Mix
Ngjyra që i bën njerëzit më të lumtur!

Shkenca mbështet idenë se ngjyra e verdhë nxit ndjenjat e lumturisë. Megjithatë, një studim i botuar në Journal of Environmental Psychology tregoi se reagimi emocional ndaj një ngjyre varet nga faktorë të ndryshëm. Për shembull, sipas autorëve të studimit: “Pjesëmarrësit që jetojnë më larg ekuatorit dhe në vende me shira e lidhin më shpesh ngjyrën e verdhë me gëzimin”.
“Mundësia që e verdha të lidhet me gëzim ndryshonte midis 55 vendeve në studimin tonë, nga vetëm 5.7% në Egjipt deri në 87.7% në Finlandë”. Rezultatet mbështesin idenë se mjedisi fizik luan një rol në formësimin e kuptimit emocional të ngjyrave. Pra, vendet që nuk mund të gjejnë kënaqësi nëpërmjet dritës së diellit dhe motit të ngrohtë, ndoshta mund të zhvillojnë një ndjenjë lumturie duke sjellë më shumë ngjyrë të verdhë në jetën e tyre.
“Kur shihni një ngjyrë të caktuar, ajo dërgon sinjale në hipotalamus, të cilat mund të ndikojnë në humorin tuaj duke stimuluar çlirimin e hormoneve të caktuara. Disa ngjyra madje shoqërohen me ndryshime fiziologjike, siç është rritja e presionit të gjakut dhe metabolizmi i përshpejtuar”-tha Dr.Tanja Eliot, influencuese për The Post. “E verdha dhe portokallia shoqërohen me lumturinë”-shtoi ajo.
Lumturia është relative. Disa e gjejnë te pasuria materiale, të tjerë mjaftohen me dashurinë e një njeriu pranë. Por kur arrihet lumturia e plotë? Këtë pyetje e ka trajtuar studimi i realizuar nga Universiteti i Harvardit, i cili nisi në vitin 1938 dhe përfshiu 268 studentë nga të cilët vetëm 19 janë gjallë sot dhe janë rreth 90 vjeç. Pas dekadash vëzhgimesh, studiuesit arritën në një përfundim: mosha kur njerëzit ndihen më të lumtur është 60 vjeç.
Sipas Robert Waldinger, profesor i psikiatrisë dhe drejtues i studimit, nuk janë pasuria, inteligjenca apo gjenet ato që ndikojnë më shumë në lumturinë dhe jetëgjatësinë tonë por cilësia e marrëdhënieve. “Marrëdhëniet e forta mbrojnë individin nga trishtimi, ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit mendor dhe fizik, dhe madje ndikojnë më shumë se kolesteroli apo gjendja ekonomike”-shprehet Waldinger.
