Lidhu me ne

Letersi

“Dhimbja nuk ka mëshirë”, poezi nga Preç Zogaj


“Dhimbja nuk ka mëshirë”, poezi nga Preç Zogaj

(Nga vëllimi “Kalimi”, 1998)

1-Ajri mblidhet lëmsh në zemrën time

Ajri mblidhet lëmsh në zemrën time.
Edhe pak kohë do të jetë i jetueshëm
ky vend ku flaka s’ka e s’ka të sosur
në vijën e hapur për në ish-histori.

Gjallë ende në shpirt, prandaj të turpëruar
nga fytyrat tona kaq të pandryshueshme.
Si do t’ia bëjmë me dashurinë tonë?
Në cilën gjuhë do fshihemi,
në ç’dialekt do duhemi?

Në çdo pasqyrë
na vështron mëkati.

1995


2-Të ikësh e të vish

Të ikësh e të vish – kjo është çështja.
Të mungosh dhe askush të mos vuajë për ty,
të prekësh botën tjetër dhe të kthehesh.

Këtu ti ke harruar të luash,
Të vjen keq të hash,
të dhëmb të flasësh.
Ti ke qenë atje dhe je kthyer
para pak çastesh.

Shpejt, shpejt se drita e mbrëmjes
po shuhet në muzgun banal!
Mendimet hyjnore të botës
vriten në tokën e sotme.

Tani jemi prapë të barabartë!

Verë 1995


3-Kalimi

Në rugën për Lezhë, natën vonë,
duke u thyer mesnata, epoka,
Syri im, shpirti im
pret e mbledh
rrugë të përlotura.

S’do të kem të bëj më meTiranën,
me errësirën prapa,
Nisja nuk ekziston,
Nuk ekziston vazhdimi.
Ka vetëm zhvendosje
Dhe ndoshta mbërritje
Në një tjetër rilindje.

Minutat e kohës, shekujt e shpirtit
Në sinkron rrotullohen dhe rrahin në zemër,
Fshtra të heshtur përçark dhe nata që përpelitet
sikur po lind një natë tjetër.

Do të arrijjmë diku,
Do të kalojmë matanë
Shtatëdhjetë kilometra dhe pafundësi,
Të lirë makinë duke e lenë
në terr e yllësi…

Kalimi u bë, po tani çdo të jetë?
Shpirti më thotë: mos u kthe, mos u nis!
Poshtë është përseritje, lart është mërzi
Dhe besoj asgjë, asgjë midis.

Qershor 1998


4-E vazhdueshme

“Kur bie ora katër e mëngjesit
unë nuk jam veçse një fantazmë”
Fitsxherald

Çdo natë unë vdes
pa pendesë, pa kujtime.
Por në mëngjes
fantazma ime ngrihet,
truri ngadalë mbushet me gjykime,
Dhe s’mbaron kurrë,
kurrë s’mbaron
as kjo jetë,
as ajo jetë.


5-Vetmia e saj

Vetmia e gruas sime
është sinjifikative
në vitin në vazhdim
në moshën dyzet vjeç.

Me të rënë mbrëmja mblidhet si mjellmë,
Ka shumë frikë, shumë dhimbje në sy.
Unë e kuptoj: me një bishë të egër
kufizohet vetmia e gruas sime.

Vetmia e zbrazur, vetmia vetmitare
e gruas sime në vitin në vazhdim,
vizitohet natën nga pemë të përgjakura,
toka të rroposura, det i rënë përmbys…

Pastaj vinë me radhë fëmijë që ngjallen
në prehrin e burrave dhe kërkojnë sisë.
Miliona shenjtorë me lot nëpër faqe
dalin nga pendimi njerëzor.

Vetmia e gruas sime zgjohet.
Është ditë, bota s’ka lëvizur nga vendi.
Gjithçka duket normale në vitin në vazhdim,
Vetëm këpucët e mia s’po mbushen me mend,
Prapë ia marrin vrapit duke u lidhur rrugës.

korrik 1996


6-Dhimbja nuk ka meshirë

Marçelo Mastrojanit

Nganjëherë vij dhe unë nga një planet tjetër
ta banoj përkohësisht këtë tokë, këtë gjuhë.

I shoh, i njoh njerëzit e racës.
Ikin e vinë me dorën në faqe,
duke mbledhur rrugës
plagët e padukshme.

Por dhimbja nuk ka mëshirë.
Nuk i fal ajo vizitorët
që vinë ta marrin
në një copë zemër…

Marçelo Mastrojani vdiq në Tokë.


7-Rruga “Prever”

Rruga “Prever”. Tetë e tetë gjashtëmbëdhjetë…
Po gjashtëmbëdhjetë e gjashtëmbëdhjetë sa bëjnë?
Nuk bëjnë asgjë gjashtëmbëdhjetë e gjashtëmbëdhjetë,
Sidomos nuk bëjnë tridhjetë e dy,
Në asnjë mënyrë.
Ende jo.
Dhe më tej,
Gjithë këto vite,
Zhak Prever s’ka lëvizur nga vendi,
Parisi prapë e prapë në mëdyshje:
Ikën, kthehet, ikën, kthehet,
Nuk di si t’ia bëjë,
Nuk di nga t’ia mbajë,
Në një anë monedha unike, Mahstrihti,
Barbara e lagur qull në anën tjetër,
pa asnjë shpjegim, shkrehet në dënesa.

Si ikën koha!
Si nuk ikën koha!
Më gjatë se çdo gjë unë kam jetuar.
Vetëm unë nuk jam ai që kam qenë
dje, pardje…-
Vetëm unë kam ndryshuar!

