Lidhu me ne

Kioske

Rama targeton emocionet, Basha arsyen

Belina Budini 

Fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit po shoqërohet me elemente të ndryshme për secilin nga kampet politike. Prof. Asoc. Dr. Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET, pohon se opozita ka zgjedhur një formë më klasike dhe më të personalizuar, me takime derë më derë, ndërsa kampi qeveritar ka anuar më shumë kah platformave mediatike, rrethuar me ekrane në vend të njerëzve.

Në aspektin e gjuhës vërehet se, për herë të parë, nuk ka një gjuhë të vetme apo uniforme të të bërit fushatë nga ana e të gjitha palëve në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri. Për kanalet e komunikimit, Budini nënvizon se Basha zgjodhi elementët amerikanë, siç ishte, për shembull, publikimi i një libri, që i drejtohet arsyes dhe reflektimit, kurse kryeministri Rama ka preferuar natyrën më teatrale të përcjelljes së mesazheve.

Fushata zgjedhore, edhe pse nën shenjën e pandemisë, ka nisur shumë përpara hapjes së saj zyrtare. Megjithëse kampi opozitar udhëhoqi termat për sa i përket planifikimit, sloganit, simbolikave dhe forumeve publike që paraprinë fushatën, me PR-in qeveritar mund të thuhet se kemi pasur një fushatë të vazhdueshme dhe të pandërprerë, pasi vetë qeverisja ka qenë vazhdimisht në funksion të PR-it dhe jo anasjellas.

Me mjetet dhe burimet maksimale në dispozicion, qeveria Rama i ka shteruar të gjitha mundësitë për ta bërë atë që ka thënë, ose për ta thënë atë që ka bërë. Fushata e pandërprerë në qeverisje, edhe në rrethanat e tërmetit apo të pandemisë, pra menaxhimi i opinionit publik, veçanërisht gjatë këtyre krizave, mund të thuhet se ka qenë edhe angazhimi i vetëm dhe prioritar i kryeministrit Rama.

Nuk e teprojmë po të themi se, fushata për zgjedhjet e 25 prillit, është thjesht akti i fundit i një shfaqje të gjatë në qeverisje nga kampi maxhoritar. Po aq virtuale sa termat e qeverisjes, edhe formatet e këtij akti të fundit vijojnë të jenë më tepër virtuale dhe me natyrë teatrale. Në dallim prej fushatës virtuale të kampit qeveritar dhe pavarësisht kufizimeve për shkak të pandemisë, fushata e Partisë Demokratike, ka nisur në format më klasik, të personalizuar, ku dominojnë takimet derë më derë. Këtij turi njerëzor të liderit të Partisë Demokratike, kryeministri i është përgjigjur me një format të divulguar virtual të tipit “one man show” në një platformë krejtësisht mediatike, rrethuar me ekrane në vend të njerëzve.

Për herë të parë mund të themi se nuk ka një gjuhë të vetme, apo një lloj gjuhe uniforme të të bërit fushatë, nga ana e të gjitha palëve në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri. Nga analiza e zgjedhjeve të mëparshme rezultonin kryesisht terma të përafërt ose ekuivalentë, por duket se nuancat, dallimet dhe kontrastet janë duke krijuar një pamje tjetër sa u përket mjeteve të shprehjes, qofshin ato verbale ose joverbale dhe ky është një lajm i mirë. Jo vetëm partitë e reja kanë hyrë me një gjuhë të re, por një regjistri të tillë normalizimi të gjuhës i është përgjigjur edhe Partia më e madhe e opozitës, Partia Demokratike.

Një lloj paraleleje mund të hiqet vetëm sa i përket gjuhës së ashpër të përdorur nga PS dhe LSI, me përfaqësuesit e tyre më të lartë. Mesazhet denigruese, arrogante dhe të ashpra të protagonistëve politikë përkundrejt njëri-tjetrit nuk kanë munguar, por këtyre mjeteve u është drejtuar së pari kampi qeveritar dhe vetë kryeministri Rama, i cili ricikloi gjuhën e harruar të kohës kur ishte përballë Berishës, edhe pse jo me të njëjtat efekte si dikur.

Me një sjellje prej opozitari agresiv ndaj kundërshtarit politik, gjuha dhe imazhet që përdori vetë kryeministri në adresë të kandidatëve për deputetë, duke u vënë etiketa dhe diçitura denigruese, nuk gjeti gjithsesi të njëjtën eko nga pala tjetër, duke rezultuar kësisoj një fiasko, në mos një “bumerang” për vetë Ramën. Departamenti i Komunikimit në UET do ta monitorojë dhe analizojë më nga afër gjuhën e fushatës në vijim, si pjesë e një projekti kërkimor në grup me pedagogët e këtij departamenti dhe atëherë do të mund të kemi një tablo më të qartë të zhvillimeve në këtë drejtim.

