Lidhu me ne

Letersi

Poezi nga Bilbil Beqiri

 

 Image result for brire tymi

Bilbil Beqiri

 

 Brirë tymi

Poezi

 

 

 

 

 

Vëllimi poetik “Brirë tymi”

Autor: Bilbil Beqiri

Redaktor: Agron Tufa

Tiranë 2012

 

 

 

Poezia

Në ëndërr lindim e zgjohemi në jetë.

Vargjet ndizen më për t’mos u shuar.

Të zeza na kaplojnë në zhgjëndërr retë:

ne poezinë  e mbysim, ja, me këto duar.

Do ta ketë një ndëshkim dhe ky krim;
nëse jo sot, nesër patjetër do të vijë:

do çahet korraca e shpirtit në shpërthim

dhe vargu i pathënë, më fort do të shndrijë.

 

Dremitje

Turma të shkujdesura si milingonat para shiut.

Si pëllumbat që presin thërrime,

të hallakatura, të zgjidhura, si tespihet.

Njerëz mbathur me çizme t’pluhurosura.

Në verë, në dimër, çizme balte.

Ajër pa oksigjen thithin mushkëritë e bukosura.

Asfalti si rërë shkretëtire që shpirtin kall.

Dëgjohet një këngë diku në mëhallë.

Një zë këndon të mbajë shpresën gjallë.

Dëshmorit

Në betejë ai u hodh i pari në sulm…

Shigjeta në zemër ia prishi këtë rregull;

kaptoi shtatë qiej… kur mbërriti në kulm,
kurmin e përgjakur ia lau një engjëll.

“Gjallë jam”, thotë, “pse po derdhni lot”?

E netësh të kthjellta shndrit si meteor.

Dhe që prej asaj dite e deri më sot –

Për vdekjen e tij, s’di gjë ky qiellor .

Syrgjyn

Shiu i mbrëmjes

qan me dënesë

e ti, si vesë

e patretur në harresë,

m’i pushton viset e mendjes

mes trishtimit dhe haresë.

Piklat e shiut rrëshqasin mbi qelq, si lot

e

lumturia plakë nga shpirti s’të shkul dot.

Po fryn era brenda meje

e

rrebeshet syve s’u marrin leje.

I pashtëpi

yll endacak

tërë qielli

ishte i yti

pas dritës

çmendurak

drita të mbyti

natën kishe jetë

me dritën që të vrau

mbete i dashuruar

Kuvendim me mend

Të ngremë dolli

për dashuri;

jo për ato që fati na dhuroi,

për ato që fati na ndryshoi.

Skëterra e shpirtit

Lot ,lot pa pushim në mesnatën e errët

për të shuar llavën e alltë të skëterrës.

Mes lotësh shkon mesnata pendimesh papushim,

për ta shuar llavën, kraterin e shpirtit tim.

Furur

Vendi im,

një hap para,

një hap prapa.

Vetëm njerëzit s’janë si qëmoti.

Në kafene, në pijetore,

në shkëlqim të rremë –

fryrë si deshë këmbore,

bëjnë qyfyre kot së koti,

Flenë pa kënduar urata

Dhe zgjohen me “Dhëntë Zoti”.

Etje

Det i dashurisë e kishte magjepsur,

etjen e madhe s’e mbante dot fshehur.

Që etjen ta shuante piu e piu nga deti,

piu, por etja ju shtua gjersa vdiq i shkreti.

Pa shpresë

Në shkëmbin e brymtë

ngrihej ndërtesa e zymtë

ku drita s’hynte,

e mallkimi frynte.

Korbat

ndillnin kob

e zi:

një djalë i ri

bëri veten fli;

s’i duronte njerëzit e hirtë,

jetën në burg,

gjoja liritë,

donte të dashuronte dashurinë.

S’ia kishte ënda të bëhej murg,

as të martohej me vetminë.

Jashtë

Nga maja e malit

nisej rrëke e gjatë,

rridhte ditë e natë.

Ëndërronte,

ngulmonte

në det të tretej,

të bëhej valë

e aty të mbetej.

Dikur,

në kthetrat e mallit,

rrëke e gjorë

Zuri të vajtonte.

Kthjelltësinë kishte humbur.

Malin kërkonte.

Humbje

U njohëm atëherë…

Të humba kot.

U largove atëherë…

Të kujtova sot.

Në sy mbin një lot…

Lot i zjarrtë-valë.

Lot krejt pa fat…

S’e lan atë mëkat

Orë rëre

Ditën që linda një orë rëre m’u dha.

Ditë për ditë rritem, rrjedh rëra ca nga ca.

Ndiz e fik dritën si xixëllonjë –

çdo rrahje zemre shkruan nga një shkronjë.

Syri ç’më pa, ç’më desh dora bëra,

dhe mendjen më s’e çova te rëra.

Por ime më zuri të vajtonte “unë  e mjera”:

një qivur i kuq qëndronte te dera.

Vrapova të shihja sa rërë kishte mbetur:

S’kisha si ta shihja… A sheh një i vdekur?

*   *   *

Manushaqe e bukur plot hijeshi,

Lule ngjyrashumë, sa një ylber!

Sa dehëse aroma që shpërndan ti,

kur më derdhesh shpirtit pikëvrer.

Edhe ty puhizë ta dua fshehtësinë,

që me butësi gjithë afsh ledhaton.

Muzgjesh kur gjethet fëshfërijnë

stuhinë e natës ti vjen e më kujton.

Sikur shtatin ma ngjeth një korrent tre fazë

Dhe si i lojtur bëhem për një çast.

Ti në gishtin e hollë mban një unazë

dhe grushtat shtrënguar pas murit përplas.

Ti me dhe fjalën e madhe jo më larg se dje.

Me thuaj, të lutem, mos është ajo lojë

Ku unë jam Mexhnuni dhe ti je Lejla?

Mexhnuni pa Lejlën s’mund të jetojë.

Eh, dreqi të marrtë dhe ty, o djall i mallkuar!

Dashurisë udhëmirë s’di pse i ngrite pusi.

Të brishtën zemër ma shkule nga këto duar

Dhe me një tjetër, më mizore, bëre tregti.

Kërkesë

Erë e mallkuar pse sillesh vërdallë?

Këtu, cung, do të rri deri në mëngjes.

Sillma aromën e saj të mbaj shpirtin gjallë,

të jetoj edhe pak… edhe pak të pres.

Nëse do të vish

 

Eja thjesht, si njeri,

pa trastat mbushur plot,

pa flori,

pa stoli,

trokit në derë me dashuri,

e portat e sarajeve të shpirtit
do t’i hap dy kanatesh për ty.

Po nëse do vish,

me një trëndafil,
pa dashuri ujitur,

me një rrugë,
pa dashuri stisur,

a si njeri,
pa dashuri rritur –

kurrë mos eja të më gënjesh:

të gjitha portat e sarajeve të shpirtit,

deri në fund…
të kyçura do t’i gjesh.

Mbase

Ujëvarë xanxare,

bëma këtë nder!

Si uji,

që në fund të shkëmbit prahet,

Nga maja zbrit
pa poterë
e bjer…

Mbase sorkadhja vjen e lahet…

Shpërfillje

Toka s’është e sheshtë si një arë me grurë –

shpalli DIJETARI, zbulimin e pafat.

Mblodhën turrën e madhe me dru,

ndezën për të ziun zjarrin bubulak.

Tokën e rrumbullakët përpara TIJ, njëmijë

e dinin, por u mungonte guximi. Ç’e do?

Kishin të gjorët gra dhe fëmijë…

Për një copë tokë, s’bëhej kush hero!

Acar

Si karvan i gjatë mbuluar nga retë gri,

zverdhen gjeth’ i vjeshtës duke ndjellë vetmi.

E unë kur nga cila re s’e di

zbritur kam këtu, mu si një pikë shi.

Drejt teje vjen mbrëmja, shtigjeve ulet,

pishat e moçme koten, përroi përgjumet.

O Mali im, le të mbështetemi shpinë për shpinë,

t’i ngrohim shpirtrat që sonte mërdhinë

nën hënën-kandil, deri në agim…

Poezia e gjyshit

Më erdhi keq vërtet për lepurin e mjerë.

Kjo s’është fabul, por ndodhi e rrallë:

e zuri iriqi, të shkretin, në ferrë.

Nuk vraponte dot, se ishte në hall.

Duroi sa duroi, por e zbrazi mërzinë:

iriqit në vesh i tha dy-tre fjalë:

“Po të mos kisha hijen e shqiponjës mbi shpinë,

iriq, ti mua do të më haje kakërdhinë”.

