Radar
Figura të njohura të komunitetit çam mbështesin riorganizimin e Shoqatës Patriotike Çamëria
Në këtë aktivitet të rëndësishëm spikati prania e biznesmenit të njohur Lutfi Nuriu, ish-deputetit të PDI-së Dashamir Tahiri, ish-deputeti dhe themeluesit të partisë së parë të komunitetit çam, Tahir Muhedini si dhe Prof. Lutfi Saqe dhe Ruko Sako

Figura të njohura të komunitetit çam mbështesin riorganizimin e Shoqatës Patriotike Çamëria
Më 9 korrik u zhvillua Konferenca e Shoqatës Patriotike Çamëria, Dega Tiranë, me pjesëmarrje të gjerë të anëtarëve, veprimtarëve dhe personaliteteve të komunitetit çam. Gjatë konferencës u theksua rëndësia e bashkimit, respektimit të statutit, funksionimit demokratik të shoqatës dhe forcimit të rolit të saj në mbrojtje të kauzës çame.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm spikati prania e biznesmenit të njohur Lutfi Nuriu, ish-deputetit të PDI-së Dashamir Tahiri, si edhe ish-deputetit dhe themeluesit të partisë së parë të komunitetit çam, Tahir Muhedini, një prej figurave që i ka kushtuar pothuajse gjithë jetën kauzës çame. Të pranishëm ishin edhe shumë personalitete të tjera të respektuara, në një sallë të mbushur plot me pjesëmarrës, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për riorganizimin e shoqatës dhe angazhimin në nisma konkrete në shërbim të komunitetit.
Pas prezantimit të programeve nga kandidatët Altin Osmani dhe Ermir Gjyzeli, u zhvillua procesi i votimit. Me shumicë votash, Altin Osmani u zgjodh kryetar i Shoqatës Patriotike Çamëria, Dega Tiranë.
Procesi zgjedhor erdhi në kuadër të riorganizimit të shoqatës dhe u parapri nga një periudhë dymujore anëtarësimi dhe riaktivizimi të strukturave, si në terren ashtu edhe online, me synimin për të zgjeruar përfshirjen e anëtarësisë dhe për të forcuar organizimin e komunitetit çam në Tiranë.







