Lidhu me ne

Radar

Si Evropa mund t’i kundërvihet me sukses ndikimit të Kinës dhe Rusisë

Andreas Kluth

Projekti më i rëndësishëm gjeopolitik për të cilin mund të mos keni dëgjuar asnjëherë quhet Iniciativa e Tre Deteve. Është një përpjekje e përbashkët nga 12 vende lindore anëtare të Bashkimit Evropian për të forcuar lidhjet fizike dhe dixhitale midis vendeve që lagen nga Deti Baltik, Deti Adriatik dhe Deti i Zi.
Kjo nismë ka shumë kuptim në vetvete. Por aspekti më pozitiv, është se ajo mund të jetë përgjigjja më e mirë e Evropës ndaj sjelljeve keqdashëse të Rusisë dhe Kinës në kontinentin e vjetër. Iniciativa u krijua në fillim nga Kroacia dhe Polonia në vitin 2015.
Më pas ajo përfshiu të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së, që ishin dikur pas “Perdes së Hekurt”, plus Austrinë. Megjithëse ekonomikisht dinamike, shumica e vendeve të këtij rajoni, mbeten ende pas pjesës tjetër të bllokut sa i përket infrastrukturës.

Udhëtimi me makinë apo tren zgjat mesatarisht dy deri në katër herë më shumë se në pjesën tjetër të BE-së. Ato që mungojnë në veçanti janë autostradat e mira, linjat hekurudhore të shpejtësisë së lartë, dhe gazsjellësit me drejtim nga veriu në jug.
Kjo prapambetje është një trashëgimi e Luftës së Ftohtë. Hegjemonët sovjetikë u siguruan që gazi, tanket dhe trupat ruse të lëviznin lehtësisht nga Lindja në Perëndimi, por nuk u interesuan aspak për lidhjet e tjera midis vendeve që pushtuan pas Luftës së Dytë Botërore.
Iniciativa e Tre Deteve dëshiron ta ndryshojë atë. Për shembull, projektet përfshijnë ndërtimin e një porti në Kroaci që mund të akomodojë anijet që transportojnë gaz natyror të lëngshëm (LNG)- për shembull nga SHBA- dhe gazsjellësat që do ta çojnë këtë gaz në veri në vendet partnere.
Polonia tashmë ka një terminal LNG. Një rivale e dukshme në sfond është Rusia. Ajo e ka përdorur prej kohësh rolin e saj si një furnitore me energji, për të forcuar ndikimin mbi vendet përmes të cilave e transporton gazin e saj.

Moska tani është duke u përqendruar në të gjithë rajonin përmes linjave të reja të transportit të gazit – përmes Detit të Zi në jug dhe Detit Baltik në veri. Ky i fundit, i quajtur “Nord Stream 2”, e transporton direkt gazin nga Rusia në Gjermani, dhe ka zgjuar frikën e vjetër midis polakëve dhe atyre në vendet baltike se mund të anashkalohen, shantazhohen ose lihen jashtë linjave të furnizimit.
Projektet e tjera të kësaj nisme përfshijnë rrugët, hekurudha, portet nëpër lumenj, ura etj. Dhe sigurisht edhe kabllot me fibra optike, si dhe të gjitha hapat e nevojshëm për të nisur ndërtimin e rrjeteve të telekomunikacionit të gjeneratës së pestë (5G).
Këtu rivalja është Kina. Si pjesë e synimit të saj për të arritur statusin e një superfuqie, Pekini ka vite që po zbaton projekte të mëdha në infrastrukturë për të fituar ndikim në Evropën Lindore.
Përpjekja kryesore është Nisma e Brezit dhe Rrugës, që përfshin porte, hekurudha, rrugë dhe lidhje dixhitale në të gjithë Euroazinë dhe Afrikën. Një tjetër projekt quhet Platforma 17 + 1, ku Kina është 1 dhe 17 të tjerët janë vende të Evropës Lindore, duke përfshirë 10 nga vëndet që janë tani pjesë e Iniciativës së Tre Deteve.

Shumë nga këto nisma kineze, janë përpjekje të maskuara për të projektuar pushtetin e Pekinit në të gjithë botën. Ndonjëherë, Kina financon një port ose urë me kushte tinëzare që synojnë ta fusin huamarrësin në një kurth të borxheve. Herë të tjera, kinezët ofrojnë hapur investime në këmbim të mbështetjes politike nga vendi përfitues.
Një shembull ekzemplar në këtë aspekt është Hungaria. Ajo hyri në partneritet me Kinën për një projekt të madh, ndërtimin e një hekurudhe që lidh Budapestin me Beogradin, dhe që shkon deri në portin grek të Pireut. Projekti u zbatua nga një kompani kineze e kontrolluar nga shteti.
Që atëherë, Hungaria vazhdon të habisë zyrtarët në Bruksel, duke bllokuar deklaratat e BE-së kundër abuzimeve të Kinës me të drejtat e njeriut. Për shembull, këtë muaj Budapesti vendosi veton ndaj një deklarate të BE-së që e kritikon Pekinin për shtypjen e demokracisë në Hong Kong.
Pjesërisht, kjo sjellje është pasqyrë e tekave të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, një autokrat populist, të cilit i pëlqen të vijojë propagandën e tij kundër BE-së, dhe të mbajë të hapura opsionet e tij gjeopolitike. Por fajtorë për këtë situatë është edhe vetë blloku.

