Radar
Çfarë po kurdis Soros në prapaskenë kundër Trump
Shkruar nga Damla Taskin*
Alex Soros dhe Joe Biden /
Teksa Trump synon të godasë institucionet e lidhura me Sorosin – përfshirë USAID-in, Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe marrëveshjet për klimën – politikat e administratës së tij, sinjalizojnë një luftë të intensifikuar midis forcave nacionaliste dhe rrjeteve globaliste…
George Soros, një nga spekulatorët financiarë më me ndikim në botë, vjen nga një familje hungareze hebreje. Ai u arratis në Angli nga Evropa e pushtuar nga nazistët. Rrënjët e tij si emigrant dhe prirjet ideologjike, e kanë pozicionuar prej kohësh në kampin e demokratëve në SHBA.
Ndikimi financiar i Soros në peizazhin politik të SHBA-së, ka nxitur pretendimet dhe akuzat e forta se ai e “kontrollon” Partinë Demokratike. Duke u shfaqur si një forcë dominuese financiare në fillim të viteve 1990, Soros arriti të diktojë dinamikat e zhvillimeve gjeopolitike.
Në atë kohë, rendi i ri botëror u zhvendos nga forca tradicionale ushtarake dhe kulturore tek financa, teknologji dhe diplomacia, fusha ku Soros ka pasur jo pak sukses. Rrjetet e tij financiare, luajtën një rol kryesor në konsolidimin e ndikimit global.
Ato janë akuzuar shpesh për provokimin e krizave, me synim çuarjen përpara të axhendave ideologjike dhe ekonomike. Ndërsa Fondacionet e tij të Shoqërisë së Hapur, pretendojnë se promovojnë të drejtat e njeriut, mbështetja e tyre ndaj kufijve të hapur dhe politikat ndërhyrëse, kanë shkaktuar reagime të ashpra të nacionalistëve në mbarë botën.
Aleanca Biden-Soros
Për vite me radhë, Soros ka pasur lidhje të ngushta financiare dhe ideologjike me ish-presidentin amerikan Joe Biden. Gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, Soros dha 80 milionë dollarë përmes organizatave PAC (Komitetet e Veprimit Politik) të lidhura me demokratët për të siguruar fitoren e Biden, një lëvizje e perceptuar gjerësisht si instrumentale në formësimin e politikave progresiste.
Megjithatë, me largimin e Biden nga Shtëpia e Bardhë, ndryshoi edhe balanca e pushtetit. Një nga aktet përfundimtare të Biden në detyrë ,ishte dhënia e Medaljes Presidenciale të Lirisë për Alex Soros, pasardhësin ideologjik të babait të tij.
Momenti i dhënies së çmimit – vetëm disa javë pas humbjes elektorale të Biden – nxiti spekulime në mesin e konservatorëve dhe fraksioneve nacionaliste se rrjeti Soros u përpoq të çimentonte ndikimin e tij, edhe pse pushteti kishte ndërruar duar.
Për më tepër, u shfaqën raporte për mbi 270 milionë dollarë donacione të lidhura me Sorosin për Institutin e Menaxhimit Lindje-Perëndim, që dyshohet se ishin të lidhura me kanalet e financimit të USAID-it. Rikthimi i Trump në presidencë, ka krijuar tashmë terrenin për një konfrontim të drejtpërdrejtë.
Më 20 janar 2025, ai njoftoi ngrirjen për 90 ditë të financimit të USAID-it, duke përmendur shqetësimin se aktivitetet e agjencisë po dëmtonin interesat e SHBA-së si dhe stabilitetin global. Kryeministri hungarez Viktor Orban e përshëndeti këtë masë, duke i paralajmëruar liderët evropianë se fitorja e Trump, do të përbëjë një pengesë të rëndësishme për Sorosin dhe ndikimin e tij në të gjithë kontinentin.
Mobilizimi i të djathtës ekstreme
Në mbarë Perëndimin, udhëheqësit nacionalistë dhe populistë e kanë vënë Sorosin gjithnjë e më shumë në shënjestër si simbolin e “elitës globaliste”. Mbështetja e tij për kufijtë e hapur, të drejtat e komunitetit LGBTQ+ dhe qeverisjen transnacionale, ka bërë që fraksionet nacionaliste ta cilësojnë atë si një kërcënim për identitetin kombëtar.
Qeveria e kryeministrit hungarez Orban, miratoi në vitin 2017 ligjin ”Stop Soros”, duke frenuar të gjitha aktivitetet e fondacioneve të tij. Ndjenja të ngjashme janë shprehur nga liderë si Marine Le Pen në Francë, Giorgia Meloni në Itali dhe Donald Trump në SHBA.
Në Britaninë e Madhe, Soros u bë i famshëm për financimin e fushatave kundër Brexit, duke i nxitur mediat britanike që të shqyrtojnë me kujdes ndikimin e tij politik. Rusia i ndaloi plotësisht organizatat e tij, duke përmendur kërcënimet e sigurisë kombëtare.
Në Poloni, partia nacionaliste në pushtet e cilësoi Sorosin si një kundërshtar kryesor të vlerave dhe sovranitetit tradicional. Rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, e ka nxitur më tej këtë lëvizje, duke krijuar një aleancë jozyrtare midis konservatorëve amerikanë dhe nacionalistëve evropianë.
Edhe manjati i teknologjisë, Elon Musk, e ka përforcuar retorikën anti-Soros, duke u rreshtuar me zërat e nacionalistëve në Perëndim. Teksa Trump synon të godasë institucionet e lidhura me Sorosin – përfshirë USAID-in, Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe marrëveshjet për klimën – politikat e administratës së tij, sinjalizojnë një luftë të intensifikuar midis forcave nacionaliste dhe rrjeteve globaliste.
Dhe ndërsa vazhdojnë betejat ligjore kundër Trump, po shtohen spekulimet se Soros dhe aleatët e tij, po punojnë për ta sabotuar presidencën e tij. Por me fraksionet nacionaliste që po fitojnë shumë terren në SHBA dhe Evropë, peizazhi gjeopolitik duket i përgatitur për një ngërç të gjatë dhe të diskutueshëm.
/nga “Daily Sabah”
Shënim: Damla Taşkın, ndihmës/profesoreshë në Universitetin Bilim të Ankarasë, Turqi.
