Lidhu me ne

Kioske

Çfarë kërkojnë këta burra në ‘fshatin Potemkin’ të lalit?

Çfarë kërkojnë këta burra në ‘fshatin

Alfred Lela

The point is, ladies and gentlemen, that greed, for lack of a better word, is good*. Kjo është një nga fjalitë cinike dhe monumentale të Gordon Gekko-s personazhit të filmit Wall Street, interpretuar nga Michael Douglas. Gekko, siç edhe në filmin vijues Money never sleeps është bërë sinonimi i ‘kapitalizmit të pashpirt’ që aq shumë i pëlqen Hollywood-it (të pasur) të portretizojë.

Të rrimë te babëzia në politikë, meqë me të lidhet edhe filli i këtij editoriali. Ajo rastis të jetë e disallojshme, dhe mund të fillojë nga informativja, te vanitozja dhe deri te monetarja. Babëzi informative kemi atëherë kur një njeri bën çmos për të qenë në qendër të vëmendjes, dhe kur nuk e bën dot këtë me kreativitet, pra me stilin dhe bëmat e veta, e blen apo e trafikon mbulimin mediatik. Babëzia e vanitetit lidhet me atë informative, por dallon prej saj për faktin se sajon ngjarje (pseudongjarje) për të simuluar lajme dhe për të krijuar iluzionin (shpresakotën) e tyre. Ky zhanër i komunikimit mundësohet, kryesisht, nëpërmjet eventeve që synojnë të bëhen qendrore duke ftuar personazhe të njohur të televizionit dhe të kitsch-it televiziv, kryesisht njerëz që kanë më shumë famë se kontribute. Babëzia financiare, besoj, nuk ka nevojë për shpjegime.

Një personazh i shumëdiskutuar i babëzive, nona e tyre, për disa është kryebashkiaku Veliaj. Sa më takon, nuk jam prej atyre që e shoh bardh-e-zi këtë personazh politik dhe shoqëror. Përshkrimi më i saktë i tij është nëpërmjet dritëhijes. Vetëm servilët profesionistë dhe përfituesit e drejtpërdrejtë, apo të punësuarit e tij, e përshkruajnë me nota epërsie, thuajse biblike. Në ekstremin tjetër janë ata që nuk e honepsin dot për motive politike, se u ka prishur punë apo nuk u ka ndrequr një të tillë.

Mundohem të bëj pjesë te një grup më i vogël, që e kritikon kur i bie në qafë qytetit dhe e lëvdon kur bën punë të mira publike. Duhet thënë se dora e tij, në formë kulari, në qafën e Tiranës, mund të ilustrohet më së miri nga një thënie, e futur tashmë në zhargonin urban: dikur e kishim kullë Sahati, tani kemi orë muri.

Te punët e mira duhet futur sistemimi, estetizimi dhe standardizimi i parkut të Liqenit. Kush nuk ia njeh as këtë bën pjesë te grupi i pare, i kundërshtarëve fanatikë.

Pavarësisht kampeve për Veliajn, atij nuk i rrihet pa e nxjerrë kokën publicitare mbi murin që i ndan palët, sikur përpiqet të provokojë njërën e të shtyjë në përkulje edhe më të thella tjetrën. Rasti më i freskët është premiera botërore e serialit të filmave me ‘007’, bazuar mbi personazhin e famshëm dhe të trilluar të spiunazhit britanik, James Bond. Një event për të cilin dukej se ishte kujdesur vetë kryebashkiaku, u shfaq mëngjesin e së dielës me fotografitë e së shtunës mbrëma, në më shumë poza edhe se vetë kryezana e pozave Paris Hilton. Sa në një përkulje përkëdhelëse për ambasadoren Kim, sa me gishtat në formën he is the man me aktorë të vodëvillit politik, e deri te shkarkesat fotografike që të kapin papërgatitur e të bëjnë të dukesh një kuluf i madh në gëzimin gjithë silikon të kotësive të kryeqytetit.

Por, nuk është pamja e jashtme që ka rëndësi në atë premierë filmi të së shtunës mbrëma. Simbolika që ato pamje shenjojnë, po.

