Gazetarja Eni Vasili ishte protagoniste e rubrikës ‘Për drekë me mua’ të së dielës shqiptare të dielën që shkoi. Ajo ishte në konkurrim me Orinda Hutën dhe Iva Tiçon të cilat na surprizuan me recetat që sollën, por edhe Eni nuk mbeti mbrapa. Gjatë javëve ku ishte e ftuar tek Orinda dhe Iva, nuk foli shumë me fjalë për pasionet e saj në kuzhinë, por e bëri me zgjedhjet e saj.

Ajo solli 3 receta verore, të thjeshta për t’u përgatitur, ama të gjitha të shëndetshme. Me gazpaçon, pastat me pesto avokadoje dhe salmonin me salcë kosi, Eni tregoi se është shumë e kujdesshme në përzgjedhjen e produkteve, por dhe shumë praktike në kuzhinë…gjë që tregon se edhe një grua e ngarkuar dhe në karrierë si ajo, nëse do e gjen kohën për të gatuar dhe për t’u ushqyer shëndetshëm.
Pjata 1: Gazpaço për 4 persona
Përbërësit:
  • 500 gram domate
  • ¼ kastravec
  • 1 spec i kuq
  • 2 thelpinj hudhre
  • 1 qepë
  • 1 fetë buke
  • 2 lugë gjelle uthull
  • kripë
  • 2 lugë gjelle vaj ullir
  • 500 ml lëng domatesh
  • 1 lugë pure domatesh
Përgatitja:
Përzieni të gjithë përbërësit e copëtuar imët në një pjatë të madhe. Bluani masën në grirëse derisa të jetë e lëmuar. Transferojeni prapë në enë, mbulojeni dhe lëreni të ftohet në frigorifer për dy orë. Shërbejeni me bukë të thekur, gjizë dhe perime të freskëta sipër.
Pjata 2: Makarona flutur me pesto avokadoje
Përbërësit:
  • 200 gram makarona flutur
  • 1 avokado
  • 1 thelpi hudhër
  • 100 gram parmixhan
  • 50 gram stika pishe
  • 2 lugë vaj ulliri
  • 1 lugë lëng limoni
  • kripë, piper
Përgatitja:
Vendosim makaronat të ziejnë në ujë me kripë. Bluajmë të gjithë përbërësit e salcës në blender duke e rregulluar trashësinë e saj me ujin e makaronave.
Pjata 3Salmon i zier me salcë kosi
Përbërësit:
  • 500 gram salmon (4 copa)
  • 200 ml verë e bardhë
  • 200 ml ujë
  • kripë
  • piper
  • Për salcën:
  • 100 ml kos i trashë
  • 4 lugë të vogla mustardë
  • 1 lugë mjaltë
  • 4 lugë lëng limoni
Përgatitja:
Fillojmë me salcën, grijmë imët koperin dhe përziejmë të gjithë përbërësit së bashku, më pas e lëmë të pushojë në frigorifer deri në momentin e servirjes. Në tigan hedhim ujin dhe verën derisa të ziejë, shtojmë copat e salmonit sa të mbulohen nga lëngu, hedhim kripë e piper dhe i ziejmë për 10 minuta. E shërbejmë bashkë me salcën dhe garnitura sipas shijes, patate të pjekura ose asparagë.