Lidhu me ne

Letersi

Të gjitha i humbëm duke dashuruar

  Osip Mandelshtam (1891 – 1938)

Tristia

Shkencën e ndarjes mirë e pata njohur
flokëshprishur netësh ankestare.
Mbllaçiten buajt, pritja s’ka të sosur,
të mbramen orë vigjiljesh qytetare,
nderoj at’ rit të natës këndezore
kur, teksa ngre të rëndën brengë rrugash –
kundronin larg sytë përlotur prore
dhe kuj’ e grave shkrihej këngë muzash.

 

Kush mund ta dijë ç’fsheh fjala – ndarje,
dhe çfarë lamtumire ne na pret,
ç’na parathotë këndezi tej dritarje
kur në akropol zjarri kërcet,
dhe në agshol të ndonjë jete të re
kur kau përtyp prâjshëm bar e gjeth,
përse o gjel, tellall’ i jetës së re
mbi murin e qytetit krahët rreh?

 

Dhe gjej hare në t’rëndomtën tjerrje:
kur druga sillet, boshti kërkëllin.
Kundro, karshi, porsi push mjellme
zbathur rend Delija n’përqafim.
O, i cekët shtrat’ i jetës sonë,
o sa e mjerë gjuha ndër gëzime!
Gjithë si qëmoti, rishmi kthen gjithmonë,
veç grim’ e njohjes ne na mbush galdime.

 

Shkruar qoftë: figurëz e tejdukshme
prehet një pjate – larë deltinë,
e hapur si gëzof ketrusheje
përkulur sheh mbi dyll një çupëlinë.
S’e duam fallin për Erebin grek,
i grave dyll – për burrat – tunxh i gjallë.
Betejash shorti neve na hap shteg,
atyre – vdekjen, duke shtirë fall.

1918

 

*   *   *

Çurga e artë e mjaltit prej shishes rrodhi
Aq gjatë e mundimshëm, sa amvisa mundi të falet:
– Në pikëlloren Tauridë, ku fati na ndolli,
S’mërzitemi dhe aq, – dhe me sytë tanë përballet.

 

Gjithkah shërbimi i Bakusit, thua kësaj bote pritet:
Sall rojet dhe qentë – kalon, askënd nuk sheh shtigjesh –
Porsi fuçi të rënda, të paqta rrokullisen ditët:
Tej, zëra kasollesh – nuk i kupton, nuk u përgjigjesh.

 

Pas çajit dolëm në kopshtin e madh të kafenjtë,
Si qerpikë në dritare lëshuar – perdja e errët.
Kolonash bardhoshe hardhitë në rreshta të drejtë
Dhe derdhen qelqesh ajrore malet e fjetur.

 

U thashë: Rrushi gjëllon mu si betejash të ra,
Ku kalorës kaçurrelë luftojnë në rradhë kaçurrele,
Në Tauridën e gurtë – shkenca e Helladës – dhe ja
Desjatinat e arta fisnike, të ndryshkurat lehe.

 

Po në dhomën e bardhë, si çikrik, – qetësi’ e shtanguar.
Kundërmon uthull, bojë dhe rrush të freskët bodrumi.
E mban mend? në shtëpinë greke? gruaja gjithkujt dashuruar, –
Jo Helena, tjetra, – zot, sa gjatë ajo thuri?

 

Bashkë e artë, ku je ti pra, moj bashkë e artë?
Shkundulluan gjithë udhës suvalët detare n’errësirë,
Dhe, tek anijen braktis, me velat fërtele, në varkë
Kthehet Odiseu, nginjur me Kohë e Hapësirë.
1917

 

 

Kasandrës

 

Çastesh t’lulëzuara s’kam dashtë të kem
buzët e tua, Kasandër, tuat sy,
por, në dhjetor të kremtimit solemn
kujtimi do na djegë të dy!

Të gjitha i humbëm, duke dashuruar
në dhjetor të vitit shtatëmbëdhjetë:
Dikush u grabit me vullnetin e popullit,
tjetri grabiti veten e vet…

Por, kjo jetë në qoftë domosdo deliri,
dhe pyll’ i anijtë, pallate – vargmale, –
fluturo, pra, fitore e paduar –
o murtajë hiperboreale!

