Lidhu me ne

Mix

Dokumentet sekrete, a do ketë probleme edhe Joe Biden si Hillary Clinton dhe Donald Trump?

Joe Biden

Aspiratat e demokrates Hillary Clinton për Shtëpinë e Bardhë u venitën pas njoftimeve se ajo kishte përdorur një server privat për postën elektronike, në të cilën ishin dërguar të dhëna të klasifikuara si sekrete.

Ish-presidenti Donald Trump refuzoi t’i kthejë qeverisë dokumente tejet sekrete pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, duke rrezikuar ngritjen e akuzave penale ndaj tij.

Ndërkohë, gjetja e dokumenteve të klasifikuara mund të shkaktojë probleme politike për Presidentin Joe Biden. Të tre rastet në fjalë kanë dallime të theksuara. Por të marra së bashku, tregojnë se menaxhimi i dokumenteve të klasifikuara ka qënë një burim i përsëritur polemikash në nivelet më të larta të politikës amerikane.

Nga disa, kjo shihet si arrogancë apo mospërfillje kur flitet për trajtimin e sekreteve zyrtare. Por të tjerë thonë se qeveria federale ka krijuar një sistem të dobët dhe ndoshta të pamenaxhueshëm për ruajtjen dhe mbrojtjen e dokumenteve sekrete.

“Gabime ndodhin, pasi është mjaft e lehtë që mes tufës së disa dokumenteve që merr nga tavolina kur largohesh nga zyra, të ketë mbetur një dokument sekret”, thotë juristi për çështje të sigurisë kombëtare Mark Zaid. “Për arsye të ndryshme kjo nuk është bërë publike”.

Ndërkohë, emisionet televizive politike po gumëzhijnë me opinione se cilat dokumente ishin fshehur në cilën kuti dhe cilin raft. Amerikanët po debatojnë rreth zhargoneve që përdorin organet e zbulimit dhe mbi vlerësimin e dëmeve.

Çështja e postës elektronike të zonjës Clinton dominoi fushatën e saj presidenciale, ndërsa hetimi penal ndaj zotit Trump ka mjegulluar shpresat e tij për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë.

Republikanët, tashmë në kontroll të Dhomës së Përfaqësuesve, janë gati të shqyrtojnë praktikat e zotit Biden për dokumentet sekrete, kryesisht pas gjetjes së një grupi të dytë materialesh të klasifikuara.

“Populli amerikan është shumë i vetëdijshëm për çështjet që përfshijnë dokumentet e klasifikuara, kryesisht sepse kemi folur për to për gati tetë vjet”, tha Alex Conant, konsulent politik republikan.

Kjo ndodhi kur një komision republikan i Dhomës së Përfaqësuesve që hetonte sulmin ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë, zbuloi se zonja Clinton kishte përdorur një email privat gjatë kohës që shërbente si Sekretare Shteti.

Zbulimi nxiti një hetim federal që nuk rezultoi në ngritje akuzash, por 110 emaile që iu dorëzuan qeverisë nga posta elektronike private dolën se kishin të dhëna të klasifikuara.

Zoti Trump, i cili e kritikoi ashpër zonjën Clinton për çështjen e emailave, pasi fitoi zgjedhjet presidenciale tregoi vetë pakujdesi për ruajtjen e sekreteve.

Ai diskutoi të dhëna sekrete me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar shqetësime se mund të kishte rrezikuar një burim që ndihmoi në zbulimin e një komploti terrorist.

Pasi nuk pranoi humbjen e zgjedhjeve presidenciale, zoti Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë duke marrë në rezidencën e tij në Florida kuti me dokumente qeveritare.

Ai i dorëzoi Arkivës Kombëtare, përgjegjëse për dokumentet presidenciale, disa prej kutive dhe nuk pranoi për të tjerat.

Nën drojën se sekretet e sigurisë kombëtare ishin në rrezik, Departamenti i Drejtësisë dha urdhër për kontrollin e vendpushimit të zotit Trump ku u zbuluan dokumente të tjera sekrete.

Departamenti i Drejtësisë emëroi një prokuror të posaçëm për të hetuar nëse duhen ngritur akuza penale ndaj zotit Trump lidhur me këtë rast apo nëse kërkohet një hetim i veçantë lidhur me përpjekjet e zotit Trump për të mbajtur pushtetin pas ngjarjeve të 6 janarit, kur një turmë mbështetësish të tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan.

Larry Pfeiffer, ish-zyrtar i zbulimit, thotë se situata me dokumentet e zotit Trump ndryshon shumë nga rastet që ai hasi gjatë punës në qeveri.

