Lidhu me ne

Kioske

Tradhtia e besnikëve

200px-Ardian_Vehbiu

Në romanin fantashkencor Quarantine, të Greg Egan-it, ndesha në një situatë që më çoi mendërisht në kohët e spastrimeve të përgjakshme brenda kupolës totalitare. Nuk po hyj në hollësitë e fabulës së romanit – e ndërlikuar dhe e panevojshme për çka dua të parashtroj. Po them vetëm se një organizatë klandestine, The Ensemble, e kapi rob personazhin kryesor të romanit Nick Stavrianos, teksa ky përpiqej të depërtonte në një laborator super-sekret të organizatës, dhe në vend që ta hiqte qafe, e rekrutoi. Meqë romani është fantashkencë, rekrutimi u krye me mënyra neurologjike, dhe pikërisht duke instaluar njëloyalty mod në trurin e heroit. Ky mod e detyron Nick-un të ndihet absolutisht luajal ndaj organizatës, dhe t’i japë kësaj përparësi ndaj gjithçkaje tjetër në jetë. Me kohë, heroi ynë zbulon se ka edhe të tjerë, mes punonjësve të Ensemble-it, që janë rekrutuar kështu, dhe që kanë një loyalty mod të instaluar në tru. Këta bisedojnë mes tyre dhe arrijnë në një përfundim në dukje të çuditshëm: nëse detyra e tyre parësore është të mbrojnë Ensemble-in nga rreziku, atëherë ata e kanë për detyrë të luftojnë kundër drejtuesve të organizatës së tyre, ose pikërisht atyre që i rekrutuan. Pse kështu? Sepse këta drejtues nuk kanë loyalty mod në tru, çka do të thotë se, pavarësisht se e kanë themeluar, besnikëria e tyre ndaj Ensemble-it është rrethanore, labile, subjektive dhe nesër mund t’i kalojë një entiteti tjetër. Me një fjalë, drejtuesit përfaqësojnë rrezikun maksimal për organizatën, sepse ata mund ta tradhtojnë; ndërsa këta të tjerët, me loyalty mod të instaluar, nuk do të mundnin edhe sikur të donin. Kësisoj, është pikërisht besnikëria e verbër, e detyrueshme, e pakundërshtueshme ndaj organizatës, që i detyron të gjithë këta me loyalty mod të instaluar, që të komplotojnë kundër drejtuesve të organizatës. Paradoks? Natyrisht dhe, si çdo paradoks tjetër, i mbështetur në logjikë të hekurt. Situata më kujtoi, aty për aty, vendimin e kompjuterit Hal, te 2001 Odyssey e Clark-ut, për t’i eliminuar astronautët njerëz, pse këta përfaqësonin rrezikun më të madh për mbijetesën e kompjuterit në anije (meqë astronautët donin ta fiknin kompjuterin, pse ai nuk po funksiononte mirë). Mirëpo pastaj mendova se diçka e ngjashme, përtej metaforës së loyalty mod-it, ndodh me çdo organizatë hierarkike, para-kriminale, ku anëtarët e rinj rekrutohen në bazë të predispozitës për besnikëri të verbër, dhe i nënshtrohen tru-shpëlarjes ideologjike masive. Të tilla kanë qenë partitë komuniste – në Bashkimin Sovjetik, në Kinë… dhe në Shqipëri. Në Bashkimin Sovjetik, kupola drejtuese e dalë pas revolucionit të tetorit ishte një shportë karavidhesh: njerëz që ishin nisur nga drejtime të ndryshme, për të përfunduar bashkë; por që nuk i besonin njëri-tjetrit: Lenini, Stalini, Trocki, Zinovievi, Kamenievi. Përkundrazi, brezi i ri në Parti u rekrutua me kriterin e besnikërisë dhe iu nënshtrua tru-shpëlarjes; çka do ta bënte veçanërisht të ekspozuar ndaj manipulimit, prej Stalinit, gjatë spastrimeve të mëdha të viteve 1930. Siç ndodhi edhe më pas në Kinë me Maon dhe në Shqipëri me Enver Hoxhën, më i fuqishmi dhe më i pamëshirshmi mes krerëve të kupolës e kupton menjëherë se kolegët e vet nuk kanë loyalty mod ndaj Partisë, njëlloj sikurse as ai nuk ka; prandaj gjithsekush prej tyre mund të tradhtojë, në momentin kur e sheh këtë të arsyeshme për veten. Partiaku ideal, për kreun totalitar, nuk është ai që zgjedh mes alternativave dhe bindet me vetëdije për drejtësinë e vijës; por ai që nuk i shquan fare alternativat dhe që nuk mund ta shohë vijën veçse si të drejtë. Kjo mund të ndihmojë për të marrë vesh edhe si ndodh që lideri totalitar e kthen furinë e vet shfarosëse ndaj atyre që ka pranë – shokëve të armëve, kolegëve me të cilët ka fjetur në një dyshek prej kashte dhe me të cilët kanë ndarë të njëjtat mëkate kapitale: vrasje, vjedhje, spiunime, përdhunime. Përballë besnikërisë së verbër të masave të para-programuara nga sistemi, këta kolegë – ca të shkolluar në