Midis autoblindash, bash në shesh
unë shoh një njeri: ai
me urë të ndezur ujqit tremb:
me ligj, me liri, me barazi!

Dallëndyshkë moj, e mira Kasandër,
ti rënkon, ti digjesh – për çfarë
na ndriçoi dielli i Aleksandrit
të gjithëve, qind vjet më parë?

Herëdokur, në kryeqytetin e vështirë,
kur skithët në breg Nevë të shtrojnë gostinë,
nën tingujt e ballos së këllirë
prej kokës së bukur do t’ta shkyjnë shaminë.

Dhjetor 1917

 

*   *   *

Për burrninë zamadhe të shekujve që vijnë,
Për fisin e naltë njerëzor,
Pa kupë më lanë në gostinë e etërve,
Pa gazin, pa nderin burrnor.

 

Mbi shpinë më sulet shekulli i ujkut,
Por ujk për nga gjaku nuk jam:
Ngjeshmë si shapkë në mëngën e xhupit
Të stepave me afsh siberian.

 

Që mos t’shoh frikën, as llurbën vrastare,
As eshtrat përgjakur koçive;
Që natën ta zbardhin dhelprat polare
Me hiret e tyre primitive, –

 

Më shpjer pra menatë, ku rrjedh Jenisej
Ku pisha mbërrin gjer tek yjtë.
Se ujk unë nuk jam nga gjaku në dej
Dhe veç i barabarti më mbyt.

 

 

*   *   *

Lahesha oborrit një ndajnatë –
qielli prushëronte yjet-shpuzë.
Rrezj’ e ylltë – si kripa në sëpatë,
Ngrinte vozëz mbushur buzë për buzë.

 

Mbyllur kudo portatt çdo shtëpi,
Toka kish ndërgjegje egërshane.
M’i pastër se pëlhura pa një vijë,
Zor të gjesh taban kund kësoane.

 

Ylli shkrin në vozë, si kokërr loti.
Uji nxin ngyjrash të skëtershme,
M’i pastër se vdekja, m’i njelmë se kobi,
Toka më reale, më e tmerrshme.

 

*   *   *

Fjalën që desha ta them, e harrova ngaherë.
Dallëndysha e verbër kthen në pallat hijesh –
Të luajë me tejdukshmëritë, falërprerë.
Këndohet këng’ e natës, jerm dalldish.

 

S’dëgjohen shpesë. I pavdekshmi s’lulëzon.
Flu i ka jelet kopeja e kuajve të natës.
Në lumë të thatë një çorape bosh pluskon.
Mes farkëtarëve i bie të fikët fjalës.

 

Si shatorre a tempull rritet pak e grimë,
Herë si Antigonë e çartur turret drejt,
Herë si dallëndyshë bie përdhe pa frymë
Me brishtësinë stigjiane dhe degën e blertë.

 

O, nëse do t’i kthehej turpi i gishtave që shohin
Gëzimi marrok i njohjes, galdimet.
Sa tmerr më kall kuja e Aonidave,
Mjegullat, zgafellat e kumbimet.

 

Vdektarët e kanë pushtetin të duan e të dinë,
Për ta dhe tingulli rrjedh mes gishtash,
Por ajo që desha të them humbi në harrim
Dhe i pakurm mendimi kthen në pallat hijesh.

 

Për të s’na jep aspak grimë siguri,
Mikesha, Antigona – po ajo dallëndyshë …
Ndërsa në buzë, djeg si akull i zi
Kujtimi i tingullit të Stigjisë.

 

 

*   *   *

Ngase duart e tua s’munda t’i mbaj në besë,
Ngase t’brishtat buzë të njelmëta tradhëtova qëkuri –
Në akropolin e fjetur duhet agsholin të pres.
Sa i urrej të lashtat ngrehina kutërbuese prej druri!

 

Burrat akej shalojnë me ngut kuajtë n’errësirë,
Me sharra dhëmbaçe gërryejnë muret-guackë.
Gjaku s’i ndal më aspak poterë as mënxyrë
dhe s’ka për ty më as emër, as tingull, as maskë.

