Lidhu me ne

Kryesore

Universitetet zgjedhin autoritetet. Dhori Kule nuk do të rikandidojë

Studente-te-Universitetit-Politeknik-te-Tiranes-620x413

Nga Neritan Gjergo

Universitetet publike do të zgjedhin në datën 20 prill autoritetet, që do t’i drejtojnë për 4­-vjeçarin e ardhshëm. Për herë të parë, Ministria e Arsimit ka hartuar një rregullore për të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik, por që do të shërbejë si referencë edhe për universitetet private dhe ato publike të pavarura që parashikon ligji i ri. Ministrja e Arsimit dhe Sportit,  Lindita Nikolla, ka shpallur dje përballë rektorëve aktualë, garën e re zgjedhore, ku ata që  mbajnë titullin “Profesor” e mund të vijë nga radhët e personelit akademik të institucionit të arsimit të lartë ose dhe jashtë tij, kanë të drejtë të konkurrojnë për të drejtuar universitet e vendit. Por, nga emrat aktualë duket se pjesa më e madhe që drejtojnë do të lënë postin, pasi rregullorja e re nuk u jep mundësi për të drejtuar më tepër se dy mandate (më shumë se 8 vjet).

Në tryezë me ministren, Rektorët e kanë pranuar këtë sistem, duke kërkuar që emrat e rinj drejtues të zgjidhen përmes transparencës dhe të kontribuojnë maksimalisht në arsimin e lartë. Ministrja Nikolla u dha garanci atyre se ajo vetë apo qeveria nuk do të vënë dorë në proces, por do të jenë studentët dhe pedagogët votuesit e vetëm. “Përsëris vendosmërinë e qeverisë dhe timen personale për të filluar një histori të re, që na ndan nga historia e vjetër e prekjes së zgjedhjeve në universitete, nga politika. Universitetet janë të studentëve, të Profesoratit. Ne besojmë fort tek universiteti, te liria akademike, ndaj dhe shpresojmë që në fund të kemi një proces të drejtë, sipas ligjit të Arsimit të Lartë. Pas një procesi të ndershëm ku vendos vota e profesorëve dhe studentëve, ne do të kemi edhe njerëzit e duhur me të cilët do bashkëpunojmë fort për të bërë të mundur atë që është kryefjala e punës sonë, një cilësi të re në institucionet tona të arsimit të lartë”, deklaroi Nikolla.

Ndërkohë, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili sipas ligjit, nuk do të rikandidojë, vlerësoi skemën e re të zgjedhjeve. “Vlerësimet që Senati i Universitetit të Tiranës i ka bërë projekt rregullores për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet e arsimit të lartë, janë marrë në konsideratë nga ana juaj. Për këtë më vjen mirë se edhe kjo është pjesë e bashkëpunimit mes nesh. Në Universitetin e Tiranës, por besoj në të gjitha universitetet publike, procesi zgjedhor do të gjenerojë drejtues që do të çojnë përpara arsimin e lartë, duke përballuar sfidat që kemi”, tha Kule.

Zgjedhjet

Rregullorja përcakton se, autoritetet drejtuese duhet të kenë titullin “profesor” ose “doktor shkencash”, dhe jo medoemos duhet të jenë pjesë e personelit të brendshëm të një universiteti që të kandidohen në një post drejtues. Studentët vijojnë të jenë pjesë e zgjedhjeve, votat e të cilëve kanë vetëm 10 për qind të totalit të përgjithshëm të votave. Zgjedhjet organizohen në të gjitha universitetet, në të njëjtën ditë (20 prill), me procedurë që do të jetë tërësisht diskrete. Përpos mandateve, të cilat do të kufizohen në 2 të tilla, çdo kandidat nuk mund të kandidojë për më shumë se një post autoriteti drejtues njëkohësisht. Këto të dyja janë kriteret kryesore, që parashikohen në rregulloren për zgjedhjet e autoriteteve drejtuese të universitetit. Për strukturat e tjera drejtuese ka edhe të tjera kritere: procedim penal, nëse vuajnë dënim me vendim gjyqësor të formës së prerë, janë dënuar më parë për vepra penale apo kundërvajtje administrative, apo kanë marrë masa administrative në cilësinë e personelit akademik. Të interesuarit për t’u regjistruar si kandidatë duhet të dorëzojnë një dokumentacion, i cili, veç gjeneraliteteve, tregon nëse ato përmbushin kushtet për kandidim.

Votimi

Përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve në poste drejtuese janë dy komisione: Komisioni Institucional i Zgjedhjeve, përbërjen e të cilit e zgjedh senati si dhe Komisioni për Zgjedhjen në Fakultete, derivat i komisionit të parë dhe krijohet jo më vonë se 3 ditë pas konstituimit të tij. Por më parë, Komisioni Institucional shpall regjistrimin për rektor, dekan, përgjegjës departamenti, anëtar senati apo komisioni të përhershëm. Veç tyre janë edhe komisionet e qendrës së votimit që ngrihen kur ka më shumë se një qendër votimi, e cila nuk duhet të kalojë numrin e 1 mijë zgjedhësve. Komisioni i qendrës së votimit ka për detyrë vetëm organizimin, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e procesit të votimit ditën e zgjedhjeve.