Perëndim, ca snobë, ca që e kanë parë “të madhin” në rrethana ku më mirë mos e kishin parë – këta kolegë pra, janë tradhtarë me përkufizim; nuk munden veçse të tradhtojnë; që nga momenti elementar i afirmimit të identitetit të tyre. Dukuria varet edhe nga natyra e besnikërisë: te Quarantine e Greg Egan-it besnikëria e atyre me loyalty mod ishte ndaj Ensemble-it, jo ndaj këtij apo atij personi; në Bashkimin Sovjetik të Leninit bolshevikët ende ofronin besnikëri ndaj Partisë ose shtetit – të cilën Stalini e shndërroi, hap pas hapi, në besnikëri ndaj liderit vetë. Edhe në Shqipëri, komunistëve u kërkohej besnikëri ndaj Partisë; madje edhe Enver Hoxha e ushqente kultin e vet duke u identifikuar, herë haptazi e herë djallëzisht, me Partinë. Te romani Koncerti i Kadaresë, rrokullima e ministrit të Mbrojtjes fillon që nga momenti kur ky jep urdhër të rrethohet me tanke “një komitet partie” – urdhër që oficeri hero Arian Krasniqi refuzon ta zbatojë. Kallëzimtari i romanit e kish kuptuar se, për ta pasur violinën e vet në sintoni me regjimin dhe humoret e Enverit vetë, e rëndësishme ishte të deklaroje besnikërinë ndaj Partisë, ose t’i provoje shefit tënd se loyalty mod-i, në trurin tënd, po funksiononte për bukuri. Në roman, këshillën ministrit të Mbrojtjes, për këtë gjest plateal anti-parti, ia pat dhënë Çu Enlai; edhe kinezët i bezdiskësh pa masë jo Enver Hoxha, as frika e këtij të fundit se mos kinezët donin ta zëvendësonin me një njerimë besnik (sërish ky virtyt!), por Partia; prandaj edhe ata, duke e rrethuar me tanke tempullin masonik të Partisë, kërkonin pikërisht të testonin besnikërinë shqiptare ndaj Ensemble-it. Duke qenë vetë komunist, Kadareja parapëlqente ta rrëfente Partinë, në prozën e vet, si një kastë kalorsiake, superiore, ku pjesa e nënujshme gëzon pushtet suprem ndaj asaj që duket mbi ujë. Enver Hoxha, në ato faqe ku figuron si personazh, nuk është veçse kujdestari i këtij institucioni mistik, ose murgu që ka për tagër të shenjtë ta mbajë flakën të ndezur, në dhomën e nëndheshme. Shqiptarët e rritur dhe të edukuar që nga vitet 1960 e këtej, e kanë pasur të vështirë, në mos të pamundur, të kuptojnë natyrën prej organizate sekrete, që kish mbijetuar pas fasadave burokratike të strukturave qendrore dhe periferike të PPSh-së. Kjo organizatë, e lindur në kushtet e pushtimit fashist të Shqipërisë dhe e detyruar të ekzistonte fillimisht në klandestinitet, nuk e humbi kurrë natyrën konspirative, karakteristike për organizatat klandestine; dhe pikërisht për këtë arsye historike mbeti edhe ajo e ndarë, deri në fund, midis një kupole me capi storici, pjesë e së cilës ishte edhe Enver Hoxha vetë; dhe një baze të shpëlarë trush, ose rishtarësh të zellshëm dhe syleshë. Organizata të tilla kanë gjithnjë një synim madhor; ai i PPSh-së nuk ishte revolucioni botëror, as kishte gjë natyrë metalurgjike (“maja e shpatës e klasës punëtore”), por ishte thjesht mbajtja e pushtetit, nga ana e kupolës; edhe besnikëria e kuadrove ishte veç një asset për t’i shërbyer këtij misioni. Prandaj edhe Enver Hoxhës i pëlqente që ta ushtronte pushtetin e vet absolut nëpërmjet konfirmimit të besnikërisë, së të tjerëve, ndaj Partisë; sepse Partia ishte instrumenti që e mbante vetë Enverin në pushtet. Mund të tingëllojë e tepruar, por unë kam përshtypjen se shumë prej nesh e kanë një loyalty mod të instaluar në tru, që në lindje, por të shkyçur (unlocked); dhe eksperienca jetësore vetëm sa ua përcakton se kujt ose cilit grup do t’ia kushtojnë besnikërinë e tyre totale. Dhe nëse është kështu, atëherë ka vend të pyetet, prandaj edhe do të pyesim, se ç’rol luan besnikëria, si virtyt praktik, në jetën politike sot në Shqipëri: kujt ia japim, si shfrytëzohet ajo, çfarë përfitojmë ne vetë, dhe cilët tradhtojnë. Një lloj akuze klishe, që e ndesh rëndom në komentet e lexuesve dhe në forumet e diskutimeve në linjë, sipas së cilës ky apo ai lider politik “ka tradhtuar”, duket sikur tregon se loyalty mod është gjallë e shëndoshë; në kuptimin që qeni mbetet kafshë besnike, edhe kur e ka humbur të zonë; dhe këtë nuk e them me të keq.

