Mix
“Një numër më shumë në librin e jetës”/ Majlinda Bregu merr detyrën e re në OBSH

Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka njoftuar sot se ka pranuar një detyrë të re në rrugëtimin e saj profesional. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bregu shkruan se do të jetë Komisionere e Komisionit Pan-Europian për Klimën dhe Shëndetin, PECCH, të ngritur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Europë.
Bregu shprehet se do të punojë për të ndërtuar politikat që Europa ka urgjentisht nevojë për të përballuar rreziqet dhe krizat e reja që po prekin gjithnjë e më shumë.
“Me një numër më shumë sot në librin e jetës, po ndaj edhe lajmin se i jam bashkuar në cilësinë e Komisioneres, Komisionit Pan-Europian për Klimën dhe Shëndetin #PECCH, të ngritur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë- Europë!
Së bashku me figura të njohura nga politika, shkenca dhe mjekësia europiane, të përzgjedhura nga rajone të ndryshme të kontinentit, do të punojmë për të ndërtuar politikat që Europa ka urgjentisht nevojë për të përballuar rreziqet dhe krizat e reja që po na prekin gjithnjë e më shumë.
Nuk është për klimën.
Është për jetën
Nga ajri që thithim dhe uji që pijmë, tek siguria ushqimore, valët e të nxehtit ekstrem, përmbytjet, tërmetet dhe përhapja e frikshme e sëmundjeve fizike dhe mendore,-ndryshimet klimatike janë kthyer në një krizë të shëndetit publik.
Mosha e mpreh perspektivën
Mirënjohëse për një vit më shumë & për mundësinë për ta përdorur kohën, përvojën dhe zërin, përtej vetes”,-shkruan Bregu.