Ligji i Arsimit, detyrat që marrin rektorët

Sipas ligjit të Arsimit të Lartë, kandidatët për rektorë vetëkandidojnë, ndërsa pasi marrin detyrën përmes votimit nga pedagogët e studentët, mandati i tyre do të zgjasë 4 vjet. Por, çfarë përcakton ligji në nenin 39 të tij, teksa i referohet organizimit administrativ dhe akademik të universiteteve.

 

    1. Rektori është autoriteti më i lartë akademik i institucionit të arsimit të lartë, si dhe përfaqësuesi ligjor i tij për çështjet akademike dhe protokollare, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

 

    1. Në institucionet publike të arsimit të lartë, ai zgjidhet nga anëtarët e asambleve të personelit akademik të njësive kryesore dhe studentët. Votat e studentëve në përzgjedhjen e rektorit llogariten në masën dhjetë për qind të totalit të përgjithshëm të votave. Kandidatët për rektor vetëkandidohen.

 

    1. Rektori në institucionet e arsimit të lartë mban titullin “Profesor” dhe mund të vijë nga radhët e personelit akademik të institucionit të arsimit të lartë ose dhe jashtë tij. Kriteret specifike përzgjedhëse të kandidatëve konkurrues përcaktohen në statutin e IAL-së përkatëse.

 

    1. Rektori drejton Senatin Akademik dhe raporton para tij.

 

    1. Rektori nënshkruan kontratat e punës të personelit akademik dhe ndihmës akademik në institucionet e arsimit të lartë.

 

    1. Rektori i paraqet senatit planin strategjik të zhvillimit të institucionit.

 

    1. Mandati i rektorit zgjat katër vjet. Ai shërben në detyrë për një mandat, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Pas përfundimit të mandatit, ai vazhdon të jetë anëtar i personelit të njësisë bazë ku kryen veprimtarinë e tij akademike.

 

    1. Presidenti i Republikës dekreton rektorët e institucioneve të arsimit të lartë, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

 

    1. Në rastet e krijimit të një universiteti publik, Presidenti i Republikës emëron rektorin e tij për një mandat me kohëzgjatje njëvjeçare, me detyrë organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme të atij institucioni brenda këtij mandati. Në rastin e largimit të rektorit për shkaqe ligjore ose mospërmbushje të detyrës, ministri përgjegjës për arsimin komandon në detyrë një prej zv/rektorëve për një afat deri në gjashtë muaj, me qëllim organizimin e zgjedhjeve në institucion.

 

    1. Në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, të pamundësisë për të kryer detyrën dhe për rastet e parashikuara në Kodin e Etikës së institucionit të arsimit të lartë, ministri pezullon rektorin dhe i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin e tij, i cili shprehet brenda një muaji. Në rast se Presidenti i Republikës nuk shprehet brenda këtij afati, propozimi i ministrit konsiderohet i miratuar në heshtje. Pas dekretimit të shkarkimit, ministri shpall zgjedhje të parakohshme brenda gjashtë muajve nga data e shkarkimit.

 

    1. Rektori i propozon ministrit përgjegjës për arsimin shkarkimin e autoritetit drejtues të njësisë kryesore të institucionit publik, në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, të pamundësisë për të kryer detyrën dhe për rastet e parashikuara në Kodin e Etikës së institucionit të arsimit të lartë. Ministri shprehet brenda një muaji. Rektori cakton njërin prej zëvendësve të autoritetit deri në zgjedhjen e autoritetit të ri brenda dy muajve nga data e shkarkimit. Rektori, menjëherë pas shkarkimit, shpall zgjedhje të parakohshme brenda gjashtë muajve nga data e shkarkimit.

 

    1. Funksione të tjera të rektorit përcaktohen në statutin e institucionit.

 
Pas notës mesatare, rikthehen konkurset e pranimit në universitet

Në universitete do të rikthehen sërish konkurset e pranimit. Degët e Mjekësisë do të jenë të parat që do të aplikojnë këtë proces të përzgjedhjes së kandidatëve më të mirë. Rektori Arben Gjata tha pas takimit me ministren e Arsimit, se konkurset do të nisin vitin e ardhshëm, ndërsa këtë vit maturantët do të pranohen sipas notës mesatare. Këtë vit, shanset për të fituar degën e Mjekësisë, Stomatologjisë dhe Farmacisë do t’i kenë vetëm kandidatët që në përfundim të gjimnazit do të nxjerrin mesataren e tri viteve, mbi 8.5. “Sivjet nuk jemi në kushtet për të bërë një konkurs të pakontestueshëm, ku të jemi ne të sigurt që kriteret e konkursit apo rezultatet do të jenë reale, kështu që këtë vit, kemi vendosur të vijojmë me këtë mënyrë. Në qoftë se do të krijohen mundësitë ambientale për të  zhvilluar konkurse, vitin tjetër, me gjasë do të futet konkursi”, tha rektori, i cili shtoi se edhe këtë vit tarifat dhe  numri i pranimeve do të mbeten të njëjta me ato të vitit  të kaluar.

