Lidhu me ne

Kioske

Shezlong, shezbombë?

Edmond Tupe për Panorama.al

Para disa ditësh u përgjak e u trondit plazhi i Velipojës si pasojë e një përplasjeje me armë midis dy pronarësh hoteli për shkak të një parcele ranishteje, ku secili syresh kërkonte të kishte përparësi për vendosjen e çadrave dhe të shezlongëve të veta.

Rezultati: katër të vrarë, midis të cilëve edhe një njëzetvjeçar që e kishte ditën e parë të punës; nga ana tjetër, të nesërmen e kësaj tragjedie, diku në një plazh jugor, natën u dogjën 60 shezlongë.

Me sa arrita të informohesha, duket se në zanafillë të kësaj kasaphane na paska qenë kalimi, nga autoriteti i policisë bashkiake tek ai i ministrisë së Turizmit, i së drejtës për të përcaktuar ato hapësira ranore, ku pronarëve të hoteleve buzë detit u lejohet të vendosin çadra e shezlongë.

Gjithsesi, duke u bindur çdo ditë e më shumë se hallkat kompetente të shtetit shqiptar janë të pafta të shmangin vrasjet e panumërta në gjirin e shoqërisë sonë, uroj që, po të jetë e domosdoshme, për të shmangur që  çdo shezlong të kthehet në shezbombë, e drejta e lartpërmendur të kalojë tek autoriteti i një administrate shtetërore edhe më të lartë si, për shembull, tek ai i kryeministrisë sonë, apo edhe, pse jo në fund të fundit, tek autoriteti i ndonjë strukture ose organizmi të BE-së a të SHBA-ve, sepse, me sa duket, shteti ynë i shpërfytyruar po shfaqet sa vjen e më shpesh si i pafuqishëm për të vendosur midis vetë shqiptarëve qoftë edhe një minimum paqeje sociale.

Sa për informacion, po i lejoj tani vetes që atyre lexueseve dhe lexuesve që nuk e dinë nga ka ardhur në gjuhën shqipe fjala “shezlong”, t’u mësoj se prejardhjen ajo e ka nga togfjalëshi frëng  “chaise longue” që do të thotë, fjalë për fjalë, “karrige e gjatë”, por në kuptimin “ndenjëse e cila paloset në disa kënde dhe ku mund të shtrihesh”. Ku mund të shtrihesh…, po po, kështu është, ku mund të shtrihesh, veçse i gjallë, jo i vdekur, sepse shezlongu nuk është arkivol, sepse ranishtja e plazhit nuk është varrezë, sepse deti nuk është vend për të larë të vdekurit para se të varrosen, sepse pushuesit nuk janë aspak pjesë e ndonjë kortezhi mortor!…

Ku mund të shtrihesh…, po po, kështu është, për t’u çlodhur, pasi ke notuar, për të kundruar horizontin, anijet, njerëzit rreth e rrotull teje, vajzat e bukura dhe djemtë e pashëm, për të harruar streset e jetës së përditshme, për t’i thënë vetes se, sidoqoftë, jeta ia vlen ta shijosh sa je gjallë…

Mirëpo kur “la chaise longue”, pra shezlongu, bëhet shkak vdekjeje, atëherë mendja të shkon tek “la chaise électrique”, pra tek karrigia elektrike, që përdoret në disa shtete të SHBA-ve për ekzekutimin e të dënuarve me vdekje! Kjo lloj karrigeje, po, kjo është burim vdekjeje, por për ata që e meritojnë vërtet vdekjen, sidomos për diktatorët para së gjithash, sepse këta gjithmonë kanë folur, flasin e do të flasin për “të ardhmen”, për “të nesërmen”  e ndritur të një vendi, të një populli, të një kombi, të mbarë njerëzimit, ndërkohë që mendojnë vetëm për vete, çka kishte parasysh e nënvizonte para shumë dekadash shkrimtari francez Jean Giono kur thoshte “Ruhuni nga ndërtuesit e së ardhmes, sepse, në emër të fëmijëve që do të lindin, ata vrasin njerëz që jetojnë!”.

Në këtë kuadër, askush nuk mund të më kundërshtojë po të pohoj se kjo këshillë e ruajti aktualitetin e saj për kohën e diktaturës hoxhiste, mirëpo, me shumë gjasë, askush nuk mund t’i  pengojë lexueset dhe lexuesit e mi ta këqyrin aktualitetin e sotëm shqiptar pikërisht nën dritën e citatit të sapopërmendur.

Së fundi, por jo më së paku, togfjalëshi “chaise longue” të kujton gjithashtu një tjetër togfjalësh, atë “chaise percée”, fjalë për fjalë “karrige e shpuar”, e cila, një herë e një kohë përdorej në Francë kur bëhej fjalë për pleqtë ulokë që nuk lëviznin të paktën aq sa për të kryer nevojat vetjake. E di dhe jam tashmë i sigurt për  këtë: Lexueset dhe lexuesit e mi e kanë kuptuar: Bëhej fjalë për një karrige me një vrimë të rrumbullaktë, poshtë së cilës fiksohej pikërisht një enë që luante në këtë mënyrë rolin mjeran e një oturaku të lëvizshëm.

Nën dritën e kësaj lidhjeje formale të sendit “chaise longue”, pra shezlong, me sendin “chaise percée”, pra oturak i lëvizshëm, unë po marr guximin t’u uroj diktatorëve dhe sidomos kriptodiktatorëve të të gjitha ngjyrave e ideologjive, të cilët shtiren si shpëtimtarët e popujve të trullosur, jo të vdesin në karrigen elektrike të amerikanëve, por ta vuajnë pleqërinë e tyre famëkeqe të lidhur ngushtë me karrigen e shpuar, pra me oturakun primitiv, ku të jashtëqisin tërë ndyrësitë e çmendurisë së pakufishme që kanë në shpirt.

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook