Lidhu me ne

Kioske

Viktimizimi kronik i PD-së – dorëzim në fatalitet



Nga Ermal Mulosmani

Për të krijuar një ide më të saktë për atë që ndodhi në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike hyra në faqen zyrtare të PD-së në FB  (një faqe kjo me rreth 320 mijë fansa).

Postimi i fundit në atë faqe ishte bërë një ditë më parë. Ishte linku ku mund të lexoje të gjithë emrat e Këshillit Kombëtar të sapozgjedhur të Partisë. Postimi kishte marrë deri në kohën që e lexova unë 91 like, 2 komente dhe 23 share. Kujtoj që numri i anëtarëve të zgjedhur ishte 300 persona.

Me fjalë të tjera, në 24 orë, të zgjedhurit e rinj as nuk kishin begenisur të bëjnë “like” postimin e Partisë ku emri i tyre radhitej midis 300 “petritave” që do na çlirojnë nga Edi Rama…. Lëre pastaj të tjerët, anëtarësia apo 622 mijë votuesit e saj.

Pak më poshtë, në atë faqe, ishin fjalimet kryesore të mbajtura në Kuvend. Dëgjova 4 prej tyre, Lulzim Bashën, Mark Markun, Tomor Alizotin dhe Fatbardh Kadillin.

Zgjodha të dëgjoja Alizotin për arsye se ishte postimi më i pëlqyer dhe i shpërndarë ndër gjithë diskutantët e Kuvendit dhe mendova se diçka do të kishte aty.

Drejtuesi i Qarkut të Beratit, zoti Alizoti, e vinte theksin te aleanca e Mafias me Shtetin dhe Oligarkinë si trinomi që po mban në pushtet regjimin e Ramës. Me një ton e stil më të prajtë e njerëzor sesa i Bashës por me të njëjtën logjikë diskutimi, ai tha :

Mos bini në kurthin e shpërqëndrimit të temës. Tema kryesore është manipulimi i cili është kthyer në industri. Kushdo Kryetar që të vijë do përballet me tre elemente : Mafian, Shtetin dhe Oligarkinë. Ai që do arrijë të zbërthejë këto unë do ta votoj për Kryetar të përjetshëm të Partisë”.

Pra, sipas zotit Alizoti, nuk duhet të shtrohen “tema dytësore” si demokrtatizimi i Partisë, legalizimi i fraksioneve, lidhjen e postit të Kryetarit të Partisë me rezultatin zgjedhor etj etj. Meqenëse Kryetari që i zbërthen ato tre elementet nuk ekziston, atëherë të rrimë me këtë që kemi se nuk kemi ku gjejmë tjetër…

Pëlqimi masiv i fjalës fataliste të zotit Alizoti ishte një tregues i dorëzimit kolektiv të shpresës nga komuniteti i asaj Partie. Përqendrimi vetëm te vjedhja inxhinierike, profesionale, mafioze e zgjedhjeve nga regjimi përballë “dëlirësisë ëngjëllore” të demokratikasve dhe mosdorëzimi i tyre në “baltovinën kriminale” për të luftuar me të njëjtat mjete, është praktikisht falimentim i shpresës!

Një besimtar i kauzës së Partisë Demokratike, një votues i saj (një komunitet i madh ku bëj pjesë edhe vetë), një qëndrestar historik që nuk u dorëzua kurrë, pasi dëgjon fjalime të tilla qaramane, viktimizuese, bie në një pesimizëm total. Kur fjalime të tilla përsëriten nga zgjedhja në zgjedhje kemi të bëjmë me fenomenin e viktimës kronike, një lloj dashurie për dhunën e kundërshtarit pasi kështu plotësohen kushtet për ankim.

Viktimat kronike janë njerëz që besojnë fuqimisht se faji i asaj që u ndodh atyre është ekskluzivisht i të tjerëve. Viktima kronike ngushëllohen duke u ankuar, viktimizimi është gjendja e tyre natyrale.

Këta njerëz janë të bindur se nuk kanë asnjë faj, se nuk ka asgjë për të kritikuar në sjelljen e tyre. Përkundrazi, ata vënë theksin te epërsia morale e tyre, “zotnillëku” demokratik, mospërzierja me krimin apo sjelljet dinjitetoze si parti historike e djathtë.

Meqenëse përgjegjësia u takon të tjerëve, ata nuk e pranojnë kritikën konstruktive. Këtë e quajnë shpërqëndrim nga tema kryesore! Në fund të fundit, ata janë viktima, çfarë dreqin kërkohet më shumë nga një viktimë?!

Por e vërteta e madhe është që lidershipi nuk është aspak viktimë. Ata që mbajnë fjalimet patetiko-viktimizuese janë funksionarë të lartë që do gëzojnë privilegjet e deputetit apo funksionarit partiak për 4 vjet. Ata ishin aty për të udhëhequr në rrugën drejt pushtetit. Në rast se nuk e arrijnë pushtetin duhet të  ndërrohen. Pa kushte, pa nëse. Kjo është demokracia. Nëse je trajner i Barcelonës apo Real Madridit dhe nuk del kampion për dy vite rresht askush nuk të dëgjon arsyet, je i shkarkuar.

