Lidhu me ne

Aktualitet

Pse i urrej dasmat shqiptare!

”Mos u shqetësoni: nuk kam ndër mend të martohem e të ndërroj emrin e rubrikës (nejse, s’kam për ta bërë kurrë “Spinster and the City”, – ‘Lënesha dhe qyteti’, sepse do vijë një ditë që kjo e jetuara secili-në-shtëpi-të-vet do më mërzitet). Thjesht më kanë frymëzuar dasmat, që bëhen rreth e rrotull shtëpisë sime (e kotë të them që dëgjohen sikur po bëhen brenda në shtëpinë time).

Urrej dasmat ku marr pjesë, dhe ato ku nuk marr pjesë. Këto të fundit sidomos, kur ndjekin traditën shqiptare dhe fillojnë një javë përpara, me rrugicën poshtë pallatit që bllokohet nga makinat e gjithë soj e sorollopit të atij/asaj që martohet (në rastin kur në lagje kam nusen, kam një fije ngushëllimi se dasma zgjat një ditë më pak).

Urrej të gjitha këngët që këndohen në këto raste, që nga “Çuni vogël do llokum” (ky është hiti i lagjes sime, ndoshta se diku aty afër dikur ka qenë një fabrikë pastash), e deri tek “Moj Sarandë moj Delvinë” (edhe kur familjarët janë nga Kukësi, këtë këngën e kanë me qejf të madh) dhe sidomos urrej “Koka në Stamboll e trupi në Janinë” (zakonisht pas kësaj, fillon Lambada, e cila nga fundi miksohet me “Coco Jambo”-n për t’ia lënë prapë vendin “Çuni i vogël do llokum”, që shoqërohet me thirrje op op op).

Urrej pastaj edhe të dielën mëngjes, kur pas rraskapitjes së gjithë javës, gjumi më del e trembur nga boritë e makinës, që marrin ose sjellin nusen. Por urrej edhe të shoh karvanët e nuseve, me nja shtatë benza njëri pas tjetrit, me shamitë e kuqe me fije ari të varura te dritaret dhe me xhaxhi kameramanin, me gjysmën e trupit të nxjerrë jashtë nga makina e parë, e që xhiron çdo sekondë të ecjes sikur po bën dokumentar për BBC-në.

Por urrej edhe dasmat ku jam e ftuar. Të fisit apo shoqërisë qofshin. Urrej të vishem e pispillosem, që në pikë të mëngjesit (pa llogaritur këtu, që nëse dasma është të dielën duhet të zihem me nja pesë parukiere që këtë ditë e bëjnë pushim e nuk të marrin përsipër, edhe pse ti harxhon lekë tek ato gjithë vitin) e pastaj të shoh se si deri në darkë, tualeti fillon të rrjedhë e flokët hallakaten.

Urrej kur dasmat bëhen në drekë, sepse është shumë vapë. Urrej edhe kur bëhen në darkë dhe pjata e dytë vjen diku nga ora 23:45, pikërisht atëherë kur unë do doja të isha në shtëpi, veshur me pizhame e me tualetin e pastruar përpara televizorit (si për darkë dhe për drekë, urrej ato pjatat ku bërxolla ndahet nga patatet me një kufi të përdredhur prej salce kosi, me të njëjtin zell sa urrej dhe avullin e aromën që del nga tava e dheut dhe venitin gjithë shkëlqimin e teminave në veshjet e zonjave rreth e rrotull).

Urrej të harxhoj një shumë të mirë parash, e sigurt që nuk i marr më mbrapsht (sepse unë dhe nëse martohem, dasmë s’do bëj kurrë, së paku jo dasmë ku sillen lekë në zarf). Urrej të marr pjesë në festat e beqarisë, sepse në shumicën e rasteve nusja edhe përpara se të martohej, nuk është se ka bërë ndonjë jetë të zhurmshme prej beqareje (ndryshe nuk do ta martonin, do prisnin “të shtrohej”).

Urrej të ulem në tavolinë e të ha me njerëz që nuk i njoh, që më pyesin ku punoj, sa e kam rrogën dhe pse nuk jam martuar, që më thonë “ngihu kërce” apo “nuk u lodhe duke kërcyer?!” E meqë ra llafi te kërcimi, urrej të çohem, të ulem, të çohem prapë, të ulem prapë, të bëj fresk me erashkë…

Urrej të kap gjithmonë unë buqetën e nuses. Sepse të gjitha të tjerat janë të martuara dhe ato që kanë mbetur beqare janë të shkurtra e të shëndosha, jo të zonjat për kërcime (dhjetë vjet përvojë në këtë fushë, më kanë bërë të mos kem rivale).

