Lidhu me ne

Temporal

YRYSHI KIBERNETIK

Arjan Shahini – Peizazhe të fjalës

nga Arjan Shahini

Meqë përtoj shumë, kam vendosur të ofroj edhe këtë radhë tre në një.*

  1. Yryshi kibernetik

Modelet e parashikimit të zgjedhjeve elektorale sot përmbajnë edhe tregues nga përdorimi i rrjeteve sociale e të tjera media. Prandaj lufta në internet për vëmendje është e madhe. Problemi është se betejat nuk zhvillohet vetëm nga njerëzit, por edhe nga botët.

Sipas vëzhguesve të trafikut të internetit (shih Imperva, 2020), kontributi i botëve (skripteve automatike) në gjenerimin e trafikut është afërsisht 50%. Botët e “këqij” zënë rreth 24% të trafikut, ndërsa të mirët (që katalogizojnë dhe sjellin trafik njerëzor, p.sh. makinat e kërkimit) diku te 13%. Trafiku nga botët e këqij rritet. Në 2012 zinte 20% dhe në 2016 ishte 23%. Botet në SHBA, Kinë dhe Rusi janë ato më aktivët.

A është tregues i qartë për një lloj elektorati apo suksesi marketingu p.sh. frekuentimi e një gazete online? Pjesa më e madhe e gazetave online në Shqipëri kanë reklama të bezdishme, të cilat paguhen nga kompanitë (apo qeveria) në bazë të trafikut që sjellin në faqet e shërbimeve të tyre. Por ajo që nuk dihet, është se sa prej klikimeve janë të njerëzve, e sa prej botëve. Kompanitë e reklamave mashtrojnë me shifrat, pasi ato në shumë raste gjenerojnë klikime artificialisht nëpërmjet botëve.

Në vitin 2018 rreth 20 deri në 35% e të gjithë ndërveprimit me reklamat kryheshin nga përpjekjet për mashtrim (me një humbje për bizneset prej rreth 6 miliardë dollarësh sipas White Ops). Duke qenë se mbrojtja nga mashtrimet nëpërmjet trafikut është e kushtueshme dhe e sofistikuar për mediat online në Shqipëri, besoj se këtu shifrat e mashtrimit duhet të kalojnë 50%. Sidomos reklamat me video (video ads) tërheqin më shumë bots.

Ndër faqet më të ndjekura në Shqipëri (Alexa Top Sites) janë disa bote apo crawler (kopjacë), të tjerat janë gazeta apo televizione. Duke ditur se një pjesë e madhe e trafikut gjenerohet nga bote, është e vështirë në Shqipëri të vizatosh një skenë të besueshme të mediave më të ndjekura. Për cilindo që kërkon vëmendje duhet të orientohet në disa faqe njëherazi.

Duke vërejtur reagimet e shpejta të politikanë në Shqipëri si Edi Rama apo E. Veliaj, besoj se këta këshillohen nga firmat e PR-ve të veprojnë sipas këtyre modeleve statistikore që parashikojnë zgjedhjet apo manipulojnë mbështetjen e publikut. Së fundmi këto modele (edhe eksperimente si A/B testing) janë të pagueshme edhe për rangun e politikanëve tanë, e madje më pak të kushtueshme se instrumentet e mëparshme të matjes së pulsit të publikut (si p.sh. Focus Group, me praninë e ekspertëve të huaj). Në SHBA këto modele janë përdorur prej viteve 1960, me zgjedhjen e J. F. Kennedy si president (shih Simulmatics.)[1]

Për të kuptuar strategjitë e marketingut politik, mjafton të shohësh prezantimin e disa politikanëve në rrjet. P.sh. kryetari i Bashkisë së Tiranës i ka vendosur syrin Wikipedias në shqip. Wikipedia, version shqip (në vendin e 21 në renditjen kombëtare) tërheq gjithmonë e më shumë internautë. Sidomos gjatë muajit të karantinës, prill 2020, u shënuan numra rekord (1.6 milionë mjete komunikimi), sikur edhe në vendet e tjera të botës. Edhe pse versioni shqip kontrollohet nga një grup jo-transparent individësh (shih foto), që nuk dihet përse janë aty, dhe pse fshijnë apo ndreqin artikuj sipas qejfit, këta kanë vulosur si cilësore vetëm 33 nga rreth 80 mijë artikuj (ndër cilësorët është një mbi ndalimin e duhanit në Gjermaninë naziste).

  1. Enciklopedi në steroidë

Fjalori enciklopedik shqiptar (të dy, i 1985 me 5000 zëra, dhe i 2012 me 7250 zëra), e ka humbur betejën për të qenë referencë, jo vetëm se nuk është i aksesueshëm online, por edhe pse i varfër (besueshmëria nuk është problem për nxënësit apo studentët). P.sh. Wikipedia shqip numëron rreth 250 shkrimtarë shqiptarë (nuk dihet sa janë self-promoted), ndërsa fjalori i 1985 rreth 60-70 shqiptarë e të huaj,[2] e ndoshta ai i 2012 dyfish më shumë. Wikipedia në Anglisht ka 174 shkrimtarë shqiptarë (60 prej tyre ende gjallë). Wikipedia në shqip rreth 100 të huaj.

Rreth 60 e shkollat e Tiranës kanë raportuar diku në Ministrinë e Arsimit se zotërojnë mesatarisht rreth 850 libra artistikë në bibliotekat e shkollave, e rreth 300 autorë të huaj e të vendit (janë vetëm përafrime për shkak të raportimit; max 11000 e ka liceu artistik, dhe një shkollë në kombinat, max. 2000 libra; minimumi është nën 40). Kjo do të thotë se një numër i madh i autorëve shqiptarë të paraqitur në Wikipedia nuk janë gjëkundi nëpër bibliotekat e shkollave. Në fakt, ka autorë e libra që nuk janë as në Bibliotekën Kombëtare, në kundërshtim me rregullin për të dërguar disa kopje atje.

  1. Kombi i penduar

Për ata që së fundmi janë pështirosur nga oferta e Netflix, ku filmat duken sikur kanë dalë nga e njëjta studio a regji e “Black life matters” apo ndonjë tjetër fabrikë komercialiste-progresiste (Old GuardProject Power), mirë është të khejnë sytë diku tjetër.

Filmi i M. Bellochio, Il traditore, mbi një pentito të Cosa Nostra është një rifreskim i tillë estetik (skenat burlesque të gjyqit të kujtojnë cirkun e Felinit), por që përmban njëkohësisht edhe moralizim pa mpirje sysh.

Krimi i organizuar, pse është i organizuar duhet të respektojë disa norma. Banditët a kaçakët e dikurshëm shquheshin nga kodi i nderit, ose Kanuni në rastin tonë. Por në vitet 1980, Mafia italiane filloi të dallohej edhe për mizorinë, duke vrarë fëmijë e gra. Në këtë rast salla e gjyqit rrotullohet 180 gradë: nga “tradhtari,” fuksi (kujtoni diskutimin publik mbi bilbilfryrësin në një shoqëri po aq mafioze për nga rëndësia që i jep “heshtjes”), tek Cosa Nostra, të cilën Tommaso Buscetta e akuzon për shkelje të normave. Një organizatë që nuk njeh kufij, nuk është më e tillë. As nuk mund të kërkojë besnikëri.

Një tjetër problematikë interesante është ajo e jetës së këtyre të penduarve të drejtësisë. Një pjesë i kthehen sërish jetës së krimit, një pjesë tjetër kalojnë në depresion pas rënies së aktivitetit etj., por shteti në cilindo rast ka problem të administrojë një program të tillë. Shtetet e Bashkuara kanë përvojën më të hershme të programit (Witsec), me hapësira e logjistikë të sofistikuar, e megjithatë kanë hasur në një sërë vështirësish, sikur tregon libri i Pete Early. [3] Në Shqipëri, që ka një program të tillë prej 2009, para disa vitesh u fol për njërin që u kthye nga Franca se shteti i mbylli qesen – programi i mbrojtjes përmban ndihmë për integrim në vendin e pritjes, dhe nuk synon lëmoshën. Sidomos për rastin e Shqipërisë besoj se ekspertët analizojnë edhe koston kur i ofrojnë dikujt të bashkëpunojë me drejtësinë.

Më tej, interesante është që sistemi post-fordist kapitalist i ka çoroditur disi strukturat mafioze. Sot flitet për Mafian e Re, brezin që pëlqejnë më shumë rehatinë e pasqyrimin e jetës së luksit në rrjetet sociale. Edhe lidhjet me prindërit e tyre nuk i kanë si dikur (para disa vitesh pinjolli i një mafiozi refuzoi të vrasë motrën e tij që dyshohej se bashkëpunonte me policinë). Ndërsa në Shqipëri, ku ende diskutohet për pendesën që duhen të shfaqin pasardhësit për krimet e regjimit komunist, nuk kam dëgjuar të debatohet p.sh. roli i familjarëve në fshehjen e pasurisë së përfituar nga korrupsioni.

Kush ka ndjekur përjashtimin e shumë gjykatësve e prokurorëve gjatë vetting-ut, duhet të ketë vëzhguar se një pjesë e madhe e tyre, sikur edhe strukturat e krimit të organizuar, i kanë pasuritë në emrat e fëmijëve, prindërve, kunatave e vjehërrve. Me këto llogari i bie se nga 800 funksionarë në këto struktura, minimalisht 4000 deri në 5000 vetë të lidhur me ta janë të përfshirë në korrupsion. Mblidh këtu edhe nja 5000-6000 sekserë, noterë e sekretarë gjyqësorë, së bashku me familjarët e tyre, e të gjithë tok me kontingjentin e krimit të organizuar, e kalojnë disa herë popullatën e burgjeve në Shqipëri. Që tani Shqipëria ka një numër të lartë personash nëpër burgje (rreth 200 për 100 mijë banorë, Turqia në vendin e parë ka rreth 300; Gjermania rreth 90). Shqipëria në vitin 2009 kishte rreth 140 për 100 mijë, në vitin 2018 ishin 217; edhe pse numri i emigrantëve është rritur e dikush do të mendonte se do të ishin jashtëqitur. Nuk do të ishte habi, që nëse sistemi i drejtësisë do të mirëfunksiononte, të arrinim në të njëjtat shifra të kampeve të internimit gjatë regjimit totalitar.

Kështu që për të shpëtuar Shqipërinë dhe buxhetin, amnistia që synonte kryeministri E. Rama, rekomandohet të shtrihet për të gjitha krimet ekonomike dhe korrupsionin; nga të gjithë keqbërës, jemi të gjithë të penduar. Siç vërehet në grafikun e mëposhtëm, mbi vendimet e gjykatave për çështjet e krimit të organizuar ka filluar ulja.

Vendimet e gjykatave per krimin e organizuar

[1] Shih Jill Lepore në New Yorker (Gusht, 2020): https://www.newyorker.com/magazine/2020/08/03/how-the-simulmatics-corporation-invented-the-future

[2] Një version online të fjalorit të 1985 e gjeni këtu (rreth 4200 zëra).

[3] Shih Earley, Pete. 2009. Witsec: Inside the Federal Witness Protection Program. Bantam.

* Fotografia e ballinës është Erjon Veliaj, 10 vite para e pas, e ardhmja e krijuar nga një algorithm.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Mix3 ditë më herët

Çfarë duhet të hani për mëngjes, 5 zakone të mira për të qëndruar në formë

Të dish se çfarë duhet të hani në mëngjes për të humbur peshë është më e rëndësishme se kurrë, sepse...

Mix3 ditë më herët

Djersitja tek meshkujt – Si ta mbani nën kontroll këtë problem

Djersa përbën mënyrën kryesore të trupit për tu freskuar. Megjithatë ka raste që vërehen tek meshkujt kur djersa shkon çurg,...

Mix3 ditë më herët

3 Ushqime që mund të konsumoni çdo ditë për shëndet më të mirë

Pavarësisht nëse po përpiqeni të humbni peshë, apo thjesht keni vendosur të filloni të kujdeseni më mirë për veten, ka...

Mix3 ditë më herët

Kafeina, droga psikoaktive më e konsumuar në botë”, Varësia që krijon organizmi prej kafesë

Kafeja është e pandashme në jetën e shumë njerëzve, “Kafeja definitivisht të bën të varur”,thotë Carsten Schleh. Ai është toksikolog...

Mix3 ditë më herët

Studimi: Sa fëmijë duhet të keni që të jeni të lumtur

Sa fëmijë duhet të keni është një debat i vjetër, por për çdo prind që aktualisht pyet nëse duhet të...

Mix3 ditë më herët

Jon Bon Jovi e pranon publikisht: “E kam tradhtuar shumë herë gruan time…”

John Francis Bongiovi Jr., ky është emri i vërtetë i yllit të rokut, i njohur si Bon Jovi. Por pak...

Mix4 ditë më herët

Billie Eilish sapo na tregoi se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë

GETTY Billie Eilish, megjithëse nuk e ka pasur në plan të flasë për seskualitetin e saj, sërish ka ndarë me...

Mix4 ditë më herët

Ky është peshku më i shëndetshëm për t’u ngrënë dhe ja pse

FOTO: NUGROHO RIDHO / GETTY IMAGES Peshku është një proteinë me cilësi të lartë, por sërish njerëzit nuk e konsumojnë...

Mix4 ditë më herët

Kylie Jenner pozon topless

Kylie Jenner konsiderohet si një ikonë mode dhe çdo lëvizje e saj kthehet në trend. Me siguri kështu do bëhet...

Mix4 ditë më herët

There’s Still Tomorrow (C’è Ancora Domani), filmi italian me fitimin më të madh, ia kalon edhe filmit “Barbie”

Filmi “Barbie” i Greta Gerwig mund të jetë filmi më i suksesshëm financiarisht i drejtuar ndonjëherë nga një regjisore femër...

Facebook