Lidhu me ne

Kioske

Çfarë ua ka zënë sytë ambasadave që shohin vetëm karriket e djegura

armand shkullaku
Armand Shkullaku

Sot ishte një ditë kur ambasada e SHBA dhe ajo BE do të kishin bërë mirë të heshtnin se sa të reagonin për hir të reagimit. Shqetësimi i tyre për ca karrike të djegura në Kuvend, në raport me hedhjen në erë të të gjithë investimit për të ashtuquajturën drejtësi e re, i bën të duken këto përfaqësi si personazhi proverbial që krihet ndërsa Stambolli digjet.

Ato vazhdojnë të flasin për dialog konstruktiv në një demokraci, që nuk dihet pse e cilësojnë funksionale, për diskutime paqësore e të tjera klishe boshe, ndërkohë që Shqipëria sot është një regjim nën diktatin e një njeriu të vetëm dhe shteti i vetëm në Europë me të burgosur qartësisht politikë. 

Nëse selitë e SHBA dhe BE nuk bëzajnë kur SPAK përndjek gazetarët, kur kryeministri përdor si vegla qorre polici, prokurori, gjykatat speciale e atë Kushtetuese për t’i rrëmbyer opozitës mandatin legjitim në Himarë, kur drejtësia e “pavarur” dënon me burg pas 6 vitesh një deputet opozitar, i cili i ktheu Italisë një të dënuar për trafik ndërkombëtar droge, që është dhe vëllai i kryekomisionerit të reformës në drejtësi, atëherë çfarë kanë kaq tronditëse 12 karrike që digjen sa të shqetësojnë dy superfuqitë perëndimore?

Shqetësimi në këtë rast ka të bëjë me faktin se diplomatët e akredituar në Tiranë, duan t’i shohin ato karrike si shkakun e një dhune potenciale në vijim dhe jo si pasojë e dhunimit sistematik që i bëhet opozitës mu përpara syve të tyre. Meqë taksapaguesit perëndimorë kanë paguar për reformën shqiptare të drejtësisë, meqë kjo reformë u është shitur atyre si e suksesshme dhe meqë drejtësi e re dhe narkoshtet i korruptuar nuk qëndrojnë bashkë, përfaqësitë diplomatike në Tiranë nuk janë ndjerë as kur zgjatja e duarve të pushtetit mbi SPAK, gjykatat speciale dhe deri atë Kushtetuese ka ndodhur hapur ditën për diell.

Ambasadat nuk kanë folur kur Edi Rama e trajtoi Gjykatën Kushtetuese si peshqir për shezlongët e Olta Xhaçkës. As kur SPAK e çliroi nga akuzat ish ministrin e Shëndetësisë që vazhdonte pa e prishur terezinë me zanatin rilindas të përvetësimit edhe kur bëhej fjalë për fondet e BE. Njësoj edhe kur vetë BE zbuloi batërdinë e abuzimeve me grantet për bujqësinë, askush nga perëndimorët e Tiranës nuk u shqetësua. Dhe nuk flasin as kur kryeministri i bën thirrje hapur drejtësisë të ndjekë e dënojë kundërshtarët e tij politikë. Nëse kjo quhet drejtësi e re dhe demokraci funksionale, atëherë 12 karriket qënkan një problem serioz për të ardhmen euro- atlantike të vendit. Si mund të mos reagojnë kokat e përfaqësive më të fuqishme perëndimore?

Problemi i vetëm është se kur opozita politike burgoset njësoj si në Turqi dhe sytë t’i zë vetëm tymi i protestave që vijnë si rrjedhojë, shqetësimet e reagimet nuk janë mesazh për shqiptarët por justifikim për tolerimin e një regjimi që ka degraduar deri në përndjekjen e hapur të kundërshtarëve. Arsyet që arbitri i dikurshëm ndërkombëtar ka hequr dorë nga paanësia, sidomos dekadën e fundit, janë të shumta, por në disa raste të rënda të abuzimeve të pushtetit do të ishte mirë të mos ua kujtonte qytetarëve shqiptarë dështimin e tij. Çfarë efekti mund të kenë tek këta të fundit reagime të tipit që jemi të shqetësuar për dëmtimin e derës së Bashkisë, ndërkohë që brenda dyerve ka ndodhur vjedhja e shekullit nga vetë drejtuesit e Bashkisë.