Gjatë kohës që zoti Pfeiffer ishte shefi i stafit në Agjencinë Qendrore të Zbulimit, CIA, dosje me dokumente të klasifikuara u gjetën në disa raste në bibliotekat presidenciale, thotë ai.

Aktualisht Larry Pfeiffer drejton Qendrën Michael V. Hayden për Zbulimin, Politikën dhe Sigurinë Ndërkombëtare në Universitetin George Mason. Ai thotë se, “Gjëra të tilla ndodhin. Gabime bëhen dhe gjenden dokumente”.

Avokati personal i zotit Biden i zbuloi dokumentet dhe kontaktoi Shtëpinë e Bardhë ndërsa Arkivat Kombëtare morën në dorëzim dokumentet në fjalë ditën që pasoi.

Situata duket si “një gabim mesatar, që po trajtohet sipas rregullave”, tha zoti Pfeiffer. Ai thotë se do të ishte mirë nëse qeveria shqyrton praktikat e menaxhimit të dokumentave gjatë ndryshimit të administratave. Kanë kaluar gjashtë vjet që kur zoti Biden u largua nga zyra e zëvendëspresidentit, që do të thotë se të dhënat e klasifikuara kanë qenë në vendin e gabuar për një kohë të gjatë.

Ligjvënësi republikan James Comer, kryetari i ri i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen dhe Përgjegjshmërinë, i dërgoi një letër Shtëpisë së Bardhë të martën duke e informuar se do të hetojë rreth “dështimit të zotit Biden për të dorëzuar dokumentet e kohës kur sherbente në postin e nënpresidentit, përfshirë dokumente tejet sekrete”.

“Komisioni është i shqetësuar se Presidenti Biden ka komprometuar burimet dhe metodat përmes keqpërdorimit të dokumenteve të klasifikuara”, shkruante zoti Comer.

Zoti Biden tha këtë javë se ishte i befasuar kur mësoi për dokumentet, të cilat u zbuluan në nëntor, por ekzistenca e të cilave u bë publike vetëm këtë javë. Presidenti Biden tha se nuk e dinte se çfarë lloj të dhënash përmbanin dokumentet dhe se ekipi i tij veproi ashtu siç duhet.

MË TEPËR

Mix2 orë më herët

VIDEO/ Po udhëtonte me biçikletë, McGregor përplaset nga një makinë

Conor McGregor ka pësuar një aksident, ku për fatin e tij të mirë nuk ka rezultuar fatal. Irlandezi ishte duke...

Mix2 orë më herët

“Le Doulos”, filmi francez që ndryshoi kinemanë

“Le Doulos” është padyshim bartësi më i dukshëm i këtij ndikimi amerikan, megjithëse nuk ishte aspak filmi i parë kriminal...

Gatime2 orë më herët

Një supë brokoli është ajo çfarë ju duhet, ja si ta përgatisni!

Supa është gjithmonë e shëndetshme, e nëse kombinojmë bokolin me patate e makarona, i shtohen akoma më shumë vlera dhe...

Mix2 orë më herët

Zbulohet çmimi/ Sa do të kushtojë seria e re e Samsung 23

Pas një sërë lajmesh për daljen në treg të serisë së re të Samsung, tashmë është është zbuluar dhe çmimi...

Radar2 orë më herët

Kush është Petr Pavel, presidenti në Çeki

Republika çeke ka tani një ish-gjeneral dhe ish-kryetar të Komisionit Ushtarak të NATO-s si president. Petr Pavel ka qenë i...

Radar2 orë më herët

Donald Trump çel fushatën për zgjedhjet presidenciale 2024

Karolina e Jugut – Ish-Presidenti Donald Trump filloi fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 me një ndalesë...

Mix2 orë më herët

Ja çfarë bëjnë francezët ndryshe për të jetuar shëndetshëm

Shumica e njerëzve e konsiderojnë me fat të jetojnë deri në 100 vjeç. Por dy gra jetuan shumë përtej kësaj...

Sport1 ditë më herët

5 rekorde të Cristiano Ronaldos që Messi mund të thyejë shumë shpejt

Pa përmendur rekordet e Cristiano Ronaldos dhe Leo Messit, historia e futbollit nuk do të ishte e plotë. Dyshja janë...

Mix1 ditë më herët

Një telefon i markës Coca-Cola pritet të shfaqet shumë shpejt në treg

Telefoni i markës Coca-Cola është një pajisje që mund të përfshihet në listën e “telefonave të papritur. Coca-Cola po përgatitet...

Sport1 ditë më herët

Muralet e jashtëzakonshme që kujtojnë Kobe Bryant (FOTO)

Kobe Bryant ishte një basketbollist profesionist amerikan. Ai kaloi gjithë karrierën e tij 20-vjeçare me Los Angeles Lakers në Shoqatën...

Facebook