Nga blogu Peizazhe të Fjalës

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Radar37 minuta më herët

Kurti-Osmani nuk kanë kërkuar të konsultohen me mua për tensionet në Veri, thotë Edi Rama

Kryeministri Edi Rama thotë se nuk ka diskutuar mbi tensionet në Veri as me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe...

Radar43 minuta më herët

Salianji: Kjo opozitë nuk ribëhet dot duke përjashtuar Sali Berishën

Deputeti demokrat Ervin Salianji tha se opozita nuk mund të ribëhet duket përjashtuar Sali Berishën. Duke folur për TPZ, Salianji...

Mix48 minuta më herët

Ekzistenca e Zotit në fjalët e shkëlqyera të një shkrimtari hungarez

Dy fëmijë diskutojnë në barkun e nënës se si mund të jetë jeta pas lindjes, dhe nëse ajo ekziston vërtet, apo është pak a shumë si...

Radar55 minuta më herët

Shteti shqiptar “i zhytur” në borxhe në Arbitrazh, 63% e humbjes i përket Becchettit

Në dy vite detyrimet faktike të shtetit shqiptar për shkak të humbjeve në arbitrazh janë rritur me plus me 66.37...

Mix18 orë më herët

Së shpejti një version i ri i “The Office”

Një version australian i “The Office” është në prodhim, por këtë herë, në vend që të drejtohet nga Michael Scott,...

Mix18 orë më herët

“And Just Like That”, ikonikja Samantha Jones rikthehet në serial

CRAIG BLANKENHORN/WARNER BROS./COURTESY EVERETT COLLECTION Kim Cattrall, e njohur ndryshe si Samantha Jones është rikthyer në sezonin e dytë të...

Radar18 orë më herët

VIDEO/ Shfaqje skandaloze e Ramës në samit, përqafon dhe puth kryeministren Meloni

Kryeministri Edi Rama ka treguar edhe njëherë tjetër në sy të botës se nuk ka lidhje me seriozitetin dhe përgjegjësinë...

Mix18 orë më herët

Amber Heard flet për herë të parë publikisht që nga zhvendosja në Spanjë

Amber Heard duket e lumtur në komentet e saj të para publike që nga shpërngulja e saj në Spanjë. Ajo...

Mix1 ditë më herët

E thonë ekspertët: Burrat nuk duhet të urinojnë në këmbë, ja disa rreziqe shëndetësore

Stili i urinimit mund të jetë një rrezik për shëndetin, sipas ekspertëve. Ndërsa gratë priren të ulen kur përdorin tualetin,...

Mix1 ditë më herët

Emra Musliman për djem dhe kuptimi i tyre

Abdullah (ar) adhurues i ZotitAbdulatif (ar) adhurues i Zotit (ledhatues)Abdulaziz (ar) adhurues i Zotit FuqiploteAbdulbaki (ar) adhurues i Zotit te...

Facebook