Lidhu me ne

Kritike

Media që turren drejt kronikës së zezë vetëm që të marrin klikime!

Në radion “Europa e Lirë” është botuar një shkrim që u bën thirrje njerëzve të medias, të mos turren drejt lajmit të kronikës së zezë, duke zhbiriluar në gjithçka, e duke rënduar apo shkatërruar familje të tëra, vetëm se duan të marrin klikime në rrjetet sociale.

Në përgjithësi nuk ka asnjë kujdes nga disa media që japin gjithëfarë, kur nuk është e nevojshme. Shkrimi bën fjalë për disa raste në Kosovë, por e njëjta tablo mbetet edhe në mediat apo portalet e Shqipërisë. Edhe në Tiranë ka media kryesore që hapin lajmet me të tilla kronika, bile ka patur raste që një televizion dha me shumë se 7 minuta lajm se si u varë iksi apo se si ypsiloni theri fëmijët!

Ja shkrimi që boton “Europa e Lirë”:

Lajmin se nëna i ishte vrarë, e kishte mësuar nga mediat online.

“E shihja lajmin në portale dhe nuk mund ta besoja”, kishte thënë Alaudin Haradini për Radion Evropa e Lirë (REL) më 25 mars, një ditë pasi nëna e tij ishte vrarë në fshatin Stanoc të Vushtrrisë.

Kjo pasi, pak pas vrasjes, media të ndryshme kishin publikuar identitetin e 42-vjeçares së vrarë.

Edhe vëllai i Liridona Ademajt – gruas që ishte vrarë në nëntor të vitit 2023 në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës – thotë se ka pasur raste kur familjarët janë shqetësuar shkaku i raportimeve nga disa media.

“Ka pasur disa pista hetimi që janë ngritur nga mediat të cilat kanë mundur të ngjallin disa pritshmëri apo edhe shqetësim momental”, thotë Leonard Ademaj për REL-in, por duke theksuar se, në përgjithësi, është i kënaqur me raportimin e bërë për rastin e vrasjes së motrës së tij.

Por, këtë muaj, pas një rasti që u raportua në media si therje dhe vetëvrasje, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) u bëri thirrje mediave që të kenë “kujdes, ndjeshmëri dhe profesionalizëm” kur raportohet për raste tragjike.

Thirrjes iu bashkua edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke kërkuar që të ruhet identiteti dhe privatësia e të përfshirëve në rast.

Por, përveç shkeljes së privatësisë, Bind Skeja, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social, është i shqetësuar edhe nga përmbajtja e përgjithshme e teksteve për rastet tragjike, si vrasjet dhe vetëvrasjet.

“Publikohen katër-pesë lajme me nga pak informata për rastin, [me tituj si] ‘ja një shkrim që e ka lënë…’, ‘ja çfarë thonë familjarët’. Kam parë që mediat u kanë shkuar edhe në varrim. Nuk duhen shumë mend për ta ditur që kjo është gabim”, thotë Skeja për REL-in.

Çfarë efekti kanë këto lajme?

Lajmet e tilla kanë vetëm efekt negativ, sipas Skejës, i cili drejton qendrën telefonike vullnetare, Linja e Jetës, duke ofruar ndihmë për personat që kanë mendime për vetëvrasje, apo që vuajnë nga depresioni apo ankthi.

Ai thotë se shkelja e privatësisë i bën, pa dashje, të mbijetuarit dhe të afërmit e tyre fytyra të njohura për publikun.

“Nëse nesër unë shkoj te një punëdhënës, punëdhënësi do të ma kërkojë emrin në Google, edhe i del lajmi ‘Kjo është nëna e XY që është vetëvrarë”, dhe [punëdhënësi] krijon perceptime që mund të jenë të paqena, por që kanë ndikim direkt në jetën e këtyre personave”, thotë Skeja.

Ai beson se situatën në Kosovë e bën edhe më problematike mënyra se si “tema e vetëvrasjeve është ende goxha e stigmatizuar”.

Sipas Skejës, efekt edhe më problematik është ajo se “çfarë u bëjnë këto lajme personave që kanë mendime për vetëvrasje”.

“Senzacionalizmi i rasteve dhe publikimi i detajeve të tepërta e të panevojshme mund t’ua krijojë përshtypjen njerëzve që veçse kanë mendime për vetëvrasje, që nuk ka shpëtim”, thotë ai.

“Sepse vazhdimisht shohin në lajme njerëz që përfundojnë në vetëvrasje dhe kjo mund t’i shtyjë ata, që veçse kanë menduar të bëjnë vetëvrasje, ta përshpejtojnë planin ose të krijojnë ide të reja se si ta bëjnë”, shton Skeja.