Të tjerët ta marrin në dorë
Shqipërinë e vrarë
me gurë qiellorë.
Dikush duhet të qajë atje dhe sa kohë
lotët i kam ende mu në grykë,
i dal unë zot edhe njëherë vajtimit.

Paris, maj 1999

*Barbara- personazh i një poezie të famshme te Preverit


8-Të bukurat ikin

Të bukurat ikin, kështu e kanë zakon,
Nuk i mban vendi, as ne.
Në qytetet e botës me gidë në dorë
humbasin shpesh, përgjithnjë.

Emrat e tyre shqiptohen ndryshe.
Pamja e tyre gjithashtu është tjetër,
Janë shumë të zëna duke ndjekur oraret,
A duke u ikur akrepave.

Por nganjëherë, kur rastësisht,
ndalen diku të mbushen me frymë,
Ylli i tyre shndrit disa sekonda
me një dritë të harruar
që nuk emërtohet.

Më ndodhi mua në Paris,
isha vetëm,
në Sharl De Gol d’Etoile, afër metrosë.
Më jepte shenjë një vizllim i butë
nga ana e flatrës…

E pashë Veronikën pas kaq kohësh,
Në terr… përtej… po puthej me mua.

Paris, maj 1999


9-Ndryshime…

Akoma gjallë në rrugën për Lezhë,
mes kujtimesh të panjohura,
mes kujtimesh të vdekura.
Përskaj të njëjtit det
dhe maleve të njëjta.

Mirë ia kanë bërë dashurisë sime!
Tani nuk e ruan asnjë gur, asnjë dallgë.
I tepërt shkoj rrugës, endacak dhe në pritje,
më i vogël se im bir,
më i vjetër se im atë.

Akoma gjallë në Fildanë, në kullë,
kthyer s’di kur,
zgjuar në torturë.
Pulat e rosat tremben,
Nuset e orët çmenden.
Prindërit e mi të urtë –
fëmijë, tamam fëmijë,
bëjnë kryqin e shkojnë
të ndezin një qiri.

Kohët u hallakatën,
veç kajsia e kopshtit
lulëzon si më parë…
Nuk shkon, diçka është prishur.
Akoma gjallë Edi,
Gjallë Iliriani-
i prekuri i radhës
prej Afërditës.

Pranverë, 1996


10-Revolucioni

Në fushë të nderit
mijëra pemë ranë,
Shumë porta u mbyllen
me ferrë e me vaj
O, çfarë qimiteri
Dhe çfarë mërize,
Dhe sa pak dhimbje
Përballë kësaj flije.

Ne, po ata
Gjallë dhe fitimtarë!

Shkoi revolucioni.
Vështrimet shëtisin
mbi plagët e rrugëve
në tokë të djegur.
Dy duar të holla
më kot mundohen
të vëne në punë
dashurinë…

Ne besë na preu
Revolucioni!

Qershor, 1995

MË TEPËR

Kryesore1 javë më herët

Bushati ia thotë në sy Berishës: Në Tiranë krimi s’ka ndikim dhe ju humbët thellë. Saliu: Komisionerët tanë i shitën zgjedhjet, se iu ikte koka

Sali Berisha, i ftuar në Syri Tv, iu përgjigj gazetarit Andi Bushati, i cili tha se pse u dorëzuan komisionerët...

Sport2 javë më herët

VIDEO: Kamionisti publikon pamjet e para pas aksidentit tronditës të Diogo Jota

Një kamionist ka filmuar makinën e tipit Lamborghini të portugezit Diogo Jota pak minuta pas aksidentit të mesnatës, teksa automjeti...

Radar2 javë më herët

Ish-kryeministri izraelit: Të ndalet lufta në Gaza, njerëzit po vriten në radhë për bukë

Ish-kryeministri izraelit Ehud Olmert, i njohur për qëndrimin e tij dialogues dhe për bashkëpunimin me intelektualë palestinezë si Sari Nusseibeh,...

Mix2 javë më herët

Elena Ferrante: Mos përgojoni gratë

Përktheu: Loreta Bërhami Si është e mundur, më pyesin njerëzit, që nuk njeh qoftë edhe një kurvë? Patjetër që njoh:...

Mix2 javë më herët

Kush nuk mund të hajë domate?

Fruti i kuq lëngshëm dhe freskues i mbushur me likopen është i dashur nga të gjithë dhe konsiderohet një ushqim...

Mix2 javë më herët

Boronicat, si t’i përdorni për uljen e tensionit të gjakut

Boronicat janë të ëmbla, ushqyese dhe shumë të shëndetshme. Këto fruta kaq të vogla i bëjnë kaq mirë trupit dhe...

Kryesore2 javë më herët

Humbja e thellë më 11 Maj – Lefter Maliqi: Duhen dorëheqje në PD! Nëse s’bëjmë analizë, Rama do na turpërojë përsëri

Nëse opozita nuk bën një analizë të thellë brenda vetes së saj me rigjenerim strukturash, dorëheqje të njerëzve që dështuan...

Mix2 javë më herët

Q5: Roboti i ri humanoid me AI të përparuar që bën gjëra të paimagjinueshme

Në vitet e fundit, robotika humanoide ka përjetuar një përshpejtim të paparë, me Kinën që po e vendos veten si...

Mix2 javë më herët

4 gjëra që bëjnë njerëzit autentikë pa u munduar fare

Carl Jung ka thënë: “Privilegji i jetës është të bëhesh ai që je vërtet.” Si qenie njerëzore, shumica prej nesh dëshirojmë të...

Mix2 javë më herët

Shenjat e horoskopit të cilave u hapet “porta e parave”!

Dashi Vëmendja juaj tani është te financat tuaja. Mërkuri në Demi nga 10 deri më 25 maj është i mirë...

Facebook