Gjahtare yjesh

 

Shigjetën drejt qiellit lëshoj deri në kupë.

Ngreh shenjë dhe yjet i vras një nga një,

të bien nga lartësitë me shigjetë në trup;

të bien në det ato zogj të vrarë, pa zë,

në pragun tim kupa e qiellit të shuhet…

dhe toka e paanë me meteorë të mbushet.

Perëndim i kuqërremtë

Jeta me vuajtje,

e gjatë sa koha

me diell në mesditë.

E fundi,

qepalla që mbyllen në paqe,

shpejt e lehtë –

perëndim i kuqërremtë.

E shpirti braktis kurmin

Ëmbël,

si uji grykën e shtëmbës.

Në stacion

në stacion

pret pa fjalë

me dy duar

që dridhen

e gishërinj

të zverdhur

nga duhani i dredhur i jetës

tradhtuar nga fuqia

syri veshi

tradhtuar nga flokët e zinj korb

krehur mënjanë me vizë në të majtë

në stacion

pret pa fjalë

trenin për në botën tjetër

Pavdekësi

në ekspozitë

u ndala te një portret

me dy sy të bukur të mëdhenj

që më shikonin si të ishin të vërtetë

sy që s’puliteshin

e rrëmbeva

larg në pyll e fsheha

te rrënjët e një peme

në varrin

që gërreva

si luani me putra

e futa

e mbulova me dhe

më vonë aty mbiu lulja e re

Shpërblim

dje

mësyu theqafas

ma rrëmbeu dashurinë

sot

ecën këmbadoras

qorras

Kohë

Zemra e hekurt na la diku larg, iku.

Përditë vetmia pak nga pak e ndryshku.

Gjallë

njeriu shuan uri etje

me këngë të bekuara mëkuese

prej shpirti e mendje

Syçelët

shpirti e syri

dy të dashuruarit jetë e mot

s’e lënë botën të mbytet në mort

Mëdyshje

 

Një përqafim i harlisur

në krahërorin e ngrohtë.

Një mendje më thotë: “ik”,

zemra “rri”, më thotë.

Drejt derës – dy tre hapa…

Sa shpejt miklohem!

E kthehem rish prapa,

për ikjen pendohem.

Mikpritje

Ham e ham e ham qentë.

I zoti i shtëpisë me një frymë

del jashtë. Sa mirë!

Nga qyteti – mysafirë.

Kundërmojnë qytetërim…

Kanë ardhur me harxhime,

çamçakëze 20 lekësh, të rrumbullakët,

për bukuri:

fëmijët mbllaçiten, plot gëzim e lumturi.

Ka e ka e ka

zonja e shtëpise përvëloi një kokosh.

I fundit ishte i shkreti,

për miqtë nga qyteti.

Mish, zemër e muhabet,

në tokë shtrohet një dyshek;

fle i zoti i shtëpisë.

Pyet gruan:

u kënaqën vallë?

Do kënaqen në të dalë:

një thes arra, miell misri, mish, vezë, djathë, gështenja

sa t’ua ketë ënda.

E zbrazi shtëpinë ky fshatar derëzi:

të gjitha 20 lekë, sa çamçakëzët.

Ditën e mirë ju presim të na vini përsëri

Rutinë

punë pa mbarim

shitje pa çmim

ikje pa kthim

tre vakte ushqim

shikim

rrëmbim

falsifikim

zhgënjim

trishtim

çdo çast telash

shpejt avash

i njëjti avaz

jetë me maraz

jetë e shkurtër
jetë e gjatë

fli çdo natë

nata e artë

ëndrra e gjatë

ndërtesa e lartë

bukë e brumë

jeta lumë

gëzim shumë

i njëjti llum

ulërimë

kotje

përlotje

zhdukje

lutje

vuajtje

kohë plot

rrimë kot

e shkuar e harruar

dy tre të ftuar

një për të martuar

tokë për të punuar

ndere qerasje

rrahje përplasje

jeta film

fillim

e

mbarim

Pasqyrë e thyer

Lulet tashmë i kam harruar.

Nga cili kopsht i zjarrtë fryu kjo erë?

Zbriti nga qerpikët e një udhëtari të moshuar.

Një shi pushon, një tjetër zë të bjerë.

Një pasqyrë e thyer, në dorë koha u mplak.

Një vaj, një kujë dëgjoj pa pushim.