Edhe pse Brukseli shpërndan shumë para për rajonin – Polonia dhe Hungaria kanë qenë përfitueset më të mëdha neto të buxhetit të BE-së – ai i la qartë të hapura hapësirat kur erdhi puna për investimet në infrastrukturë, një hendek në të cilin u futën kinezët.
BE fillimisht ishte dyshuese për Iniciativën e Tre Deteve. Përçarja politike midis anëtarëve të saj perëndimorë dhe lindorë është zgjeruar vitet e fundit, ndërsa Hungaria dhe Polonia e kanë dobësuar sundimin e ligjit dhe po shkojnë drejt populizmit.
Në fillim kjo nismë u duk si një përpjekje e vendeve lindore për ta unifikuar rajonin kundër Brukselit. Në fakt nuk është kështu. Përkundrazi, është një projekt vizionar për ta bërë rajonin të begatë dhe autonom nga ngacmimi rus dhe ndërhyrja kineze. SHBA-ja e kuptoi më herët këtë gjë sesa BE-ja. Uashingtonit i pëlqejnë veçanërisht aspiratat dixhitale të nismës, të cilat i sheh si një mundësi për të mbajtur kompaninë kineze Huawei Technologies Co. larg rrjeteve të reja 5G të rajonit.

Iniciativa e Tre Deteve është një ide e shkëlqyer,dhe është ajo që duhet të mbështesin Uashingtoni, Brukseli, Berlini dhe kryeqytetet e tjera perëndimore. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë premtuar tashmë disa fonde, por duhet të japin shumë me tepër.
Ndërkohë,BE-ja duhet të jetë gjithashtu e qartë për pritshmëritë e saj. Së pari, të gjitha vendet e nismës, përfshirë Hungarinë, duhet ta pranojnë nëntekstin gjeopolitik, dhe të deklarojnë pa dyshim besnikërinë e tyre ndaj Brukselit, duke i paraprirë flirteve me Pekinin.
Së dyti, kjo iniciativë nuk duhet të shndërrohet në embrionin e bllokut lindor, që do të sillet si një kundërpeshë e pjesës tjetër të BE-së. Ky projekt i përbashkët evropian, duhet të shënojë fillimin e një pajtimi dhe integrimi të vonuar midis lindjes dhe perëndimit të Evropës. Nëse 12 nga vendet e kësaj nisme e mbështesin këtë ide, atëherë të 27 vendet e unionit mund të shndërrohen në një digë të re mbrojtëse të një Perëndimi të zgjeruar.

MË TEPËR

Kryesore2 javë më herët

“Thjesht për kënaqësinë e shqipes”/ Rama njofton botimin e një libri

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka bërë me dije se po shkruan në tjetër libër. Rama tha...

Kritike2 javë më herët

Mustafa Nano: Berisha, një burracak që është duke e bërë në brekë nga frika. Një i mbaruar, që mbeti dyerve të SPAK për të mbrojtur fëmijët

Mustafa Nano, për dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK, për 21 Janarin, thotë se për herë të parë ai...

Radar2 javë më herët

Si një aferë korrupsioni mund t’i japë fund luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelenskyy / Një aferë prej 100 milionë dollarësh ka tronditur udhëheqjen ukrainase dhe mund ta detyrojë të pranojë kushte...

Kryesore4 javë më herët

Kokalari zbulon mesazhin e ‘koduar’ të LaCivita: Humbjen në 11 maj ia faturon Sali Berishës

Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila ishte një prej mbështetësve kryesorë të Sali Berishës në periudhën kur ish-Kryeministri nisi ‘Foltoret’...

Radar4 javë më herët

Mamdani, Obama i ‘ri’ dhe çfarë e frikëson vërtet Trumpin; 3 mesazhet nga vota në Nju Jork

Shkruar nga Massimo Gaggi Fitorja e Mamdanit duhet të trajtohet me kujdes nga Partia Demokratike. Ajo ka rizbuluar aftësitë e...

Radar4 javë më herët

Dyshime për një fluskë triliona-dollarëshe të data center për Inteligjencën Artificiale

Gara për Inteligjencën Artificiale është aktualisht një ndër më përcaktueset për të ardhmen e ekonomive kryesore. Megjithatë inevstimet në të...

Temporal4 javë më herët

Kur Arti Bëhet Urë: Reflektime nga Shkëmbimi Rinor Erasmus+ në Qipro

/ Jona Kaso Në fund të tetorit 2025, ishulli i Qipros u kthye në një pikë takimi për krijimtarinë, emocionindhe...

Radar2 muaj më herët

Si hyri në gjak fisi Kim me fisin Berisha për demokracinë në Shqipëri

nga Indrit Vokshi Juri Kim doli në pension 53 vjeçe. Departamenti i Shtetit e quan largimin e Kim si tranzicion...

Mix2 muaj më herët

Migrena në rritje, pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

Pavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur...

Mix2 muaj më herët

3 shenjat më xheloze të horoskopit

Astrologjia tregon se disa shenja të zodiakut janë më të prirura të përjetojnë xhelozi, për shkak të pasigurisë, krenarisë ose...

Facebook