Kryebashkiaku, për shembull, i ka kompromentuar, dashur pa dashur, një pjesë të të ftuarve të tij. Kur shihje paradën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, kryeprokurorit të Republikës apo kreut të SPAK-ut, nuk mund të mos vëreje se si stononin në raport me të ftuarit e tjerë. Jo në kuptimin figurativ, se këta nuk ishin të bukur sa pjeshkat e ftuara, por në atë se krerët e këtyre institucioneve presupozohen të jenë mbi palët ose të paktën anash tyre. Kur në një event të mbushur përjashtimisht me përfaqësues të shumicës dhe me satelitë të tyre në jetën publike, gjen kreun më të lartë të Policisë dhe drejtuesit e dy institucioneve të saporeformuara, me qëllim drejtësinë e drejtë dhe të paanshme, nuk ke gëzim por idhnim. Këta burra nuk duhet të ishin aty sepse publiku i pret të luajnë 007-a në shërbim të tyre, jo të simulojnë aristokraci të vonuar nëpër photo opp-e.

Parada të shtynte me forcë drejt pyetjes: çfarë i bashkon këta personazhe? A janë shpura e albsoc-ut (socializmit shqiptar) të Erion Veliajt, apo asgjë më shumë se flutura marroke të mbledhura nga poçi i ndritshëm i vanitetit.

Nëse synimi ka qenë paraqitja e shoqërisë së lartë të së majtës qëllimi është arritur.  

_____________________________________________________________________

*The point is, ladies and gentlemen, that greed, for lack of a better word, is good: Ajo që dua të them, zonja e zotërinj, është se babëzia, në mungesë të një fjalë më të përshtatshme, është gjë e mirë

**Fshati Potemkin: Në politikë dhe ekonomi, një fshat Potemkin është çdo ndërtim (fjalë për fjalë ose figurativ) qëllimi i vetëm i të cilit është të sigurojë një fasadë të jashtme për një vend që po shkon keq, duke i bërë njerëzit të besojnë se vendi po shkon më mirë. Termi vjen nga historitë e një fshati portativ të rremë të ndërtuar nga Grigory Potemkin, ish i dashuri i Perandoreshës Katerina II, vetëm për të bërë përshtypje Perandoresha gjatë udhëtimit të saj në Krime në 1787.  

MË TEPËR

Radar6 orë më herët

Ajri në Tiranë është më shumë helm se oksigjen, duhet të jesh i zhytur në krim që të mos marrësh masa

Nga Ervin Goci Sot, ajri dukshem ne Tirane eshte me shume helm se oksigjen. Sot do duhej qe te mblidheshin...

Kryesore14 orë më herët

Uria në Gaza, një krim lufte

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, thotë në një intervistë për BBC se Izraeli mban përgjegjësi...

Mix14 orë më herët

Eskortat e huaja “pushtojnë” Tiranën, Lekatari denoncon rastin në pallatin e saj

Në një kohë kur në Tiranë po diskutohet shumë lidhur me kthimin e kryeqytetit në një “parajsë” të eskortave të...

Letersi1 ditë më herët

‘Marshi i UÇK’-së, interpretim rrëqethës nga Arif Vladi

“Marshi i UÇK” -së është një ndër këngët më të njohura dhe më të dashura të cilën e ka sjell...

Letersi1 ditë më herët

Poezi për atdheun “Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka…”

Poezi nga Andon Zako Qajupi Mëmëdhe quhetë tokaku më ka rënurë koka,ku kam dashur mëm’e atë,ku më njeh dhe gur’...

Mix1 ditë më herët

Cilësia e lëkurës nis nga ushqimi, kjo është dieta kundër plakjes

Pavarësisht cilësisë së një kremi, ndërhyrjeve apo përparimit të teknologjisë për të përmirësuar pamjen e jashtme, ajo çfarë do të...

Mix1 ditë më herët

Pasuria marramendëse e Selena Gomez, nuk do ta besoni sa fiton për një postim në Instagram

Selena Gomez është një ndër këngëtaret më të pasura të momentit. Me një vlerë neto të raportuar prej 800 milionë...

Kioske1 ditë më herët

Kartolinat e paguara nga Tirana

Nga Andi Bushati Sjellja në shqip e një artikulli të përkthyer të revistës lifestyle italiane Vanity Fair, shkaktoi një polemikë të...

Radar2 ditë më herët

“Noc Rroku” strategjik per qytetaret

Klodian Tomorri Qeveria shpalli sot fazen e dyte te tenderin per ndertimin e ujesjellesit Draleos Drimadhes, i cili do te...

Mix2 ditë më herët

Publikohet traileri i pjesës së katërt të “Bad Boys Ride or Die”

Will Smith dhe Martin Lawrence kthehen në rrënjët e tyre në pamjen e parë për pjesën e katërt të ekskluzivitetit ...

Facebook