Lidhu me ne

Kryesore

Liderët shqiptarë kanë dy cilësi identifikuese. Së pari, përpara se të vihen në krye të gjithë janë të bindur se do të bënin më mirë. Së dyti…

Kur duhet të japë dorëheqjen kryeministri i një vendi demokratik?

Nga Shaqir Sulaj

Historikisht liderët shqiptarë ndër të tjera kanë dy cilësi identifikuese. Së pari, përpara se të vihen në krye të gjithë janë të bindur se do të bënin më mirë. Së dyti, pasi t’i ngjiten kalit bëjnë çdo gjë që është e mundur që të mos i zbresin më. Kjo vërtetohet qartazi që nga diktatori, i cili sundoi për 40 vite, pasardhësit e tij që dhe pasi humbën zgjedhjet, mbanin peng foltoren e kuvendit nga fobia e largimit prej prezencës në jetën politike të vendit. Dhe së fundmi nga kryeministri aktual, që i përngjan kapitenit i cili nuk e braktis anijet që po përmbytet edhe nëse kjo do të thotë që anija, pra vendi ynë do të përmbyset bashkë me të.

Por drejtimi i një vendi kërkon që të ecin dorë për dore privilegji i “mbajtjes së vetme të timonit” dhe përgjegjësisë për ta vozitur vendin në rrugën e duhur, e cila padyshim është ajo e integrimit europian. Por sërish edhe këtë herë kjo përpjekje rezultoi e dështuar. Dy janë arsyet pse integrimi i vendit tonë mund të dështonte: E para nëse Bashkimi Europian nuk do ta bënte të qartë rrugën që duhet ndjekur dhe e dyta nëse timonieri ynë nuk do e ndiqte atë rrugë.

E para hidhet automatikisht poshtë sepse BE e ka bërë të qartë listën me kriteret që duhet ndjekur. Dikush mund të thotë se edhe pse kriteret u plotësuan BE sërish refuzoi të hapte negociatat, por është e vështirë të besohet se BE-ja po luan lojën “çfarë uji i ke dhënë gomarit”, që do të thotë se nëse nuk i plotëson pikat nuk hapen negociatat, nëse i plotëson sërish nuk hapen negociatat.

Atëherë problematika e vetme qëndron në faktin se Shqipëria nuk e ka ndjekur rrugën. Madje situata ishte e tillë që presidenti i Francës, z. Macron deklaroi se Maqedonia e Veriut u penalizua nga Shqipëria për shkak se nëse do të hapeshin negociatat me Maqedoninë e Veriut, rrezikohej destabilizimi i rajonit. Pra është si të thuash nëse vëmë një foshnjë në gjumë dhe tjetra po qan, rrezikojmë që të zgjohet dhe të qajë dhe tjetra. Duke qenë se Shqipërinë nuk mund ta vëmë në gjumë, atëhere po i lëmë të dyja të qajnë dhe për disa kohë.

Pavarësisht se Shqipëria ishte problemi, kryeministri Zaev dha dorëheqjen dhe hyri në bisedime për zgjedhjet e parakohshme. Gjest për t’u vlerësuar dhe për t’u marrë shembull për arsyen se në demokraci pushteti presupozohet që vjen nga populli dhe herë pas here kur diçka shkon keq duhet ritestuar besimi i popullit mbi timonierin e vendit.

Por kjo nuk është hera e parë që qeveria e ha turpin me bukë, siç thotë populli. Ka pasur një mori rastesh kur dërgimi i vendit në zgjedhje të parakohshme ishte më shumë se një nevojë, por një domosdoshmëri.

Raste të tilla, vijojnë që nga lajmet nga brenda dhe jashtë vendit ku kishte raportime masive për kanabizimin e vendit. Skandalet ku ministra kishin të bënin me kontigjent kriminal apo edhe trendi i ri në vendin tonë ku të shumëkërkuarit ndërkombëtarë nuk arrestoheshin deri në momentin që zgjidhnin të dorëzoheshin.

Ish kancelari i Austrisë Sebastian Kurtz dha dorëheqjen vetëm sepse një nga anëtarët e kabinetit të tij ishte i përfshirë në përgjime që lidheshin me keqpërdorimin e pushtetit. Ndërkohë që përgjimet e gazetarit gjerman Peter Tiede paraqisnin fakte konkrete mbi shitblerjen e votës, kanabizimin e vendit dhe kushedi se çfarë tjetër. Po ta marrësh sipas parimit të se keqes më të vogël të keqpërdorësh pushtetin është një vepër më pak e rëndë se sa të blesh votën, sepse të keqpërdorësh pushtetin do të thotë të keqpërdorësh besimin e dhënë nga populli, ndërsa të vjedhësh votën do të thotë të shkatërrosh parimin bazë të një demokracie.

