Dietologia Blerina Bombaj ka ndarë në faqen e saj zyrtare në Facebook disa arsye bindëse pse tërshëra është një ushqim i rëndësishëm për fëmijët.
Kjo vjen edhe pas debatit të “nxehtë” që pushtoi për disa ditë rradhazi rrjetet sociale apo edhe mediat audiovizive, për ndryshimin e menusë së ushqimit të fëmijëve në kopshte dhe çerdhe.
Ja cilat jane disa nga arsyet që Bombaj përmend: 
Pasi bebet mbushin 6 muaj, janë të gatshme të fillojnë ushqimin e ngurtë, krahas qumështit të gjirit. Një ndër ushqimet më të rekomanduara në këtë moshë është tërshëra. Kjo, për faktin se:
1. Në vetëm çerek kupe, tërshëra ofron 10% të nevojave ditore në hekur, 44% në magnez dhe 25% në zink. Tre minerale kyç për rritjen.
2. Tërshëra përmban fibra që zbusin përbërjen e zorrës së trashë dhe ndihmojnë në evitimin e konstipacionit, situatë shpeshherë shumë traumatike për shumë fëmijë.
3. Tërshëra është një drith që ruan gjithë vlerat ushqyese edhe pasi gatuhet.
4. Ky drith, është konstatuar të ketë efekt mbrojtës nga astma, kur fillohet në moshën 6 muajshe.
5. Në krahasim me orizin, tërshëra konsiderohet shumë më e lehtë për tu tretur nga aparati tretës i bebeve, ndërkohe që ju ofron atyre një dozë të mirë energjie, me plot 400 kalori në 100gr.
6. Krahasuar me drithërat e tjerë që përdoren zakonisht, tërshëra duket të jetë më pak e lidhur me alergji të mundshme.
7. Me nje profil shumë të pasur vitaminash, antioksidantësh dhe mineralesh, tërshera konsiderohet një perforcues i shkëlqyer i imunitetit të fëmijës.
Marrë nga faqja zyrtare e Blerina Bombaj në Facebook ( Ne jemi çfarë hamë)