Lidhu me ne

Aktualitet

Kam ardhur në këtë Kongres për të thënë disa gjëra të thjeshta. Fjala e Ben Blushit në Kongresin e PS-së

ben-blushi

Kam ardhur në këtë Kongres për të thënë disa gjëra të thjeshta duke besuar se jam i barabartë mes të barabartëve dhe jam një njeri i lirë mes njerëzve të lirë.

Ajo që duhet t’ju them është ajo që dimë: ne jemi të gjithë bashkëpronarë të një prone—kjo pronë quhet Partia Socialiste e Shqipërisë.

Partia Socialiste është një trup dhe si të gjithë trupat ka shqisat e saj: barazia është zemra e saj, bashkimi është muskuli i saj, e ardhmja është ecja e saj, drejtesia është dora e saj, progresi është shikimi i saj, solidariteti është prekja e saj, liria është shpirti i saj.

Ne socialistët kemi vetëm një detyrë: t’i vëmë këto shqisa në harmoni.

Ne duhet të bindim Shqipërinë se Shqipëria bëhet nga vetë shqiptarët dhe ajo bëhet më e mire nga socialistët se nga të tjerët.

Por si mund ta bëjmë ne këtë? Si mund ta ndryshojmë ne vendin tonë? Si mund të bindim mijëra djem dhe vajza se Shqiperia është dhe duhet të jetë një vend që nuk duhet të braktiset?

Ka vetëm një mënyrë: duke mos i ikur vetes sonë. Duke mos ia fshehur Partinë Socialiste socialistëve dhe duke mos ia mohuar Partinë Socialiste shqiptarëve. Dhe natyrisht duke mos e rrëmbyer Partinë Socialiste.

Ne këtë parti ka një shumicë dhe një pakicë. Një shumice absolute që kërkon një parti të përbashkët dhe një pakicë relative që kërkon një parti më vete dhe për vete.

Unë dua të flas sot në emër të kësaj shumice.

Kjo shumicë mund të jetë e heshtur, mund të jetë e dhunuar, mund të jetë e frenuar por ajo egziston. Ajo është aty duke pritur të çlirohet. Ajo është një shpirt i zënë rob me kusht, dhe një zemër e kapur në një grusht. Ne duhet t’i japim kësaj shumice mundësi të flasë përmes votës.

Por të gjithë bashkë, qofshim shumicë apo pakice një gjë duhet ta kemi të përbashkët: të vertetën.

A jemi ne të barabarte me njëri-tjetrin? A po respektojmë rregullat të cilat i kemi vendosur bashkarisht? A po zbatojmë normat në fuqi? A po bëjmë zgjedhje? A po i japim dikujt apo disave, kushdo qofshin ata, me shumë pushtet të marrë padrejtësisht, pa respektuar votën e lirë të anëtarësisë, pra të gjithë bashkëpronarëve të kesaj bashkësie? A ka patur shkelje? A janë shkeljet të verteta? A janë deformimet të verteta? A mund të fajësohet dikush që thotë se të gjitha këto kanë ndodhur?

Unë mendoj se kjo po ndodh. E vërteta këtu po mbytet. E drejta e secilit prej nesh po cënohet. Sensi i bashkësisë po dhunohet. Një pakicë po detyron një shumicë ta pranojë atë pa zgjedhje.

Një pakicë po na dhunon. Një pakicë po kthehet në shumicë pa votim. Një pakicë po emëron kryetarët e organizatave. Po emëron kongresin. Po emëron asamblenë. Po emëron kryesinë. Po shfrytëzon qeverinë. Po nxin lirinë. Po ngordh demokracinë. Po merr peng gjithë partinë.

Nëse kjo pakicë ka një meritë, kjo është merita e saj—pengmarrja e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Për këtë pakicë, nëse do zgjedhje je armik. Nëse do mbledhje, je dy herë armik. Nese do zgjidhje, je tre herë armik. Nëse do më pak borxh, je pak a shumë armik. Nëse do punësim, je shumë armik. Nëse do rritje pagash je më shumë se armik. Nese do rritje pensionesh, je plotësisht armik. Nëse do pastrim të partisë nga krimi, je armiku i mikut. Nëse do luftë kundër krimit, je miku i armikut.

Nese i mohon të gjitha këto, je mik. Por jo vetem kaq. Je i vyer, i lyer, i ngjyer, je i shpërblyer dhe i ndërsyer.

Je besnik. Je besniku i partisë që shpërblehesh sa herë gënjen.

Nëse nuk gënjen nuk je. Nëse gënjen jo vetëm je, por edhe ke. Të jesh apo të kesh, kjo është zgjedhja!