Nënkryetari i grupit parlamentar të opozitës burgoset për fjalën e lirë, në një proces të montuar krejtësisht nga pushteti, me dëshmitarë të prodhuar nga policia, vetëm se dërgoi në burg vëllain e ish ministrit të Brendshëm. Shqetësimi i sponsorëve të reformës në drejtësi duhet të ishte në shkallën më të lartë, jo vetëm nga burgosja e një kundërshtari politik, por edhe nga mesazhi që një akt i tillë u përçon banditëve në njërën anë dhe punonjësve të drejtësisë në anën tjetër. Mesazhi se kush është nën sqetullën e pushtetit është i paprekshëm dhe se dënimet politike nuk janë një tabu. Inkurajim për krimin dhe kontroll politik mbi drejtësinë. Mirëpo ambasadat e SHBA dhe BE e panë të arsyeshme të shqetësohen për 12 karriket.

Çështja nuk është se si do të fiket flaka mbi karrike, por pse dhe kush e ndezi atë. Ambasadat sigurisht e dinë, pavarësisht se i shqetëson vetëm pasoja dhe jo shkaku. Për ta kuptuar këtë nuk ka nevojë për ndonjë studim akademik. Mjafton të lexojnë shtypin serioz të vendeve të tyre, i cili pasi bën skanerin e një shteti të kriminalizuar, shpjegon edhe mbylljen e syve nga perëndimi. Para dhe copa Shqipërie për korruptim e lobim në favor të një regjimi që sot ka edhe të burgosurit e tij politikë. Por ama ato 12 karriket janë aq të rënda sa dy fuqitë perëndimore nuk e mbajtën dot peshën dhe më në fund reaguan.

©Lapsi.al

MË TEPËR

Radar1 javë më herët

Adriana Kalaja largohet nga PD, por me ‘biletë kthimi’

Avokatja Adriana Kalaja ka njoftuar largimin e saj nga Partia Demokratike. Kalaja nuk ka kursyer “ankesat” kundrejt kryedemokratit Sali Berisha....

Mix1 javë më herët

6 zakone të përditshme që po ju shkatërrojnë metabolizmin

Ka disa zakone të përditshme që, pa e kuptuar, sabotojnë metabolizmin tuaj dhe e bëjnë më të vështirë humbjen e...

Mix1 javë më herët

“Kumbari” i inteligjencës artificiale, Yoshua Bengio jep alarmin: Modelet e fundit po manipulojnë përdoruesit

Një nga “etërit e inteligjencës artificiale” ka sulmuar një garë multimiliardë dollarëshe për të zhvilluar teknologjinë më të përparuar, duke...

Mix1 javë më herët

Ylli i “Daredevil” ndahet nga jeta në moshën 41-vjeçare

Aktori Devin Harjes, i njohur për rolet e tij në “Boardwalk Empire” dhe “Daredevil”, është ndarë nga jeta, konfirmoi një përfaqësues...

Mix1 javë më herët

Verë e nxehtë në “Netflix”, 5 filmat e shumëpritur të sezonit

“Netflix” ka gati një listë të pasur me filma për verën e këtij viti, duke përfshirë një pjesë të filmave...

Mix1 javë më herët

Si ndryshojnë simptomat e diabetit tek gratë dhe burrat

Megjithëse diabeti është një gjendje që ndikon në nivelet e sheqerit në gjak, ai shfaqet tek femrat dhe meshkujt në...

Mix1 javë më herët

Vaj ulliri me limon për fuqi gjatë ditës

Kjo stinë, është koha e duhur që të përfitoni nga kura e natyrës duke konsumuar vaj ulliri me limon  Kur...

Mix1 javë më herët

Mungesa e zinkut, cilat janë simptomat dhe si ta trajtoni atë

Zinku është një nga lëndët ushqyese thelbësore të përfshira në metabolizmin e proteinave dhe lipideve. Pavarësisht se është një nga...

Mix1 javë më herët

Si të dallosh një narcist? Ja 5 taktika të padëgjuara që përdorin kur debatojnë

Narcistët janë mjeshtra të debatit, por jo për arsyet e duhura. Ata përdorin teknika të sofistikuara për të manipuluar dhe...

Mix1 javë më herët

Jackie Chan: Nëna ime nuk duronte dot të shihte filmat e mi

Aktori i njohur Jackie Chan zbuloi se nëna e tij nuk do ta duronte kurrë të shihte një film të...

Facebook