Por me rikthimin e notës mesatare për pranimet në shkollat e larta, universitetet vetë po vënë në dyshim vërtetësinë e notës së gjimnazeve. Rektorët kanë diskutuar se si nëpër auditorë të marrin kandidatët më të mirë, pavarësisht se vijnë nga shkolla e universitete të ndryshme dhe kandidojnë me të njëjtën notë mesatare. Ndërsa Rektori i Universitet Politeknik, Jorgaq Kacani tha se këtë vit, pragu i mesatares për degët e inxhinierisë do jetë nota 6, duke e argumentuar këtë me përqindjen e notës mesatare të  3 viteve (60 për qind) dhe mesataren 30 për qind që i është lënë lëndëve natyrore, matematikë, fizikë dhe kimi.

Lidhur me konkurset, ai tha se, “duhet ta kërkojmë cilësinë, jo te një konkurs që do të zhvillojnë universitetet, se sa do të jetë cilësia e arritjes së nxënësve në shkollën e mesme. Këtu duhet të synojmë, në mënyrë që nota të jetë reale dhe jo fiktive dhe ka rezerva sepse nuk mund të themi që një notë që merret në Tiranë është e njëjtë me një notë që merret në zonat e tjera”. Me vendosjen e notës mesatare, shkollat e larta i druhen sërish studentëve. Ky kriter mund të penalizojë maturantët më të mirë, veçanërisht ata të gjimnazeve të Tiranës dhe do të favorizojë nxënësit  e rretheve, që sipas rektorëve, përvoja ka treguar se nuk kanë të njëjtin nivel, pavarësisht notave të përbashkëta.

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix5 orë më herët

Roli i jastëkut tek dhimbjet e qafës – Kujdesi që duhet të tregoni

Cilësia e jastëkut është e një rëndësie thelbësore për gjumin. Ai mund të na ndihmojë të kemi një gjumë të...

Mix5 orë më herët

Arrat, bajamet, lajthitë – Fuqi të forta kundër diabetit

Konsumimi i arrorëve është një nga zgjidhjet natyrale më të mira për t’u mbrojtur nga mundësia e diabetit. Lajm i...

Mix5 orë më herët

“Krejt e thirrin Rexhon”: Filmi për largimin nga Maqedonia e Veriut

Një realitet që prek mijëra shqiptarë të Maqedonisë së Veriut tashmë është sjellë në ekran përmes një filmi që po...

Mix5 orë më herët

TikTok është fiksuar pas “dopamine drinks” – A e përmirësojnë vërtet humorin?

Një pije që të bën të ndihesh më i lumtur? Super, më sillni 14 të tilla tani! Ndoshta ke dëgjuar...

Mix5 orë më herët

Sot është dita e duhur për të hapur biznesin tënd, ja 20 arsyet

Nëse po mendon të hapësh një biznes tëndin, urime! Ky është vetëm fillimi i një aventure që mund të ndryshojë...

Mix6 orë më herët

Kufjet Apple Powerbeats Pro 2 tregojnë rrahjet e zemrës

Më në fund është këtu, Apple ka zbuluar Powerbeats Pro 2 të ri, kufjet që premtojnë të revolucionarizojnë botën e...

Mix6 orë më herët

Roblox, Discord, OpenAI dhe Google bashkojnë forcat për të mbrojtur të miturit

Google, OpenAI, Roblox dhe Discord kanë krijuar ROOST (Robust Open Online Safety Tools). Është një organizatë jofitimprurëse që synon të zhvillojë mjete të Ai...

Radar6 orë më herët

Edhe Ardit Gjebrea bën një insta story për Erion Veliajn

Pas ngjarjeve të fundit që lidhen me arrestimin e Erion Veliajt, prezantuesi i njohur Ardit Gjebrea ka dalë publikisht në...

Radar6 orë më herët

Flamur Noka i sulet Taulant Ballës, hedh në tokë gardistin dhe godet me shishe socialistin

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, iu sul Taulant Ballës në mes të tensioneve gjatë seancës plenare. Gjatë shkëmbimeve të...

Radar6 orë më herët

“Rama ka fshirë fotot me Alex Soros″, Evi Kokalari kundër Berishës: E ke humbur fare! S’ka postuar kurrë, nuk ka amerikan që ju shpëton

Aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari ka reaguar pas deklaratës së Sali Berishës se kryeministri Edi Rama ka fshirë çdo foto me Alex Soros,...

Facebook