Në Partinë Socialiste nuk mund të jesh, nese nuk mund të kesh. Dhe nuk mund të kesh, nese nuk je njëri prej nesh.

Ky është morali i pakicës. Ky është kriteri, nderi dhe misteri i pakicës së shumicës.

Tesera e PS sot nuk është puna, nuk është mendimi, nuk është vendimi, nuk është besimi, por është mohimi. Nese ke pohuar atë që është mohuar, ke fituar.

Këto nuk janë rregullat e një partie, por rregullat e një pabesie, të cilën as e kam pranuar dhe as do ta pranoj.

Megjithatë injorimi, poshtërimi dhe linçimi që i është bërë Partisë Socialiste nuk ka ardhur nga mungesa e kohës. As nga mungesa e mundësive. As nga mungesa e socialistëve.

Ka ardhur nga arroganca. Nga besimi delirant se votat janë vetëm të një njeriu, ndërsa mbledhja e tyre është e vetmja detyrë e gjithë të tjereve.

Kush na solli ne në këtë deformim?

Ky njeri e ka një emër—quhet Edi Rama. Ishte kryetari i partisë sonë. Dhe për këtë shkak është sot kryeministër i Shqipërisë.

Diten që ai erdhi në pushtet, Partia Socialiste pushoi së qeni. Edi Rama mori një pune për të lënë partinë pa punë.

Kjo është ajo që ka ndodhur në këto tre vjet.

Kjo histori që tregova me lart nuk është një fantazi. Është fakt dhe nuk është opinon.

Jam ftuar ditët e fundit në një beteje mes fakteve dhe opinioneve dhe dua të them disa fakte.

Që nuk ka zgjedhje ne PS prej tre vitesh nuk është opinion, është fakt.

Që Edi Rama është i vetmi kryetar partie në botë me mandat 7 vjeçar, nuk është opinion, është fakt.

Që mandati i kryetarit të Partisë Socialiste është 4 vjet, nuk është opinion, është fakt.

Që Statuti i Partisë Socialiste është shkelur, nuk është opinion, është fakt.

Që referendumi nuk bëhet për persona, por për çështje nuk është opinion, është fakt.

Qe asnjë ndryshim statutor nuk mund të këtë fuqi prapavepruese, nuk është opinion, është fakt.

Që në Partinë Socialiste janë futur njerëz me preçedentë penalë, nuk është opinion, është fakt.

Që prej tre vitesh nuk ka asnjë rritje rroge, nuk është opinion, është fakt.

Që borxhi është rritur, nuk është opinion, është fakt.

Që taksat për të pasurit nuk janë rritur, por kanë mbetur të sheshta, nuk është opinion është fakt.

Që ekonomia nuk është rritur me ritmet e pritshme, nuk është opinion, është fakt.

Që paga minimale ne Shqipëri është më e ulëta në rajon, nuk është opinion, është fakt.

Që arsimi i mesëm në Shqipëri, nuk është i detyrueshëm, nuk është opinion, është fakt.

Që shëndetësia nuk është falas, siç e premtuam, nuk është opinion, është fakt.

Që nuk kemi garantuar naften pa akcizë, siç premtuam, nuk është opinion, është fakt.

Që e blejmë naftën më shtrenjtë se kushdo në rajon, nuk është opinion, është fakt.

Që çmimi i energjise elektrike është rritur, nuk është opinion është fakt.

Që ndërtimet janë bllokuar prej tre vitesh, nuk është opinion, është fakt.

Që ekonomia është në deflacion, nuk është opinion, është fakt.

Që nuk kemi hapur dot as 100 mijë vende pune në tre vjet, kur premtuam 300 mijë, nuk është opinion, është fakt.

Që emigracioni nuk është pakësuar, por është shtuar, nuk është opinion, është fakt.

Që ne po qeverisim si Saliu pa Saliun, nuk është opinion, është fakt.

Që të gjitha këto kanë ndodhur në tre vjet, nuk është opinion, është historia jonë 3 vjeçare.

Por a doni më fakte?

Unë kam shumë më shumë se kaq dhe që ju s’keni dëgjuar asgjë akoma, nuk është opinion, por do jetë fakt.

Që unë do të luftoj deri në fund që Shqiperia dhe partia mos jenë kështu si janë dhe si kanë qenë edhe ky nuk është opinion, por do jetë fakt.

Dhe që ne nuk jemi vetëm, ky nuk është opinion, por është fakt.

Që prandaj po pengohen zgjedhjet sepse ne jemi shumë dhe jemi shumicë, nuk është opinion është fakt.

Dhe nese doni ta provoni kush është shumicë dhe kush është pakicë hapni zgjedhjet për të vertetuar nese ky është opinion apo është fakt.