Do të analizohet edhe gjuha përkundrejt elektoratit, termat më të përdorur dhe natyra e këtyre komunikimeve. Deri tani, mesazhet adresuar elektoratit kanë qenë përgjithësisht të përmbajtura, edhe pse nuk ka munguar marketingu agresiv, teknikë e përdorur edhe në fushatat e mëparshme, si mënyrë imponuese për të bindur elektoratin, në të gjitha format.

Komunikimi bëhet jo vetëm përmes të folurit, por edhe veshja apo paraqitja e politikanëve jashtë kornizave politike dhe në ambiente familjare, një zgjedhje që po e shohim edhe në këtë fushatë. Liderin e PD e kemi parë me xhinse dhe një veshje ‘casual’ në takime me elektoratin apo në momente familjare që janë ndarë në disa raste. Nga ana tjetër, Rama ka braktisur këtë format që e ndoqi në vitin 2013. Si i shihni këto komunikime dhe a janë efektive për të bërë për vete elektoratin? Çfarë mesazhesh përçojnë sot dy liderët kryesorë në vend nëpërmjet këtyre aspekteve?

Elementet pamore kanë rëndësinë e tyre, sidomos në kushtet e mediatizimit të plotë. Edhe pse është herët për të folur për “look”-un e fushatës intensive, kur kodet përgjithësisht bëhen më të lexueshme, deri tani, kodet e thyera i kemi parë më tepër te Basha, ndërsa te Rama, një paraqitje më të përmbajtur po të kemi parasysh thyerjet e mëhershme të kodeve të paraqitjes prej tij.

Duket se për të, kjo nuk do të jetë një fushatë e shpenguar dhe e lirshme, sikurse ajo për zgjedhjet vendore. Kandidatin e së djathtës për kryeministër e kemi parë ndërkohë në formate pak më të lirshme sesa zakonisht, edhe pse në tërësi, kodi i tij i paraqitjes mbetet konservator, pra ai i një politikani normal.

Strategjitë e marketingut politik reflektojnë profesionalizimin e politikës dhe duket se i lihet gjithnjë e më pak vend improvizimit, apo institucioneve në këtë drejtim. Fushatat janë të mbështetura në praktika të mirëstudiuara që nga sloganet e spotet, videot apo imazhet, si dhe sondazhet e opinionit publik, duke u bazuar në kërkime të marketingut, analiza kompjuterike të modeleve të votimit të ngjashme me analizat e shitjeve, por edhe në ekspertizën direkte të agjencive të menaxhimit të fushatave, ndërsa shpenzimet mbeten gjithnjë mjaft të larta në të gjithë këto zëra.

Tanimë mund të thuhet se fushatat zgjedhore ndjekin një metodologji thuajse shkencore dhe të sofistikuar. Po kështu janë zgjedhur edhe sloganet, të tre sloganet e partive kryesore përmbajnë fjalën Shqipëri, që vështirë të jetë rastësi. E para që e ka prezantuar sloganin e fushatës së vet, “Shqipëria fiton”, ka qenë Partia Demokratike e ndjekur nga PS me sloganin “Shqipëria e ardhmja jonë” dhe LSI, që ka dalë me sloganin “Shqipëria, shtëpia juaj”.

Sa u përket kanaleve për transmetimin e mesazheve, ato janë të shumta dhe të larmishme në kushtet e mediave të reja, ku ka marrë gjithnjë e më tepër shtrirje edhe përdorimi i rrjeteve sociale, si pjesë e integruar tanimë e komunikimeve dhe marketingut politik. Një nga kanalet më rrallë të përdorur në kontekstin e fushatës në Shqipëri, edhe pse është një praktikë e zakonshme, sidomos në zgjedhjet për president në ShBA, ishte publikimi i një libri politik nga kandidati për kryeministër, Lulzim Basha. Mesazhin më të gjatë drejtuar votuesve ose shqiptarëve, lideri i Partisë Demokratike zgjodhi ta përcillte nëpërmjet librit “Misioni im”, të cilin e quan ndryshe edhe një letër drejtuar shqiptarëve.

Ky është një format, ose zhanër i natyrës racionale, një medium që i drejtohet arsyes dhe reflektimit. Ndërkohë Rama ka preferuar natyrën më teatrale të përcjelljes së mesazheve të veta të gjata, nëpërmjet performancave të formatit “one man shoë”, më tepër me natyrë emocionale sesa racionale. Kjo përzgjedhje e mediumeve mund të interpretohet edhe si nevojë, ose ftesë nga ana e tyre, për elektoratin që të arsyetojë në rastin e Bashës ose të afeksionohet në rastin e Ramës. Format e zgjedhura mund të zbulojnë kësisoj thelbin ose motivin e ofruar zgjedhësve me Ramën, i cili synon ende të joshë përmes emocionit dhe me Bashën, i cili synon të bindë nëpërmjet arsyes.

