Lidhu me ne

Temporal

Gjoja asnjanësit që injorojnë grushtin gradual të shtetit

Të baraslarguarit që legjitimojnë regjimin e Ramës

Fatos Lubonja

Kam qenë një ish i barazlarguar antisistem që, në vitin 2015, ka votuar për grupimin rreth Gjergj Bojaxhiut dhe në vitin 2017 për “Librën” e Ben Blushin, me idenë se tre partitë kryesore kishin krijuar një sistem të korrupsionit oligarkik që duhej sfiduar nga parti të reja. Këtë fakt ma kujton sot një pjesë të barazlarguarisht të cilët më kërkojnë një mbështetje që s’mund t’ua jap pasi kam ndryshuar mendim. Ky shkrim është në vazhdën e shpjegimeve që kam dhënë privatisht dhe publikisht për shkakun pse kam ndryshuar mendim.

Përgjigja është shumë e thjeshtë: sepse ka ndryshuar sistemi, çka do të thotë se tjetër gjë është të ishe antisistem deri në vitet 2015 – 2017 dhe tjetër gjë është të jesh sot antisistem. Le ta shtjelloj çfarë kuptoj me këtë.Në vitet që përkojnë me mandatin e parë të Ramës, kur ai qeveriste së bashku me Ilir Metën, zhgënjimi me partitë e sistemit e mbylli shpejt ciklin e tij të plotë. Edhe për shumicën e atyre që ushqenin iluzionin se Rama do ta godiste sistemin u bë e qartë se ai po e kalëronte atë, siç bëri Berisha më 2005 pasi kishte dhënë të njëjtat premtime. Jemi në kohën e fillimit të ikjes së dytë masive të shqiptarëve, që përkon edhe me kohën – midis zgjedhjeve lokale të vitit 2015 dhe atyre të përgjithshme të vitit 2017 – kur një numri jo të vogël njerëzish, ndër të cilët kam qenë pjesë aktive edhe vetë, iu duk se kishte ardhur momenti i krijimit të partive të reja, që do të tërhiqnin zonën gri të të zhgënjyerve drejt marrjes së pushtetit. Por jemi edhe në kohën kur Rama fillon projektin që do të shfaqet hapur në zgjedhjet e vitit 2017 kur hedh parrullën se e keqja buron nga të tjerët, që i quan “parti të tepsisë”, dhe kërkon të gjithë pushtetin në duart e veta. Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2017 bëri të qartë edhe për më optimistët e të barazlarguarve antisitem se kryepartia e sistemit dhe aleatët e saj, oligarkë si Doshi apo Rakipi, fituan jo vetëm kundër opozitës së sistemit, por edhe kundër të barazlarguarve antisistem.

Teza ime, që shpjegon pse kam ndryshuar mendim, është se që prej asaj kohe hyjmë në një fazë të re të sistemit që ndryshon në mënyrë cilësore karakterin e tij duke e shndërruar në regjim. Personalisht këtë fazë e kam quajtur shpesh “putinizëm”, “parti shtet”, “Tirani të maxhorancës”duke patur parasysh një sistem ku maxhoranca, ndryshe nga ç’ka ndodhur deri në 2013, megjithë konsumimin nga pushteti vjen duke u forcuar, kurse opozita vjen duke u dobësuar pa arritur dot më të kryejnë rotacion. Duke iu referuar një shkrimi të Yuval Hararit të datës 9 mars 2023 me titull: “Ajo që po bën qeveria izraelite nuk është një reformë në drejtësi por një grusht shteti” do ta quaja sistemin ku jemi edhe një grusht shteti të kryer nga lart.

Harari, nisur nga projekti i Netanyahut për të kryer një reformë në drejtësi, që do t’i japë atij undësinë e kontrollit mbi të, thotë se ka dy forma grushtesh shteti: ata që nisin “nga poshtë” kur psh. gjeneralë të etur për pushtet sulmojnë selitë e shtetit me tanke dhe rrëzojnë pushtetarët e radhës; si dhe ata që nisin “nga lart” kur qeveritë e ardhura në pushtet në mënyrë të ligjshme, fillojnë e përdorin pushtetin për të sigur përjetësinë e pushtetit.

Është ky lloj grusht shteti nga lart, që, ndryshe nga të parët nuk kryhet në pak ditë dhe me dhunë, por gradualish dhe në mënyrë paqësore, që ka projektuar Rama dhe që po e çon drejt realizimit të plotë. Këtë e ka kryer dhe po vazhdon ta kryejë jo vetëm nëpërmjet kapjes të aktorëve më të rëndësishëm të ekonomisë (ku duhet përfshirë edhe krimi i organizuar), të mediave, të shoqërisë civile, por edhe nëpërmjet disa reformave ligjore si ajo në drejtësi, ajo administrative, ajo zgjedhore, – për të përmendur vetëm ato më kryesoret. Në këtë proces ndryshimi ligjesh, medemek në emër të së mirës së popullit, që kemi parë t’a kryejnë edhe lider autoritarë si Putini, Erdogani, Orbani apo Kazinski, veçanërisht kur flitet për reformën në drejtësi, duhet përmendur edhe kapja dhe përdorimi i ndërkombëtarëve nga Rama. Madje kjo duhet theksuar në mënyrë të veçantë pasi ata kanë shërbyer si legjitimues edhe si financues të këtij grushti shteti me aktorë kryesorë më herët ambasadorin amerikan Donald Lu dhe atë të BE-së Romana Vllahutin dhe më pas me ambasadoren amerikane Yuri Kim dhe atë të BE Soreca.