Pranvera endet rrugëve, shesheve fillikat.

Ku vajti, ku humbi kjo stinë plot kundërmim?

Ngjyrat kanë ikur larg, ëndrrat janë të vyshkura.

Si degë çdo gisht i imi në këtë dorë.

Fole ngrenë qyqet e braktisura.

Pranvera mërgoi, mbulomëni me borë.

Bota e çudirave

Eja të lozim ëndrrash si fëmijë

Të lozim të lirë pa frikë pa nderoje

Ku gabimet tona s’i ndëshkon njeri

Pasi janë ëndrra dhe lojë

Eja të dashurojmë ëndrrash si të rinj

Ëndrrave tinëzare ku s’na gjen askush

Larg syve të botës mbytur në xhelozi

Ëndrrat le të digjen le të bëhen prush

Jeta është ëndërr sa ëndrra vetë

Jetojmë në një cast fëmijë e të ri

Duam në ëndërr të jetojmë përjetë

Por ëndrrën e brishtë e këput një shi

 

 

Mall

 

Në shpirt – angushtia, brenga – në zemër.

Oxhaku i dhimbjes punon e djeg vitet.

Shpresa e vetme – gënjeshtër pa emër:

në gropë të gjoksit lulja e mallit rritet.

Për shpirtin pranvera a sjell ndopak dritë?

Një pishtar funddimri zemra rrëmben.

Këtu një mall… atje vlojnë dashuritë,

dhe zemra zemrës legjenda i rrëfen.

*   *   *

 

O potkua që mban mbi shpinë kalin papushim,

që çon trimin betejash, ti, sandalle dishepujsh

që ec ditë e natë dhe të mjafton pak besim,

dhe ti, çizme e ushtarit në llogore, që shekujsh

pret vdekjen të vijë! Dhe ti, këpuca gojëhapur

migjeniane, me trishtimin të lartë sa një minare;
dhe ti, këmbë cullake, mërgimtare e plakur,

thomëni: t’ju bëj kurorë apo përkrenare?

Rrugëtar

Dallëndyshet kështu vallë ku venë?

Në ç’vise shtegtojnë për në pranverë?

Fatin e kanë shkruar me krahët si penë,

jeta pa mërgim për to qenka humnerë.

Si dallëndyshe shtegto në kaltërsi,

ku qielli i shpirtit emrin tënd mban.

Mes shtegtarëve të thirresh edhe ti

në bregun e të dashuruarve, në ndonjë liman.

Ikur

Ujërat u tërhoqën pak nga pak.

Prapa mbetën shkëmbinj të myshkur;

tërhiqet drejt gjirit deti frikacak,

anija e kujtimeve të del e ndryshkur.

Ngarko erërat të marrin rrugë,

të humbin horizonteve velat e bardha dy lopata.

Perdet e diellit të hapen me zhurmë,

valët e detit le të mbesin prapa.

Darë

Aty ku malli kërrus shpirtin

si pasha hamallin

aty ku zemra ndalon ritmin

ku për të vdekur qajnë të gjallin

aty ku lodhja e sfilitur çlodhet pa shpresë…

Katër pa një

Ajo pranverë ishte tjetër pranverë.

Një lule të rrallë ajo ma solli;

shpirti mori krahë e u bë erë,

era lulen me krahë e mbështolli.

Këto pranverëza jete s’ma heqin mërzinë.

Pse si ato lule nuk po çelin më?

Tani vitin e kam me tre stinë,

pranverën koprrace e mallkoj nën zë.

Gjethe e gjëmba

Ankohen pishat me potere:

“Pa gjethe tërë jetën këtu në mal!

S’na u hoqën qafe gjembat njëherë!

Më mirë shelg në moçal!”

Flet shelgu me zë të egër:

“Pisha ju vraftë e mira,

ju katër stinë jeni gjelbër,

e unë moçaleve mbledh këllira!”

Requiem

ma vranë shpirtin miq

sonte ma vranë

shpirti shkoi e vdiq

unë mbeta muranë

shpirtin tim të ri

miq sonte e vranë

ju ndizni qirinj

unë një shandan

Llogari

Dita në kthetrat e natës

dorëzon shpirtin pa u ndjerë.

Ti hedh një rreth përqark datës,

kur shpirti qau si ngaherë.