Sa i përket marketimit, nëpërmjet listës së kandidaturave për deputetë, sërish strategjitë kanë qenë të ndryshme. Edhe pse lideri mbetet orbital sipas modelit amerikan, elementet alla shqiptarë të përzgjedhjes apo të pozicionimit në këto lista mbeten të paqartë pothuajse nga ana e të gjitha palëve.

Listat duken shpesh si të arnuara apo të sajuara, ndërsa përpjekja për t’i shpjeguar ato, shpesh duket si përpjekje për të mbuluar arsyet e vërteta të atyre përbërjeve, shenjë e qartë e nevojës për më tepër demokratizim dhe faktorizim partiak, përtej njëshit brenda këtyre strukturave. Në këtë aspekt bëri më tepër përshtypje formati i listave të Ramës, për shkak të riqarkullimit të disa figurave të konsumuara në qeverisje apo në parti, për të krijuar ndoshta përshtypjen e një vetëpastrimi, edhe pse nuk kuptohen cilat janë kriteret dhe kontributet direkte të figurave të tjera të vendosura në ballë.

Komunikimi i tyre përtej simbolikës së vendosjes në lista, deri tani, ka lënë shumë për të dëshiruar, ndërsa ka nisur të duket më tepër si një artificë sesa si një rifreskim apo mundësi për t’u hapur rrugën protagonistëve të rinj. Zvetënimi i “Rilindjes” duket të jetë një arsye tjetër e kësaj lëvizjeje, që synon të krijojë idenë tek elektorati i majtë të rikthimit tek PS-ja. Partia Demokratike ka aktivizuar, ndërkohë, të gjithë eksponentët e vet më përfaqësues në struktura dhe në media, edhe pse fragmentimin e së djathtës nuk e ka në favor, pavarësisht përpjekjes për ta kompensuar me koalicionin e gjerë opozitar./Monitor/

* Prof. Asoc. Dr. Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET

MË TEPËR

Mix9 minuta më herët

Çfarë duhet të hani për mëngjes, 5 zakone të mira për të qëndruar në formë

Të dish se çfarë duhet të hani në mëngjes për të humbur peshë është më e rëndësishme se kurrë, sepse...

Mix15 minuta më herët

Djersitja tek meshkujt – Si ta mbani nën kontroll këtë problem

Djersa përbën mënyrën kryesore të trupit për tu freskuar. Megjithatë ka raste që vërehen tek meshkujt kur djersa shkon çurg,...

Mix18 minuta më herët

3 Ushqime që mund të konsumoni çdo ditë për shëndet më të mirë

Pavarësisht nëse po përpiqeni të humbni peshë, apo thjesht keni vendosur të filloni të kujdeseni më mirë për veten, ka...

Mix22 minuta më herët

Kafeina, droga psikoaktive më e konsumuar në botë”, Varësia që krijon organizmi prej kafesë

Kafeja është e pandashme në jetën e shumë njerëzve, “Kafeja definitivisht të bën të varur”,thotë Carsten Schleh. Ai është toksikolog...

Mix24 minuta më herët

Studimi: Sa fëmijë duhet të keni që të jeni të lumtur

Sa fëmijë duhet të keni është një debat i vjetër, por për çdo prind që aktualisht pyet nëse duhet të...

Mix25 minuta më herët

Jon Bon Jovi e pranon publikisht: “E kam tradhtuar shumë herë gruan time…”

John Francis Bongiovi Jr., ky është emri i vërtetë i yllit të rokut, i njohur si Bon Jovi. Por pak...

Mix13 orë më herët

Billie Eilish sapo na tregoi se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë

GETTY Billie Eilish, megjithëse nuk e ka pasur në plan të flasë për seskualitetin e saj, sërish ka ndarë me...

Mix13 orë më herët

Ky është peshku më i shëndetshëm për t’u ngrënë dhe ja pse

FOTO: NUGROHO RIDHO / GETTY IMAGES Peshku është një proteinë me cilësi të lartë, por sërish njerëzit nuk e konsumojnë...

Mix13 orë më herët

Kylie Jenner pozon topless

Kylie Jenner konsiderohet si një ikonë mode dhe çdo lëvizje e saj kthehet në trend. Me siguri kështu do bëhet...

Mix13 orë më herët

There’s Still Tomorrow (C’è Ancora Domani), filmi italian me fitimin më të madh, ia kalon edhe filmit “Barbie”

Filmi “Barbie” i Greta Gerwig mund të jetë filmi më i suksesshëm financiarisht i drejtuar ndonjëherë nga një regjisore femër...

Facebook