Lidhu me ne

Temporal

Dëmet e kulturës së rrenës


Nga Aurel Plasari

U bënë tash sa vite që vijon të qarkullojë, duke u përhapur, një rrenë e thurur trashë për kinse zbulimin e një dokumenti i cili mund të hedhkësh dritë për “shkrimin më të hershëm të gjuhës shqipe të shek. XIV”, domethënë parabuzukian.

Rrena e parë: Profesorët Stefan Schumacher dhe Joachim Matzinger nga Akademia e Shkencave Austriake, që përmenden, nuk kanë zbuluar ndonjë dokument që të mendohet t’i përkasë shekullit të XIV dhe ku të shkruhet “një shqipe me germa latine”.

Rrena e dytë: Dy profesorët e përgojuar nuk kanë paraqitur ndonjë fletë – as dhe njëckë – të ndonjë libri “të Biblës”, siç thuhet, që të dokumentojë gjuhën shqipe të shkruar në fillim të shekullit të XIV.

Rrena e tretë: Njoftim për ndonjë dokument të tillë nuk është publikuar asnjëherë në web-in zyrtar të Akademisë së Shkencave të Austrisë, sikurse pretendohet.

Rrena e katërt: Ajo copë teksti e përmendur dhe e cituar si e shek. XIV (“Scala I. Ligierata VI. Si e krijoi Ʒotȣne Adamne et Evene. Të paretë tanë print” etj.) nuk është tjetër veçse një faqe nga libri i Pjetër Bogdanit ‘Çeta e Profetëve të Krishtit’, i botuar në Padovë të Italisë më 1685 (M.DC.LXXXV), pra plot 130 vite mbas ‘Mesharit’ të Gjon Buzukut.

Rrena e pestë: Ilustrimi që përdorin mashtruesit nuk ka lidhje as me gjuhën shqipe dhe, sidomos, as me shek. XIV; është faqja e parë e një parathënieje anglisht, The Preface, të librit ‘The Bay Psalm Book’, i pari libër i shtypur në ato vende që më vonë do të quheshin “Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, më 1640, pra i shek. XVII. Njihet edhe si libri më i shtrenjtë në botë, ngaqë është shitur në ankand për shifrën rekord 14.2 milionë dollarë, prandaj edhe zhvatet me lehtësi në web. Përveç kësaj, dëshmon sheshit injorancë të mos dish që në shekullin e pretenduar (XIV) nuk kishte filluar ende shtypje librash në tipografi: në atë shekull tekstet qarkullonin si dorëshkrime.

Meqë jemi tek injoranca, e cila mundëson të shkruash për sende të cilave as ua ke haberin, po shtoj:

Është e pasaktë ta cilësosh Norbert Joklin si “themelues të shkencës së albanologjisë”, siç shkruajnë. Albanologjia, si grup dijesh që studiojnë botën shqiptare, nuk mbahet e themeluar në vitet 30-40 të shek. XX, por gati një shekull më herët. Në studimet shqiptare është rënë një mendjeje për të pranuar si “baba” të Albanologjisë Johann Georg von Hahni-n me veprën e tij madhore ‘Studime shqiptare’ (1854). Në të bota shqiptare shqyrtohet me historinë e saj antike dhe atë mesjetare, me karakteristikat e saj gjuhësore, etnografike, dokesore etj, veçan duke trajtuar edhe çështjen e autoktonisë së shqiptarëve në viset ku ata jetojnë. Ndërsa fakti që gjuhëtari Norbert Jokl “është vrarë nga nazistët në maj 1942” nuk ndryshon gjë në kronologjinë e fillimeve të albanologjisë.

Është e pasaktë të pohosh që Kryepeshkopi i Durrësit, Pal Ëngjëlli, e formuloi Formulën shqipe të Pagëzimit “gjatë një vizite në dioqezën e Matit”. Formulën në fjalë Pal Engjëlli e përfshiu në një letër baritore (pastorale) me rastin e një sinodi të mbajtur më 8 nëntor 1462 në kishën e Trinisë së Shenjtë në Mat.