Si rezultat i këtij grushti gradual shteti sot nuk jemi më në sistemin që kemi pasur deri në vitin 2015 – 2017 por në një regjim, që ka instaluar një lloj gjendjeje të jashtëzakonshme, që sipas Ramës duhet të zgjasë derisa ai të pastrojë përfundimisht të keqen – retorikë tipike kjo e diktaturave ku pastrimi i së keqes identifikohet me eliminimin e kundërshtarëve politikë dhe gjendja e jashtëzakondëshme jo vetëm nuk mbaron kurrë, por sa vjen e rëndohet. Për rrezikun e kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme ka paralajmëruar edhe Komisioni i Venecies kur kritikonte reformën tonë në drejtësi, duke u shprehur për vetingun se “një zgjidhje e tillë radikale do të ishte e pavend në kushte normale” dhe se “si çdo masë e jashtëzakonshme, (ajo) krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga forca politike që kontrollon procesin”. (shih për këtë edhe shkrimin tim të janarit 2016 “Draft – kushtetuta e një grushti shteti” (http://perpjekja.blogspot.com/2016/01/draft-kushtetuta-e-nje-grushti-shteti.html))

Shkurt, situata e krijuar që kur ka nisur ky grusht gradual shteti nuk është më ajo e vitve 2015-2017, kur e mendonim rotacionin si diçka të garantuar dhe synonim që ky të sillte në pushtet forca të reja. Sot jemi në një regjim që po punon në mënyrë gjithnjë e më agresive për eliminimin e kundërshtarëve sa duke ndryshuar ligje aq dhe duke shkelur i pacënuar nga drejtësia që ka kapur ligjet që kanë mbetur ende pa ndryshuar. Prandaj të jesh antiregjim sot nuk është e njëjta gjë me të qënit antisistem dje.

Se çdo të thotë të jesh antiregjim sot mjaft të shohësh se çfarë ndodhi këto ditë në Izrael ku, për të mbrojtur demokracinë e kërcënuar nga reforma në drejtësi e Netanyahut, u bashkuan kundër tij jo vetëm krejt opozita, por edhe shoqëria civile edhe presidenti i vendit Isaac Herzog deri dhe ministra të qeverisë si ai i mbrojtjes Yoav Gallant dhe ku, më në fund, u shpall edhe një grevë e përgjithshme që e detyroi Netanyahun ta ngrijë reformën në drejtësi.

Ndërkaq tek ne, po të ndjekësh diskursin e të barazlarguarve antisistem, do të dallosh se shumica e tyre, me vetëdije apo pa vetëdije, e injorojnë këtë grusht shteti gradual që ka ndodhur dhe vazhdojnë të pretendojnë se jetojmë në të njëjtin sistem si të para vitit 2013. Po të vesh re këta nuk e përdorin fjalën regjim. Sipas tyre rotacioni në Shqipëri nuk ndodhi pas 8 vjetësh, siç kishte ndodhur më parë, jo sepse Edi Rama ndryshoi pabesisht ligjin elektoral duke eliminuar koalicionet, as sepse, duke shkelur i pacënuar nga drejtësia ligjin, kishte ngritur një sistem të tërë patronazhistësh, që është ende në veprim, (rreth 900 000 vetë) për të gjuajtur votues, as sepse, gjithë duke shkelur i pacënuar ligjin kishte shpërndarë tendera e dëmshpërblime tërmeti në kohë fushate, as sepse kishte vënë në veprim për shantazhim dhe blerje votash bandat e krimit të organizuar të mbrojtur nga prokurorët dhe policët e shtetit, por sepse opozita, duke qenë pjesë e sistemit nuk i frymëzon njerëzit për ta përmbysur atë me votë.

Kur flas për të barazlarguarit kam parasysh disa kategori syresh kufiri midis të cilëve nuk mund të ndahet prerazi. Kam parasysh të barazlarguarit e rremë: ata që e kanë kthyer këtë në një biznes personal e shfaqen në prag të zgjedhjeve për t’i hequr vota opozitës së sistemit, dhe që pastaj zhduken për t’u rikthyer në prag të zgjedhjeve të tjera; kam parasysh ata që e bëjnë sepse besojnë vërtet se jemi në vitin 2015 nga mungesa e instiktit politik apo pse u është errësuar ky nga ambiciet për protagonizëm; të tjerë që besojnë edhe pas skandalit Mac Gonical se ndërkombëtarët nuk do ta lejojnë ndërtimin e një diktature në Shqipëri. Ka edhe një kategori të barazlarguarish që e përdorin fjalën regjim, dhe janë kundër tij, por që nuk kërkojnë bashkimin e të gjitha forcave që janë në opozitë për të ndalur të keqen, pasi urojnë rritjen e saj deri në atë pikë saqë regjimi të rrëzohet nëpërmjet një dhume ndëshkuese popullore. Ndër të barazlarguarit duhen futur edhe më të këqijtë e të këqijve: indiferentët, për të cilët Ajnshtajni thotë: “Bota është një vend i rrezikshëm, jo për shkak të atyre që bëjnë vepra të liga, por të atyre që rrinë e shikojnë dhe nuk bëjnë asgjë.”

Në fakt, të gjithë këta së bashku, aktivisht apo pasivish, po punojnë bash për të kundërtën e atij bashkimi që na tregoi shoqëria izraelite kur ndjeu se po i kërcënohet gjëja themelore mbi të cilën qëndrojnë të gjithë: demokracia. Pa mënjanuar edhe rolin e opozitës së sistemit në këtë që po ndodh, do të thoja se, me vetëçdije apo pa vetëdije të barazlarguarit po punojnë për shkatërrimin e çdo bashkimi nëpërmjet ç’orientimit, ndarjes, përçarjes të njerëzve në sa më shumë pjesë. E gjitha kjo shkon në favor të parimit përça dhe sundo që përdor Rama për të çuar përpara grushtin e tij të shtetit deri në eliminimin e plotë të kundërshtarëve përfshirë edhe të barazlargurit që duket e kanë harruar (apo nuk e kanë mësuar kurrë) atë thënien e priftit gjerman Marin Niemöller: “Në fillim morën romët dhe unë u kënaqa sepse ata ishin hajdutë. Pastaj morën ebrejtë dhe unë nuk fola sepse më dukeshin antipatikë. Pastaj morën homoseksualët, dhe u çlirova, sepse më bezdisnin. Pastaj komunistët dhe unë nuk thashë gjë se nuk isha komunist. Një ditë erdhën e më morën mua dhe nuk kishte mbetur më kush të protestonte.”

MË TEPËR

Kryesore9 orë më herët

Sali Berisha e vrau opozitën

Nga Andi Bushati Vendimi i Sali Berishës për të pranuar variantin e Ramës kundër listave të hapura nuk është vetëm...

Mix1 ditë më herët

10 vendet më të bukura që mbrohen nga UNESCO dhe që duhen vizituar një herë në jetë!

Duhet diçka e veçantë për t’u futur në listën e vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Që nga shpallja e...

Mix1 ditë më herët

Etiketat po ju mashtrojnë? Si të dalloni kollaj nëse vaji i ullirit është 100% i pastër

Edhe pse nuk ka pothuajse asnjë shishe vaj ulliri ku të mos shkruhet se është vaj 100 për qind i...

Radar1 ditë më herët

Donald Trump ndjek fjalimin e Biden në avion: Shumë i keq, mezi kuptohet!

Donald Trump ishte brenda avionit të tij personal në momentin e fjalimit të Joe Biden, pas një takimi në Karolinën...

Radar1 ditë më herët

NBC News: Obama së shpejti do të shpallë mbështetjen e tij për Kamala Harris!

Ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama, pritet që “së shpejti” të shpallë mbështetjen e tij për Kamala Harris, për emërimin e kandidates demokrate...

Mix1 ditë më herët

Një listë me emra të rrallë dhe specialë për vajza ^.^

Nëse jeni duke kërkuar për një emër të rrallë për emrin e bebushes suaj, duhet që të kaloni nga “shtigje”...

Mix1 ditë më herët

Halle Berry nderon 20-vjetorin e Catwoman me foto tejet provokuese!

Halle Berry 57-vjeçarja ka patur rolin kryesor në filmin Catwoman të vitit 2004, dhe së fundmi me rastin e 20-vjetorit...

Mix1 ditë më herët

Selena Gomez ndan me publikun momente intime nga jetesa ne Benny Blanco!

Selena Gomez e quajti Benny Blanco “dashuria e jetës sime” në Instagram në fillim të kësaj jave, dhe tani ajo...

Mix1 ditë më herët

Brenda shtëpisë së Harry dhe Meghan në Londër!

Princi Harry dhe Meghan Markle nuk kanë jetuar në Frogmore Cottage në pasurinë Windsor që kur u transferuan në SHBA...

Mix1 ditë më herët

Publikohet traileri i filmit për jetën e Bob Dylan

Është publikuar traileri i parë i filmit “A Complete Unknown”, biografia për Bob Dylan. Aktori Timothée Chalamet luan rolin e...

Facebook