Prapë këtu

Në lulishten ku u takuam dikur,

tani po ndërtohet një pallat.

Pa llaç, pa tulla, pa gurë,

pallatin e ëndrrave e ngritëm kat më kat

Besë

Ndahen anijet, heshtin portet,

hija ujërave zvarritet me fshehtësi.

Mjaft i vështrove ashtu horizontet!

Do të vijnë anijet, do kthehen përsëri.

Ku…

Ku gjumi mbi gjumë fle gjer në mëngjes

Ku ëndrra mbi ëndërr jeton e vdes

Ku hija mbi hije frikë ndez

Ku uji mbi ujë kthehet në djersë

Ku bari mbi bar zgjohet me vesë

Ku shiu mbi shi pa pushim dënes

Ku reja mbi re çahet në mes

Nga rrezja e diellit që pres

Më vjen një shpresë…

Erë e keqe

Mjaft dimër, s’ka lezet!

Pranvera lehtas psherëtin:

“shumë ndenje sivjet,

s’ka një lule në lëndinë.

Njerëzia po më pret,

ik të lutem, bashkë me ngrinë”.

E dimri si nuk u bind,

pranverës nervat i ngriti,

u tërbua, u bë xhind,

dhe një lule jashtëqiti.

Erë e keqe anembanë

kutërboi e kutërboi.

Iku dimri, më s’u panë,

se ku humbi, se ku shkoi…

Pranvera si magjistricë

qesh nga gëzimi ha-ha-ha!

S’mbeti borë, s’mbeti ngricë,

Po kutërbimi nuk iu nda.

Anije e humbur

Ti grua, unë burrë,

loznim “shpiash” pa vetëdije.

U rritëm. Humbëm. S’u pamë më kurrë.

Kujtoj veç ato lojëra fëmijërie.

Ranë gjethet, iku vjeshta.

si ariu në shpellë tërhiqem vetmie.

Zbardh bora nëpër kreshta,

e unë kujtoj ato premtime fëmijërie.

Të ftohtët mua prore

më struk në nostalgji.

Më zë një lemzë dimërore:

mos kujtimesh të njëjta humbe dhe ti?

Kulla

Në krah të majtë të përroit mbahet madhështore

kulla e moçme dykatëshe me çardak,

që dikur gjyshi e ngriti dora-dore,

me djersë në ballë, me duart me gjak.

Çatinë prej dërrase bora si kupolë

e mbulon dimrit, deri në pranverë.

Si brirët e demit dy oxhakë të hollë.

Një ferrë si merimangë ka mbirë në derë.

Në fund të oborrit shekullor – një lis.

Për zjarr e prush sëpata prerë e kish.

Kur binte dëbora e bardhë si plis,

në prushin e tij dikur piqej mish.

Më tutje shartuar si brirë dreri një mollë,

ku në degët e saj vareshin tre këmborë.

Edhe pse ndryshkur, i marr në dorë,

nxjerr ca tinguj të trashë e të hollë.

E kam të pamundur në prag të kësaj shtëpie

të mos ligështohem, të rri pa qarë,

të qaj me lot, me ngashërim fëmije,

në atë prag ku qava për herë të parë.

Lidhje

Mos më mbaj mëri

do të vij te ti

sa të dalë hëna

se rrugët e qiellit s’i di

Amësi

si klloçkë vdekja

ngroh vezë mortje

i vdekur më duket vetja

nga vdekja jote

Bardhë e zi

Sa shumë gjëra deshëm në këtë jetë,

sa i deshëm aq u larguan.

Sa pak gjëra urryem në këtë jetë,

sa i urryem aq u afruan.

Punojmë deri në frymën e fundit me djersë e gjak

dhe mësojmë të jetojmë pak, fare pak…

Vetmi

Shkretëtirë pa fund kujtimet e mia,

mbuluar dallgë-dallgë nga rëra e murrmë.

Shpirtin ma merr me tallaz mërzia,

ma çon shumë larg, pa lënë farë gjurmë.

Testament

Sa shikime premtime, sa e sa…

I dha hëna detit, deti hënës i dha.

Deti i lutet hënës nga qielli të zbresë,

hëna i lutet detit t’i kaplojë lartësitë.

Për dashurinë e tyre a ka ndopak shpresë?

Në gjumë pa gjumë

Pranë shtratit tim një dritare

shkallmohet nga tallazi dimëror.