Prandaj, po them sot se çfarë kërkoj dhe jo vetëm në emrin tim: Zgjedhje. Zgjedhje të lira dhe vetëm zgjedhje.

Asgjë më shumë dhe asgjë, më pak se sa zgjedhje.

Kush ka të drejtë të ma mohojë këtë të drejtë? Kush ka të drejtë ta zhveshë partinë nga kjo normë? Asnjë pakicë nuk e ka. As ky Kongres nuk e ka.

T’i heqësh të drejtën e votës një partie është njëlloj si t’i heqësh zemrën asaj. T’i nxjerrësh sytë dhe shpirtin t’ia shkelësh me takat e qeverisë.

Kjo nuk mund të ndodhë dhe nuk ka për të ndodhur.

Çfarë ka këtu për të mos u kuptuar? Çfarë ka këtu për t’u refuzuar? Çfarë ka këtu për të patur frikë? Çfarë ka këtu për t’u armiqësuar? Çfarë ka këtu për t’u ndarë? Çfarë ka këtu për t’u sharë? Çfarë ka këtu për t’u çmendur dhe për t’u hapërdarë si të marrë?

Asgjë!

Prandaj, ju ftoj të gjithëve në zgjedhje. Prandaj them se zgjedhjet dhe vetem zgjedhjet janë zgjidhja dhe vetëm zgjidhja.

Jam i gatshëm të njoh dhe të pranoj çdo zgjidhje që del nga zgjedhjet, por nuk do pranoj asnjë zgjidhje pa zgjedhje.

Unë e ftoj Edi Ramën në zgjedhje, sepse kjo do ishte në nderin e secilit prej nesh, dhe në nderin e Partisë Socialiste.

Në fund, dua tu them se dua të mbetem një nga ju. Dua të jem me ju dhe të gjithë bashkë të jemi me Shqipërinë.

Shqipëria ka dhe do të këtë të drejtë me apo pa ne. Sepse Shqipëria nuk është partia dhe partia nuk është Shqipëria.

Dhe kështu do jetë gjithmonë.

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Radar2 javë më herët

Adriana Kalaja largohet nga PD, por me ‘biletë kthimi’

Avokatja Adriana Kalaja ka njoftuar largimin e saj nga Partia Demokratike. Kalaja nuk ka kursyer “ankesat” kundrejt kryedemokratit Sali Berisha....

Mix2 javë më herët

6 zakone të përditshme që po ju shkatërrojnë metabolizmin

Ka disa zakone të përditshme që, pa e kuptuar, sabotojnë metabolizmin tuaj dhe e bëjnë më të vështirë humbjen e...

Mix2 javë më herët

“Kumbari” i inteligjencës artificiale, Yoshua Bengio jep alarmin: Modelet e fundit po manipulojnë përdoruesit

Një nga “etërit e inteligjencës artificiale” ka sulmuar një garë multimiliardë dollarëshe për të zhvilluar teknologjinë më të përparuar, duke...

Mix3 javë më herët

Ylli i “Daredevil” ndahet nga jeta në moshën 41-vjeçare

Aktori Devin Harjes, i njohur për rolet e tij në “Boardwalk Empire” dhe “Daredevil”, është ndarë nga jeta, konfirmoi një përfaqësues...

Mix3 javë më herët

Verë e nxehtë në “Netflix”, 5 filmat e shumëpritur të sezonit

“Netflix” ka gati një listë të pasur me filma për verën e këtij viti, duke përfshirë një pjesë të filmave...

Mix3 javë më herët

Si ndryshojnë simptomat e diabetit tek gratë dhe burrat

Megjithëse diabeti është një gjendje që ndikon në nivelet e sheqerit në gjak, ai shfaqet tek femrat dhe meshkujt në...

Mix3 javë më herët

Vaj ulliri me limon për fuqi gjatë ditës

Kjo stinë, është koha e duhur që të përfitoni nga kura e natyrës duke konsumuar vaj ulliri me limon  Kur...

Mix3 javë më herët

Mungesa e zinkut, cilat janë simptomat dhe si ta trajtoni atë

Zinku është një nga lëndët ushqyese thelbësore të përfshira në metabolizmin e proteinave dhe lipideve. Pavarësisht se është një nga...

Mix3 javë më herët

Si të dallosh një narcist? Ja 5 taktika të padëgjuara që përdorin kur debatojnë

Narcistët janë mjeshtra të debatit, por jo për arsyet e duhura. Ata përdorin teknika të sofistikuara për të manipuluar dhe...

Mix3 javë më herët

Jackie Chan: Nëna ime nuk duronte dot të shihte filmat e mi

Aktori i njohur Jackie Chan zbuloi se nëna e tij nuk do ta duronte kurrë të shihte një film të...

Facebook