Një studim i publikuar në vitin 2020 nga hulumtues ndërkombëtarë të universiteteteve dhe institucioneve shëndetësore të ndryshme kishte gjetur se rreziku për vetëvrasje rritej për 13 për qind në periudhat kur mediat raportonin për vdekje të personave të famshëm nga vetëvrasjet.

Ai studim gjeti edhe që në rastet kur publikohet edhe mënyra se si ishte kryer vetëvrasja, kishte rritje për 30 per qind të rasteve të vdekjeve nga po ajo metodë.

Një efekt i ngjashëm është vërejtur edhe në Kosovë.

“Kur fliten këto tema shumë në publik, ka më shumë thirrje drejt Linjës së Jetës”, thotë Skeja.

Por, ai do të donte më shumë thirrje, pasi që vetëm ashtu mund “të baraspeshohet dëmi që bëhet prej raportimeve”. Problemi është, sipas tij, që mediat zakonisht nuk udhëzojnë lexuesit se ku mund të kërkojnë ndihmë.

“Mediat flasin për vetëvrasje, por nuk u tregojnë njerëzve se ku të kërkojnë ndihmë. Njerëzit i lexojnë këto lajme dhe nuk e dinë se ekziston Linja e Jetës”, thotë Skeja.

Çfarë s’duhet raportuar?

Fernanda Camarena, ligjëruese e etikës në institutin për media Poynter, me seli në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thotë se parim kyç për gazetarët e redaktorët do të duhej të ishte “minimizimi i dëmit”.

“Si gazetarë, ne duhet ta mbajmë mend që prioritet e kemi audiencën dhe përmbushjen e misionit tonë gazetaresk”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Për të mos thelluar traumat, paragjykimet dhe nxitjen e rasteve të tjera të ngjashme, Camarena kujton parimet e organizatave të mëdha mediatike, si agjencia Associated Press, për të mos raportuar për vetëvrasjet, përveç kur “bëhet fjalë për një figurë publike, ndërhyn në jetën publike ose paraqet një interes të madh publik”.

“Dhe, kur një lajm i tillë duhet të raportohet, ata kanë udhëzime që duhet t’i ndjekin”, thotë Camarena, që më parë ka shërbyer si menaxhere në ekipin e Standardeve dhe Praktikave të NBC News në SHBA.

E, për çfarë udhëzime bëhet fjalë?

Camarena thekson disa kryesore, si: të mos u jepet hapësira kryesore mediatike, të shmanget glorifikimi apo romantizimi i vetëvrasjes, të mos përshkruhen përpjekjet si “të dështuara” apo “të pasuksesshme”, në asnjë rrethanë të mos publikohen fotografi apo video nga vendi i ngjarjes, si imazhe të të vdekurit, shënime të lëna apo vendndodhja e saktë.

Ajo gjithashtu sugjeron që, kur të është e mundur, të përfshihen histori të njerëzve që kanë vazhduar të jetojnë të lumtur, pas përpjekjeve për vetëvrasje.

“Shkrimi i artikujve për trajtimin dhe rimëkëmbjen i tregon audiencës se ndihma ekziston”, thotë Camarena.

Raportimin për rastet e tilla tragjike – pra për vrasje e vetëvrasje – Camarena e përshkruan si “test të vlerave thelbësore të organizatës mediatike”.

“Statistikat nuk duhet ta diktojnë gjykimin editorial dhe redaksitë duhet ta përkufizojnë suksesin si më shumë sesa thjesht numër të klikimeve. A i shërbyem audiencës sonë dhe nevojave të saj? A i shërbyem të mirës publike?”, përfundon ajo.

E, Skeja vlerëson se shumë media në Kosovë po dështojnë pikërisht në këtë pikë.

“Arsyeja e vetme pse kjo [raportimi joetik] ndodh është puro kapitaliste. Këto lajme gjenerojnë klikime, sepse njerëzit e kanë një kureshtje morbide për të ditur se çfarë është duke ndodhur”, thotë Skeja.

Raportet ditore të Policisë së Kosovës shpeshherë janë burime të lajmeve për rastet e dhunës.

Sipas të dhënave të Policisë, nga janari deri në prill të këtij viti kanë ndodhur gjashtë raste të vrasjeve.

Të dhëna për numrin e vetëvrasjeve nuk ka, ndërsa janë raportuar 890 raste të dhunës në familje.

Shkruar nga Doruntina Baftiu

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook