Lidhu me ne

Kritike

Edi Rama, eksperti i pallavrave

Nga Enver RobelliEdi Rama, eksperti i pallavraveDhuratat e Ramës për krerët e shteteve pjesëmarrës në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë

Ka muaj që shumë kolegë nga mediat gjermane e zvicerane më pyesin: “A mund të na tregosh çka ka ky njeri me këto deklarata qesharake?” Ky njeri është Edi Rama. Pyetjen e kolegëve gjermanë e zviceranë ia bëra para disa ditësh edhe një miku në Tiranë. Përgjigjja e tij ishte e shkurtër: “S’ka agjendë, ka veç protagonizëm amatoresk”. Zëra të tjerë në Tiranë thonë se Edi Rama ka agjendë, se ende është në sirtar plani i pluhrosur për “korrigjimin e kufijve”, sipas të cilit një Kosove me rreth 30 për qind territor më pak nuk do t’i mbetej gjë tjetër veçse t’i bashkohej Shqipërisë. 

Edi Rama e ka krehur tashmë mjekrën për t’u dukur si Ismail Qemali dhe ndoshta ndonjë zdrukthtar politik në Prishtinë është duke ia përgatitur shkallët për t’u ngjitur në një ballkon të improvizuar të ish-hotel Unionit në Prishtinë për ta shpallur “bashkimin e tokave tona”. Gjasat që kjo të bëhet realitet duken të vogla tani për tani, e me Edi Ramën madje nën zero. Vrojtues të tjerë në Tiranë serinë e deklaratave herë të çuditshme, herë absurde, herë qesharake, herë të rrezikshme të Edi Ramës sa i përket Kosovës e ndërlidhin me rivalitetin e tij me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Shkas për këtë i ka ofruar edhe Kurti me ndërhyrjen e tij në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, me parada patriotike nëpër Lezhë, me intervista në televizionet e Tiranës ku gazetarët kritikë ndaj Ramës e parashikonin Albin Kurtin si profetin kosovar që do ta çlirojë Shqipërinë nga korrupsioni e krimi dhe do të sjellë parajsën e mirëqeverisjes – diçka që Kurti, për fat të keq, nuk e ka arritur as në Kosovë gati tri vjet nga ardhja në pushtet. 

Duhet kujtuar me këtë rast edhe diçka: dashuria e vëvëistëve të Albin Kurtit për Edi Ramën ka qenë aq e madhe dikur, saqë ata, pra deputetët e VV-së, nuk hynë në fillim të mbledhjes solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë, sepse – dëgjoni, lexoni – deputetët e VV-së nuk dëshironin ta dëgjonin himnin e Kosovës, as nuk dëshironin të çoheshin në këmbë në nderim të simboleve kombëtare e shtetërore të Kosovës.

Ama, deputetët e VV-së hynë në sallën e Kuvendit të Kosovës kur Edi Rama nisi fjalimin e tij të qullët patriotik dhe propozoi që Kosova e Shqipëria të kenë një president të përbashkët. Këtë ai e thoshte për ndezje të ndjenjave patriotike të shtresave naive e folklorike në krye të së cilave ishte vënë edhe VV. (Për hir të së vërtetës duhet përkujtuar se edhe LDK para një fushate jo të largët elektorale i pati premtuar popullit se do ta bëjë flamur të shtetit të Kosovës flamurin e Ibrahim Rugovës).

Pa marrë parasysh motivet që e shtyjnë Edi Ramën të merret me Kosovën ashtu siç po merret ai, e padiskutueshme është se Rama tashmë ka shkaktuar një dëm të madh politik dhe ka neveritur shumë njerëz në Kosovë. Sepse Edi Rama nuk ka ndjenjë mosdurimi vetëm ndaj Kurtit. E ka demonstruar këtë edhe ndaj Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt, të dy kanë qenë kryeministra të Kosovës.

Vërtet, çka ka ky njeri? Që vjen në Kosovë dhe tallet me shqiptarët e Kosovës që s’po ditkan të dallojnë shqiptimin e shkronjave “ç” dhe “q”. Që vjen në Kosovë, futet në parlament, mban leksione të deformuara të historisë dhe deputetët e LDK-së në shenjë proteste dalin nga salla e parlamentit. Që vjen në Kosovë dhe thotë se Vetëvendosje është pasuri kombëtare, atëherë kur VV hidhte gaz lotsjellës në parlament – një veprim që e kam kritikuar atëherë dhe e kritikoj edhe sot. Sot Edi Rama mes rreshtave Vetëvendosjen e krahason me Hamasin, kur thotë se Palestinës ia mohuan lirinë pengmarrësit. Në këtë përshkrim si pengmarrës skicohen edhe pushtetarët e tanishëm në Kosovë, ndonëse legjitimitetin e tyre të fituar me vota nuk e kontestojnë as partitë opozitare, as mediat më kritike ndaj Kurtit, as shtetet perëndimore.

2.

Ka disa shqiptarë mendjeshkurtër që Edi Ramën e quajnë tradhtar. Nuk ka akuzë që ai e mirëpret më shumë. Në këto raste ai fërkon duart  dhe shkruan gjerë e gjatë nëpër forume digjitale se si, sipas trutharëve shqiptarë, qenka “tradhtar”, “vëlla i Vuçiqit” etj., në të vërtetë, sipas autoportretit, Rama e sheh veten si vizionar. Përtej etiketimeve “tradhtar” apo “patriot” ia vlen, gjithsesi, të shihet se çfarë ka dalë nga goja e Edi Ramës muajve e viteve të fundit.

Para gati 10 vitesh mori guximin dhe tha në Beograd se Serbia duhet të pranojë Kosovën. Aleksandar Vuçiqi bëri atë që di më së miri: aktroi të hidhëruarin. Që nga atëherë Edi Rama duke u kyçur në valle politike të komponuara në Beograd (si projekti “Ballkani i Hapur”) dhe duke dhënë deklarata të pamatura lidhur me Kosovën e ka shndërruar veten në politikan vetëm dëmshkaktues. Jo vetëm ndaj Kosovës. Edhe ndaj Shqipërisë.

Një intermexo: ta lëmë për pak anash Albin Kurtin, të cilin Rama duket se nuk e duron më, e me gjasë antipatia tashmë është e dyanshme, por Rama dikur ka qenë i mllefosur edhe me presidentin Hashim Thaçi për shkak se ky ia bojkotoi një takim të “Ballkanit të Hapur” në Ohër. 

Po ta merrte dikush seriozisht Edi Ramën në Perëndim, do të merrej seriozisht edhe plani që ai shkroi “me ekspertë eminentë” për bashkësinë e komunave serbe në Kosovë. Pa u konsultuar me qeverinë legjitime të Kosovës.

Ndërsa bota demokratike perëndimore i kërkonte Serbisë t’i vendoste sanksione Rusisë pas agresionit kundër Ukrainës, Edi Rama dilte e bërtiste sokakëve politikë të Europës dhe Tiranës që Vuçiqi të lihej i qetë, të mos ngacmohej, sepse, sipas Edi Ramës, “pa Rusinë Serbia nuk mund të mbijetojë”. Kur politikanë në Kosovë (edhe të opozitës) paralajmëronin mbi rreziqet që Kosovës i kanosen nga Serbia, Edi Rama thoshte: “Ushtria serbe hyn në Kosovë vetëm si turist”. Ose: “Nuk jam i shqetësuar për armatosjen e Serbisë. Nuk shoh arsye për t’u shqetësuar…”.

Futja e arsenaleve të armatimit nga Serbia në zonat e banuara me serbë në Kosovë, futja e bandave paramilitare, e njësive terroriste dhe kontrabandistëve në shërbim të shtetit dhe sulmi i 24 shtatorit ku u vra një polic i Kosovës dhe disa u plagosën qenë dëshmia më e parrëzueshme mbi rolin destruktiv të Serbisë në Kosovë – rol që Edi Rama bëhet sikur nuk e sheh. “Ushtria serbe”, thoshte Rama në maj 2023, “në kufi të Kosovës ka një fuqi të barabartë me zero.” Në atë kohë me gjasë banda e Millan Radoiçiqit po bënte përgatitjet finale në poligone të ushtrisë së Serbisë për të hyrë në Kosovë. Në qershor Rama vazhdonte: “Nuk ka kërcënim për Kosovën nga viti 1999, ai është vetën më mendjen e politikanëve në Kosovë dhe vetëm një mënyrë për të bërë politikë të brendshme…”. Ky rrezik ka ekzistuar edhe më 2011 kur në pushtet nuk ishte VV, por Hashim Thaçi, i cili e dërgoi policinë speciale në veri dhe me atë rast terroristët serbë vranë një polic kosovar.

Nuk ka punë më të mërzitshme se t’ia shpjegosh një kryeministri të Tiranës historinë e Kosovës të cilën ai – po të donte – do e gjente me dy fjalë të hedhura në google, por me gjasë duhet bërë edhe këtë punë për të mos lejuar t’i fyhet inteligjenca një populli nga dërdëllitjet e çdoditshme të Edi Ramës për Kosovën.

Po në qershor të këtij viti ai thoshte: “Kosova nuk mund të sillet sikur Serbia është kërcënim për Kosovën.” Vërtet, çfarë ka ky njeri? A është aq politikisht i papjekur apo i këshilluar keq nga këshilltarë të këqinj? Apo pushteti i pamatshëm, mandati i tretë, ndenja e paprekshmërisë, i kanë krijuar atij bindjen se është edhe i pagabueshëm në çdo hap që bën?

3.

Kur nuk shpërndan ndonjë pikturë e pjatë, Edi Rama tregon përralla. Në serinë e përrallave të tij shquhet, së fundi, sidomos krahasimi që i bëri konfliktit të Palestinës me konfliktin e Kosovës. Tha se po e citonte Bill Clintonin, i cili i paskësh thënë se edhe palestinezët me në krye Jasir Arafatin ashtu si Kosova (më saktë: krerët e saj aktualë politikë) nuk paskan nënshkruar një marrëveshje dhe kësisoj e paskëshin humbur shansin e madh historik. Shansin e madh historik për çka? Kjo është një pyetje e vështirë për Edi Ramën, sepse ai nuk merret me detaje të mërzitshme të konfliktit të përgjakshëm në Lindjen e Afërt. Ai merret me lakim e përdredhje faktesh që t’i përshtaten propagandës së tij.

Meqë është e pamundur të verifikohet se çfarë i paskësh thënë Bill Clintoni Edi Ramës gjatë takimit të tyre në Tiranë (në prani të të gjithëpranishmit Alexander Soros, i cili vajton me të drejtë se në Hungari qeveris një autokrat si Viktor Orbani, por në të njëjtën kohë nuk e ka fare problem të pi verë në sallonet e Aleksandër Vuçiqit apo të lavdërojë Edi Ramën si lider të përmasave planetare) – pra, meqë është e pamundur të verifikohet vërtetësia e fjalëve që Edi Rama i hedh në opinion, le të konsultojmë këtu dy shkencëtarë gjermanë që janë njohës të thellë të historisë së konfliktit izraelito-palestinez. 

Muriel Asseburg punon për Fondacionin Shkenca dhe Politika në Berlin, një institucion prestigjioz që shkruan analiza për qeverinë gjermane, ndërsa Jan Busse është profesor në Universitetin e Bundeswehrit (armatës gjermane). Këta dy autorë kanë shkruar një libër mbi konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës. Ata theksojnë se negociatat në Camp David të ndërmjetësuara nga presidenti Bill Clinton në korrik të vitit 2000 dështuan për shkak se pala izraelite bëri propozime për opsionin e dy shteteve (një shtet izraelit, tjetri palestinez), të cilat qenë shumë larg “kërkesave minimale” palestineze siç ishin: një territor i Palestinës i ndërlidhur mes vete dhe i bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Jerusalemin lindor si kryeqytet si dhe zgjidhja e çështjes së refugjatëve palestinezë bazuar në Rezolutën 194 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Asseburg dhe Busse, të cilët kanë mësuar për historinë e Lindjes së Afërt me siguri më gjatë se konferenca për shtyp e Edi Ramës dhe Emmanuel Macronin në Tiranë, pra këta ekspertë gjermanë thonë se një nga arsyet e dështimit të negociatave në Camp David të SHBA-ve ishte se kryeministri izraelit Ehud Barak dëshironte t’i aneksonte blloqet me kolonizatorë hebraikë në Bregun Perëndimor të lumit Jordan (West Bank) dhe të ruante sovranitetin izraelit mbi mbarë Jerusalemin. Barak hodhi poshtë edhe të drejtën e kthimit individual të refugjatëve palestinezë.

Shkencëtarët gjermanë Asseburg dhe Busse nënvizojnë se është mit që faji për dështimin e negociatave në Camp David është vetëm i Jasir Arafatit. Ky lexim i ngjarjeve është i gabueshëm, thonë ata. Mbase Edi Rama nuk e di, por do të duhej të kishte një këshilltar që do t’i tregonte se pas Camp Davidit lideri palestinez Arafat nuk i braktisi negociatat – ato vazhduan në Taba, një qytet në kufirin izraelito-egjiptian. Por në janar 2001 bisedimet i braktisi Ehud Baraku pasi që nuk kishte shumicë në Kneset (parlamenti izraelit).

Barakut i mungoi guximi për të vazhduar negociatat, theksojnë ekspertët gjermanë. Tendenca e Edi Ramës që duke e keqinterpretuar historinë e negociatave izraelito-palestineze ta godasë Kosovën në një moment tepër të vështirë gjeopolitik, tregon për mungesën e largpamësisë strategjike. Edi Rama me gjasë mendon se politika shtetërore bëhet me gjeste e me fjalime jokonvencionale që i argëtojnë bashkëbiseduesit perëdimorë në tavolinë. Por qëllimi nuk duhet të jetë argëtimi, por mbrojtja minimale e interesave të shqiptarëve në rajon. Ose së paku mosdëmtimi i këtyre interesave.

Sa i përket Lindjes së Afërt ndoshta i ndihmojnë Edi Ramës këto fakte: më 25 shkurt 1994 oficeri i ushtrisë izraelite dhe terroristi Baruch Goldstein vrau në një xhami në Hebron (për besimtarë të tjerë vendi njihet si Varri i Patriarkut) 29 palestinezë myslimanë dhe plagosi 150. Në mendjen e tij popullit hebraik i kërcënohej rreziku nga politika paqësore e kryeministrit Jicak Rabin. Më 4 nëntor 1995 Rabini, njeriu i paqes, i vra nga ekstremisti hebraik Jigal Amir. 

4.

Në mandatet e tij si kryeministër Edi Rama ka lënë shumë gjurmë në Shqipëri dhe vetëm nihlistët do të thoshin se janë vetëm gjurmë të këqija. Jo. Shqipëria sot është më e përparuar se më parë, infrastruktura është më funksionale, qytetet janë më të gjalla, imazhi i Shqipërisë është më i mirë se në të kaluarën – ndoshta ky është vetëm perceptim, por shifrat e turistëve nga mbarë bota janë një sinjal se Shqipëria mund të shndërrohet në destinacion të rëndësishëm turistik. 

Por ana tjetër e medaljes nuk është e ndritshme: si në qeveritë paraprake edhe në këto mandate të socialistëve korrupsioni, keqpërdorimi i pushtetit dhe lidhja e politikanëve me rrjete kriminale mbesin problem serioz. Janë bërë tashmë tre muaj që nga Shqipëria ka ikur ministri i Financave i cili dyshohet për shumë vepra penale. Që nga fundi i korrikut nuk ka ndodhur asgjë dhe nuk dihet a do të arrestohet fare. Ikja e njerëzve nga Shqipëria shkakton debate të ashpra madje edhe në parlamentin britanik.

Edi Rama mund të bërtasë e mllefoset kundër racizimit perëndimor, por fakti i hidhur mbetet: krimi i organizuar, shpëlarja e parave, kontrabanda me drogë mbeten kancer që gërryejnë Shqipërinë nga brenda dhe shtrihen jo vetëm në Europë. Nga mesi i majit radioja zvicerane transmetoi një reportazh të gjatë mbi zhvillimet në Ekuador, një shtet në Amerikën Latine. Aty thuhej se kundër presidentit Guillermo Lasso kishte filluar procedura e shkarkimit për shkak të keqpërdorimit të financave dhe lidhjes së njerëzve besnikë të tij me mafian shqiptare. Mafia shqiptare në Ekuador? Këto lajme nuk i mbulon dot shija estetike e Edi Ramës. Nuk është lajm i mirë për të dhe për Shqipërinë që në shumë artikuj të “New York Times” dhe të “Washington Post” emri i Edi Ramës përmendet krahas Charles McGonigal, një zyrtar i lartë i FBI-së amerikane i akuzuar për 100 të zeza – prej marrjes së ryshfetit deri te lidhjet me një oligark rus.

Nëse Edi Rama mendon se këto njolla i heq nga biografia e tij politike duke u marrë me Kosovën përmes deklaratave shpesh skandaloze, atëherë është mirë të mësojë nga Sali Berisha. Më 1997 ai duke parë rrezikun e shembjes së piramidave financiare, tentoi ta eksportojë krizën në Kosovë duke bërë thirrje që shqiptarët e Kosovës të përkrahin protestat e opozitës serbe kundër manipulimit të zgjedhjeve lokale në Serbi nga Sllobodan Millosheviqi. Ibrahim Rugova i rezistoi kësaj loje të pandershme të Sali Berishës. Sepse Rugova nuk e kishte hallin kush do bëhej kryetar i Kragujevcit apo Kralevës në Serbi. Pas këtij incidenti Berisha e Rugova nuk u takuan kurrë më. Përveç se në ditën kur u varros Ibrahim Rugova. 

Edi Rama thotë se e ka mik Albin Kurtin. (Ndonëse ndër fjalët më boshe në politikë është fjala “mik). Sidoqoftë, të dy, Ramën e Kurtin, i bashkon një gjë: dëshira për të ligjëruar. Do të ishte në të mirën e Shqipërisë dhe Kosovës që ata të mos i ligjëronin njëri-tjetrit, por të dakordoheshin për të ligjëruar bashkë disa parime që kanë parasysh interesat e përgjithshme të shqiptarëve në rajon.

/Koha.net 

MË TEPËR

Kritike17 orë më herët

O qeveri, pensionistët nuk janë numra, janë njerëz!

Nga Agim Xhafka Këto ditë po flitet shumë për të moshuarit. Veçanërisht pas indeksimit me 4% të pensioneve të tyre. Është...

Mix17 orë më herët

Si mjekohen sëmundjet e veshkave?

Në varësi të shkakut, disa lloje të sëmundjeve të veshkave mund të trajtohen. Shpesh, megjithatë, sëmundja kronike e veshkave nuk...

Mix17 orë më herët

Sa operacione çezariane mund të përballojë një grua

Disa gra lindin në mënyrë natyrale, kurse disa gra tjera lindin me prerje Cezariane. Secila foshnje vjen në këtë botë...

Kioske17 orë më herët

Super ironi / Trumpi ka hy në gjak me Sorosin

Nga Indrit Vokshi Në 2017, ishim në çadër dhe, në radhët e popullit të çadrës, asokohe thuhej se Donald Trumpi...

Mix18 orë më herët

Shakaja që bëri Mbretëresha Elizabeth në fund të jetës së saj

Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II bëri një shaka për ish-kryeministrin Boris Johnson në një mbledhje familjare, dy ditë para vdekjes...

Radar18 orë më herët

Plani “Draghi” për Europën

Në samitin informal të Budapestit u fok me një theks të posaçëm për Europën. Sidomos nga presidenti francez Macron dhe...

Mix18 orë më herët

Për Samsung Galaxy S25 disa ngjyra do të jenë ekskluzive

Nëse vetëm kohët e fundit u shfaqën thashetheme se Samsung po punonte për një Galaxy S25 Slim, indikacione të reja...

Mix18 orë më herët

Vazhdon efekti i Donald Trump mbi kriptovalutat: Bitcoin mbi 76 mijë dollarë

Efekti i Donald Trump mbi kriptovalutat vazhdon edhe sot, 48 orë pas fitores së manjatit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve...

Mix22 orë më herët

Këto janë 3 shenjat më të mërzitshme të horoskopit

Të gjithë e kemi takuar atë person që, pavarësisht qëllimeve të tij të mira, nuk arrin të tërheqë vëmendjen tonë...

Mix4 ditë më herët

Era e keqe e gojës tek fëmijët, shkaqet pse ndodh dhe çfarë të bëni!

Shpesh era e keqe e gojës së fëmijëve çudit prindërit, pasi pritet që nga fëmijët të ndiejmë vetëm erën e...

Facebook