 

Si munda t’mendoj që u ktheve, si kam guxuar?
Dhe pse u ndava teje para kohe aq lehtë.
Ende nuk është mpiksur terri, gjeli s’ka kënduar,
Ende nuk është ngulur në dru sëpata e nxehtë.

 

S sumbull e tejdukshme loti rrodhi muresh rrëshira,
Dhe brinjët e drunjta i ndjeu qyteti sakaq.
Por plasi gajku në shkallë me shkulme, drithëtira,
Dhe burrave tre herë vegimi joshës iu shfaq.

 

Ku është Troj’ e dashtun? E vashavet shpia mbretnore?
E larta folezë e Priamëve rrënuar do jetë në themel.
Por bien si shi i thatë prej druri shigjetat mizore
Dhe të tjera shigjeta mbijnë në tokë si zabel.

 

Të mbramit yll i fiket pa bëza fitil’ i avashtë,
Dhe agu, dallëndyshë e irnosun, dritores do trokasë,
Dhe dita, e ngathët, si buell shpërgjumur në kashtë,
Mullarësh të ashpër, prej gjumit të prajtë do të shkasë.

 

1920

 

Përktheu nga rusishtja: Agron TUFA

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Kryesore19 orë më herët

Shkatërrim në masë/ Qeveria pranon zyrtarisht se taksimi do të mbyllë gjysmën e profesioneve të lira

Klodian Tomorri Kur paraqiti projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024 në Parlament, Ministria e Financave programonte se taksimi i...

Radar19 orë më herët

Në vend të japë llogari për 3 mandate, Rama merr në pyetjet Fevziun e Mark Markun

nga Anta Muçaku E ju prisni media e gazetari cilësore! Si mund të kemi gazetari cilësore kur Dekanin e Fakultetit...

Mix19 orë më herët

3 Ushqimet më të mira për shëndetin e dhëmbëve

Ushqimet luajnë një rol kyç në shëndetin e dhëmbëve dhe për buzëqeshjen. Larja dhe pastrimi në imtësi i dhëmbëve, por...

Mix19 orë më herët

Valbona Selimllari: E shoh shpesh videon kur u shpalla Miss, nuk më pëlqen

Valbona Selimllari ka treguar me shumë për jetën dhe karrierën e saj. Teksa ishte e ftuar ditën e sotme në...

Mix19 orë më herët

Shenjat e hershme (përveç testit) që tregojnë se jeni shtatzënë

FOTO: GETTY IMAGES Kur mendoni për shenjat dhe simptomat e shtatzënisë, ato klasike që të vijnë në mendje janë shpesh...

Mix19 orë më herët

Penelope Cruz (50 vjeç) tregon sekretin e bukurisë

GETTY IMAGES Ky vit i është dedikuar me gjithë dashurinë dhe fuqinë grave të Hollywood që janë mbi të 50-tat...

Mix19 orë më herët

Disa emra të shkurtër për bebushat, frymëzuar nga VIP-at shqiptarë

Emrat e shkurtër janë gjithnjë e më në modë. VIP-at shqiptarë nuk u kanë rezistuar trendit me emrat që memorizohen...

Mix19 orë më herët

Brad Pitt zbuloi tre “super filmat” që nuk donte t`i bënte: E urreja të punoja aty!

Brad Pitt ka zbuluar se në cilët filma e ka urryer të punonte, edhe pse ato rezultuan ne fakt, nje...

Mix19 orë më herët

Zayn Malik tregon eksperiencën e tij të të jetuarit në zemër të natyrës, larg metropolit!

Artisti, i cili transformoi botën e muzikës pop, tregon eksperiencën e tij të të jetuarit në zemër të natyrës, larg...

Mix19 orë më herët

Një nga femrat më të bukura në botë, Emily Ratajkowski pa fat në dashuri!

Emily Ratajkowski tërhoqi të gjithë vëmendjen në një event bamirësie në Nju Jork. Modelja ktheu kokën me një fustan me...

Facebook