Strukur në mendime, s’ndjehem fare.

Vetëm zemra rreh në kraharor.

Mendimi erës i bëhet hije

e s’i ndahet sonte nga pas.

Si me mamuzë goditur në ije

diku në një dritare kokën përplas.

Shtatzania e ndërprerë

Dhjetë shegë

Rënduan një degë

Të njoma të tëra

Ende të pabëra

Për të mos thyer degët

I këputën shegët

Me shpresë

Loti syrit nuk i mpaket,

dita ditës veç gufon.

S’është i ftohtë, as i vakët –

Lot qiriu, që përv’lon.

Është lot zemërate

që nuk pret të mëshiruar.

Shpirti im prej ikjes sate?

I prangosur këmbë e duar.

E i vjen si një shkëndijë

shpirtit tim ndihma hyjnore,

lëndën krejt t’ia përtërijë

buzë gremine, zënë për dore

Fat

dikush uritur

nga malli yt

e

dikush vdes

për oreks

Dictum

Atë që s’e bëri lumi,

e bënë besa e burri.

Shigjeta dhe vargjet

Si nga harku i Longfellout, një shigjetë u këput.

Përshkoi qiejt e largët, mu si një vetëtimë…

Me dorën strehë mbi sy vështroj qysh u zhduk

dhe mes buzëve vetiu më del një fërshëllimë.

Me harkun e shpirtit ca vargje lëshova.
Ku shkuan? S’e di.

Ndoshta fushat i morën e thurën me to poezi,

por ja, e gjeta dikur shigjetën në zall
të një lumi, të thyer…

Sall shigjetën… se vargjet e shpirtit,
lumi i kishte rrëmbyer.

MË TEPËR

Kioske7 orë më herët

Çfarë fuqie “hyjnore” paska ky Edi Rama!

Opozita thotë se “Edi Rama ka marrë çdo pushtet”. Opozita bërtet se “Rama ka ble ndërkombëtarët”. Opozita justifikohet se “Rama...

Radar7 orë më herët

Epokës së gazit e naftës po i vjen fundi – Olaf Scholz

Mbizotërimi i lëndëve djegëse fosile në prodhimin global të energjisë po i afrohet fundit, ka pohuar kancelari gjerman Olaf Scholz,...

Kryesore7 orë më herët

Sulmi i Ramës ndaj RAI3, Manjani: Ja pse është çakërdisur

Avokati Ylli Manjani deklaron se sulmi i kryeministrit Edi Ramës ndaj emisionit ‘Report’ në RAI3 është një histori e përsëritur,...

Mix7 orë më herët

Sa e bukur është bërë vajza e Catherine Zeta Jones dhe Michael Douglas!

Carys Douglas është rritur tashmë, e është kthyer në një zonjushë mjaft të bukur! Vajza e Catherine Zeta-Jones dhe Michael...

Mix7 orë më herët

Mësueset e Taylor Swift zbulojnë se ç’nxënëse ka qenë ajo!

Dy nga mësueset e shkollës fillore të Taylor Swift kanë treguar se këngëtarja shkruante poezi pa pushim në shkollë. E...

Radar8 orë më herët

Ligji për profesionet e lira, Lapaj: Ka një urrejtje të pa shpjegueshme ndaj shtresës së mesme

Duke komentuar ligjin e ri për profesionet e lira, avokati dhe drejtuesi i lëvizjes “Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj i ftuar...

Mix8 orë më herët

Autori i “One Day” David Nicholls shkruan historinë britanike që e ka lënë botën zemërthyer

Autori best-seller David Nicholls mendohet nga fansat e tij si një mjeshtër i komedive romantike. Libri i tij i ri...

Mix8 orë më herët

Ben Stiller flet për vazhdimin e “Zoolander”: Ishte dështim

Ben Stiller reflektoi së fundmi për  filmin “Zoolander 2” me David Duchovny në podkastin e Duchovny, “Fail Better“. “Mendova se...

Mix8 orë më herët

Kanye West: Në verë do të hap një studio porn0grafike

Kanye West po flet për hapjen e një studioje “Yezzy P0rn”, tha përfaqësuesi i tij për Page Six të martën....

Mix2 ditë më herët

Edhe Bentley e ndien krizën

Për herë të parë në katër vite, shitjet e makinave Bentley ranë me 11% vitin e kaluar. Shefi ekzekutiv i...

Facebook