Lidhu me ne

Kryesore

Po Rama pse nuk ka frikë nga Reforma në Drejtësi?  

Koment nga – Klementin Mile

Ku gabojnë analistët e politikës shqiptare kur shqyrtojnë raportin e Kryeministrit Rama me Reformën në Drejtësi? Sigurisht, është e dukshme për të gjithë që Kryeministri, prej kohësh tashmë, është shfaqur si personi që synon ta shtyjë përpara këtë reformë, si personi që ka investuar të gjitha aksionet e veta politike në të, si personi që, madje, është aq konfident për raportin e tij me drejtësinë, saqë kërcënon edhe kundërshtarët politikë me të.

Në pamje të parë, duket se Rama nuk e ka aspak frikë “drejtësinë e re”. Por kjo pamje e parë ka nevojë të suplementohet nga një e dytë, e cila tregon për vonesa të mëdha dhe pengesa lehtësisht të kapërcyeshme, por shumë pak të kapërcyera, për ngritjen e organeve të sistemit të drejtësisë. Kështu, është e papranueshme gjendja aktuale e sistemit të drejtësisë, në një kohë kur vendit, më shumë se kurrë më parë, do t’i duhej të kishte Gjykatë Kushtetuese funksionale, Gjykatë të Lartë funksionale, Prokuror të Përgjithshëm të përhershëm e kështu me radhë.

Nga sa më sipër, nuk mund të jemi të sigurt nëse Kryeministri ka apo jo frikë nga Reforma në Drejtësi. Retorika e tij shpreh entuziazëm dhe mbështetje të pakursyer për reformën, por veprimet nuk kanë shkuar në të njëjtën linjë me retorikën. Ato shpesh e kanë vonuar dhe deformuar reformën, andaj e vënë në dyshim vullnetin për reformë.

Ndoshta pyetja themelore, e cila mbart brenda saj përgjigjet e shumë pyetjeve të tjera që lidhen me krizën politike të vendit, është: “Po Rama pse nuk ka frikë nga Reforma në Drejtësi?”. Kjo pyetje sillet vërdallë kërcënueshëm në të gjitha analizat që i bëhen situatës, por ajo nuk formulohet shprehimisht thuajse asnjëherë.

Analistët gabojnë kur e nisin analizën politike të tyre duke e injoruar këtë pyetje. Sigurisht, nuk është e lehtë t’i jepet përgjigje, pasi, përveç logjikës së ftohtë, nevojitet edhe informacion që, me shumë gjasa, mund të mos bëhet ndonjëherë publik. E, megjithatë, pavarësisht mungesës së informacionit, analiza politike do të bënte më mirë ta shtronte këtë pyetje sesa ta injoronte. Në këtë mënyrë, edhe pse nuk do të mund të arrihej në ndonjë konkluzion të sigurt, ajo do t’i shërbente ndriçimit të disa fenomeneve që, përndryshe, do të mbesin si gjithmonë në errësirë.

Mund të ngrihen disa hipoteza për të shpjeguar mungesën e frikës së Kryeministrit Rama nga Reforma në Drejtësi. Secila prej tyre, nëse është e vërtetë, thotë diçka esenciale për Kryeministrin dhe Reformën.

Hipoteza 1: Rama nuk ka frikë nga Reforma në Drejtësi, sepse është i pastër. Kjo hipotezë na kërkon të besojmë se, pas më shumë se dy dekadash në pushtet, fillimisht si ministër, pastaj si kryetar bashkie dhe tani si Kryeministër, Rama ia ka dalë të qeverisë “me duar të pastra”, nuk është korruptuar fare, nuk ka vjedhur, nuk e ka shkelur ligjin në asnjë rast dhe ka punuar vetëm për të mirën publike.

Hipoteza 2: Rama nuk ka frikë nga Reforma në Drejtësi, sepse nuk ka lënë gjurmë. Kjo hipotezë na kërkon të besojmë dy gjëra. E para, që Rama është i njollosur. E dyta, që Rama ka ditur t’i fshehë gjurmët e veprimeve të paligjshme, korruptive të tij, me një kujdes të jashtëzakonshëm, edhe kur ishte ministër, edhe kur ishte kryetar bashkie, edhe tani që është Kryeministër. Natyrisht, kjo hipotezë bazohet te parimi “hajdut është ai që kapet”.

Hipoteza 3: Rama nuk ka frikë nga Reforma në Drejtësi, sepse e ka kapur. Kjo hipotezë na kërkon të besojmë se njerëzit që po futen në sistemin e ri të drejtësisë janë besnikë dhe borxhlinj të Kryeministrit. Së dyti, na kërkon të besojmë se Rama është aq i fuqishëm saqë mund të diktojë, pavarësisht vullnetit të amerikanëve dhe europianëve, elementet kryesore të reformës. Së treti, na kërkon të besojmë se Rama është i kënaqur me këtë kontroll mbi sistemin e drejtësisë, pavarësisht se mandatet e njerëzve “të tij” në sistem janë të kufizuara.

Hipoteza 4: Rama nuk ka frikë nga Reforma në Drejtësi, sepse ka bërë marrëveshje me amerikanët. Kjo hipotezë na kërkon të besojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi më i fuqishëm i botës, kur dëshirojnë të arrijnë një objektiv, ulen dhe negociojnë me Kryeministrin e një vendi ku vjen ndonjëherë për vizitë zyrtare jo sekretari, as ndihmëssekretari, por zv/ndihmëssekretari.

Hipoteza 5: Rama nuk ka frikë nga Reforma në Drejtësi, sepse ajo nuk është reformë “në drejtësi”, por në vasalitet. Kjo hipotezë na kërkon të besojmë se reforma e sponsorizuar nga ndërkombëtarët, e mbi të gjitha nga amerikanët, nuk ka për qëllim të sjellë më shumë drejtësi në vend, por t’ia heqë Shqipërisë edhe atë pak sovranitet që i ka mbetur, duke e shndërruar vendin në vasal të Amerikës. Së dyti, na kërkon të besojmë se Rama, nisur nga konsiderata personale që nuk i dimë, e sheh veten si vasal më të mirë të Amerikës se aktorët politikë të tjerë.

Hipoteza 6: Rama nuk ka frikë nga Reforma në Drejtësi, sepse po fiton kohë. Kjo hipotezë na kërkon të besojmë se Rama është i bindur se, për sa kohë është Kryeministër, drejtësia nuk do e prekë. Gjithashtu na kërkon të besojmë se Rama mendon se, përgjatë kohës, do e gjejë një zgjidhje për të shpëtuar veten, ndoshta duke sakrifikuar të tjerët, ndoshta si shpërblim “për sjellje të mirë”, apo të ndonjë forme tjetër.

Hipoteza 7: Rama nuk ka frikë nga Reforma në Drejtësi, sepse është kamikaz. Kjo hipotezë na kërkon të besojmë se Rama është i gatshëm të vetësakrifikohet për hir të një kauze. Ndryshe nga vetësakrifikimi i Sokratit në Greqinë e Lashtë, për të treguar se duhet t’u bindemi ligjeve, kjo kauzë e Ramës ka shumë gjasa të jetë e motivuar nga hakmarrja. Kjo hipotezë na kërkon të besojmë se Rama ka mundësi të vetësakrifikohet me qëllimin për t’i bërë kurban të gjithë ata që nuk i konsideron kundërshtarë politikë, por armiq personalë./ Gazeta Liberale

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook