Lidhu me ne

Temporal

Në Shqipëri ka vetëm një krizë, ajo e moralit

Nga Gjergji Koja

Prej disa ditësh Kryeministri Edi Rama ka marrë rolin e atij që del dhe njofton kataklizmonë. Shfaqet ku të mundet, flet si papagall, mundohet të fusë në panik sa më shumë që të mundet dhe tallet me cilindo që guxon të protestojë.

Pas tij shfaqet rivali për Kryeministër, i cili nxjerr nga sirtari një plan shpëtimi, e propozon, hedh akuza dhe mendon se e ka kryer detyrën.

Secili në rolin e tij, japin tablonë e një teatri me dy pjesë, ku njëri shfajëson veten dhe tjetri e fajëson, por edhe i jep një dorë, duke i legjitimuar krizën me paketën e propozimeve.

Teatri me dy pjesë mbyllet me një epilog, ku çuditërisht nuk shfaqet asnjë nga aktorët kryesorë, por në lojë hyn Erion Veliaj, Kryebashkiaku i Tiranës, që vendos të mbledhë në një mbrëmje çdo zyrtar të këtij vendi, përfshi edhe ato të drejtësisë së re.

Dhe këtu shtohen aktorët, që të lumturuar,  shfaqen si modele në një sfilatë, duke lënë mënjanë hallin e madh që ka zënë Kryeministrin, por edhe kandidatin për Kryeministër. Njëri mjaftohet me njoftimin se po i hyjmë një krize, të cilës i cakton edhe një afat, ndoshta për t´u dukur më i besueshëm, ndërsa tjetri e plotëson me propozimet për ta përballuar sa më lehtë.

Në fakt në Shqipëri ka vetëm një krizë, është ajo e moralit. Jo më e moralit politik, por e atij institucional, ligjor dhe njerëzor.

Morali ka humbur dhe siç duket do jetë e vështirë të rikthehet përsa kohë duken se të gjithë mekanizmat dhe aktorët që janë në skenë, janë të lidhur me fije të dukshme dhe të padukshme.

Deri para disa vitesh ishte kthyer në një justifikim të pandërprerë se gjërat nuk avanconin se drejtësia nuk godiste piramidën e sistemit të shtetit. Pastaj nisi të injektohej si serum ideja se sa të vinte drejtësia e reformuar, veçanërisht sa të formësoheshin dhe plotësoheshin institucionet e reja me 3 apo 4 gërma, dielli do të lindte ndryshe.

Në fakt dielli ka lindur njëlloj dhe sjellja e të rilindurve të drejtësisë, nuk është se ka ndonjë dallim nga ajo drejtësia që herë konsiderohej “djalli në djep” dhe herë etiketohej si “delja e zezë” nga një tufë delesh që nxinin më keq.

Ajo që ndodhi ishte thjesht ndryshimi i emrave nëpër zyra, ndryshimi i emërtimit të institucioneve dhe asgjë më shumë.

Vijoi i njëjti mentalitet dhe e njëjta frymë, i njëjti moral dhe ndoshta u shtuan dozat e frikës, për të prekur të paprekshmit. Vijat e kuqe mbetën aty ku ishin, pavarësisht se u dëgjua sa më shpesh fraza “nuk ka të paprekshëm”.

Drejtësia e re nuk ka bërë asgjë më shumë se ajo e mëparshme, madje po ta krahasosh me atë të para 1997 është shumë hapa pas.

Drejtorë e ish-drejtorë, bandit e grupe kriminale, punonjës administrate në nivele të ndryshme, janë goditur në çdo kohë. Madje që nga viti 1992. Dikush është dënuar për 5 mijë lekë, dikush për 100 mln lekë, dikush për trafik droge e të tjerë për vrasje. Ato bandat e 1997 u dënuan, njësoj sikundër sot me pompozitet thuhet se u dënua x apo y grup kriminal. Në atë kohë nuk kishte asnjë ambasador që shfaqej për të përshëndetur ato prokurorë dhe gjyqtarë, ndërsa harxhonin kohën në zyrat e politikës.

Ajo drejtësia e vjetër, madje e para 1997,  çoi në burg edhe ish-Kryeministra, ish-ministra, ish-guvernatorë, ish-drejtorë e ish-zv.ministra, ish-bllokmenë të sistemit diktatorial, pavarësisht se  një pjesë e tyre u dënuan për kafe e abuzime me ndihmat.

Dhe për këta ithtarët e sotëm të sistemit kroat, që përmendin dënimin e një ish-Kryeministri,  Shqipëria e dënoi një të tillë që në 1993.

Sot drejtësia e re se ka kapur ende atë nivel hierarkik, edhe pse të paktën publikisht ka një suport që kurrë më parë nuk e ka pasur asnjë institucion i drejtësisë apo drejtues i tyre.

Por kjo duket se është e pamjaftueshme në një vend që ka humbur morali.

Nëse këta të reformuarit e drejtësisë do të luanin atë rolin për të cilën u vendosën, sot duhej të ishin në syrin e ciklonit, nga ata që mbajnë veshur petkun e zyrtarit të lartë dhe jo të ftuarit e parë të mbrëmjeve, qofshin ose jo me prani ambasadorësh.

Të paktën, në mos do të frikësonin, do të kishin nxehur ose do ti grricnin nervat, do të linin pa gjumë, këdo që shtoi pasurinë frikshëm, ndonëse kur i hyri rrugës politike as këpucë nuk kishte, ose deklaronte se shpenzimet e tepërta ia kishin siguruar kursimet e prindërve.

Por jo, as kjo nuk ndodh, sepse edhe këta që u shitën si supermenë dhe që vetting i nxori me duart më të bardha se akullorja, po shfaqen më të frustuar se ata që u quajtën “dele të zeza”.

Nuk është çështje mbështetjeje, as trimërie, as financimi, është çështje morali. Dhe moralin nuk ta injekton dot askush, qoftë ambasador, qoftë qytetar, apo qoftë edhe një popull që shpresonte ndoshta se atë besimin e humbur do ia kthenin.

Drejtësia e re ashtu edhe ajo e vjetra, që thuhet se “u shemb” është pjesë e të njëjtit mekanizëm që mban në këmbë këtë sistem të kalbur vlerash dhe parimesh. Madje janë aq të ngjashëm sa duken edhe në pamje njëlloj me ata që zëvendësuan në zyra.

Secili prej tyre mundohet të mbajë njëri-tjetrin, jo se e duan, por sepse ata e dinë se një hallkë e zinxhirit po të këputet, shkërmoqen të gjitha hallkat e tjera.

Kjo është mendësia që kanë, sepse ata ishin pjesë e atij sistemi, ku vegjetuan me vite e vite, duke qëndruar edhe në hije, mbase për mungesë guximi, ose paaftësish.

Dhe ndoshta sot edhe ambasadorët mund të jenë dorëzuar, mund kënaqen kur thuhet se u kap një ish-drejtor apo u godit një grup kriminal, mund të ulen të bëjnë edhe bilancin si llogaritar të pasurive te sekuestruara, dhe t´i paraqesin si sukses.

Në fakt do jetë një betejë e humbur, përsa kohë nuk do të zgjidhet kriza e moralit.

MË TEPËR

Mix10 orë më herët

Billie Eilish sapo na tregoi se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë

GETTY Billie Eilish, megjithëse nuk e ka pasur në plan të flasë për seskualitetin e saj, sërish ka ndarë me...

Mix10 orë më herët

Ky është peshku më i shëndetshëm për t’u ngrënë dhe ja pse

FOTO: NUGROHO RIDHO / GETTY IMAGES Peshku është një proteinë me cilësi të lartë, por sërish njerëzit nuk e konsumojnë...

Mix10 orë më herët

Kylie Jenner pozon topless

Kylie Jenner konsiderohet si një ikonë mode dhe çdo lëvizje e saj kthehet në trend. Me siguri kështu do bëhet...

Mix10 orë më herët

There’s Still Tomorrow (C’è Ancora Domani), filmi italian me fitimin më të madh, ia kalon edhe filmit “Barbie”

Filmi “Barbie” i Greta Gerwig mund të jetë filmi më i suksesshëm financiarisht i drejtuar ndonjëherë nga një regjisore femër...

Kryesore10 orë më herët

A don ti Edi ta luftosh Korrupsionin?

Skerdilajd Zaimi Në një intervistë – reagim të vetin mbi materialin e RAI3, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ajo...

Mix10 orë më herët

A është e shëndetshme që fëmijët të flenë me kafshët shtëpiake?

Prania e një kafshe në dhomën e gjumit të një fëmije nuk është e dëmshme për cilësinë e gjumit të...

Mix11 orë më herët

Julia Fox reflekton për lidhjen me Kanye West: Më la shije të hidhur

Julia Fox nuk e shikon me dashuri romancën e saj të shkurtër me Kanye West. Aktorja e “Uncut Gems” tha...

Kioske1 ditë më herët

Çfarë fuqie “hyjnore” paska ky Edi Rama!

Opozita thotë se “Edi Rama ka marrë çdo pushtet”. Opozita bërtet se “Rama ka ble ndërkombëtarët”. Opozita justifikohet se “Rama...

Radar1 ditë më herët

Epokës së gazit e naftës po i vjen fundi – Olaf Scholz

Mbizotërimi i lëndëve djegëse fosile në prodhimin global të energjisë po i afrohet fundit, ka pohuar kancelari gjerman Olaf Scholz,...

Kryesore1 ditë më herët

Sulmi i Ramës ndaj RAI3, Manjani: Ja pse është çakërdisur

Avokati Ylli Manjani deklaron se sulmi i kryeministrit Edi Ramës ndaj emisionit ‘Report’ në RAI3 është një histori e përsëritur,...

Facebook