Lidhu me ne

Letersi

Theofan Stilian Noli ( Fan Noli ) poezia ANËS LUMENJVE – Analiza – Recitimi i Timo Fllokos

Fan Noli - Wikipedia


ANËS LUMENJVE

Arratisur, syrgjynosur,
rraskapitur dhe katosur
po vajtonj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
ku e lam’ e ku na mbeti,
vaj-vatani e mjer mileti,
anës detit i palarë,
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pangrënë,
pranë dijes i panxënë,
lakuriq dhe i dregosur,
trup e shpirt i sakatosur.

se ç’e shempnë derbederët,
mercenarët dhe bejlerët,
se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
nënë thundrën e përdhunës
anës vjosës, anës bunës.

Çirem, digjem i vrerosur,
sakatosur, çarmatosur,
as i gjall’, as i varrosur,
pres një shenj’ e pres një dritë,
pres me vjet’ e pres me ditë,
se ç’u tera, se ç’u mpaka,
se ç’u çora, se ç’u mplaka,
lark prej vatrës dhe prej punës,
anës rinit, anës tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.

dhe një zë vengon nga lumi,
më buçet, më zgjon nga gjumi,
se mileti po gatitet,
se tirani lebetitet,
se pëlcet, kërcet furtuna,
fryhet vjosa, derdhet buna,
skuqet semani dhe drini,
dridhet beu dhe zengjini,
se pas vdekjes ndriti jeta
dhe kudo gjëmon trumbeta.
ngrehuni dhe bjeruni,
korini dhe shtypini,
katundar’ e punëtorë,
që nga shkodra gjer në vlorë!

ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
anës vjosës, anës bunës.

arratisur, syrgjynosur,
raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.

– Poezi nga Fan Noli

Fan Noli, ky veprimtar i madh kombëtar, por edhe studjues, përkthyes brilant e poet origjinal, ka një poezi të cilën nuk ka shqiptar të mos e dijë. Quhet “Anës lumenjve”. Ajo ka qënë e mbetet prej të paktën shtatë dekadash në antologjitë letrare të të gjithë nivelit të shkollave tona. Mes të tjerash në atë poezi, e cila duhet thënë se shtysë kryesore përveç frymëzimit artistik ka patur pasionin edhe për të goditur shenjën politike kundërshtare, mbretin Ahmet Zogu, ka një strofë të veçantë. Në të thuhet se ne shqiptarët jemi pranë sofrës të pangrenë, ndodhemi pranë dijes të panxënë, gjendemi pranë dritës të paparë si edhe rrimë pranë detit të palarë. Me këto katër antiteza të mbërthyera në vetëm katër vargje kombi ynë mund të jetë i sigurtë se ruan në kujtesën e vet jo vetëm një nga kritikat më të mëdha që i bëhet, por përse të mos themi se prej elitarit të tij i janë bërë po ashtu edhe katër akuza shumë të forta. Do të mjaftonte vetëm njëra nga këto, e botuar në një të përditshme të botës dhe e firmosur nga çdo gazetar i huaj, që të shkaktonte në opinionin tonë ndjenjën e mobilizimit total për t’i kthyer përgjigjen e menjëhershme: Mos na ndotni imazhin!
Por ndërsa me Faik Konicën për ironinë e tij të hidhur ndaj shqiptarëve mund të ketë ndodhur t’i jemi zemëruar ndopak, me Fan Nolin kjo çuditërisht nuk ka ndodhur. Mësuesë, kritikë letrarë e propagandistë qeveritarë të palodhur për dekada të tëra i kanë shpjeguar këto katër vargje nolianë me arsyen se ai ka përshkruar vetëm një regjim që e gjykonte se po i sillte popullit të tij të këqija të mëdha e që duhej përmbysur. Veç koha që sqaron gjithçka dëshmoi se Ahmet Zogu kishte të metat e tij, por jo pak edhe vlera. Po ashtu u bë e qartë se Shqipëria me të bëri hapa përpara e mbrapsht na ktheu pushtimi fashist me në eurolindje të gjitha pasojat radikale të Luftës së Dytë Botërore.
Patjetër Fan Noli, po të mendonte se asgjë nga kritikat e tij ndaj bashkëkombasve nuk qendronte, ishte kaq i ditur sa të mos e njolloste vendin e vet për hatër të djallëzimit të kundërshtarit të tij politik. Sepse brenda katër vargjeve të tij ka jo vetëm thërrime të vërtetës, por lendë të plotë të saj, ai i shkruajti dhe nuk u pendua kurrë. Jemi ne, të paktën lexuesit e tij të vitit 2007, që duhet të reflektojmë. Ca më tepër ta bëjmë këtë gjë sëbashku kur ndodhemi para ngjarjesh të mëdha, epokale, fate të ëndërruara në shekuj, siç është ai i bashkimit me familjen e vendeve të zhvilluara të kontinentit. Ca më shumë na duhet të reflektojmë mbi këto katër vargje lapidarë të një ndër veprimtarëve më të mëdhenj kombëtarë që kemi, sepse matim edhe sa e kemi hedhur hapin tonë përpara në këtë botë që vrapon. Kur Fan Noli thotë se jemi pranë sofrës të pangrenë kemi të drejtë të pohojmë se më në fund, pas një diktature që u vetizolua dhe na mori e na la me sistemin e triskave, shumica e shqiptarëve tanimë hanë normalisht e mirë. Por kjo është një temë më vete dhe ironia e Nolit mbetet vetëm në thelbin se një vend me klimë e kushte kaq inkurajuese për bujqësinë sa Shqipëria ka mundësi shumë herë më të larta. Fan Noli po ashtu ka shkruar se jemi pranë dijes të panxënë, por për fat kjo është e meta më e koregjuar. Që në kohën e realkomunizmit e veçanërisht pas vitit 1990 jemi pranë dijes duke nxënë. Jemi një popull e vend arsimdashës. Po kështu edhe vargu që thotë se jemi pranë dritës së paparë, duhet rishikuar për të vërtetën e saj. Shqiptarët janë pranë dritës duke e parë. Mjafton të kemi në konsideratë mënyrën dhe shpejtësinë me të cilën po integrohen pozitivisht në vendet e tjera pjesa dërmuese e bashkëkombasve tanë si edhe gjenerata e re këtu te ne.
I vetmi varg që duket se pothuaj nuk ka lëvizur nga përmasat e tij të të vërtetës së tetë dekadave më parë ka të bëjë me qortimin nolian se jemi pranë detit të palarë. Ndoshta ky është edhe më i rendi, sepse ka brenda atë fjalën “i palarë“ që të bën të turfullosh nga lendimi në sedër. Ky varg mbase në kohë të ndryshme mund të lexohet dhe interpretohet në kontekstin real të përjetuar. Dhjetë vite të shkuara çdo njeri prej nesh mund të kishte gjetur një mesazh tjetër, kurse tani autorit të këtyre rradhëve i duket se interpretimi më i aktualizuar i tij ka të bëjë me furniziminin e shqiptarëve me energji elektrike. Krizat tona të përsëritura energjetike, sikur të mos mjaftonin kriza të tjera që na vërtiten nëpër gadishull apo që i prodhojmë në luftën e brendshme për pushtet, tani ka marrë përmasat e një defekti problematik të shtetbërjes sonë apo të vetqeverisjes. Kanë gati shtatëmbëdhjetë vite që bota dhe qendrat e saj të vëzhgimit na ndjekin me vëmendje. Jo përherë ato qëllojnë në shenjë me konkluzionet apo propozimet e rrugëdaljeve, por një gjë mbetet konstante: na shohin si popull problematik dhe me mangësi të mëdha të aftësisë sonë për zhvillim harmonik. Shqipëria është popull normal dhe me të nuk mund të përdoret gjuha e drunjtë, por në opinionin ndërkombëtar disa pyetje, dyshime e kushte tashmë janë fiksuar e ngurrosur. Këto janë tre “Bëni zgjedhje normale, furnizoni popullin me korent, plotësoni nevojat me ujë!”
Kemi pranuar standarte shumë më të përparuara se këto e megjithatë kemi mbetur të lëmshuar tek këto tre nyje gordiane. Dhe për dramën tonë që të tre këto nyje gunga nuk kanë të bëjnë fare me standartet e eurointegrimit. Votimi, furnizimi me ujë dhe korent janë kushtet fillestare të vetorganizimit të një bashkësie njerëzish. Eurostandartet nisin pas plotësimit të tyre. BE duke ofruar firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizimit Asociimit është treguar dorëlëshuar me ne. Duhej të na vinte parakushte votimin normal dhe furnizimin me korent e ujë e pastaj të na ulte në tavolinën e firmosjes së MSA-së.
Tani kemi mbetur këtu, në fund të tre maleve, që si në legjenda duhet t’i kapërxejmë. Të gjitha ekipet, llojet e sondazheve e të mbledhjeve mund të bëhen për të gjetur shkaqet e dështimit të kësaj apo asaj partie (oh, sa shumë energji dhe kohë i rrëmben Shqipërisë politika që merret me politikën!)”, por kryembledhja më e madhe mbetet ajo e zgjidhjes së këtyre tre superproblemeve. Sepse pa votim normal e pa furnizim pa ndërprerje me korent e ujë i thonë që shqiptari në vitin 2007 të jetë saktësisht “pranë detit i palarë”.
Të nxitur nga kjo temë takuam kohë më parë profesor Fahrudin Hoxhën. Pasi e siguruam se nuk dëshironim të bënim patjetër një shkrim për të (kjo ishte edhe kërkesa e tij kembëngulëse) i shpallëm lutjen tonë: Ujë kemi plot, rezerva të tjera energjetike po ashtu, nuk na mungojnë edhe shkencëtarët si ju. Çfarë na mungon, i dashur profesor, që të kemi korent vazhdimisht?
Fahrudin Hoxha, një nga studjuesit e projektuesit më të mirë të hidroçentraleve në Ballkan, u përgjegj vetëm për ato pyetje që nuk e vinin në vështirësi me etikën e tij. Kështu për lexuesin nuk i morrëm konkluzionet që bëri, por vetëm të dhënat. Konkluzionet le t’i nxjerrë secili nga ne, porse të dhënat vërtetonin katërcipërisht Fan Nolin dhe qortimin e tij të madh e tronditës të viteve tridhjetë të shekullit të shkuar.
Kështu sipas dijetarit Shqipëria për potencialin e saj energjetik ka një fat që shumë vende të botës nuk e gëzojnë dot. Sipas akademik Fahrudin Hoxhës ne jemi të parët për këtë pasuri në hapësirën ku përfshihen edhe Maqedonia, Greqia e Mali i Zi. Këtë epërsi shqiptarët mund ta kishin shfrytëzuar jo vetëm për të plotësuar nevojat e brendshme, por edhe të eksportonin energji në drejtim të vendeve rrethues. Profesori thotë se në ka pasuri të madhe në këtë Shqipëri është ajo e rezervave ujore. Si pasojë e një pune të mirë (në një sistem të keq) bërë gjatë realkomunizmit vendi ynë deri edhe vjet në një konferencë ndërkombëtare të mbajtur në Barcelonë të Spanjës, në statistika ende vlerësohet ndër vendet më të përparuara në Evropë për tokë të ujitur për frymë. Tanimë Shqipëria të trashëguar nga regjimi i shkuar ka 640 rezervuarë, veç të keqmbajtur e trajtuar mizorisht. Ndërkohë sistemi ynë energjetik i realkomunizmit përveç hidroçentraleve zotëronte 25 termocentrale. Nuk furnizonin vetëm me energji dhe avull industrinë autarkike të kohës, por edhe qytetet në rastet e thatësirës. Kur shoqëria jonë iu hap ekonomisë së tregut si ndodhi që të paktën disa prej tyre nuk u ruajtën dhe nga me qymyrguri të ktheheshin me naftë? Maqedonia ka dy Tec-e të mëdhenj të kohës së komunizmit, një e mban në punë dhe tjetrin, meqë ka rendiment të ulët, e ruan në rezervë. Patjetër duke e mirëmbajtur. E përdor vetëm për çast të vështirë. Hidroçentralet kaskadë të Drinit rezultuan pasuria më vyer e komunizmit sepse prej shtatëmbëdhjetë vitesh po mbajnë të gjallë demokracinë shqiptare. Porse tani kjo kaskadë, nga mosmbajtja mirë, duket sikur është ndërtuar një shekull më parë. Ndërkohë hidroçentralin e madh të Banjës viti 1990, duke na shpëtuar nga e kaluara, e la përgjysëm si gërmadhë. Të gjitha këto vepra energjetike janë bërë me djersën e shqiptarëve dhe mbeten pronë e popullit, por a mund të trajtohet kështu një pronë? Kur grupi komunist i Enver Hoxhës elektrifikoi Shqipërinë si shtysë kryesore kishte të shpërndante kudo “dritën e Partisë”. Në të vërtetë ajo rezultoi errësirë, por tani që kërkohet dritë nga qytetërimi perëndimor përse nuk ka të njëjtin frymëzim dhe pasion për të patur shqiptarët korent pa ndërprerje?
Shkencëtari i nderuar Fahrudin Hoxha jep shpjegimet e veta si edhe rrugët e daljes nga kjo humbellë. Shumë studjuesë të tjerë plot largpamje kanë shprehur në media e publikisht rrugëzgjidhjet e tyre. Mund të thuhet se “truri” për të kapërxuer superkrizën energjetike nuk na mungon, e kemi në nivel bashkëkohor. Pra “deti” është edhe me ujë dhe me mendje specialistësh. Se çfarë e mete e shoqërisë sonë bashkë me ndonjë grup të saj pranë këtij “deti” vazhdon të na lerë “të palarë” nuk do të ishte e udhës ta kërkonim të na e thoshte edhe këtë gjë Fan Noli.

Ylli Polovina

MË TEPËR

Kryesore20 orë më herët

Shkatërrim në masë/ Qeveria pranon zyrtarisht se taksimi do të mbyllë gjysmën e profesioneve të lira

Klodian Tomorri Kur paraqiti projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024 në Parlament, Ministria e Financave programonte se taksimi i...

Radar20 orë më herët

Në vend të japë llogari për 3 mandate, Rama merr në pyetjet Fevziun e Mark Markun

nga Anta Muçaku E ju prisni media e gazetari cilësore! Si mund të kemi gazetari cilësore kur Dekanin e Fakultetit...

Mix20 orë më herët

3 Ushqimet më të mira për shëndetin e dhëmbëve

Ushqimet luajnë një rol kyç në shëndetin e dhëmbëve dhe për buzëqeshjen. Larja dhe pastrimi në imtësi i dhëmbëve, por...

Mix20 orë më herët

Valbona Selimllari: E shoh shpesh videon kur u shpalla Miss, nuk më pëlqen

Valbona Selimllari ka treguar me shumë për jetën dhe karrierën e saj. Teksa ishte e ftuar ditën e sotme në...

Mix20 orë më herët

Shenjat e hershme (përveç testit) që tregojnë se jeni shtatzënë

FOTO: GETTY IMAGES Kur mendoni për shenjat dhe simptomat e shtatzënisë, ato klasike që të vijnë në mendje janë shpesh...

Mix20 orë më herët

Penelope Cruz (50 vjeç) tregon sekretin e bukurisë

GETTY IMAGES Ky vit i është dedikuar me gjithë dashurinë dhe fuqinë grave të Hollywood që janë mbi të 50-tat...

Mix20 orë më herët

Disa emra të shkurtër për bebushat, frymëzuar nga VIP-at shqiptarë

Emrat e shkurtër janë gjithnjë e më në modë. VIP-at shqiptarë nuk u kanë rezistuar trendit me emrat që memorizohen...

Mix20 orë më herët

Brad Pitt zbuloi tre “super filmat” që nuk donte t`i bënte: E urreja të punoja aty!

Brad Pitt ka zbuluar se në cilët filma e ka urryer të punonte, edhe pse ato rezultuan ne fakt, nje...

Mix20 orë më herët

Zayn Malik tregon eksperiencën e tij të të jetuarit në zemër të natyrës, larg metropolit!

Artisti, i cili transformoi botën e muzikës pop, tregon eksperiencën e tij të të jetuarit në zemër të natyrës, larg...

Mix20 orë më herët

Një nga femrat më të bukura në botë, Emily Ratajkowski pa fat në dashuri!

Emily Ratajkowski tërhoqi të gjithë vëmendjen në një event bamirësie në Nju Jork. Modelja ktheu kokën me një fustan me...

Facebook