Është e pasaktë të pohosh që “Fon Harvi [kështu është shkruar] udhëtoi në Durrës dhe në Ulqin”. Kalorësi Arnold von Harf, nga Këlni i tij, udhëtoi si pelegrin për në Tokën e Shenjtë. Gjatë udhëtimit me anije prej Venedikut në Aleksandri, u ndal edhe në disa nga portet e Dalmacisë, të Arbërisë, të Epirit etj., ndër to edhe në Durrës; aty mblodhi fjalë e shprehje që i regjistroi në njëfarë fjalori xhepi.

Ndërsa duhet ta kesh përdorur tastierën me këmbë që, pasi e ke quajtur ‘Mesharin’ e Gjon Buzukut “i pari libër në gjuhën shqipe”, të vijosh duke shkruar po për të: “Libri është kishtar dhe është shkruar në gjuhën latine [!!!], ka 154 000 fjalë. Është në dialekt verior dhe origjinali gjendet në Arkivat e Vatikanit”.

Pas këtij Meshari të Buzukut “në gjuhën latine”, a është e nevojshme të zgjatesh më?

Po, është e udhës të shtohet që, në raste si ky, nuk është fjala thjesht për rrena, por për atentate antikombëtare duke u fshehur pikërisht mbrapa “interesit kombëtar”. Nga albanologu mendjendritur Selman Riza, do të duhej të mësonin për kulturën e rrenës një tezë paralajmëruese, të cilën ai e formuloi si vijon: duke sajuar dhe trilluar “fakte të paqena” në historinë tonë kombëtare i bëjmë asaj dëm të madh, sepse të huajt skeptikë, që janë të mirinformuar e të vëmendshëm, i dallojnë sajimet dhe trillimet, dhe atëherë rrezikojmë të mos na i besojnë as të vërtetat reale të historisë sonë.

Shkrimi është marrë nga Facebook-u i Aurel Plasarit

MË TEPËR

Mix1 javë më herët

Çfarë duhet të hani për mëngjes, 5 zakone të mira për të qëndruar në formë

Të dish se çfarë duhet të hani në mëngjes për të humbur peshë është më e rëndësishme se kurrë, sepse...

Mix1 javë më herët

Djersitja tek meshkujt – Si ta mbani nën kontroll këtë problem

Djersa përbën mënyrën kryesore të trupit për tu freskuar. Megjithatë ka raste që vërehen tek meshkujt kur djersa shkon çurg,...

Mix1 javë më herët

3 Ushqime që mund të konsumoni çdo ditë për shëndet më të mirë

Pavarësisht nëse po përpiqeni të humbni peshë, apo thjesht keni vendosur të filloni të kujdeseni më mirë për veten, ka...

Mix1 javë më herët

Kafeina, droga psikoaktive më e konsumuar në botë”, Varësia që krijon organizmi prej kafesë

Kafeja është e pandashme në jetën e shumë njerëzve, “Kafeja definitivisht të bën të varur”,thotë Carsten Schleh. Ai është toksikolog...

Mix1 javë më herët

Studimi: Sa fëmijë duhet të keni që të jeni të lumtur

Sa fëmijë duhet të keni është një debat i vjetër, por për çdo prind që aktualisht pyet nëse duhet të...

Mix1 javë më herët

Jon Bon Jovi e pranon publikisht: “E kam tradhtuar shumë herë gruan time…”

John Francis Bongiovi Jr., ky është emri i vërtetë i yllit të rokut, i njohur si Bon Jovi. Por pak...

Mix1 javë më herët

Billie Eilish sapo na tregoi se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë

GETTY Billie Eilish, megjithëse nuk e ka pasur në plan të flasë për seskualitetin e saj, sërish ka ndarë me...

Mix1 javë më herët

Ky është peshku më i shëndetshëm për t’u ngrënë dhe ja pse

FOTO: NUGROHO RIDHO / GETTY IMAGES Peshku është një proteinë me cilësi të lartë, por sërish njerëzit nuk e konsumojnë...

Mix1 javë më herët

Kylie Jenner pozon topless

Kylie Jenner konsiderohet si një ikonë mode dhe çdo lëvizje e saj kthehet në trend. Me siguri kështu do bëhet...

Mix1 javë më herët

There’s Still Tomorrow (C’è Ancora Domani), filmi italian me fitimin më të madh, ia kalon edhe filmit “Barbie”

Filmi “Barbie” i Greta Gerwig mund të jetë filmi më i suksesshëm financiarisht i drejtuar ndonjëherë nga një regjisore femër...

Facebook