Viktima janë masa e madhe e votuesve të PD-së, ata që i kishin varur shpresat për tu çliruar nga dhuna e regjimit te këta funksionarë të lartë. Në një ndarje simbolike të shifrës prej  622,187 të votuesve të PD-së, viktima kronike janë 622 mijë ndërsa përfitues kronikë të këtyre viktimave janë më pak se 187.

Mirëpo sindromi i viktimës është përhapur masivisht në radhët e demokratikasve dhe ky është shqetësimi real. Më shumë sesa fjalimet viktimizuese të udhëheqësve më shqetësoi pëlqimi i tyre masiv…

I vetmi fjalim real, që vinte gishtin në plagë, që bënte dallimin me të tjerët, ishte fjalimi i zotit Fatbardh Kadilli. Unë nuk them që zoti Kadilli është personi i duhur për të drejtuar PD-në. Por, padyshim që është i zoti për t’i vënë pikat mbi “i”. Ai tha në fjalimin e tij gjithçka një votues i PD-së, i çliruar nga ndikimi i Kryetarit, do të donte të dëgjonte. Deri edhe qëndrimin ndaj Berishës këtë radhë e kishte pa ekuivok:

“Qytetarët duan një parti të pastër nga çdo njollë e së shkuarës. Kjo kërkon kurajo nga çdo trashëgimi që na kompromenton dhe na mban peng nga e shkuara sado emocione të na lidhin me atë. Herët a vonë të gjithë do të ballafaqohemi me të shkuarën për të ndërtuar të ardhmen, për tu ndarë nga çdo gjë e keqe që kemi prodhuar ne vetë.”

A ishte ky qëndrimi i duhur ndaj Berishës? Nuk jam i bindur. Por deri më sot Kadilli është i vetmi funksionar i PD-së që ka folur hapur dhe me kurajo për një çështje kaq delikate e cila mundet të ketë kosto të lartë politike për të. Për momentin Kadilli është zëri më i lirë në PD.

Deri sa të përjashtohet.

MË TEPËR

Kryesore23 orë më herët

Shkatërrim në masë/ Qeveria pranon zyrtarisht se taksimi do të mbyllë gjysmën e profesioneve të lira

Klodian Tomorri Kur paraqiti projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024 në Parlament, Ministria e Financave programonte se taksimi i...

Radar23 orë më herët

Në vend të japë llogari për 3 mandate, Rama merr në pyetjet Fevziun e Mark Markun

nga Anta Muçaku E ju prisni media e gazetari cilësore! Si mund të kemi gazetari cilësore kur Dekanin e Fakultetit...

Mix23 orë më herët

3 Ushqimet më të mira për shëndetin e dhëmbëve

Ushqimet luajnë një rol kyç në shëndetin e dhëmbëve dhe për buzëqeshjen. Larja dhe pastrimi në imtësi i dhëmbëve, por...

Mix23 orë më herët

Valbona Selimllari: E shoh shpesh videon kur u shpalla Miss, nuk më pëlqen

Valbona Selimllari ka treguar me shumë për jetën dhe karrierën e saj. Teksa ishte e ftuar ditën e sotme në...

Mix24 orë më herët

Shenjat e hershme (përveç testit) që tregojnë se jeni shtatzënë

FOTO: GETTY IMAGES Kur mendoni për shenjat dhe simptomat e shtatzënisë, ato klasike që të vijnë në mendje janë shpesh...

Mix24 orë më herët

Penelope Cruz (50 vjeç) tregon sekretin e bukurisë

GETTY IMAGES Ky vit i është dedikuar me gjithë dashurinë dhe fuqinë grave të Hollywood që janë mbi të 50-tat...

Mix24 orë më herët

Disa emra të shkurtër për bebushat, frymëzuar nga VIP-at shqiptarë

Emrat e shkurtër janë gjithnjë e më në modë. VIP-at shqiptarë nuk u kanë rezistuar trendit me emrat që memorizohen...

Mix24 orë më herët

Brad Pitt zbuloi tre “super filmat” që nuk donte t`i bënte: E urreja të punoja aty!

Brad Pitt ka zbuluar se në cilët filma e ka urryer të punonte, edhe pse ato rezultuan ne fakt, nje...

Mix24 orë më herët

Zayn Malik tregon eksperiencën e tij të të jetuarit në zemër të natyrës, larg metropolit!

Artisti, i cili transformoi botën e muzikës pop, tregon eksperiencën e tij të të jetuarit në zemër të natyrës, larg...

Mix24 orë më herët

Një nga femrat më të bukura në botë, Emily Ratajkowski pa fat në dashuri!

Emily Ratajkowski tërhoqi të gjithë vëmendjen në një event bamirësie në Nju Jork. Modelja ktheu kokën me një fustan me...

Facebook