Frutat dhe perimet pa diskutim që përbëjnë një nga hallkat më të rëndësishme të zinxhirit ushqimor, pasi na ofrojnë shumëllojshmëri vlerash ushqyese, si vitamina C, acidi folik, fibra etj. Megjithatë disa herë edhe pse i konsumojmë në mënyrë të rregullt nuk marrim nga ato vitaminat e duhura. Kjo vjen si pasojë e gabimeve që bëjmë me përpunimin dhe ruajtjen e tyre para konsumimit. Që të merrni ashtu siç duhet vitaminat nga frutat dhe perimet ndiqni këshillat e mëposhtme.

Fruta dhe perime të freskëta

Është mirë të blini çdo herë fruta dhe perime të stinës. Sigurohuni që janë të freskëta dhe blijini ato nga dyqane që ju sigurojnë për freskinë e tyre. Blini aq sa do të konsumoni, asnjëherë me tepricë.

Hajini të pa qëruara

Frutat apo perimet mund të hahen të paqëruara, hajini ashtu. Nëse ndodh e kundërta atëherë qërojini ato në një mënyrë të tërthortë dhe jo me prerje të thella.

Lajini saktë

Mënyra e vetme për t’i larë ashtu siç duhet është t’i lini poshtë ujit të rrjedhshëm dhe t’i fërkoni me një furçë të vogël. Mos i lini për shumë minuta brenda në ujë sepse humbasin vlerat ushqyese.

Konsumojini menjëherë pas prerjes ose shtrydhjes

Dritat dhe ajri shkatërrojnë një përqindje të konsiderueshme të vitaminave. Kështu që është mirë t’i konsumoni menjëherë pas prerjes apo shtrydhjes.

Ruajini të plota dhe jo të prera

Në frigorifer ruani gjithmonë pjesën më të madhe që ju mbetet nga një frut apo perim i prerë.

Gatim i shpejtë

Gjatë gatimit përdorni sa më pak ujë, ose akoma më mirë ziejini në avull. Sa më i shpejtë të jetë gatimi i tyre aq më shumë ruajnë vlerat ushqyese që kanë.

Extra Tips:

Ziejini patatet, karotat dhe panxharët të paqëruara.

Mos e hidhni ujin që mbetet pasi keni zier perime. Futeni në ngrirje dhe përdoreni në gatime të tjera.

Mos i skuqni perimet.

Mos e mbani sallatën jeshile (marulet) në ujë për të qëndruar e freskët.

Mos përdorni enë bakri dhe sodë buke gjatë gatimit të perimeve.