Nga ana tjetër, protesta studentore vitin e kaluar, i çoi krismat e popullit deri te themelet e qeverisë, por sërish plakun Merre Fizi, nuk e luajti as uji as era as zjarri i studentëve, duke e sfumuar përpjekjen e tyre me mosreagime. Ky mosreagim ishte më ofendues për studentët se sa situata në të cilën ajka e popullsisë arsimohet. Kjo për shkak se ai mosreagim po vinte si pasojë qytetarisë së treguar prej studentëve për të mos e eskaluar protestën në akte dhune.

Rasti i kancelarit austriak ishte më i largët, por koncepti i dorëheqjes së një kryeministri në një vend demokratik u bë më i prekshëm me dorëheqjen e z. Haradinaj apo edhe asaj të z. Zaev që ishte pashmangshmërisht e lidhur me moshapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nëse kishte një arsye për t’u dorëhequr dhe aq mjaftoi, pse shumë arsye nuk mjaftojnë në vendin tonë? Siç dihet përgjithësisht demokracia është sundimi i popullit, nëse dikush apo diçka përpiqet t’ia heqë këtë sundim nga duart lind detyra për ta rimarrë atë, sigurisht në mënyrën më demokratike të mundshme.

MË TEPËR

Radar2 ditë më herët

Çfarë na tregoi Sondazhi për Opozitën?

Nga Indrit Vokshi Sondazhi në vetvete është njëfarë “spiunazhi”, ai përdoret si mjet për të mbledhur informacion e për të...

Kryesore2 ditë më herët

Çim Peka sulmon Ylli Rakipin dhe televizionin ku bëhet emisioni

Pak ditë më parë, gazetari Ylli Rakipi, deklaroi në emisionin e tij se para disa kohësh, kishte parë në një...

Kryesore3 ditë më herët

Shkatërrim në masë/ Qeveria pranon zyrtarisht se taksimi do të mbyllë gjysmën e profesioneve të lira

Klodian Tomorri Kur paraqiti projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024 në Parlament, Ministria e Financave programonte se taksimi i...

Radar3 ditë më herët

Në vend të japë llogari për 3 mandate, Rama merr në pyetjet Fevziun e Mark Markun

nga Anta Muçaku E ju prisni media e gazetari cilësore! Si mund të kemi gazetari cilësore kur Dekanin e Fakultetit...

Mix3 ditë më herët

3 Ushqimet më të mira për shëndetin e dhëmbëve

Ushqimet luajnë një rol kyç në shëndetin e dhëmbëve dhe për buzëqeshjen. Larja dhe pastrimi në imtësi i dhëmbëve, por...

Mix3 ditë më herët

Valbona Selimllari: E shoh shpesh videon kur u shpalla Miss, nuk më pëlqen

Valbona Selimllari ka treguar me shumë për jetën dhe karrierën e saj. Teksa ishte e ftuar ditën e sotme në...

Mix3 ditë më herët

Shenjat e hershme (përveç testit) që tregojnë se jeni shtatzënë

FOTO: GETTY IMAGES Kur mendoni për shenjat dhe simptomat e shtatzënisë, ato klasike që të vijnë në mendje janë shpesh...

Mix3 ditë më herët

Penelope Cruz (50 vjeç) tregon sekretin e bukurisë

GETTY IMAGES Ky vit i është dedikuar me gjithë dashurinë dhe fuqinë grave të Hollywood që janë mbi të 50-tat...

Mix3 ditë më herët

Disa emra të shkurtër për bebushat, frymëzuar nga VIP-at shqiptarë

Emrat e shkurtër janë gjithnjë e më në modë. VIP-at shqiptarë nuk u kanë rezistuar trendit me emrat që memorizohen...

Mix3 ditë më herët

Brad Pitt zbuloi tre “super filmat” që nuk donte t`i bënte: E urreja të punoja aty!

Brad Pitt ka zbuluar se në cilët filma e ka urryer të punonte, edhe pse ato rezultuan ne fakt, nje...

Facebook