Urrej  shumicën e veshjeve të nuseve. Ato në ngjyrë bezhë, apo ato shampanjë. Ato të mbushura me dantella e me gurë. Ato pa rripa, ku gjoksi pesë kërcen nga të gjitha anët (sidomos kur në pjesën e dekoltesë duken shenjat e rripave të rrobave të banjës).

Urrej dhe ata të thjeshtët (në këto raste nusja pretendon që është shumë e rafinuar, ndaj e ka zgjedhur). Urrej këpucët prej mëndafshi të bardhë që vesh nusja. Por mbi të gjitha urrej grimin e saj – nuk e kuptoj pse qëllimi është që të duket sikur nuk është ajo?!

Urrej tortën dhe prerjen e tortës. E pse duhet të presim sa të dali ajo dreq torte për t’ia mbathur?! (gjithsesi ardhja e saj është moment lehtësimi, do ia mbathim, uuurrrrraaa!!!)

Dhe në fund fare, urrej kur më ftojnë në shtëpi për të parë videon e fotot e dasmës dhe të muajit të mjaltit. Vetëm aty e kupton se sa ke vuajtur. Sidomos të hënën mëngjes, kur e pangopur me gjumë, me këmbët e ënjtura të duhet të shkosh në punë. E ku është qejfi i gjithë kësaj?!/TiranaNews

MË TEPËR

Mix3 ditë më herët

Çfarë duhet të hani për mëngjes, 5 zakone të mira për të qëndruar në formë

Të dish se çfarë duhet të hani në mëngjes për të humbur peshë është më e rëndësishme se kurrë, sepse...

Mix3 ditë më herët

Djersitja tek meshkujt – Si ta mbani nën kontroll këtë problem

Djersa përbën mënyrën kryesore të trupit për tu freskuar. Megjithatë ka raste që vërehen tek meshkujt kur djersa shkon çurg,...

Mix3 ditë më herët

3 Ushqime që mund të konsumoni çdo ditë për shëndet më të mirë

Pavarësisht nëse po përpiqeni të humbni peshë, apo thjesht keni vendosur të filloni të kujdeseni më mirë për veten, ka...

Mix3 ditë më herët

Kafeina, droga psikoaktive më e konsumuar në botë”, Varësia që krijon organizmi prej kafesë

Kafeja është e pandashme në jetën e shumë njerëzve, “Kafeja definitivisht të bën të varur”,thotë Carsten Schleh. Ai është toksikolog...

Mix3 ditë më herët

Studimi: Sa fëmijë duhet të keni që të jeni të lumtur

Sa fëmijë duhet të keni është një debat i vjetër, por për çdo prind që aktualisht pyet nëse duhet të...

Mix3 ditë më herët

Jon Bon Jovi e pranon publikisht: “E kam tradhtuar shumë herë gruan time…”

John Francis Bongiovi Jr., ky është emri i vërtetë i yllit të rokut, i njohur si Bon Jovi. Por pak...

Mix3 ditë më herët

Billie Eilish sapo na tregoi se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë

GETTY Billie Eilish, megjithëse nuk e ka pasur në plan të flasë për seskualitetin e saj, sërish ka ndarë me...

Mix3 ditë më herët

Ky është peshku më i shëndetshëm për t’u ngrënë dhe ja pse

FOTO: NUGROHO RIDHO / GETTY IMAGES Peshku është një proteinë me cilësi të lartë, por sërish njerëzit nuk e konsumojnë...

Mix3 ditë më herët

Kylie Jenner pozon topless

Kylie Jenner konsiderohet si një ikonë mode dhe çdo lëvizje e saj kthehet në trend. Me siguri kështu do bëhet...

Mix3 ditë më herët

There’s Still Tomorrow (C’è Ancora Domani), filmi italian me fitimin më të madh, ia kalon edhe filmit “Barbie”

Filmi “Barbie” i Greta Gerwig mund të jetë filmi më i suksesshëm financiarisht i drejtuar ndonjëherë nga një regjisore femër...

Facebook