në SHBA më 1988 e deri më sot, Anna Wintour ka qenë gjithmonë në evoluim të vazhdueshëm. Industria e saj kaloi nga media e shtypur te platformat dixhitale, nga stilet formale te ato të përditshme dhe sërish në kthim. Ajo përqafoi modën grunge në vitet ’90, yjet e reality-shows në vitet 2000 dhe solli Vogue në kohën e rrjeteve sociale. Në një kohë kur bota e biznesit po përmbyset nga inteligjenca artificiale gjeneruese, drejtuesit duhet të ndjekin shembullin e Wintour, duke mirëpritur ndryshimet në vend që t’i rezistojnë. Të mbahesh pas mënyrave të vjetra të të bërit gjërat nuk funksionon përherë , pikërisht për këtë arsye ajo u punësua në fillim, për të tronditur status quon dhe e ka bërë këtë që nga viti 1988.
2. Krijo një vizion të guximshëm dhe beso tek ai
Wintour dëshironte që moda të mos ishte vetëm për elitën, por për të gjithë njerëzit. Kjo ishte filozofia me të cilën e drejtoi Vogue, duke e bërë më të qasshme për masat. Numri i parë i revistës nën drejtimin e saj tregonte modelen Michaela Bercu duke buzëqeshur në rrugë, veshur me xhinse. Shtypshkronja telefonoi për t’u siguruar se nuk kishte ndodhur ndonjë gabim. Këto lloj vendimesh të guximshme dhe ndryshe nga rregullat ishin karakteristike për karrierën e saj. Strategjia e saj nuk ka qenë kurrë rrezik për hir të rrezikut. Ajo besonte në vizionin e saj për industrinë e modës dhe rrethonte veten me njerëz që e kuptonin atë, duke e realizuar këtë vizion vazhdimisht. Kur intuita të thotë se diçka ka potencial dhe magji, është e rëndësishme të mos dëgjosh zërat skeptikë. Kështu ndërtohen trashëgimitë që zgjasin.
3. Njih dhe mbështet talentet në rritje
Wintour ka pasur gjithmonë një intuitë të fortë për të zbuluar talentet e reja dhe ka përdorur burimet e saj për t’i ndihmuar të arrijnë majat. Një shembull i spikatur është John Galliano. Në fillim të vitit 1994, ajo ndihmoi në sigurimin e investitorëve për shfaqjen e tij të modës, kur askush nuk ishte i gatshëm të financonte. Ajo gjithashtu ndihmoi në përfshirjen e supermodeleve si Kate Moss, Naomi Campbell dhe Linda Evangelista që të parakalonin falas. Kjo shfaqje riktheu karrierën e Galliano-s dhe e shndërroi atë në një emër të rëndësishëm në modë. Ashtu si besimi në vizionin personal, edhe besimi tek të tjerët është thelbësor për suksesin. Njerëzit e rinj në industri sjellin perspektiva të freskëta dhe janë të gatshëm të rrezikojnë. Mos kini frikë të investoni tek dikush që ka potencial të madh.
4. Balanco krijimtarinë me mençurinë në biznes
Edhe pse është e njohur për krijimtarinë e saj të jashtëzakonshme, Wintour është gjithashtu një grua e zonja në biznes. Met Gala, për shembull, është shndërruar në një nga eventet më të mëdha të mbledhjes së fondeve për modën, por njihet edhe si nata më e rëndësishme e modës çdo vit. Instituti i Kostumit financohet kryesisht nga ky event, falë vizionit të Wintour. Ajo ka ditur të përshtatet me ndryshimet në sjelljet e konsumatorëve, pa kompromentuar identitetin e Vogue. Në industri artistike si moda, është thelbësore të udhëhiqesh nga kreativiteti, por gjithmonë duke pasur parasysh aspektin financiar, që të sigurohet jetëgjatësi dhe qëndrueshmëri.
5. Ki ndikim, jo vetëm autoritet
Po, njerëzit e ndjekin Anna Wintour sepse ajo është shefja dhe e famshme për të qenë e rreptë, por gjithashtu sepse ajo frymëzon. Shumë njerëz kanë mbështetur idetë e saj revolucionare sepse i besonin vizionit të saj. Ajo ka formësuar kulturën dhe është tashmë një ikonë e pavdekshme në botën e modës. Të jesh një person me ndikim do të thotë të udhëheqësh me ide, jo vetëm me urdhra. Liderët mund të jenë të vendosur në vendimet e tyre, por duhet të fitojnë respektin e të tjerëve përmes veprave, jo vetëm përmes titullit. Anna Wintour ka dhënë një masterclass për këtë, duke fituar vëmendjen dhe admirim me lëvizje përmbajtësore, jo thjesht me pozicionin e saj në krye.
